Berisha dhe Nano: Zgjedhjet e lira, kushti i ndihmës amerikane
Zgjedhjet, kusht për 5 miliardë USD
Nevila Përndoj
TIRANE- Zgjedhjet e ardhshme të 12 Tetorit do të ndikojnë në ndihmat e Shqipërisë për të ardhmen. Mbarëvajtja e zgjedhjeve lokale të vjeshtës janë kushti i SHBA-së ndaj Shqipërisë për ndihmën financiare amerikane me një vlerë 5 miliardë dollarë amerikanë. Shqipëria është përfshirë në programin amerikan për “Sfidat e Mijëvjeçarit”, si një nga ato vendet që kanë pranuar në nënshkruajnë marrëveshjen e nenit 92 për mosdërgimin e shtetasve amerikanë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Një kusht i tillë është bërë prezent nga dy liderët kryesorë të politikës shqiptare, kryeministri Nano dhe lideri i PD-së, Sali Berisha. Nano dhe Berisha kanë patur takime të veçanta me presidentin e fondacionit IFES, Sudriete, në të cilin është bërë prezent ky fakt. “Institucioni i zgjedhjeve të lira është një nga kushtet për të marrë pjesë në projektin “Sfidat e Mijëvjeçarit”, të shpallur nga presidenti Bush. Shqipëria është tashmë shumë afër për t’u bërë pjesë e këtij programi botëror që kap shifrën 5 miliardë dollarë. Ne e vlerësojmë qëndrimin tuaj personal, jo vetëm si kryeministër në angazhimin për të përmbushur kushtet e pjesëmarrjes në të. Ne besojmë se edhe faktorë të tjerë do të reagojnë me të njëjtën përgjegjësi”, -ka deklaruar Nano në takimin me Sudriete. Ndërsa kryetari i demokratëve Sali Berisha deklaroi djenë takimin me Sudriete se zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri është kusht për përfitimin e Shqipërisë nga programi amerikan “Sfida e Mijëvjeçarit”, vlerë kjo që llogaritet në miliarda dollarë. Pas takimit me presidentin e IFES, lideri i opozitës siguroi se opozita do të bëjë çdo përpjekje për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. “Unë i sigurova presidentit të IFES se PD do të bëjë çdo përpjekje për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm dhe dua t’u them këtu se ajo çka unë mësova nga miqtë e mi është që këto zgjedhje do të jenë përcaktuese për Shqipërinë nëse do të përfitojë apo jo nga programi “Sfida e Mijëvjeçarit” i SHBA-së, që bën fjalë për miliarda dollarë”, -tha Berisha. Ai theksoi se presidenti Bush ka fiksuar si kusht, zgjedhjet e lira dhe të ndershme të atyre vendeve mike të SHBA-së, që do të mund të përfitojnë nga ky plan marshall “me të cilën SHBA synojnë të kontribuojë për prosperitetin, paqen, stabilitetin, demokracinë e vendeve mike”. Për këtë arsye, Berisha sqaroi se është i një rëndësie të veçantë miratimi i Kodit Zgjedhor dhe zhvillimi i një procesi të lirë dhe të ndershëm. Para dy ditësh, kryetari i demokratëve deklaroi se opozita do të firmosë procesverbalet e rezultateve vetëm në rast se ato do të jenë korrekte.
Po dje në mesditë, kryetari i demokratëve akuzoi një nga ndihmësit më të ngushtë të kandidatit socialist për kryetar bashkie të Tiranës, Edi Rama, për mosregjistrimin e demokratëve nga lista e zgjedhësve. “Jam këtu për t’i bërë të qartë Edvin Ramës se do ta paguajë shumë shtrenjtë operacionin “Gonxhe”, operacion me të cilin ka përjashtuar nga listat e Tiranës përmes nëpunësve të padenjë të pandershëm të gjendjeve civile, deri tani 10.000 demokratë dhe demokrate të deklaruar. Ky operacion i kryer nën kujdesin e Gonxhes gjatë këtyre muajve do të ketë pasoja katastrofale mbi Padrinon e Tiranës. E paralajmëroj!! Mos mendo se do të shpëtosh duke shkelur të drejtat e qytetarëve të Tiranës sepse kjo është e fundit që t’i mund të bësh sepse ti je i pashpresë”, -tha Berisha. Kryetari i demokratëve shtoi se përqindja e demokratëve të paregjistruar është plot 6%. Prej disa ditësh zyrtarët e lartë të selisë blu po trumbetojnë faktin se zyrat e gjendjes civile nuk pranojnë regjistrimin e mjaft anëtarëve demokratë që nuk janë në listat e zgjedhësve. Pretendimi në fjalë është mohuar disa herë nga zyrat e gjendjes civile dhe ministri i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit Ben Blushi
Krijoni Kontakt