Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 14
  1. #1
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534

    Vizita e Papës në Britaninë e Madhe

    Papa në Mbretërinë e Bashkuar:

    atmosferë familjare në takim me Mbretëreshën!




    Takimi i Papës Benediktit XVI me mbretëreshën Elizabeta II, në rezidencën mbretërore të Holyroodhouse në Edinburg, është zhvilluar në një atmosferë “familjare”. Kështu tha drejtori i sallës së shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, i cili u tha gazetarëve se një takimi qe jo vetëm “miqësor, i hareshëm, i përzemërt”, por edhe “familjar”.

    16.09.2010

    vazhdon-->
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  2. #2
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534

    Vizita e Papës Benedikti XVI në Mbretërinë e Bashkuar

    Britani e Madhe:
    Ngrohtësia e pritjes së Papës Benediktit XVI nxjerr në plan të dytë protestat!



    Ndërtesa madhështore “Methodist Central Hall” në Londër, zbukuruar me flamuj të bardhë e të verdhë, mund të quhet si paraqitje skenike e suksesit të vizitës së Papës në Britaninë e Madhe. Ngrohtësia me të cilën Papa u mirëprit dhe eleganca me të cilën iu paraqit opinionit publik britanik, dashje padashje i nxorën në plan të dytë protestat e kundërshtarëve të tij.

    Turma jashtëzakonisht e madhe që e duartrokiti nëpër rrugët e Edimburgut, ku Papa mbërriti sot paradite, turma tjetër që e priti për orë të tëra në Glasgou, shkallët që ngjiti në një hap me Mbretëreshën Elizabeta II në Pallatin Mbretëror, dhe me Princin Filip që i ndiqte paksa më prapa, dhe lotët që i shpëtuan në aeroplan kur foli për shkandullin e abuzimeve seksuale, janë pamjet që televizionet angleze, me në krye BBC transmetuan sot gjithë ditën në emisionet e lajmeve. Fare pak hapësirë iu la kritikave dhe protestuesve që në të vërtetë, në Edimburg, siç njoftoi policia lokale, nuk ishin më shumë se njëqind vetë, ndërsa besimtarët që rendën nëpër rrugë t’a përshëndesin Papën ishin me dhjetra mijëra.
    Primati anglikan Rowan Williams dhe zëvendëskryeministri britanik Nick Clegg u shprehën më të se të lumtur që patën mundësinë t’i shtrëngojnë dorën Papës.

    Zëdhënësi i British Humanist Society duke komentuar fjalët e Papë mbi kontributin e Britanisë së Madhe në luftën kundër nazizmit dhe për ndërtimin e shoqërisë së re, tha se fjalët e “Benediktit XVI përfaqësojnë një përgënjeshtrim të tmerrshëm për të gjithë ata që nuk besojnë në Zotin.”


    16.09.2010

    vazhdon-->
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  3. #3
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534

    Vizita e Papës Benedikti XVI në Mbretërinë e Bashkuar

    Kryeipeshkvi i Glasgout:
    populli skocez është krenar të presë Papën




    Vizita e Papës Benedikti XVI në Skoci përkon me festën e Shën Ninianit, ungjillëzues i Skocisë. E pikërisht sot, Ati i Shenjtë foli mbi ungjillëzimin e kulturës. të lexojmë komentin për këtë kryeipeshkvit katolik të Glasgout, imzot Mario Jozef Konti:

    Ky shenjt nuk njihet shumë jashtë Britanisë së Madhe, por për ne është një figurë e rëndësishme. Në fakt, ai është ungjillëzuesi i parë i Skocisë. Nuk kemi shumë detaje për jetën e tij, por mund të themi këtë: e la këtë territor për të shkuar në Romë e për të studiuar fenë e pastaj, e solli këtu në Skoci, në një periudhë kur influenca e Perandorisë Romake ishte akoma e perceptueshme, 1600 vjet më parë. Sa bukur është, atëherë, të presim Ipeshkvin e Romës në ditën e festës së shenjtit tonë të parë! Një shenjt romak, në kuptimin që është formuar në Qytetin e Amshuar.

    Në Letrën tuaj baritore për vizitën e Papës, keni përmendur se Kisha i nënshtrohet në këtë moment një provimi të vështirë. “Është e nevojshme të predikojmë Ungjillin me integritet e dashuri”, shkruani. Si u prit kjo letër nga besimtarët?

    Besimtarët janë dakord me ç’kam shkruar, nuk shoh tensione të mëdha brenda Kishës Katolike në Skoci, falë Zotit! Nuk jemi të shumtë: ndoshta 800 mijë vetë në një vend me 5 milion banorë. Por, ka pasur kritika nga ambiente jashtë Kishës, nga ana e atyre, që nuk duan ta presin Papën për arsye të ndryshme.

    Disa për arsye ideologjike, të tjerë duan të protestojnë kundër disa aspekteve të mësimit moral të Kishës… Por këto zëra nuk janë të shumta e shumica e popullit skocez – katolik ose jo – është krenar të presë Atin e Shenjtë. Është interesante të shihet se si kjo vizitë është e ndryshme nga ajo e Gjon Palit II, 30 vjet më parë. Atëherë zërat e protestës ngriheshin nga të krishterët e Reformës, anglikanët. Është shenjë e hapave të mëdha, që kemi bërë në fushën e ekumenizmit.

    16.09.2010

    vazhdon-->
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  4. #4
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534
    Papa në Mbretërinë e Bashkuar:

    falënderon Mbretëreshën Elizabeta II e kujton rrënjët e krishtera të shoqërisë britanike!



    Papa e filloi sot udhëtimin e tij apostolik në Mbretërinë e Bashkuar. Benedikti XVI mbërrini në kryeqytetin e Skocisë, Edinburg, ku në aeroport u prit nga Duka i Edinburgut, bashkëshorti i Mbretëreshës së Mbretërisë së Bashkuar, Elizabetës II, e pas përshëndetjes me personalitete të pranishëm të vendit, Papa u nis drejt Pallatit Mbretëror të Holyroodhouese. Këtu Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeta II e Duka i Edinburgut, bashkëshorti i saj e pritën Papën në hyrje të Pallatit ku u zhvillua ceremonia e mirëseardhjes. Pas himneve të dy Vendeve, Papa e Mbretëresha hyn brenda në Pallat ku u bë prezantimi i autoriteteve e zyrtarëve të lartë të pranishëm, shkëmbimi i dhuratave e takimi privat.

    Gjithnjë në Pallatin Mbretëror të Holyroodhouse, Mbretëresha Elizabeta II i drejtoi fjalimin përshëndetës të mirëseardhjes Papës duke falënderuar Atin e Shenjtë për këtë të vizitë të rëndësishme, falënderoi Kishën Katolike për kontributin e saj në fushën shkollore e të asistencës shoqërore ndaj të varfërve dhe më pas Elizabeta II vuri në pah “lirinë fetare si themel të shoqërisë sonë demokratike”. Në fjalimin e parë në Skoci, Ati i Shenjtë Racinger përshëndeti e falënderoi Mbretëreshën, Elizabeta II, autoritetet e pranishme dhe mbarë popullin. “ Rrënjët e thella të krishtera që janë gjithnjë të pranishme në çdo shtresë të jetës britanike” u përmenden nga Papa në fjalimin drejtuar Mbretëreshës Elizabeta në Pallatin mbretëror të Edinburgut, “emri i të cilit Holyroodhouse evokon Kryqin e Shenjtë”, kujtoi duke nënvizuar se si “monarkët e Anglisë e Skocisë qenë të krishterë qysh në kohën e lashta e përfshinë Shenjtorët e jashtëzakonshëm si Edoardin Rrëfyestar e Margeritën e Skocisë”.

    “Shumë prej tyre kanë ushtruar me ndërgjegje detyrat e tyre mbretërore në dritën e Ungjillit, duke udhëhequr në atë mënyrë kombit drejt së mirës deri në nivelet më të thella. E kështu mesazhi i krishterë u bë pjesë integruese e gjuhës, e mendimit dhe e kulturës së popujve të këtij ishulli për mëse një milenium”.

    Ndërsa gjatë fluturimit me avion drejt Mbretërisë Bashkuar, Papa duke folur me gazetarë, mes tjerash tha: “I jam shumë mirënjohës madhërisë së saj Mbretëreshës Elizabeta II që e deshi këtë vizitë në rangun e vizitës shtetërore, për të shpreh natyrën publike të kësaj vizite por edhe përgjegjësinë e përbashkët të politikës e të feve për të ardhmen e kontinentit dhe për të ardhmen e njerëzimit”. Kujtojmë se avioni i Papës mbërrini në Edinburg në orta 10.30 e më pas u takua me mbretëreshën britanike në Pallatin Holyroodhouse
    .


    16.09.2010

    vazhdon-->
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  5. #5
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534
    Në fillim të udhëtimit në Mbretërinë e Bashkuar;

    Papa nënvizon kontributin e fesë për zhvillimin dhe paqen në botë. Politika e feja, kanë përgjegjësi të përbashkët.



    Me një thirrje të fuqishme e prekëse të mos errësohen rrënjët tona të krishtera, themel i një shoqërie moderne e shumëkulturore, Benedikti XVI e nisi udhëtimin e tij apostolik në Mbretërinë e Bashkuar, i 17-të udhëtim ndërkombëtar me rastin e Beatifikimit të kardinalit John Henry Newman. Etapa e parë e udhëtimit të Papës në Mbretërinë e Bashkuar qe Edinburgu.

    Papa mbërrini sot pak pas orës 10 lokale, në Edinburg, në Pallatin Holyrood House ku u mbajt ceremonia e mirëseardhjes me Mbretëreshën Elizabetën II e Dukën e Edingurbut, bashkëshortin e saj. Ndër të pranishmit, primati i Kishës anglikane kryeipeshkvi Rowan Williams e zëvendëskryeministri britanik, Nick Clegg.

    Në fjalimin e tij Papa kujtoi rolin e madh që pati populli britanik në kundërshtimin e nazizmit e në ndërtimin e periudhës së paqes së qëndrueshme në Kontinentin e Vjetër. Në aeroport, Ati i Shenjtë Racinger u prit nga Duka i Edinburgut. Një gjest ky i pazakontë e me domethënie të posaçme për një vizitë shtetërore. Pas ceremonisë së mirëseardhjes, Papa shkoi në drekë në shtëpinë e kryeipeshkvit të Edinburgut, kardinalit O’ Brien. Gjatë përshkimit të rrugës në automobilin e hapur papnor, në dy anët e udhës ishte një mori besimtarësh në festë që përshëndetnin Papën gjatë kalimit.

    Në etapën e parë të udhëtimit të tij në Mbretërinë e Bashkuar, Papa Benedikti XVI u prit në Edinburg nën tingujt e gajdeve tipike skoceze. Ati i Shenjtë u prit nga Mbretëresha Elizabeta II në pallatin mesjetar Holyrood House, përpara të cilit ishin mbledhur shumë besimtarë për t’i uruar mirëseardhjen. Në fjalimin e parë të këtij udhëtimi Benedikti XVI i bëri thirrje Mbretërisë së Bashkuar që të “mos lejojë të errësohen themelet e krishtera që janë në bazë të lirive të veta”, duke uruar që kjo trashëgimi, “që i ka shërbyer gjithmonë mirë kombit” të mund “të formojë e karakterizojë vazhdimisht shembullin e qeverisë dhe të popullit të vet.”

    Papa Racinger pastaj, mori shkas nga emri i Pallatit mbretëror të Holyrood House, që evokon Kryqin e Shenjtë, për të nënvizuar se si feja e krishterë ka qenë gjithmonë “një forcë e së mirës” në historinë e Mbretërisë së Bashkuar. Papa e drejtoi vështrimin e tij pastaj nga rrënjët e krishtera të kësaj toke, duke kujtuar sesi mbretërit e Anglisë dhe të Skocisë ishin të krishterë që në fillim:

    “As a result the Christian message has been...”
    “Kështu që mesazhi i krishterë u bë pjesë e pandashme e gjuhës, e mendimit dhe të kulturës” së Britanisë së Madhe për më shumë se një mijëvjeçar, - vuri në dukje Papa. Në kështu Benedikti XVI i bëri thirrje popullit britanik ta konsiderojë fenë si “një forcë të fuqishme” për të mirën e mbretërisë, në dobi të të krishterëve dhe të atyre që nuk janë të krishterë. Më tej Papa përmendi disa figura të ndritshme si David Livingstone, Florence Nightingale dhe kard. John Henry Newman që do të lumnohet të dielën, të cilët, të frymëzuar nga feja, u angazhuan për të mirën e përbashkët:

    “Even in our own lifetime, we can recall how Britain...”
    “Edhe në epokën tonë, vazhdoi Papa, mund të kujtojmë sesi Britania e Madhe me krerët e vet iu kundërvun tiranisë naziste që kishte si qëllim çrrënjosjen e Zotit nga shoqëria dhe ia mohonte shumëkujt humanizmin tonë të përbashkët, posaçërisht hebrenjtë që konsideroheshin si jo të denjë për të jetuar”. Po kështu Ati i Shenjtë nuk harroi të përmendë edhe barinjtë e krishterë që “iu kundërvunë nazistëve dhe e paguan me jetë kundërshtimin e tyre:

    “As we reflect on the sobering lessons...”
    Ndërsa reflektojmë mbi mësimet e ekstremizmit ateist të shekullit XX – vuri në dukje Ati i Shenjtë Racinger, – nuk duhet të harrojmë kurrë sesi përjashtimi i Zotit, i fesë dhe i virtytit nga jeta publike të çon, në fund të fundit, tek një vizion i cunguar i njeriut dhe i shoqërisë”, e madje “te një vizion i reduktuar i individit dhe i fatit të tij.” Papa e drejtoi pastaj vëmendjen e tij tek roli politik dhe ekonomik që Mbretëria e Bashkuar luan në nivel ndërkombëtar. 65 vjet më parë, kujtoi ai, Britania e Madhe mbështeti themelimin e Kombeve të Bashkuara duke “nisur kështu një periudhë paqeje dhe përparimi në Evropë, gjë që deri atëherë nuk njihej.” Më tutje, Papa kujtoi zgjidhjen paqësore të konfliktit në Irlandën e Veriut, me nënshkrimin e Marrëveshjeve të së Premtes së Madhe. Gjithashtu, Benedikti XVI, iu dha zemër atyre që “janë të përfshirë në procesin e paqes të vazhdojnë të ecin me guxim së bashku në rrugën e nisur drejt paqes së drejtë dhe të qëndrueshme.”

    “Your Government and people are the shapers...”
    “Qeveria dhe populli i juaj – pohoi Ati i Shenjtë Racinger – farkëtojnë ide që ende sot e kësaj dite kanë ndikim deri edhe përtej ishujve britanikë.” Prej këndej buron edhe nevoja që edhe ata “të veprojnë me zgjuarsi për të mirën e përbashkët.” Në të njëjtën kohë, vërejti Benedikti XVI “meqë mendimet e tyre përhapen në një auditorium kaq të gjerë, mjetet britanike të informacionit kanë përgjegjësi më të madhe se të tjerët dhe një mundësi më të madhe për të promovuar paqen ndërmjet shteteve, zhvillimin e plotë të popujve dhe përhapjen e të drejtave me të vërtetë njerëzore.”

    “Today, the United Kingdom strives to be a modern...”
    “Sot – përfundoi Papa – Mbretëria e Bashkuar po përpiqet të jetë një shoqëri moderne dhe shumëkulturore. “Në këtë detyrë kaq stimuluese, uroj që Mbretëria e Bashkuar ta mbajë dhe ta ruaj respektin për ato vlera tradicionale dhe për ato shprehje kulturore të cilat, format më agresive të shekullarizmit nuk i nderojnë dhe nuk i tolerojnë më.” Nga ana e saj, Mbretëresha Elizabeta II i uroi Papës mirëseardhjen, dhe i kujtoi vizitën e Papës Gjon Pali II, në 1982. Më pas vuri në dukje ndihmesën e Selisë së Shenjtë për Paqen në Irlandë të Veriut dhe impenjimin e Shtetit të Vatikanit për zhvillimin shoqëror dhe për mbrojtjen e më të varfërve. Në fund Mbretëresha nënvizoi se kjo vizitë papnore kujton rëndësinë e rrënjëve të krishtera të Mbretërisë së Bashkuar:

    “Religion has always been a crucial element...”
    “Feja ka qenë gjithmonë një element themelor i jetës së shoqërisë britanike.”. Mbretëresha kujtoi pastaj sesa e rëndësishme është tek kardinali Newman tema e pajtimit, dhe uroi që dialogu ndërmjet besimtarëve të jetë sa më fortë dhe të bashkuar, të refuzojnë përdorimin e emrit të Zotit si justifikim për dhunën. “Lira e kultit – përfundoi - pastaj Lartmadhëria e Saj, - është në zemër të shoqërisë tolerante dhe demokratike angleze.
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  6. #6
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534
    Papa gjatë Meshës në Glasgou thirrje të rinjve:

    qëndroni para tundimit të pasurisë e kënaqësive të epsheve



    Vizita e Papës Benedikti XVI në Mbretërinë e Bashkuar filloi nga Edinburgu, pikërisht sepse sot u kremtua festa liturgjike e Shën Ninianit të Gallouejt, ipeshkëv e ungjillëzues i popujve keltë, Apostull i Skocisë (360-432). Në këtë kornizë, pas takimit me mbretëreshën Elizabeta II, Ati i Shenjtë kremtoi meshën në Belahjuston Park të Glasgout, qyteti kryesor i Skocisë, me 590 mijë banorë, me një emër, që do të thotë “vend i dashur i gjelbëruar” e që pasqyron mirë praninë e 90 parqeve të mrekullueshme.

    Për dy shekuj pas Reformës protestante, në Glasgou nuk pati këmbë katoliku, por zhvillimi industrial në fund të shekullit XVIII tërhoqi punëtorë nga Irlanda e nga malësia (Highlands) skoceze. Mesha u kremtua për herë të parë më 22 dhjetor 1816 e, që nga ajo datë, Kisha Katolike u bë pikë referimi për popullsinë katolike në rritje. Hierarkia katolike në Skoci u rivendos në vitin 1878 e kisha e Shën Andreut në Glasgou u shpall katedrale në vitin 1884.

    Por të kthehemi në Meshën e sotme, e cila u kremtua në të njëjtin vend me atë të meshës së Papës Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në Britaninë e Madhe, më 1 qershor 1982. Benedikti XVI përshëndeti të pranishmit, e në veçanti ipeshvijtë e klerin e Skocisë. Kam ardhur t’ju përforcoj në fe, u tha, duke përmendur pastaj vizitën e Gjon Palit II, 30 vjet më parë:

    “Vërej me kënaqësi të madhe se si thirrja që iu bëri Papa Gjon Pali II, për të ecur dorë për dore me vëllezërit tuaj të krishterë, ka sjellë besim e miqësi më të madhe me anëtarët e Kishës së Skocisë, të Kishës Episkopale Skoceze e të bashkësive të tjera të krishtera”.


    Benedikti XVI i inkurajoi të krishterët të vazhdojnë punën për të ardhmen e Skocisë, themeluar mbi trashëgiminë e përbashkët kristiane. Papa përshëndeti përfaqësuesit e besimeve të krishtera jo katolike, duke kujtuar 450 vjetorin e “Reformation Parliament” (Parlamentit skocez që ligjëroi reformën protestante) dhe 100-vjetorin e Konferencës Misionare Botërore të Edinburgut, që konsiderohet si lindja e lëvizjes ekumenike moderne.

    Papa foli më pas, për rolin e universiteteve mesjetare, ngritur nga papët, duke përfshirë edhe atë skocez të shën Andreut, që së shpejti do të kremtojë 600-vjetorin e themelimit. Shkollat katolike skoceze, nënvizoi Jozef Racinger, kanë për detyrë të sigurojnë edukimin e gjithanshëm të një numri sa më të madh studentësh, për t’i përgatitur për profesionin e jetën publike.

    Papa Benedikti XVI u ndal në ungjillëzimin e kulturës, në një epokë si kjo e jona, kur “dikatura e relativizmit” kërcënon të vërtetën e pandryshueshme mbi natyrën e njeriut, mbi fatin dhe mbi synimin e tij të fundit. Ka përpjekje, denoncoi Benedikti XVI, për ta përjashtuar fenë nga sfera publike, për ta privatizuar e madje për ta paraqitur si kërcënim kundër barazisë e lirisë. Përkundrazi, feja është garanci për lirinë e respektin e vërtetë. Ati i Shenjtë u bëri thirrje besimtarëve laikë ta çojnë në sferën publike, në punë e në jetën e përditshme, këtë vizion të botës, që rrjedh nga feja:

    “Shoqëria e sotme ka nevojë për zëra të qarta, që propozojnë të drejtën tonë për të jetuar jo në një xhungël lirish vetëshkatërruese dhe arbitrare, por në një shoqëri, që punon për mirëqënien e vërtetë të qytetarëve të saj, duke u ofruar atyre udhëheqje e mbrojtje para dobësive e brishtësive të secilit”.

    Papa përmendi si ungjillëzues të mëdhenj të kulturës, shenjtorët skocezë, shën Ninianin, shën Mungon, Pajtor i Glasgout, si edhe shenjtorë të tjerë si shën Kolumba e shën Margarita. Duke ndjekur shembullin e tyre, tha Benedikti XVI, shumë burra e gra kanë punuar me shekuj për ta sjellë fenë deri në ditët tona. Pastaj iu drejtua ipeshkvijve, rregulltarëve e rregulltareve:

    “Më lejoni t’ju inkurajoj në përgjegjësinë tuaj baritore ndaj katolikëve të Skocisë… Jeni të thirrur në shenjtërimin e jetës e në shërbimin ndaj popullit të Zotit, duke e modeluar jetën tuaj sipas misterit të kryqit të Zotit. Predikoni Ungjillin me zemër e me ndërgjegje të pastër”.


    Së fundi, Papa iu drejtua të rinjve katolikë të Skocisë: “Ka shumë tundime, të cilave duhet t’u bëni ballë përditë – droga, paraja, seksi, pornografia, alkooli – që sipas botës duhet t’ju japin lumturi, por në të vërtetë janë shkatërrimtare e krijojnë ndarje. Vetëm një gjë mbetet: dashuria personale e Jezu Krishtit për secilin prej jush… Ai do t’ju bëjë të lirë nga skllavëria e jetës tërheqëse, por të sipërfaqshme, që propozohet shpesh nga shoqëria e sotme”.

    Pas Meshës, Papa shkoi me avion nga Glasgou në Londër, kryeqyteti i Britanisë së Madhe, ku nesër do të takohet me botën e edukimit katolik, me krerët e feve të tjera, me kryeipeshkvin anglikan të Kanterburit dhe me shoqërinë civile. Në fund të kësaj dite intensive, kremtimi ekumenik në Abacinë e Uestminsterit, gjithnjë në Londër.


    vazhdon-->
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  7. #7
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534
    Thirrja për takim me liderët e feve të tjera:

    të punojmë sëbashku për të mirën e njerëzimit, theksoi Papa!




    Paraditja e Benediktit XVI në Londër përfundoi me takimin me përfaqësuesit fetarë e laikë të feve të tjera, gjithnjë në Kolegjin e Universitetit të Shën Marisë. Papa u prit nga Kryerabini i Kongregatës së Bashkuar të Hebrenjve të Komonuelthit, lordi Saks i Aldgejtit dhe nga drejtori i Shkollës Princore të Arteve Tradicionale, myslimani Khaled Azzam, të cilët e përshëndetën Atin e Shenjtë në emër të të pranishmëve.

    Në fjalimin e tij, Benedikti XVI theksoi se dialogu ndërfetar bëhet mbi bazën e reciprocitetit dhe të respektit:

    “Që dialogu ndërfetar të jetë i frytshëm, është i nevojshëm reciprociteti nga ana e të gjithë pjesëmarrësve në dialog e nga ana e ndjekësve të feve të tjera”.

    Papa iu referua posaçërisht gjendjes në disa vende të botës, ku bashkëpunimi dhe dialogu ndërmjet feve kërkon respektin e ndërsjelltë, lirinë e praktikimit të fesë së secilit, lirinë e kryerjes së akteve të kultit në publik si edhe lirinë për të ndjekur ndërgjegjen personale, pa vuajtur nga pengesat e persekutimet kur kthehesh nga një fe tek tjetra:

    “Sapo të vendosen ky respekt e kjo mënyrë sjelljeje, njerëzit e të gjitha feve do të punojnë sëbashku me efikasitet për paqen e mirëkuptimin e ndërsjelltë, duke ofruar kështu dëshmi bindëse për fenë para botës”.

    Për Papën, ky lloj dialogu duhet bërë në nivele të ndryshme e nuk duhet të kufizohet në diskutime formale. Në fakt, theksoi Jozef Racinger:

    “…dialogu i jetës do të thotë thjesht të jetojmë krah për krah dhe të mësojmë nga njëri-tjetri, në mënyrë që të rritet mirëkuptimi dhe respekti i ndërsjelltë.
    Dialogu në veprim na afron me forma konkrete bashkëpunimi, ndërsa u japim institucioneve tona fetare detyrën për të promovuar zhvillimin njerëzot të gjithanshëm, duke punuar për paqen, drejtësinë dhe mbrojtjen e gjithësisë”.


    Ky lloj dialogu, përfundoi Benedikti XVI, duke pranuar se takimi miqësor me besimtarët e feve të tjera është tashmë karakteristik për Britaninë e Madhe, mund të përfshijë punën kërkimore për të parë së bashku si ta mbrojmë jetën në çdo fazë të saj e si ta integrojmë më mirë fenë në jetën e shoqërisë.

    Papa i bëri urime të përzemërta bashkësisë hebraike të britanisë së Madhe e të botës për festën e Jom Kipurit, përzemërsi, që kryerabini i pranishëm, ia ktheu me vlerësim e falenderim të madh.


    vazhdon-->
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  8. #8
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534
    Papa të rinjve të Universitetit të Shën Marisë:

    lumturinë e vërtetë kërkojeni në Zotin.




    Synoni gjëra të mëdha, shenjtërojeni jetën: këto janë këshillat që Benedikti XVI u dha të rinjve të Mbretërisë së Bashkuar, gjatë vizitës së paradites së sotme në Universitetin e Shën Marisë, në lagjen londineze të Tuikenhemit.

    Takimi me Papën, kushtuar botës së arsimit, u transmetua në internet në të gjitha shkollat katolike britanike. Të shumtë, fëmijët që përshëndetën Papën personalisht në hyrjen e kolegjit, në një klimë të hareshme. Me rastin e vizitës, në të cilën mori pjesë edhe ministri britanik i arsimit, u përurua Fondacioni “Gjon Pali II” për Sportin.

    Papa nuk mungoi të përsërisë përgjegjësinë e shkollave katolike ndaj fëmijëve e të rinjve, që u janë besuar. Në një paradite plot diell, si rrallëherë për Londrën, Ati i Shenjtë u prit me entuziazëm nga 4 mijë studentë, të mbledhur në kampin sportiv të kolegjit. Fjalimi i Benediktit XVI u parapri nga disa dëshmi. Papa i ftoi të rinjtë t’i venë vetes qëllime të larta për jetën:

    “Ajo që Zoti dëshiron më shumë nga secili prej jush, është të bëheni shenjt. Ai ju do shumë më tepër nga sa mund të imagjinoni e dëshiron maksimumin për ju, të rriteni duke e shenjtëruar jetën”

    Në rini, vazhdoi Papa, zakonisht zgjedhim disa persona, që i admirojmë dhe duam t’i imitojmë. Nganjëherë, këta persona mund të jenë njerëz të famshëm të sportit apo të spektaklit. Por më tepër se sa fama, duhet të pyesni veten “ç’lloj njeriu dëshironi të jeni?”, u tha Benedikti XVI të rinjve. Kur ju them të bëheni shenjt, ju kërkoj të mos kënaqeni me gjëra të dorës së dytë:

    “Ju kërkoj të mos ndiqni vetëm një objektiv të kufizuar, duke injoruar të gjithë të tjerët. Të kesh para, të jep mundësi të jesh bujar e të bësh mirë, por kjo gjë, e vetme, nuk mjafton për të arritur lumturinë. E as nuk mjafton vetëm suksesi në sport, ose në punë”.

    Lumturia, vërejti Papa Racinger, është diçka që e duam të gjithë, por një nga tragjeditë më të mëdha të kësaj bote është pikërisht fakti se janë të shumtë ata që nuk e gjejnë, sepse e kërkojnë në vende të gabuara. Zgjidhja është shumë e thjeshtë: lumturia e vërtetë duhet kërkuar në Zotin:

    “Kemi nevojë për guxim, që t’i vendosim shpresat tona më të thella vetëm në duart e Zotit: jo tek paraja, tek karriera, tek suksesi, ose tek marrëdhëniet me të tjerët, por tek Zoti. Vetëm Ai mund të plotësojë nevojat më të thella të zemrës. Zoti na fton t’i përgjigjemi dashurisë së Tij, e dëshiron miqësinë tuaj. Një miqësi që të ndryshon jetën, që të bën të vetëdijshëm sa shkatërrues janë egoizmi dhe etja për të pasur gjithçka”.

    Kur takoni Zotin, shpjegoi Ati i Shenjtë, lind edhe dëshira për të ndihmuar të tjerët, personat në vështirësi, që deri dje, as që i shihnit. Kur këto gjëra zenë vend në zemrën tuaj, atëherë jeni në rrugën e shenjtërimit të jetës. Edhe lëndët që mësoni në shkollë, u tha Papa studentëve, i referohen një horizonti më të gjerë:

    “Bota ka nevojë për shkencëtarë të mirë, por perspektiva shkencore bëhet e ngushtë, nëse lë mënjanë përmasën etike dhe fetare të jetës, ashtu siç bëhet i ngushtë horizonti i fesë, nëse refuzon kontributin e ligjshëm të shkencës në njohjen e botës”.

    Para se t’u fliste të rinjve kolegjialë, Papa u takua, në Kapelën e universitetit, me 300 rregulltarë, të impenjuar në edukimin katolik. Benedikti XVI shprehu vlerësimin e tij për të gjithë ata, që sigurojnë një ambient të pastër për fëmijët e të rinjtë në shkollat katolike:

    “Përgjegjësia jonë ndaj atyre që na janë besuar për formimin e krishterë nuk mund të kërkojë më pak. Jeta e fesë mund të kultivohet vetëm kur atmosfera mbizotëruese është ajo e besimit të ndërsjelltë, plot respekt e dashuri”.

    Papa u ndal edhe mbi rolin e mësuesit, duke theksuar se edukimi e arsimimi nuk mund të konsiderohen kurrë si diçka thjesht utilitariste:

    “Kanë të bëjnë me formimin e njeriut, me përgatitjen e tij për të jetuar jetën në plotësi, me pak fjalë, kanë të bëjnë me edukimin e urtisë. E urtia e vërtetë është e pandashme nga njohja e Krijuesit”.



    vazhdon-->
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  9. #9
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534
    Dialogu me anglikanët është i vështirë, por duhet të vazhdojë:

    kështu foli Ati i Shenjtë në takimin me kryeipeshkvin anglikan të Kanterbërit!


    Takimi i Benediktit XVI me Kryeipeshkvin Williams qe tejet i përzemërt dhe u zhvillua në një atmosferë vërtet vëllazërore. Papa përshëndeti edhe ipeshkvijtë anglikanë që kishin ardhur për këtë takim nga të gjitha anët e Mbretërisë së Bashkuar, këshilltarët ekumenikë si dhe të gjithë të pranishmit.

    Në fjalimin e tij, Papa Racinger përmendi takimin historik mes Papës Gjon Palit II e Kryeipeshkvit Robert Runcie, të para 30 vjetësh, që qe mbajtur në Katedralen e Kanterbërit e shtoi:

    “Pikërisht në atë vend ku shën Toma i Kantërbërit e dëshmoi Krishtin duke derdhur gjakun e tij për fe, ata u lutën së bashku për dhuratën e bashkimit ndërmjet ithtarëve të Krishtit. Edhe sot vazhdojmë të lutemi për atë dhuratë, duke ditur se bashkimi të cilin Krishti e do për dishepujt e vet, do të arrihet vetëm si fryt i lutjes, përmes veprës së Shpirtit Shenjt, që pa reshtur e përtërin Kishën dhe e udhëheq drejt së vërtetës së plotë”.

    “Nuk është synimi im këtu të flas sot për vështirësitë që ka ecja ekumenike e vazhdon të ketë. Çdo njeri, këtu i pranishëm, i di mirë vështirësitë e tilla”,
    tha Papa duke kaluar te aspekti tjerët i dialogut dhe i udhës ekumenike. Ati i Shenjtë deshi të shprehte gëzimin e tij për miqësinë e thellë që është rritur, për progresin që është bërë në shumë fusha të dialogut ekumenik, në këto dyzet vjetët që kaluan, që kur Komisioni Ndërkombëtar Anglikano-Katolikë i ka filluar punimet.

    Në vijim të fjalimit drejtuar të pranishmëve Benedikti XVI nënvizoi rëndësinë e takimit privat ndërmjet Papës Gjonit XXIII e Kryeipeshkvit Geoffrey Fisher në vitin 1960, vështruar në perspektivën e problemeve të sotme:

    “Kultura që na rrethon po zhvillohet në mënyrë gjithnjë e më të largët prej rrënjëve të veta të krishtera, me gjithë shtimin e etjes për ushqim shpirtëror.
    Rritja e përmasës shumëkulturore e shoqërisë, që është posaçërisht e theksuar në këtë Vend, sjell me vete rastin e volitshëm për t’i takuar fetë e tjera. Për ne të krishterët ky fakt hap para nesh mundësinë për të hulumtuar, së bashku me anëtarët e traditave të tjera fetare, udhët për të dëshmuar përmasën trashendentale të qenies njerëzore e të thirrjes universale të shenjtërimit, duke i mishëruar në jetën e përditshme virtytet e jetës personale e ato shoqërore. Bashkëpunimi ekumenik në këtë fushë mbetet thelbësor, e me siguri do të sjell fryte në promovimin e paqes e të harmonisë në një botë e cila tepër shpesh rrezikon ndarje e përçarje.

    Ne të krishterët duhet ta shpallim fenë tonë në shëlbimin e vetëm që na ofron Krishti, e së bashku të kërkojmë një mirëkuptim gjithnjë e më të thellë përmes mjeteve që Ai i ka vënë në dispozicionin tonë për t’ia arritur shpëtimit....Këtu del në pah edhe dilema e të gjithë atyre që janë impenjuar sinqerisht në udhën ekumenike”.


    Personaliteti i Xhon Njuman, që do të shpallet i lum të dielën, paraqet njeriun e Kishës, vizioni i të cilit qe ushqyer nga thellësia e shpirtit të tokës anglikane dhe pjekur gjatë viteve të misionit të tij në Kishën e Anglisë. Ai mund të na mësojë sot virtytin që ekumenizmi kërkon prej nesh: nga njëra anë ai jetoi dhe veproi gjithmonë sipas ndërgjegjes personale, edhe duke paguar personalisht këtë qëndrim me çmim të lartë; në anën tjetër, ngrohtësia e miqësisë së vazhdueshme që kishte me kolegët e tij të mëparshëm, e çoi të zbulonte së bashku me ta, me shpirtin e vërtetë të paqes e të pajtimit, çështjet mbi të cilat ndryshonin e ndaheshin, gjithmonë të nxitur nga kërkimi i bashkimit të thellë në fe.



    vazhdon-->
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  10. #10
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534
    Në takimin e shumëpritur me shoqërinë civile;

    Papa thekson rolin e fesë në debatin publik për çështje të ndryshme të shoqërisë.



    17.09.2010

    Takimi kryesor i ditës së sotme ishte pa dyshim ai i pasdites, me shoqërinë civile, me botën akademike, kulturore dhe afariste, me Trupin Diplomatik dhe krerët fetarë në Uestminster Holl të Londrës, salla më e lashtë e Parlamentit britanik, që përmbledh gati 1000 vjet histori. Papa u prit nga dy krerët e Dhomave të Parlamentit, të cilët e përshëndetën, duke vlerësuar rolin e tij e të Kishës Katolike.

    Nga ana e tij, Papa vlerësoi rolin që ka luajtur Parlamenti në zhvillimin e formave demokratike të qeverisjes në botë, posaçërisht në Komonuelth e më përgjithësisht në vendet ku flitet anglisht. Tradita e “common law”(ligjit të përbashkët) përbën bazën e sistemit ligjor në shumë kombe, ofron këndvështrim të veçantë mbi të drejtat dhe detyrat e shtetit dhe të individit, mbi ndarjen e pushteteve dhe mbetet ende sot burim frymëzimi për shumë vende në botë.
    Benedikti XVI kujtoi këtu figurën madhore të shën Tomas Murit, që vlerësohet nga besimtarët e jo besimtarët për integritetin me të cilin ndiqte zërin e ndërgjegjes edhe atëherë ku nuk përkonte me vullnetin e mbretit, sepse ai kishte zgjedhur t’i shërbente para se gjithash Zotit.

    Tradita parlamentare shpreh dëshirën për të arritur në një ekuilibër të drejtë ndërmjet kërkesave të ligjshme të pushtetit e të drejtave të atyre që janë nënshtetas. Në një proces të tillë historik, tha Papa:

    “Britania e madhe doli në pah si demokraci pluraliste, që i jep vlerë të madhe lirive të shprehjes (fjalës), lirive të përkatësive politike e respektit ndaj shtetit të së drejtës, të drejtave e të detyrimeve të individëve, e barazisë të të gjithë qytetarëve para ligjit. Doktrina shoqërore katolike ka shumë gjëra të përbashkëta me një qëndrim të tillë, siç është shqetësimi themelor për mbrojtjen e dinjitetit të çdo njeriu si individ, që është i krijuar në shëmbëllim e përngjasim me Zotin. Kisha nënvizon detyrimet e autoriteteve civile në promovimin e së mirës së përbashkët”.

    Zgjidhjet e papërshtatshme, pragmatike e afatshkurtra, të problemeve të ndërlikuara shoqërore dhe etike kanë dalë në pah qartë nga kriza e fundit financiare globale. Papa nënvizoi këtu mungesën e një themeli etik të qëndrueshëm në aktivitetet ekonomike, gjë, që ka kontribuar në krijimin e një situate të rëndë, në të cilën tani gjenden me miliona njerëz në mbarë botën. Në fushën politike, përmasa morale e politikave të zbatuara, ka ndikime e pasoja të mëdha.

    Benedikti XVI nënvizoi më tej edhe rolin e arsyes në vënien e ligjeve, përfshirë këtu edhe themelin etik e rolin plotësues të fesë:

    “ Roli i fesë në debatin politik nuk është aq ai i furnizimit të normave, aq më pak ai i propozimit të zgjidhjeve konkrete politike, çka është krejtësisht jashtë kompetencës së fesë - por ai i dhënies së ndihmës për pastrimin dhe shndritjen e zbatimit të arsyes në zbulimin e parimeve morale objektive”.

    Bota e arsyes dhe bota e fesë - bota e shoqërisë racionale e bota e besimit fetar - kanë nevojë për njëra-tjetrën e nuk duhet të kenë frikë të hyjnë në dialog për të mirën e qytetërimit, tha Papa, i cili në vazhdim të fjalimit të tij programatik foli për tendencat, që orvaten ta përjashtojnë fenë nga jeta publike. Feja, për ligjvënësit, nuk është problem për t’u zgjidhur, por faktor që kontribuon në mënyrë jetike në debatin publik të një vendi, nënvizoi Jozef Racinger:

    “Në këtë kontekst, nuk mund të mos shpreh shqetësimin tim para mënjanimit të fesë, që po shtohet gjithnjë e më tepër, posaçërisht para mënjanimit të Krishterimit, që po përhapet në disa mjedise, edhe në ato kombe, që i japin vlerë të madhe tolerancës. Ekzistojnë disa që mendojnë se zëri i fesë duhet të heshtë, ose të shumtën, të mbyllet në sferën thjesht private”.

    Kemi pastaj nga ata që mendojnë se nuk duhen festuar publikisht as festa si Krishtlindja, sipas bindjes së diskutueshme se ajo mund të fyejë ata që u përkasin feve të tjera, apo asnjë feje. E ka të tjerë akoma - vazhdoi Papa - që duke synuar eliminimin e diskriminimeve, mendojnë se të krishterët që kanë poste e detyra publike, në disa raste të caktuara, duhet të veprojnë kundër ndërgjegjes personale.

    Më pas, Benedikti XVI përmendi iniciativat e përbashkëta të Selisë së Shenjtë dhe të qeverisë britanike në fushën e paqes, të të drejtave të njeriut, të zhvillimit, sidomos përsa i përket shlyerjes së borxhit të jashtëm të vendeve të varfra, tregtisë së drejtë dhe financimit të zhvillimit. Ati i Shenjtë vuri në dukje shenjat e rritjes së solidaritetit me të vuajturit e kësaj bote, por - theksoi - janë të nevojshme ide të reja për përmirësimin e kushteve në fusha si: prodhimi ushqimor, pastërtia e ujit, krijimi i vendeve të punës, formimi, ndihma për familjet, sidomos për emigrantët, dhe shërbimet shëndetësore bazë. Duke ofruar bashkëpunimin e Kishës Katolike, Benedikti XVI përfundoi:

    “Që ky bashkëpunim të jetë i mundur, institutet fetare, duke përfshirë edhe ato të Kishës Katolike, duhet të jenë të lira të veprojnë sipas parimeve e bindjeve të veta, bazuar mbi fenë e mbi mësimin zyrtar të Kishës. Në këtë mënyrë mund të garantohen ato të drejta themelore, si liria fetare, liria e ndërgjegjes dhe liria e krijimit të shoqërive e organizatave”.


    vazhdon-->
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  11. #11
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534
    Papa kujton martirizimin e Kishës që vazhdon
    ende sot dhe viktimat që kanë vuajtur si martirë.



    “Vuajtjet tejet të mëdha” që priftërinjtë pedofilë u kanë shkaktuar viktimave të tyre, bëjnë pjesë në “sprova e mundime” që ndeshim “në jetën e Kishës” e ndër to janë edhe ato “të martirëve të çdo kohe”. Kështu pohoi mes tjerash Papa Benedikti XVI në homelinë e Meshës së Shenjtë kremtuar sot paradite në katedralen e Westminsterit, në Londër. E këtu Papa citoi, mes tjerësh, edhe ata “vëllezër e motra në mbarë botën, që ende sot vuajnë e pësojnë diskriminime e persekutime për shkak të fesë së tyre të krishterë”.

    Duke folur pikërisht për “sprovat e mundimet” në jetën e Kishës, Papa tha se mendon e kujton “edhe vuajtjet e mëdha e të tmerrshme që kanë shkaktuar abuzimet e fëmijëve, posaçërisht në Kishë e nga ana e disa priftërinjve të saj”.
    “U shpreh sidomos dhimbjen time të thellë viktimave të pafajshme me shpresën që fuqia e hirit të Krishtit, flijimi i tij i pajtimit, të mund t’u sjell shërimin e thellë e paqen në jetën e tyre”.

    “Me ju, pranoj e ndjej turpin e përuljen që të gjithë kemi vuajtur për shkak të këtyre mëkateve, tha Papa e shtoi: “ju ftoj t’ia ofroni Zotit me besim që ky ndëshkim të ndihmojë për shërimin e viktimave, për pastrimin e Kishës e për ripërtëritjen e detyrës së saj shekullore të formimit e të kujdesit për të rinjtë”.

    “Shpreh mirënjohjen - përfundoi Papa - për përpjekjet që janë bërë për ballafaqimin e këtij problemi me ndërgjeshmëri, e të gjithëve u kërkoj të tregojnë zell e kujdes të madh për viktimat dhe solidaritet ndaj meshtarëve tuaj”.



    vazhdon-->
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  12. #12
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534
    Papa Benedikti XVI:

    laikët katolikë të jenë tharmi i shoqërisë




    Benedikti XVI bënë thirrje për “rolin e domosdoshëm” të laikëve katolikë në “çuarjen përpara të misionit në Kishës” përmes “përpjekjeve për të shërbyer e qenë si brumë i Ungjillit në shoqëri”. Në homelinë e Meshës kremtuar sot paradite në Katedralen e Westministerit, në Londër, Papa kujtoi thirrjen e Koncilit të II të Vatikanit drejtuar “besimtarëve laikë”. “Sa nevojë të madhe ka shoqëria bashkëkohore për këtë dëshmi të laikëve! - nënvizoi Papa Racinger - Sa shumë nevojë kemi në Kishë e në shoqëri, për dëshmitarë të bukurisë së shenjtërimit, për dëshmitarë të shkëlqimit të së vërtetës, për dëshmitarë të gëzimit e të lirisë që lindin nga marrëdhënia e gjallë me Krishtin!”.

    Sipas Papes Benedikti XVI, “një ndër sfidat më të mëdha që sot duhet të përballojmë është si të flasim në mënyrë bindëse për urtinë e fuqinë çlirimtare të Fjalës së Zotit në një botë që tepër shpesh e shikon Ungjillin si një kufizim të lirisë njerëzore, në vend që ta shikoj si e vërtetë që i liron mendjet tona dhe ndriçon përpjekjet tona për të jetuar në mënyrë të mençur e të mirë, si individ dhe si anëtarë të shoqërisë”.

    Në këtë perspektivë, Benedikti XVI përkujtoi edhe “ intuitat e mësimet e John Henry Newman”, kardinalit britanik (1801-1890) që nesër do të shpallen i lum në Birmingham.

    “Uroj që idetë e thella dhe largpamëse të anglezi të madh - tha Papa - të vazhdojnë t’i frymëzojnë të gjithë ndjekësit e Krishtit në këtë tokë, që duke i përngjarë atij në çdo mendim të tyrin, më fjalë e me vepra punojnë pa pushim për mbrojtjen e atyre të vërtetave morale të pandryshueshme, të cilat të ndriçuara e të konfirmuara nga Ungjilli, janë themeli i një shoqërie më të vërtetë njerëzore, të drejtë e të lirë”.


    vazhdon-->
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  13. #13
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534
    “Të moshuarit janë bekim për shoqërinë”:

    kështu Papa gjatë vizitës në Rezidencën e Shën Pjetrit në Londër!



    Pasditen e sotme, Papa bëri një vizitë, me karakter zyrtar, por edhe shumë personal e miqësor në Rezidencën e Shën Pjetrit, ku Motrat e Vogla të të Varfërve kujdesen për 76 të moshuar, ndër të cilët edhe 9 meshtarë e rregulltarë. Benedikti XVI i dhuroi qendrës një mozaik, që pasqyron figurën e Shën Pjetrit, frymëzuar nga një pikturë e Shkollës së Rafaelit:

    “Erdha mes jush – u tha Papa bashkësisë së të moshuarve e të murgeshave – jo vetëm si Atë, por sidomos si vëlla, që i njeh mirë gëzimet e sfidat e moshës. Vitet tona të shumta na japim mundësi t’i vlerësojmë bukuritë e dhuratave të mëdha, që na ka bërë Zoti… Ndërsa rritet mosha, aftësitë fizike zvogëlohen; megjithatë, kjo periudhë mund të jetë shpirtërisht më e frytshmja e jetës. Këto vite janë edhe mundësi për t’i kujtuar në lutje të gjithë ata që kemi dashur në këtë jetë e për ta lënë gjithçka kemi qenë e kemi bërë para hirit e dhembshurisë së Zotit”.

    Benedikti XVI vërejti se me përparimin e mjekësisë e me zgjatjen e jetës është e rëndësishme që shoqëria t’i konsiderojë të moshuarit si bekim për të. Ata sjellin përvojën dhe urtinë e brezit të tyre. Prandaj, kujdesi ndaj të moshuarve nuk duhet konsideruar si akt bujarie, por si falenderim, të cilin ua kemi borxh.

    Papa kujtoi urdhërimin e katërt “Ndero nënën e babën” e në këtë kontekst, foli për punën e Kishës për dinjitetin, vlerën, shëndetin e mirëqënien e të moshuarve. E pastaj kujtoi Papën Gjon Pali II:

    “Jeta është dhuratë unike, në çdo fazë, nga zënia deri në vdekjen e natyrshme dhe i takon vetëm Zotit ta japë e ta marrë. Njeriu mund të ketë shëndet të mirë në moshë të shtyrë, por pavarësisht nga kjo, të krishterët nuk duhet të kenë frikë të vuajnë bashkë me Krishtin, nëse Zoti do kështu. Parardhësi im, Papa Gjon Pali II vuajti publikisht në vitet e fundit të jetës. Ishte e qartë për të gjithë se e përjetonte këtë në bashkim me vuajtjet e Shëlbuesit tonë. Durimi dhe qetësia e tij në ditët e fundit qenë një shembull domethënës dhe mallëngjyes për të gjithë ne, që duhet të mbajmë mbi supe peshën e viteve”.

    Nesër, Papa Benedikti XVI do të shkojë nga Londra në Birmingam, ku do të kryesojë Meshën e lumnimit të kardinalit Xhon Henri Njuman. Para se të largohet nga Mbretëria e Bashkuar, do të takohet me ipeshkvijtë katolikë të Anglisë, Uellsit e Skocisë.



    vazhdon-->
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  14. #14
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534
    Përshëndetja e Benediktit XVI për të rinjtë:

    zemra juaj është për të dashur!




    Në mbarim të Meshës kremtuar në Katedralen e Uestminsterit, Papa Benedikti XVI takoi dhe bekoi të rinjtë, që ishin mbledhur para kishës e u kujtoi se edhe pse sot “është vështirë të duash”, me ndihmën e Krishtit duhet të duam çdo ditë. Në emër të të rinjve të të gjitha dioqezave britanike të pranishme në shesh, Atin e Shenjtë e përshëndeti një i ri zezak, Pascal Uche, zgjedhur për këtë detyrë përmes Facebook-ut.

    Papa u tregoi të rinjve shembullin e Nënë Terezës së Kalkutës, “Misionares së madhe të Dashurisë”, e cila na kujtonte - tha Benedikti XVI - si ta dhurojmë dashurinë, dashurinë e pastër e bujare, që është fryt i një vendimi të përditshëm”.

    “Çdo ditë duhet të zgjedhim të duam e ky synim kërkon ndihmë, atë ndihmë që vjen nga Krishti e nga lutja, nga urtia që gjendet në fjalët e Tij e nga hiri, që Ai na dhuron në sakramentet e Kishës…Ju kërkoj - u tha në përfundim të rinjve Papa - të shikoni brenda zemrës çdo ditë, për të gjetur burimet e çdo dashurie të vërtetë”.



    vazhdon-->
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •