
Postuar më parë nga
shigjeta
Kryeparlamentarja Topalli takon grupin e Miqësisë së Asamblesë Kombëtare franceze
“Në prag të liberalizimit të vizave, Asambleja Kombëtare Franceze vlerëson Shqipërinë si shtet moderator në Ballkan”. Kjo ishte kryefjala e takimit të djeshëm që kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli zhvilloi me grupin e Miqësisë së Asamblesë Kombëtare Franceze. “Franca vlerëson Shqipërinë si një shtet moderator në Ballkan dhe mbështet hapat e saj drejt BE”, u shpreh kryetarja e Grupit të Miqësisë, Genevieve Colot. Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit, tha se mes dy vendeve ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin në rritje mes dy parlamenteve. “Ne e falënderojmë dhe e vlerësojmë si shumë të rëndësishme mbështetjen e Francës në proceset demokratike dhe integruese të Shqipërisë”, tha Topalli. Sipas saj, nuk ka asnjë vend tjetër si Shqipëria, e cila me një histori të gjatë e të dhimbshme të privimit të lirisë dhe diktaturës më të egër në Evropë, të ketë bërë një progres kaq të madh në reforma, brenda një kohe kaq të shkurtër. Kryetarja e Kuvendit vuri në dukje se Franca ka luajtur një rol të veçantë për mbështetjen e Shqipërisë dhe shprehu besimin, se kjo mbështetje do të vazhdojë. Anëtarët e delegacionit të Asamblesë Franceze, theksuan se Shqipëria luan një rol shumë të rëndësishëm moderues në rajon dhe vlerësuan reformat që po ndërmerren në çdo sektor. Deputetët francezë theksuan se ka një mbështetje të konsiderueshme në Asamblenë Nacionale, për zhvillimet në Shqipëri dhe për përpjekjet e saj . Duke iu përgjigjur interesimit të veçantë të deputetëve francezë për situatën në vend, Kryetarja e Kuvendit tha se Shqipëria ka arritur standarde evropiane në siguri, kontrollin dixhital të kufijve, pasaportave biometrike, kartave të identitetit, dhe ka shënuar rezultate të jashtëzakonshme në luftën kundër krimit të organizuar, ekonomisë informale, rezultate të cilat, po konfirmohen dhe në raportet pranë strukturave më të rëndësishme të BE. Më tej, në takim u fol për zhvillimet ekonomike, ku kryetarja e kuvendit i kërkoi delegacionit të Asamblesë të rritet prezenca e investitorëve francezë në Shqipëri, pasi vendi ynë ka krijuar një klimë të favorshme dhe të sigurt për investitorët e huaj. Në këtë pikë, nga pala franceze u vlerësua vendosja e taksës së sheshtë, dixhitalizimi i regjistrimit të bizneseve, lufta kundër evazionit fiskal, rritje ekonomike pozitive, etj.
Gazeta55
Krijoni Kontakt