
Postuar më parë nga
Renea
Driton ZENKU
Gostivar, 26 shtator - Gjashtë anëtarët e familjes Miftari nga fshati Raven njëherë e përgjithmonë e kanë tejkaluar problemin e banimit. Falë humanitetit të banorëve të fshatit, afaristëve dhe subjekteve të tjera, ato tanimë kanë strehim mbi kokë, një shtëpi të re me kushte solide për një jetë normale.
Para dy muajve, banorë të këtij fshati kanë iniciuar idenë për ndërtimin e një shtëpia për familjen Miftari, duke pasur për bazë gjendjen e vështirë dhe kushtet e rënda për jetesë për pesë fëmijët bonjak të kësaj familje dhe gjendjen jo të mirë shëndetësore të kryefamiljarit Sadri Miftari, i cili prej vitesh është kujdestari i vetëm për fëmijët e tij kryesisht të moshës së mitur, për shkak se e ëma e tyre ka ndërruar jetë.
"Me krenari sot finalizojmë një projekt humanitar. Para dy muajsh u dha ideja për të ndërtuar shtëpi për familjen Miftari të cilët me vite të tëra kanë jetuar në kushte vërtetë shumë të vështira. Për dy muaj, fal humanitetit të banorëve të fshatit duke përfshirë edhe mërgimtarët tanë si dhe ndihmës së pa kursyer të disa biznesmenëve, sot jemi dëshmitar të mbarimit me sukses të kësaj iniciative. Është ndërtuar një shtëpi solide për anëtarët e kësaj familje. Jemi kujdesur që këtyre njerëzve mos të ju mungojë asgjë në shtëpinë e tyre të re. Shprehim falënderimet tona për gjithë ato njerëz që në një formë ndihmuan ndërtimin e kësaj shtëpie, kush në mjete materiale, kush me finance e kush me krah pune", shtoi mes të tjerash Ruhit Osmani, kryetari i këshillit iniciues për ndërtimin e shtëpisë së familjes Miftari.
Fillimi dhe përfundimi i objektit është kryer për vetëm 55 ditë. Ide për nismë humane t banorëve të fshatit Raven ka lindur në ambientet e xhamisë së fshatit, nga ku pas apeleve për ndihmë ka filluar mobilimi i banorëve të fshatit në drejtim të rrumbullakimit të këtij gjesti human. "Apeli u bë në mesin e xhematit të grumbulluar në xhaminë e fshatit. Sot pa u mbushur dy muaj është gati shtëpia e re për anëtarët e familjes Miftari. Ky gjest dhe humanitetet i banorëve të fshatit, mërgatës sonë dhe njerëzve të biznesit është për tu përshëndetur", theksoi mes të tjerash Aziz Idrizi imam i fshatit Raven, cili luti Zotit të shpërblejë me të mirat e veta të pakufishme të gjithë ato që dhanë kontribut të ndërtimin e shtëpisë për familjen Miftari.
Dita e parë në shtëpi të re për pesë fëmijët e familjes Miftari u nderuar edhe me prezencën e delegacionit të Bashkësisë Islame në Gostivar si dhe atë të Komunës së Gostivarit. Në fjalimin e tij, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Gostivar, Shaqir efendi Fetahu, mes të tjerash u shpreh që ky shembull i banorëve të fshatit Raven duhet të ndiqet edhe nga banorët e vendbanimeve të tjera. "Duke ndihmuar familjet e tilla të varfra ne ndihmojmë në zvogëlimin e varfërisë. Sot kësaj familje, nesër një familjeje të tjetër dhe kështu do të ngitet niveli ekonomik i popullatës që shërben si forma më e mirë për të përballuar çdo sfidë të kohës, qoftë politike apo të ndonjë drejtimi tjetër fetar dhe kombëtar", u shpreh Fetahu. Më të gëzuarit e gjithë kësaj nisme ishin fëmijët e familjes Miftari, në fytyrat e të cilëve vërehej emocioni dhe gëzimi i madh që më në fund edhe ato të kalojnë ditët e fëmijërisë në kushte normale si të gjithë moshatarët e tyre. Ato publikisht shprehen falënderime për mbështetjen e dhënë për të gjithë ato njerëz që nuk kursyen kohën, mundit dhe xhepin e tyre që edhe ato të mund të kenë strehim mbi kokë. Objekti i ndërtuar për familjen Miftari afërsisht ka kushtuar rreth dyzet mijë euro. Në hapësirat e shtëpisë vëreheshin të gjitha elementet e nevojshme për një jetë normale, duke filluar nga dhomat e mobiluara të gjumit, tualeti dhe kuzhina.
gazeta Koha
Krijoni Kontakt