Jennifer Grey: Ikona e “Dirty Dancing”
27/09/2010
“Falë vendosmërisë sime, mposhta kancerin. Tani do t’i rikthehem sërish vallëzimit”
Mund të quhet “mallkimi i ‘Dirty Dancing’”. Pas Johnny-t, Patrick Swayze, që vdiq vitin e kaluar nga kanceri në pankreas, edhe Baby, Jennifer Grey, është prekur nga një lloj tumori, por që fatmirësisht arriti ta kuronte në kohë. Ka qenë vetë 50-vjeçarja që e ka bërë të ditur lajmin, ndërsa përgatitej të merrte pjesë në programin e kanalit ABC “Dancing with the Stars”. Jennifer ka treguar për rrezikun që i kanosej, ndërkohë nuk harron të falënderojë një neurolog të specializuar në ndërhyrjet e shtyllës kurrizore, i cili i shpëtoi jetën. Aktorja thotë se i ishte drejtuar atij për një konsultë rutinë për të parë ecurinë e qafës, që i ishte dëmtuar rëndë në një aksident automobilistik në vitin 1987, kur për pak sa nuk kishte humbur jetën, së bashku me të fejuarin e atëhershëm, Matthew Broderick. “Dhimbjet e qafës ishin të padurueshme dhe u thashë organizatorëve të programit ‘Dancing with the stars’ se do të shkëputesha për pak kohë, sa të vizitohesha te një doktor, për të kuptuar nëse isha në gjendje ta vazhdoja spektaklin”, shprehet aktorja për “Daily Express”. “U drejtova te ky kirurg i famshëm, për të cilin kisha dëgjuar të flitej shumë mirë dhe se thuhej që ishte specialist në fushën e tij. Kur ai më vizitoi dhe më pyeti se çfarë ishte ajo gungë që kisha në qafë, unë i thashë të mos shqetësohej, sepse kisha kohë që e mbaja nën kontroll. Nuk doja ta operoja, por ai më detyroi t’i nënshtrohesha ndërhyrjes dhe tani fatmirësisht mund të them se hoqa një tumor malinj, të cilin e mbaja në trup prej shumë vitesh”, thotë Jennifer.
Sfidat
Falë insistimit të doktorit, Grey arriti ta kapte në kohë kancerin, duke bërë kështu që ai të mos përhapej. Tani Jennifer është gati të përballojë sfidën e spektaklit (kishte hequr dorë disa herë në të kaluarën, pikërisht nga dhembjet e padurueshme të shpinës), ku do të kërcejë me Derek Hough. Në këtë spektakël do të marrin pjesë edhe David Hasselhoff dhe vajza e Sarah Palin, Bristol. “Mendoj se nëse nuk do ta bëj tani, më vonë nuk do të jem në gjendje, sepse dalëngadalë po plakem. Edhe pse skena më ngjall një frikë të jashtëzakonshme, e kam kuptuar se jeta është shumë e shkurtër dhe duhet jetuar sikur të ishte dita e fundit”. Pastaj, siç thoshte dikur Johnny në skenën finale të filmit, “asnjë nuk mund ta mposhtë Baby-n”, madje as një tumor.
Gjatë provave të spektaklit, Grey është përlotur dhe ka kujtuar mikun e saj Patrick: “Më mungon shumë. Ka qenë një nga njerëzit më të guximshëm që kam njohur ndonjëherë. Nëse sot jam këtu, është falë atij filmi dhe falë tij”, është shprehur aktorja.
“Baby i është rikthyer botës që i përkiste. Jam i sigurt se dikush atje lart është shumë krenar për të”, ka thënë një nga anëtarët e jurisë duke iu referuar figurës së saj.
Jennifer Grey kujton humbjen e Patrick Swayze që ndodhi një vit më parë. Jennifer Grey dhe Patrick Swayze ishin protagonistët e filmit kult “Dirty Dancing”, ku ajo interpretonte një vajzë adoleshente. Baby ra në dashuri me mësuesin e dancit, i cili duhej të fitonte një garë vallëzimi për të ndihmuar shoqen e tij të ngushtë që kishte mbetur shtatzënë me një faqezi.
Patrick ka qenë një artist i shkëlqyer dhe shumë i talentuar. Ndër rolet e tij më të famshme spikaten ai i Johnny Castle në filmin “Dirty Dancing” më 1987-n, ku Patrick shpalosi aftësitë e tij jo vetëm si aktor, por edhe si balerin. Në filmin “Dirty Dancing”, Patrick ishte profesor kërcimi në një fshat turistik në Amerikë, ku ra në dashuri me bukuroshen Baby, një vajzë fisnike, e cila ishte me pushime me prindërit. E gjithë historia e kësaj dashurie lidhet me vallëzimin: ai ishte instruktori i vallëzimit të fshatit dhe pikërisht pasioni i tij “infektoi” edhe Baby-n. Një cilësi që i dha çmimin “Rolex Award” si një prej aktorëve më të mirë balerinë të historisë së kinemasë.
Biografia
Jennifer Grey ka lindur në Nju Jork, më 26 mars të vitit 1960. Është një aktore amerikane, e njohur nga publiku i gjerë për rolin e Baby-t të interpretuar në filmin “Dirty Dancing”. Vajza e aktorit Joel Grey dhe Jo Wilder, studioi në një shkollë private në Nju Jork. Në vitin 1984 mori pjesë në filmat “The Cotton Club” me regji të Francis Ford Coppola dhe në “Red Dawn”, ku interpretoi përkrah Patrick Swayze, i cili do të ishte sërish partneri i saj në filmin që e bëri të famshme “Dirty Dancing”, më 1987-n. Pas suksesit të “Dirty Dancing”, merr pjesë në një tjetër film “Bloodhounds of Broadway”, ku shfaqet edhe këngëtarja Madonna. Por Grey kujtohet gjithmonë me rolin e Baby-it dhe duke qenë se nuk mund të shqitej nga ky personazh, në vitet pasardhëse interpreton vetëm filma për televizionin dhe pa ndonjë sukses të madh. Jennifer ka marrë pjesë në disa episode të serialit të famshëm “Friends” dhe në filmin “Bounce” me Gwyneth Paltrow e Ben Affleck. Ajo u rikthye sërish në qendër të vëmendjes, për shkak të disa ndërhyrjeve të kirurgjisë estetike, ku rregulloi hundën dhe fytyrën, duke i thënë përgjithmonë lamtumirë asaj pamjeje të ëmbël që pëlqehej aq shumë nga publiku.
shqip.
Krijoni Kontakt