Myslimanët kërkojnë harmoni fetare edhe me objektet e kultit në Tiranë. Kërkesa e drejtuar ndaj kreut të bashkisë Edi Rama, është bërë pikërisht në ditën e Bajramit. Presioni për xhaminë, mori formë e një lloj "proteste", dje kur për herë të parë, falja e Fiter Bajramit u bë e gjitha në sheshin "Skënderbej", jashtë xhamisë së vogël të Et'hem Beut në qendër. Myftiu i Tiranës, e shfrytëzoi këtë festë për t'i bërë thirrje publike kreut të Bashkisë së Tiranës, që të japë lejen e ndërtimit të xhamisë. Akoma më e ashpër bëhej kërkesa kur Myftiu kërkoi nga Bashkia, zbatimin e barazisë mes tre komuniteteve në Tiranë.
"Qendra e Tiranës është zbukuruar dhe hijeshuar me dy faltore të mëdha, një katedrale katolike dhe një kishë ortodokse. Pse të mos i japim një hijeshi të plotë, me një xhami duke plotësuar trekëndëshin vëllazëror ndërfetar në Shqipëri, duke ditur se jemi maxhoranca në Shqipëri. Ndërtimi i një faltoreje për myslimanët ka një rëndësi të veçantë, për vetë faktin që kushtet na detyrojnë. Jemi në pritje të një përgjigjeje pozitive nga bashkia e Tiranës, në mënyrë që edhe ne myslimanët të mos kemi dallim nga fetë e tjera, të kemi një faltore të madhe si të gjithë komunitetet e tjera fetare në Tiranë". Kjo ishte kërkesa, në formën e një apeli, e bërë dje nga Shaban Saliaj, kryemyftiu i Tiranës. Myslimanët kanë më shumë se 15 vite që kërkojnë ndërtimin e një xhamie në qendër të Tiranës, por kjo kërkesë është zvarritur dhe ka ngelur akoma pa një përgjigje. Në vitet 2000 qeveria vendosi të aprovojë kërkesën e Komunitetit Mysliman për shfrytëzimin e tokës së tyre dhe ndërtimin e bashkisë. Por kjo leje, që pret firmën e Bashkisë së Tiranës akoma nuk është bërë efektive. Sipas të dhënave, Komuniteti ka kërkuar ndërtimin e xhamisë në tre zona të Tiranës. Dy prej tyre tashmë janë shndërruar në ndërtime të karaktereve të tjera dhe e vetmja zonë e ngelur, në tokë të komunitetit, është sheshi i Namazgjasë pranë parlamentit. Pavarësisht arsyeve, Komuniteti Mysliman, pas 15 vitesh është i vetmi që nuk ka një objekt kulti si dy komunitetet e tjera në Tiranë.
Krijoni Kontakt