-
i/e regjistruar
Hapet ekspozita "Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri"
Kodikët kanë një nënë që i ka lindur dhe kjo është Kisha Orthodhokse
Përshëndetja e Kryepiskopit Anastas në përurimin e ekspozitës “Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri”
Kjo ekspozitë e organizuar në mënyrë të përsosur, ka një rëndësi dhe vlerë të trefishtë: historike, kulturore, fetare.
a) Dyzet e pesë kodikë në pergamenë dhe letër, që datojnë nga shekulli i gjashtë deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë, bashkë me dorëshkrimet e tjera, depozitojnë një dëshmi shumë të vyer për historinë e rajonit tonë për 13 shekuj me radhë; për lulëzimin e qyteteve që deri sot kanë një rol të rëndësishëm, si Berati, Durrësi, Vlora, Korça, Gjirokastra. Ofrojnë një material të rëndësishëm informues dhe kontribuojnë në njohjen më të mirë të së shkuarës. Është e njohur se historia e paanshme mbështetet në burime. Midis tyre, monumentet e shkruara të fjalës janë më elokuentet dhe më të besueshmet. Prandaj edhe të gjitha shtetet që respektojnë të shkuarën historike të popujve të tyre, kanë, me një përkujdesje të veçantë, arkiva për ruajtjen dhe përdorimin e monumenteve të fjalës, siç janë kodikët dhe dorëshkrimet.
b) Njëkohësisht zbulojnë një anë të rëndësishme të qytetërimit që u zhvillua në vend në vazhdën e shumë shekujve. Të tjerë, më të specializuar sesa unë, do të prezantojnë vlerën e veçantë kulturore që kanë miniaturat, germat e para të zbukuruara me ar, në mënyrë më të përgjithshme cilësinë estetike të kodikëve dhe të dorëshkrimeve. Eksponatet përbëjnë provaserajoni i Shqipërisë së sotme merrte pjesë vazhdimisht në krijimtarinë më të gjerë kulturore të Perandorisë Bizantine dhe ruajti sende të shenjta të një vlere unikale për qytetërimin mbarëbotëror (si p.sh. Kodiku i Beratit).
c) Edhe një pikë të tretë. Eksponatet e mrekullueshme që prezantohen, kanë një nënë që i ka lindur, dhe kjo është Kisha Ortho- dhokse. Ato nuk u krijuan nga artistë indife- rentë për shtëpi të pasura apo për ambiente ekspozitash, siç ndodh në epokën tonë. U krijuan për qëllime adhuruese, u përdorën për jetën fetare dhe mbështetjen e popullit. U shenjtëruan brenda kishave, ku luajtën një rol parësor duke frymëzuar dhe mbështetur po- pullin e thjeshtë në sprovat e tij. Pra, nuk janë thjesht disa prova të rëndësishme historike dhe krijime artistike, por shumë nga këto, veça- nërisht ungjijtë, mujorët, sinaksarët, jetët e shenjtorëve, homelitë për leximet ungjillore, muzika bizantine dhe dorëshkrimet e tjera liturgjike, mbi të gjitha janë objekte të hirshme. Përfaqësojnë ofertën e njeriut për të Shenjtën dhe rikujtojnë ngushëllimin dhe shpresën që ofruan në gjenerata njerëzish të çdo sëre e shkollimi. Për shumë shekuj, këto relike ru- heshin në relikuarët e manastireve të hirshme, të mitropolive dhe të kishave tona të famullive.
Arkivi Qendror i Shtetit meriton falënderime të ngrohta, që i ruajti gjatë kohëzgjatjes së periudhës së egër ateiste dhe që i nxori në pah, me përkujdesje dhe ndjeshmëri të veçantë, në periudhën e tanishme të demokracisë.
Do të doja të falënderoja ngrohtësisht Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Fondacionin Helen të Kulturës dhe Fondacionin Arsimor të Bankës Kombëtare të Greqisë për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm që patëm gjatë përgatitjes së ekspozitës dhe të shpreh përgëzime të përzemërta për të gjithë sa punuan e u munduan për organizimin dhe prezantimin e shkëlqyer të kësaj ekspozite. Gjithashtu, me shumë gëzim përshëndes përurimin e ekspozitës, duke uruar sukses të plotë në realizimin e qëllimeve të saj.
Ekspozita e Dorëshkrimeve Bizantine dhe Pasbizantine përbën një ngjarje historike në jetën shpirtërore, kulturore e fetare të Shqipë- risë. Çel një dritare në aspekte dhe krijimtari të shkëlqyera të së kaluarës; ofron një frymëmarrje jetëprurëse e të gëzuar në të tashmen dhe ripërtërin shpresën për promovimin e krijimtarisë kulturore të vendit tonë në të ardhmen.
Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 27-02-2013 më 23:39
-
-
i/e regjistruar
U hap ekspozita "Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri"
U hap ekspozita "Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri"
Në datën 3 maj, u bë përurimi i ekspozitës unikale "Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri". Ajo u organizua nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Fondacioni Grek i Kulturës, Fondacioni Kulturor i Bankës Kombëtare të Greqisë dhe nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, nën kujdesin e Kryeministrit, dr. Sali Berisha.
Mbikëqyrja shkencore e kësaj veprimtarie u bë nga filologu e paleografi z. Agamemnon Celikas, përgjegjës i Arkivit Historik dhe Paleografik të Fondacionit Kulturor të Bankës Kombëtare të Greqisë, për Arkivin nga paleografi Sokol Çunga, ndërsa përfaqësuesit shkencorë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në komisionin organizativ të ekspozitës ishin arkimandriti Justin Anthimiadhi dhe historiani/paleografi MA Andrea Rëmbeci.
Veprimtaria nisi paraditen e datës 3, me një konferencë shtypi ku organizatorët shpjeguan rëndësinë e kësaj ekspozite dhe mënyrën e organizmit të saj. Kisha jonë u përfaqësua në të nga Hirësia e Tij, Episkopi i Krujës Andoni.
Pasditen e kësaj dite, në mjediset e Drejtorisë së Arkivave u bë çelja zyrtare e veprimtarisë. Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin Kryeministri Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Hirësia e Tij Andoni, ministra, ambasadorë, historianë, intelektuale të njohur, klerikë etj.
E para i përshëndeti të pranishmit drejtorja e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika, që e cilësoi këtë ekspozitë si një pasaportë të bukur të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sipas saj, "në këtë ekspozitë janë rrënjët tona dhe përmes këtyre rrënjëve ne shikojmë të ardhmen tonë."
Pastaj, Hirësia e Tij Andoni lexoi përshëndetjen e Kryepiskopit Anastas, i cili nuk pati mundësi të merrte pjesë në ceremoni. Ndër të tjera, Fortlumturia e tij theksonte se "Shqipëria ishte aktive dhe merrte pjesë në krijimtarinë më të gjerë kulturore të perandorisë bizantine dhe ruajtjes së sendeve të shenjta për qytetërimin mbarë botëror"... "Eksponentët që prezantohen kanë një nënë që i ka lindur dhe kjo është Kisha, ato nuk u krijuan nga artistë indiferentë siç ndodh në epokën tonë, por u krijuan për qëllime adhuruese duke u përdorur për jetën fetare, dhe mbështetjen e popullit". (Fjala botohet e plotë më lart)
I pranishëm në këtë aktivitet, Kryeministri Berisha përshëndeti të pranishmit, duke theksuar se "Këto dokumenta faktojnë gjithashtu kontributin e shqiptarëve si komb për Krishterimin dhe qytetërimin perëndimor”, duke shtuar se, "Kodiku i Purpurt, kodiqet e tjera janë një pasuri e madhe, madje ndër më të mëdhatë që një komb disponon nga kohërat e mëparshme. Ato kanë dhe një gjuhë tjetër, që dëshmojnë sesi shqiptarët, elita e tyre i ruajti dhe i përcolli ato brez pas brezi".
Në vijim të fjalës së tij, Kryeministri Berisha siguroi punonjësit e Arkivit se, "qeveria shqiptare do të bëj të gjitha përpjekjet që këto vlera që pasqyrojnë fondin kishtar, kulturor, shpirtëror të kombit tonë, të ruhen të zhvillohen gjithnjë e më shumë".
Më pas, të pranishmit vizituan ekspozitën e cila do të qëndrojë e hapur për të gjithë ata që duan ta vizitojnë deri në 4 qershor.
Në të u paraqitën 44 kodikë, që i përkasin periudhës së historike nga shek. VI deri në shek. XVIII, ku spikatnin dhe dy kodikët e njohur, Beratinus Purpureus 1 dhe Beratinus Purpureus 2, pjesë e Regjistrit të Kujtesës Botërore të UNESKO-s, që prej vitit 2005. Për të dhënë një pamje më të plotë dorëshkrimeve në këtë ekspozitë u paraqitën edhe 28 panele fotografike që jepnin një informacion më të detajuar dhe më të zgjeruar të brendësisë së kodikëve.
Një ekspozite e kësaj natyre organizohet për herë të parë në vendin tonë dhe ka për qëllim afrimin e publikut tek këto thesare që u krijuan nga Kisha Orthodhokse në shekuj dhe që klerikët, besimtarët i ruajtëm me përkushtim e vetëmohim. Ato, si të gjitha kishat, ikonat dhe arkivat që i mbijetuan persekutimit të egër monist, u morën nga shteti, që i ka ende në zotërim.
Në datën 4 maj, në mjediset e Arkivit u zhvillua me këtë rast edhe një simpozium shkencor.
Thoma Dhima
-
-
Nis turi i ekspozitës "Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri", ndalesa e parë në Korçë
Pas suksesit të shkëlqyer që pati çelja për herë të parë në Kryeqytet e ekspozitës "Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri", nisi cikli shëtitës në qytetet kryesore të Shqipërisë me qëllim njohjen e publikut të gjerë me këto thesare. Në datën 7 janar, nw Korçë, u bë çelsja zyrtare e kësaj ekspozite në mjediset e Qendrës Kulturore “Vangjush Miho”. Ajo u organizua nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë-Departamenti i Historisë i Universitetit të Tiranës, Mitropolia e Hirshme e Korçës, Bashkia Korçë dhe Prefektura e Qarkut Korçë. Mbikëqyrja shkencore e kësaj veprimtarie u krye nga historiani/paleografi Andi (Andrea) Rembeci dhe arkivisti/paleografi z. Sokol Cunga.
Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin prof. dr. Nevila Nika, Drejtore e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Shqiptare, prof. dr. Valentina Duka, zv/dekane e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë së Universitetit të Tiranës, imzot Joan Pelushi, Mitropolit i Korçës, z. Andrea Mano, Prefekt i Qarkut Korçë, z. Sotiraq Filo, nënkryetar i Bashkisë së Korçës, përfaqësues të komuniteteve fetare, përfaqësues të pushtetit vendor, historianë, intelektual të njohur, klerikë etj.
E para i përshëndeti të pranishmit drejtorja e Arkivit Qendror Shtetëror, Nevila Nika, e cila e cilësoi këtë ekspozitë si dritare njohjeje me paraardhësit tanë. Sipas saj, “Pafundësia e materialeve dokumentare që flasin për Korçës, ku renditen edhe kodikët e Mitropolisë së Korçës, janë një pasuri kulturore që mbërrin tek ne brez pas brezi. Këto libra janë dëshmi e gjallë e nivelit arsimor dhe kulturor të paraardhësve, dikur e përdorur në çdo ditë të jetës së tyre. Le t’i soditim, t’i çmojmë dhe le t’ua lëmë me respekt trashëgimi pasardhësve tanë, ashtu siç i morëm nga paraardhësit”.
Në vijim, fjalën përshëndetëse e mbajti zv/dekanja e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, znj. Duka, e cila theksoi rëndësinë që kishte çelja e një ekspozite të tillë në Korçë. Ndër të tjera ajo shtoi: “Kjo ekspozitë shfaq vlerën e jashtëzakonshme që mbartin këto dëshmi shumëshekullore për historinë e popullit tonë, që nga perandorët e parë bizantinë e deri tek patrikët e fuqishëm që ushtronin veprimtarinë e tyre brenda Perandorisë Osmane; çel një dritare njohjeje me të shkuarën kulturore të trevave mesjetare të Shqipërisë dhe depoziton një dëshmi shumë të vyer për kontributin dhe rolin aktiv të Shqipërisë në zhvillimin kulturor”.
Më pas të pranishmit i përshëndeti Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joan Pelushi, i cili ndër të tjera theksoi se “një ekspozitë mbi historinë e së kaluarës bëhet si në funksion të së tashmes, ashtu edhe në atë të së ardhmes, sepse vetëm duke u njohur mirë me të kaluarën ne mund të kuptojmë të tashmen dhe mund të ndërtojmë të ardhmen... Studimi i këtyre dorëshkrimeve, ashtu si i çdo aspekti të historisë, duhet të paraqesë realitetin ashtu siç është, me tërë bukurinë, madhështinë dhe dobësitë që ato mund të kenë” ... “Kam përshtypjen që shpeshherë, kur flitet rreth këtyre dorëshkrimeve nuk është dhënë një informacion i plotë... Është folur shumë pak për autorët, qofshin edhe anonim, akoma edhe më pak për frymën që i frymëzonte ata si edhe për ambientin e tyre fetaro-kulturor ku ata jetonin. Kisha Orthodhokse, e cila ishte krijuesja e këtyre, për arsye të ndryshme, përmendet fare pak ose aspak, duke lënë pothuajse në hije... Jam i gëzuar, sepse kohët e fundit shihet një qasje më realiste dhe më shkencore ndaj tyre”.
Fjala e përshëndetjes së radhës iu dha Prefektit të Korçës, z. Andrea Mano, i cili i përshëndeti të pranishmit duke nënvizuar se “për publikun e gjerë ekspozita e dorëshkrimeve bizantine dhe pasbizantine është një pjesë e asaj vetëdije të prekshme të shqiptarëve që na bën të ndjehemi krenarë për të shkuarën. Korçarët, në veçanti, me plot të drejtë mund të krenohen për kontributin që kanë dhënë paraardhësit e tyre në zhvillimin shoqëror, kulturor dhe historik të Shqipërisë”. Pasi përmendi si shembull rëndësinë e madhe historike që paraqet Kodiku i Korçës dhe Selasforit, ai përfundoi duke thënë: “Si Prefekt i Qarkut të Korçës dhe si qytetar i saj, vlerësoj hapjen e kësaj ekspozite dhe kam besim se Korça do të vazhdojë të kontribuojë në fushën e kulturës edhe ndër brezat që do të vijnë”.
Në emër të Kryetarit të Bashkisë së Korçës, z. Niko Peleshit, çeljen e ekspozitës e përshëndeti nënkryetari i Bashkisë së Korçës, z. Sotiraq Filo, i cili shprehu rëndësinë e kësaj veprimtarie kushtuar vlerave të besimit dhe dijes. Ai shtoi: “Si enciklopedi të vërteta të mendimit të krishterë, kodikët e Shqipërisë janë përmendore të kulturës dhe qytetërimit në trevat tona dhe mbajnë vulën e hapësirës, ku kanë jetuar shqiptarët dhe të parët e tyre.... Këta libra të vjetër, ofrojnë një model të rrugës, nëpër të cilën eci krishterimi në vendin tonë dhe tregojnë sesi u transmetua besimi dhe dija nga njëra gjeneratë në tjetrën. Roli i Kishës Ortodokse në Shqipëri për këtë proces është i pazëvendësueshëm”.
Më pas, të pranishmit vizituan ekspozitën, e cila do të qëndrojë e hapur për të gjithë ata që duan ta vizitojnë deri në 15 janar.
Në të u paraqitën në penale fotografike 54 kodikë, që i përkasin periudhës së historike nga shek. VI deri në shek. XVIII. Ndër to spikatnin dhe dy kodikët e njohur, Beratinus Purpureus 1 dhe Beratinus Purpureus 2, pjesë e Regjistrit të Kujtesës Botërore të UNESKO-s, të cilët shoqëroheshin edhe nga maketet dhe faksimilet e tyre.
Pasditen e kësaj dite, në ambientet e universitetit të Korçës “Fan S. Noli” u zhvillua një takim shkencor mbi të njëjtën temë. Në këtë takim të pranishëm ishin rektori i Universitetit të Korçës, z. Gjergji Mero, profesorë nga vendi dhe të huaj, studiues, intelektualë, përfaqësues të komuniteteve fetare, të pushtetit vendor, klerikë dhe studentë. Gjatë zhvillimit të këtij takimi shkencor u mbajtën referate të ndryshme, që hodhën dritë mbi një pjesë të vyer të historisë dhe traditës së pasur kulturore të krishterë në vendin tonë, konkretisht me historinë dhe traditën e dorëshkrimeve bizantine dhe pasbizantine, vlerën e tyre shumëdimensionale si burime historike dhe veçantitë artistike të ato mbartin.
Veprimtari të kësaj natyre kanë për qëllim njohjen e studiuesve dhe e publikut të gjerë me një pjesë të vyer të historisë dhe traditës së pasur kulturore të vendin tonë, e cila është krijuar kultivuar dhe sjellë përgjatë shekujve nga të krishterët orthodhoksë dhe që sot ruhen në AQSh.
KOASH
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt