“Murtaja e bardhë” në Tetovë

Tetovë, 20 shtator - Në Tetovë sivjet janë regjistruar 2615 nxënës në vitin e parë të shkollave të mesme, por vetëm 1132 nxënës në klasën e parë të shkollave fillore. Sipas kësaj për tetë vite numri i fëmijëve të lindur në qytetin e Tetovës është përgjysmuar, gjegjësisht është zvogëluar për rreth 1500 nxënës, shkruan sot “Lajm” i Shkupit. Këto shifra alarmante të publikuara nga sektori për arsimit të komunës së Tetovës, për vitin shkollor 2010/2011 ka rrëqethur demografët të cilët konsiderojnë se zvogëlimi i popullatës shqiptare është shumë i madh. “Është shumë e vërtetë se numri i lindjeve te shqiptarët në vitet e fundit është duke rënë dukshëm, por te maqedonasit thuajse shumë pak ka lindje. Në Maqedoni brenda një viti lindi prej 4-5 mijë fëmijë shqiptarë, kurse 1-2 mijë maqedonas. Nataliteti jonë në krahasim me vitet e kaluara është në zvogëlim e sipër”, alarmon demografi Asllan Selmani. Sipas tij janë disa arsye për këtë dukuri. “Te shqiptarët kurorëzimet po shtyhen. Dikur shqiptarët martoheshin në 20-21 vjet, kurse tani martesat shtyhen për shkak të arsimimit, gjendjes sociale, banimit etj. nga 27-30 vjet”, tha Selmani.

Numri i përgjithshëm i nxënësve në pesë shkollat e mesme të komunës së Tetovës është 10.339 nxënës, të përfshirë në 336 paralele. Sociologët konsiderojnë se ka shumë faktorë që ndikojnë në zvogëlimin e natalitetit të shqiptarëve. “Liberalizimi i vizave ka bërë që shumë shqiptarë të dalin jashtë dhe të realizojnë një ëndërr të kamotshme për të shkuar në shtete e BE-së. Shumë prej tyre kërkojnë që atje të martohen dhe pak prej tyre do të kthehen në Maqedoni për të vazhduar jetën. Faktor tjetër është edhe niveli i lartë i papunësisë, i cili e shton frikën tek të rinjtë për tu martuar ose për të shtuar numrin e fëmijëve. Ata konsiderojnë se nuk mund të kujdesen në mënyrë të duhur nëse kanë 4-5 fëmijë”, tha sociologu Agim Rasimi.

Në shumë shkolla fillore kanë filluar t’i bashkojnë paralelet për shkak të mungesës së nxënësve që regjistrohen në klasë të parë. Nëpër pak shkolla tani në klasë të parë nuk mund të gjesh klasa me 40 nxënës që ishte një dukuri e shpeshtuar para disa viteve. Zvogëlimi i natalitetit po ndodhë edhe pse migracioni në tete vjetët e fundit ka qenë i vogël. Qeveria e Maqedonisë vitin e kaluar kishte marrë vendim që t’i shpërblejë të gjitha familjet që do të lindin katër fëmijë. Por, për shkak të krizës ekonomike dhe efektit jo të duhur të kësaj strategjie, qeveria ndërpreu ndihmën për këtë qëllim.

Koha