Prishtinë, 20 shtator – Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, ende shpreson që shumë shpejt të ketë aksione në veri të Kosovës, me qëllim që të kapen disa nga të dyshuarit kryesor për krim të organizuar, kontrabandë dhe vepra të tjera të rënda kriminale.
Njëzet e pesë rastet e ndryshme të kontrabandës, krimeve etnike dhe krimeve të tjera të rënda në veri të Kosovës, po vazhdojnë të hetohen dhe zyrtarët e këtij misioni, vazhdimisht deklarojnë se hetimet do të sjellin shumë shpejt aksione edhe në veri, mirëpo deri më tash, një gjë e tillë ka munguar.
“EULEX-i së bashku më autoritetet lokale është i dedikuar që të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në gjithë Kosovën. Duke pasur parasysh këtë, aktivitetet në veri janë shtuar javëve dhe muajve të fundit. Një numër i krimeve serioze janë duke u hetuar, por për shkak të natyrës së rasteve, nuk mund të jepen më shumë informacione në këtë fazë. Ne shpresojmë se do të ketë rezultate pozitive shumë shpejt”, ka thënë zëdhënësja e EULEX-it, ***** Limdal.
Shfaqja publike e shpresës dhe e qëllimit që të veprojnë edhe në veri, ka muaj të tërë që është bërë nga zyrtarët e EULEX-it.
Kryeprokurori i këtij misioni, Johannes Van Vreeswijk, në një intervistë për “Kohën Ditore” në fund të muajit korrik, pati folur konkretisht për rastet e krimeve në veri të Kosovës, ndërsa pati deklaruar se brenda asaj jave do të shqyrtohej edhe një plan operacioni që do të sillte shumë shpejt arrestime në pjesën më problematike të Kosovës.
“E kemi hartuar një listë, të cilën do ta shqyrtojmë të martën dhe do të pajtohemi për detajet e aksioneve... Një listë të veçantë vetëm për veriun e Kosovës. Janë raste serioze që duhet pastruar. Janë rreth njëzet e pesë, por le të themi se do të fillojmë me gjashtë raste. Diku duhet filluar”, pati thënë Vreeswijk.
Sipas tij, një grup nga njëzet e pesë rastet ka të bëjë me kontrabandën dhe të përfshirë janë serbë dhe shqiptarë.
“Ka shqiptarë dhe serbë. Miq në krim. Paratë i largojnë dallimet”, pati thënë Vreeswijk, duke paralajmëruar arrestime të shpejta.
Zyrtarët e EULEX-it, jozyrtarisht ua lënë një pjesë të fajit “pushimeve verore”, e pjesën më të madhe “kohës që duhet për hetimet”, mungesës së veprimit në veri, edhe pas aq shumë paralajmërimesh.
Të njëjtët zyrtarë nuk e mohojnë mundësinë, që nga dita në ditë, misioni të bëjë arrestime edhe në veri.
Arrestime dhe aksione konkrete të sundimit të ligjit në veri, misionit po i kërkohen vazhdimisht edhe nga Qeveria e Kosovës. Në një mbledhje urgjente muajin e kaluar të përfaqësuesve të Kuintit, zyrtarëve të EULEX-it dhe ICO-së me presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi, zyrtarët kosovarë u kanë kërkuar me ngulm diplomatëve ndërkombëtarë veprime për veriun.
Vonesa e misionit nuk ka bërë që shpresën për veprim të EULEX-it në veri ta humb as ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.
“Ne shpresojmë që shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete. Presim dhe shpresojmë. Ka shenja se do të ketë arrestime, mirëpo hetuesit duan që të kenë argumente tejet bindëse që kur të arrestohen të dyshuarit të mos lirohen më. Një proces i tillë merr kohë”, ka thënë Rexhepi.
Sipas tij, aksionet e EULEX-it do të ndikonin pozitivisht në jetën e qytetarëve në atë pjesë të Kosovës. (gjerësisht në numrin e sotshëm të “Kohës Ditore”.
Krijoni Kontakt