Komisioni i Brendshëm i PE miraton rezolutën për vizat
12:35
Eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon u shpreh se me miratimin e rezolutës komisioni po i dërgon Shqipërisë dhe Bosnjës një mesazh të qartë
Burimi: ikub.al
Komisioni për Liritë Civile, Drejtësi dhe Punët e Brendshme i Parlamentit Evropian në Bruksel ka miratuar rezolutën për heqjen e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën, me 49 vota pro dhe 2 kundër. Votat kundër ishin të deputetëve ekstremistë holandezë e flamang. Në këtë mënyrë i hap dritën jeshile votimit të kësaj rezolute për heqjen e vizave brenda vitit 2010 në Parlamentin Europian, e më pas nga ministrat e Brendshëm të BE-së. Në mbledhjen e paradites së të martës komisioni votoi gjithashtu edhe për opinionin e miratuar nga komisioni i Jashtëm, në të cilin thuhet se ky proces duhet të kryhet sa më shpejt. E pranishme në sallë, eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon u shpreh se me miratimin e rezolutës komisioni po i dërgon Shqipërisë dhe Bosnjës një mesazh të qartë. “Pas votimt final javën tjetër, shtetet anëtare do të japin mundësi për finalizimin e procesit”, u shpreh Fajon. Më herët komisioni hodhi në votë amendamentin e paraqitur nga deputeti i majtë holandez, Daniel Van Der Stoep. Sipas këtij amendamenti si Shqipëria ashtu dhe Bosnja më parë duhet të tërhiqen nga Organizata e Konferencës Islamike në mënyrë që kjo rregullore për heqjen e vizave të zbatohet. Gjatë votimit amendamenti i Van der Stoep është rrëzuar me vetëm dy vota pro dhe 49 kundër. Tashmë rezoluta pritet të kalojë për votim në Parlamentit Evropian në seancat e 6 dhe 7 tetorit, dhe më pas miratimi final në 7 dhe 8 nëntor nga ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian. Heqja e vizave hyn në fuqi në dhjetor nëse Këshilli i Ministrave të Brendshëm miraton raportin.
Krijoni Kontakt