Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1

    Post Shënime udhëtimi tek arbëreshët

    Sikur vjen nga Shiroka!

    Shënime udhtimi te arbëreshët, nji mrekulli e historisë së fisit tonë. Ata na tregojnë sot, se si ndoshta do të kishin qenë shqiptarët po të mos kishin pasë fatin e keq me ra në robnín shekullore.


    Për ketë gja ndiejm të gjithë dashuní për arbëreshët: ata mbesin ndërgjegja jonë mâ e pastër, e De Rada âsht zâni mâ i kthjellët e kësaj ndërgjegje.


    Kujt i shkon ndër mend se vetëm tue bâ pesëqind kilometra udhë, njeriu mundet me u kthye pesëqind vjet mbrapa në historí, tue realizue kështu nji andërr të gjithmonshme të natyrës njerëzore: me rijetue të kaluemen.


    Kisha ndie e lexue mjaft gjana për arbëreshët, më kishin tërheqë shënimet erudite të Kolë Kamsit, isha mahnitë prej përshkrimeve dashamirëse të Ernest Koliqit e prej hulumtimeve shkencore të Martin Camajt, gjithnji tue përfytyrue se si mund të ishte ajo botë që ka lindë kangët e De Radës e të Gavril Darës, të Serembes e të Sqiroit. Por asnjiherë nuk kishe pasë rasën me i pa me sytë e mijë ata njerëz e vende - të dashtuna e të panjohtuna njiherit për mue.


    E kështu shkapërceva kufijt e kësaj legjende të kahmotshme, në nji kohë që Arbëria e dikurshme âsht shekullarizue ndër rrudhat e nji prozaizmi topitës, tue u kthye në nji vend ku "legjendat" e andrrat tashma janë bjerrë përgjithmonë. Ishte natë vjeshtet kur i rashë mes për mes rrugëve të ngushta të Frasnitës, ku njerëzit ndër pragje shtëpijash e tregtoresh, me nji shqipe të shpalosun sa krenisht aq edhe vetvetijshëm, vazhdojshin bisedat e lanuna përgjysë tue e kthye qenjen e tyne të ndryshme prej "ltijve" (italianëve) në nji mur të pashkapërcyeshëm.


    Frasnita e Ejanina për mue janë nji gja e vetme, dy katunde që shtrihen njeni mbas tjetrit në shpatet e gërryeme të Bulinit (Pollino) me shikimin sa kah fusha e largët e Sibarit sa kah katundet e tjera arbëreshe që i bajnë kunorë tanë asaj hapsine të mbjellun me agrume e me ullinj qindravjeçar.


    Kah vija e horizontit duket deti Jon, e aty, çdo ditë që "dielli lambariset" - mbi katundet arbëreshe, rektin andrra, siç më thotë me nji zâ të këndellun prej kujtimesh t'largta miku jem arbëresh.
    E ndiej me vemendje zanin e tij, mbasi nuk âsht nji zâ dosido e prej fjalëve të tija mundesh me mësue shumë gjana.


    Âsht Papas Emanuil Jordani, shkrimtar e leksikolog i përmendun, klerik e njohtës i pashoq i muzikës bizantine, e ndonëse i ka mbushë të nandëdhjetat mendjen e ka akull e nuk pranë së cituemi vargje popullore që ai ka nxjerrë prej gjumit të harresës, e këndon me nji zâ të intonuem kangët arbëreshe, - aq sa mahnitem prej tanë asaj gjallnije.


    Papas Jordani âsht studjues i mirëfillte, e kjo gja ndihet sapo kalon pragun e bibliotekës së tij e gjindesh para faqesh të tana murit plot me lëpiza të stërvjetra, prej ku shtërngueshëm rrijnë e të shohin autorë të lashtë e të rinj të historisë, gjuhës, folklorit e të racës shqiptare.


    Në nji kând tjetër lëpiza edhe mâ të vjetra, me libra edhe mâ të moçëm: - janë librat e stërlalës sim, Binard Bilotës, më shpjegon ai, tue shqiptue emnin e këtij dishepulli e bashkëpunëtori të palodhshëm të De Radës, atëherë kur plaku i Maqit botonte «Fjamurin e Arbrit».


    Papas Jordani ka lindë në Ejaninë në vjetin 1920, e tue përjashtue vjetët që ka kalue si student në monastirin italo-shqiptar të Grottaferrata-ës e në Kolegjin grek të Romës, gjithë jetën e vet e ka kalue në atë kishë të shekullit XVIII, nën nji shkrep të naltë të cilin Koliqi, më tregon ai, i cili ishte i dashunuem mbas asaj bote, e kishte pagzue: mali i Krujës.


    Koliqin e mbaj mend këndej pari, qysh prej vjetëve '50, më thotë famullitari plak. Erdhi këtu e na zgjoi, mbasi dëshira e tij ishte me vazhdue traditën e me kultivue gjuhën tonë. I pari që e ndoqi ishte nji avokat nga Shën Bendhiti i Ullanëve, Albino Greco, i cili bashkë me nji grup dashamirësh të kulturës arbëreshe themeloi revistën «Zgjimi».


    Rradhët u shtuen pak nga pak, mbasi të rinj e të reja arbëreshe lauroheshin vjetë për vjetë në Institutin e Studimeve Shqiptare në Romë, e kështu që kultura e gjuha u ripërtrinë. Mbas «Zgjimit» erdhën edhe revista të tjera, si: Zëri i arbëreshvet, Zjarri, Vatra jonë, Camastra, Katyndi Ynë etj.


    Aradha e re e studjuesve dhe e dashamirëve të kulturës arbëreshe njeh emnat e Josif Ferrari-it, Françesk Solano-s, Lluka Perrone-s, Lino Bellizzi-it, Anton Bellusci-it, Josif Catapano-s, Vasil Blaiotta-ës, Vinçenc Selvaggi-it, Agostin Giordano-s (Buzëdhelpri) e shumë të tjerëve jo mâ pak të vlertë...


    I rritun nën hijen e kujtimit të stërlalës së tij, Binard Bilotës, të cilit i ka botue në vitin 1967 në Tiranë veprën «Shpata Skanderbekut ndë Dibrët poshtë», Papas Emanuili ka ruejt nji dashuní të çuditshme për gjuhën shqipe, aq sa qysh në vitet '50 ka fillue me përkthye e me përdorë edhe në liturgjí gjuhën shqipe e jo atë greke. Kjo gja e ka shty me kthye shqip: himne, tropare, antifonare, lexime, lutje, kangë e me ja mësue me durim popullit arbëresh.


    Ai, edhe sot e kësaj dite kur sheh në kishat arbëreshe ikona të reja që janë të shkrueme në gjuhën greke, e kqyr shtrembët priftin e vendit tue i "kërkue llogarí" pse nuk përdorë gjuhën shqipe, mbasi shqipja âsht po aq e denjë sa greqishtja për me shpreh realitetin hyjnor.


    Edhe puna e meshtarëve të thjeshtë si Papas Emanuili ka ndihmue në futjen e gjuhës shqipe si gjuhë liturgjijet ndër arbëresh - gja që âsht bâ prej imzot Stamatit në vitin 1968....


    Në faqet e revistës që ka mbajt e ushqye për dhetë vjet rresht (1972-1982), «Zërit të Arbëreshvet», ai âsht bâ jehona e traditave mâ të mira qytetare e fetare arbëreshe. Mund të themi se âsht nji kënaqësí e veçantë me e ndie tue folë shqip, tue të tregue për malin e tij, për prroin e Korbit e prroin e Krivit, për kroin e Pelave e për personazhet e dikurshme të jetës të asaj Frasnitës që nuk âsht mâ.


    M'tregojnë se ishte nji herë këtu nji dashamirës i Bakut, që i kishte vu buteve të venës emna shumë kuptimplotë, njenin e kishte quejt: «pim(ë) - pim(ë)» kurse tjetrin: «tru merr», edhe pse me sa duket nuk kishte frikë prej vetmisë, t'paktën sa ti kishte butet plot. Në të vërtetë ai e kishte zakon me thanë: «për sa butja ish pjotë, nganjë më thoj: mirë ditë, o zot, kur pra butja m'u shterpua, mosnjari më falnej mua!».


    Tue më mbushë edhe mue gotën me venë - prej asaj që rrjedh prej butit "pimë - pimë", Buzëdhelpri, dishepulli i dikurshëm i Koliqit në Universitetin e Romës dhe poet i njohtun arbëresh më thotë tue qeshë: - Po ti sikur vjen nga Shiroka!


    E më shpjegon se kjo shprehje ka zanë vend në imagjinatën popullore për me tregue nji vend shumë të largët, ndoshta nji vend që dikur stërgjyshat e tyne kanë braktis dikur.


    Ndërkaq Papas Jordani më flet për zakonet, gjuhën, historinë, e ndiej se kanë aq shumë flakë mallit e dashunijet fjalët e tija, sa që të len përshtypjen se ky njeri ka jetue gjithmonë larg Ejaninës, e jo mâ se s'ka mujtë me u largue as edhe dhjetë kilometra mâ andej.


    Poshtë qelës, tue u avit kah pushimtarja (kështu e quejnë vorrezën këtu) më tregon «kroin e Zijaudinit», aty ku ndalej për me pi ujë prof. Zijaudin Kodra, kur gjatë verës shkonte me hulumtue jetën arbëreshe.


    Kujtojnë kësaj ane edhe vizitat e studiuesve të tjerë që vijshin prej Tiranet (fatkeqsisht, jo të gjithë kishin sqimtín e prof. Kodrës), e priteshin si vëllazën prej arbëreshëve, edhe pse jo rrallë kur ktheheshin në atdhe shkruenin për vendet arbëreshe sikur ishin shumë të lanuna mbas doret e shumë të vorfëna në krahasim me përparimin që kishte bâ atdheu socialist...


    I ngjitena malit për me shkue ndër bjeshkët e Frasnitës. Këndej natyra nuk âsht tregue shumë zemërgjanë me njerëzit, aq sa banorët e këtyne anave thonë se malesh s'ka gja tjetër veçse: "gur e kalocidhe" (nji bimë helmuese).


    Megjithatë katundi i Çiftit (it. Civita), i cili quhet kështu mbasi âsht i ndërtuem mes dy shkambijsh masivë, âsht vend turistik e i begatë. Nalt mbi 1000 metra, ndër bjeshkë, ka fillue me bâ ftohtë, era fryn me dy bulshij e mbas pak ka me ra edhe bora e parë.


    Papas Jordani më reciton disa vargje popullore:
    "Atje lart n'atë mal, atje është një shesh i madh,
    teku bredhën zarazit (zânat), zarazit dhe dreqëzit,
    bëjen lig po më se mirë (bâjnë mâ shumë keq sesa mirë)".


    Para nesh shfaqet mali i Bulinit (Pollino), poshtë kemi lanë qupat (plepat), shelqet, dhafrat (dafinat), gërxumbulat (zerdelijat) e mindulen e egër (mendren), kurse tashti shpalosen shpate të mveshuna me ilnje, lisa e aha, me qarra e me dëllënja, me bredha e me pjokë (pisha).


    Miqtë që më shoqnojnë s'lanë pa mbledhë nji ré kërpurdhash të bardha që shfaqet papritmas në mes të blerimit, por mbledhin edhe pak nga bari i Shën Mërisë, mbasi âsht bimë mjeksore e para se dimni ta thajnë âsht mirë me e pasë në shtëpi. Ma tutje mrajat erëmira i lëshojnë vendin kurpnave (kulpna) që këtu i gatuejnë në nji mënyrë të bindshme tue i regjë në ufuth e në voj ullinit.


    Ngjyrat e malit në vjeshtë janë të ndezta aty ku ahi ka përflakë gjethet, të verdheme ku frashni ende s'i ka lëshue përtokë, të bruzta te pjoku i patundun prej stinash e të errëta te shkambijtë që qesin krenat nalt e poshtë tue mshehë njolla të bardha qingjash tashma të majun mire e dhishë që kcejnë andej - këndej, të ruejtuna prej nji qeni të madh që sillet pritueshëm.


    Prej kësollës së bariut çohet nji fjollë tymi që tregon se âsht tue vlue qumshtin me të cilin në këto ana bâjnë nji djathë të shijshëm e nji gjalpë të freskët që mëlmen ushqimet ende të paprekuna prej mënyrave moderne të prodhimit...


    Banorët e Frasnitë janë vendosë këtu rreth vjetëve 1478-80, mbas vdekjes së Skënderbeut, aq sa B. Bilota - tue ndjekë dëshmitë e mbledhuna prej historianit De Rubeis (shek. XVII) na përcjell ndër të tjera: "giunti i Gheghi presso la decimata gente italiana...", gja që tregon deri diku jo vetëm prejardhjen e këtyne fiseve arbëreshe por edhe gjendjen e randë të luftave mes anzhuinëve e aragonezëve n'atë periudhë.


    Në vitin 1534 edhe në Frasnitë erdhën grupe familjesh shqiptare e greke prej Moresë, për me i shpëtue plojës (kërdisë) që Turqit bâjshin ndër 'ta. Ndër mbiemnat mâ karakteristikë shohim: De Biase, Groppa, Gramisci, Marchiano', Masci, Musacchio, Placco, Scuracchio, Scutari.


    Âsht interesante me vërejt edhe epitetet që përdoreshim këndej pari për njerëzit: Bleti, Buzavogli, Buzëshqerra, Buzëqulli, Baballuku, Capacapi, Dosi (derri), Gajdhuri (gomari), Hundëxharrota, Markuviqi, Marruka, Zotilalë etj.


    Ndoshta kishte me shërbye me kuptue diçka për prejardhjen e arbëreshëve mâ të parë që u vendosën në Frasnitë, me pru si shembull disa fjalë që ndigjova prej gojës së tyne: kam u (kam uri), na (emnorja e shumësit: ne), shkulqi (shkuesi), lalë, duqe, dlir (pastroj), kshet (gërshet), (ndërsa në Vakaric përdorin paskajoren: për me bënë, pra, nji formë as sintetike e as analitike), mômë, gjaku etj. Këtu nuk ka hi as kalku i marrun prej turqishtes "me pi duhan", por thonë ende "bëj kapnua" (prej gr. kapnos - tym).


    Aq fort e duen gjuhën shqipe këta arbëreshët e thjeshtë, të cilët syni i ndokujt âsht mësue me i pa me nji farë shpërfilljet, sa kafshëve i flasin edhe sot e kësaj dite në italisht, mbasi arbërishtja për 'ta âsht aq gjuhë fisnike sa që nuk mund të përdoret me kafshët.


    Nji proverb arbëresh tingllon kështu: "i thonë jëmat bilve të tyre, mirre arbëreshe jo lëtire" (u thonë nanat bijve të tyne, merre arbëreshe e mos e merr italiane).
    Tregojnë edhe nji anekdotë të kandshme:


    Këtu posë gjuhës âsht e gjallë edhe kujtesa historike, ketë e tregon edhe rapsodia e mrekullueshme që Pjetër Kamodeka i Koronejve ka botue në vjetin 1903. Rapsodia kujton ikjen e Koronejve prej Morejet në kohën e Karlit V, atëherë kur 200 anije të prime prej admiralit Andrea Doria zbarkuen në Italín jugore:


    "Petkat e të mirat tona/ na i lamë te Korona;/ Krishtin na kemi me ne!/ Oj e bukura Moré! (...)
    E mâ andej:
    - Qeti! : shihni jetë të ré/ na tha Dorja Zoti Ndré!"
    Kurse nji rapsodí tjetër kujton:


    "Po treqindmijë trima/ iktin çajtin detin/ se të mbajën besën".
    Mbi Frasnitë mes shkrepash âsht edhe nji shenjtore që frashnjotët e quejnë "Shën Mëria ktje lart", së cilës plakat ende i këndojnë:


    "Ti Shën Mëria ktje lart/ bënmë mua të begatë,/ të begatë e jo më gjërë,/ se un vdes e ty të lerë".


    Plaka që ma këndon sjell kryet kah mali, tue pa me thekuní nji pikëz të bardhë, ku tash - e randueme prej motesh - nuk mundet mâ mâ me u ngjitë, e flet si me vete: "jemi kravelje hua" (jemi si nji bukë e dhanun uha).

    E vërtetë, kështu jemi, por kena ruejt në njimijë mënyra atë "shijen e bukës së mbrume" në magjë - siç shkruen Koqili, që na bân me qenë gjithnji nji popull i çuditshëm. Kthej kryet me përshëndet edhe nji herë miqtë e mi, tue i premtue vetes që kam me u kthye rishtas te "gjaku ynë i shprishur".

    Te shtëpija e Jeronim De Radës


    Me i pyet pleqt e Maqit, edhe sot e kësaj dite, kush ka qenë De Rada, ata të përgjegjen menjihere: një plak me dhikoniqe. «Dhikoniqe»? Bâhet fjalë për nji lloj shkopit që përdoret me u mbajt në pleqní (lat. baculus), por që në fund ka nji degëzim në formë brenash për me e rrit ekuilibrin e atij që e përdorë.


    De Rada "nji plak me dhikoniqe"? Ai që ka qenë vetë «dhikoniqja» e mbarë nji kombi të shprishun prej shekujve!


    Kemi kalue Strigarin (S. Cosmo Albanese), vendlindjen e Serembes, Vakaricin e jemi drejtue së pari mu te Kolegji i Shën Adrianit. Kolegji me Abacinë, pranë së cilës âsht ndërtue jeta e kësaj krahine për shekuj me rradhë, ruejnë peshën e hijeshinë e moteve të shkueme.


    Âsht dita e Shën Demetrit e të gjithë janë në katund tue festue, mbretnon nji qetësí e pazakontë. Mbas dyerve të mbylluna me "alëza" (zingjir) duket klostri me portokalle i abacisë, mâ andej përmes oborrit, tej rreshtave të qiparisave shtrihet lugina e butë dhe e rrethueme me kunorën e katundeve arbëreshe: prej Shën Vasilit e deri te Çifti në maje të malit.

    Kolegji ka mbetë ashtu siç e kanë përshkrue në fillim të shekullit të njizetë. Të duket se sillen ende mes atyne muresh të verdheme: De Rada e Luigj Gurakuqi, ky i fundit nxanës i atij kolegji.


    Por ka pasë edhe figura tjera të lidhuna me historinë kolegjit, për shembull: A. Xhuvani si mësues, Sh. Vërlaci si nxanës.


    Tue marrë rrugën për në Maqi përmes kodrave me "botë" (dhé) të kuqe, mes ciklaminave që rrethojnë ullinjt - plym prej kokrrash "vajmira" që gargujt qukrrojnë me shije, mes maresh e shqemesh, habitesh se si ka mujtë me e bâ tanë ketë rrugë "plaku me dhikoniqe". Në të vërtetë, kah fundi i jetës De Rada shkonte mbi gajdhur deri në Kolegj e në fund krejt banonte aty.

    Përpara shtëpisë së De Radës gjindet ende sot guri që ai përdorte me i hyp gomarit për me shkue në Kolegj. Në ballë të shtëpisë e tij, ku na shoqnon miqsisht nji vendalí, shohim stemën e familjes De Rada, kalojmë hajatin e gjindena para shkallëve ku të bjen në sy nji gur i madh mullinit që ka të gdhendun përsipër "Radovani". Shtëpija âsht e vogël, e thjeshtë, ndër shkalla ka lulemullaga e drandofille. Mbrendë nuk ka mbetë mâ kurrgja, as libra, as orendí.


    Prej dritares, kah ana e lindjes, shikimi tretë kah deti Jon. Sa herë âsht përmallue shpirti romantik i poetit tue pa detin, përtej ullishtave:
    "Ljis jeta kishë ndërruar/ uj të rí ndë dejtit/ kaljthëruar te dit' e ré: /po lumbardhë e Anakreontit/ rronej Tempë e moçëme".


    De Rada mbetë gjithmonë nji fenomen i mrekullueshëm i zgjimit të shpirtit shqiptar. Por, të gjithë arbëreshët janë nji mrekulli e mirëfilltë e historisë së fisit tonë. Ata na tregojnë sot, se si ndoshta do të kishin qenë shqiptarët po të mos kishin pasë fatin e keq me ra në robnín shekullore. Për ketë gja ndiejm të gjithë dashuní për arbëreshët: ata mbesin ndërgjegja jonë mâ e pastër, e De Rada âsht zâni mâ i kthjellët e kësaj ndërgjegje.


    http://www.shekulli.com.al/2010/09/1...a-shiroka.html
    ABCÇDDhEËFGGjHIJKLLlMNNjOPQRRrSShTThUVXXhYZZh (Alfabeti Shqip, 36 gërma)

  2. #2
    Gone!
    Anëtarësuar
    02-03-2006
    Vendndodhja
    Larg nga ketu!
    Postime
    2,871
    Ëngjell Basili i shkruan De Radës

    dr.prof. Italo Costante Fortino
    nga Shёn Benedhiti (CS), Universiteti L’Orientale i Napolit


    Amatissimo Girolamo,

    Vedendoti sotto ‘l cielo che ancora è pieno de’ celesti canti della…Sirena, io mi sento ‘l cuore tutto inondato da vera letizia.All’Europa intera apprenderà la Diva i tuoi altissimi canti: essa de’ raggi del sole ti coronerà la fronte, e primo poeta dell’Albania ti nomerà. Nella parte più serena dell’Olimpo novellamente eresse il Destino un magnifico tempio, e al Genio che aprì le albanesi menti ne fa dono. Splendono in esso mille gloriosi seggi; se la potente gioventù della nostra nazione si estolle dalle oscure vie del piacere per le quali ora la sciaurata cammina, obbrobrio eterno di chi n’è cagione, se dalla voce del Cielo che la invita sorge emula degli animosi, se ‘l vile desiderio dell’oro sgombra dal petto, fra breve questi seggi non si vedran voti.

    Per me quest’anno non celebransi le nozze di Scanderbegh, egli però sa che la mia mente non altro brama che adorna di tutte grazie porgli la Donica sul talamo de’ forti. Se mai dalle molte lezioni m’avanzerà del tempo ho un gran desiderio di correggere “Ines de Castro”, “Ianachi” e “Le nozze di Bradamante”, e comporre un’altra tragedia, “La vendetta di Ines”. Questa mia Ines sarà molto diversa da quella che su’ teatri d’Europa poser dei celebri scrittori. Il tempo mi consiglierà se debbo metter in albanesi carmi questi quattro drammatici lavori. IL Sig. D. Domenico Mauro che presentemente trovasi in Cosenza caramente vi ossequia. Egli fu moltissimo onorato da questa Accademia, e pel suo raro merito gli accademici gl’inviarono il Diploma di socio corrispondente. E’ D. Domenico un forte albanese.

    Cosenza, lì 13 Gennaro, 1839
    Scrivetemi qualche cosa dell’attuale letteratura di Napoli; scrivetemi molte di voi. Vi abb.° e sono Vostro aff.mo amico

    Angelo Basile
    D. S. Bramerei comprare i viaggi di Pouqueville che mi sono di molta necessità. Scrivetemi colla prossima posta il prezzo e‘l pregio dell’edizione; perché dopo d’avermene rimesso il costo pel procaccio, melo comprerete.



    Kjo liter, si ato cё kemi botuar te kjo rivistё njera nani, sheh dritёn pёr tё parёn herёn kёtu e jep njё kontribut pёr tё gjohim sa mё mirё aq personaxhin e Engjёll Basilit, njё prift nga Pllatani, ku u le ndё vitin 1813 e cё vdiqi Napul ndё vitin 1850, sa edhe autorin e madh arbёresh Xhirollam De Radёn, cё ish njё vit mё i vogёl sё Basili. Origjinali i kёsaj literje gjёndet ndё Arkivin e Shtetit tё Shqipёrisё ndё Tiranё (Fondi 24, Dosje 54, Fleta 85). Eshtё interesante tё mbajim mend datat kur u lenё kёta dy personaxhe arbёreshё, pse ectin bashkё ndё studhet e u gjёndtin bashkё edhe Anapul, ture marrё pjesё ndё ngjarjet e politikёs tё motit.

    Pa, mё duket se kjo liter ka nj’etёr domethёnie tё bukur: Engjёll Basili ka mall tё fortё pёr poezinё, e ndien poezinё si njё art tё lartё cё mbjon zёmrёn me gёzim e me ndjenja sublime. Ky fakt bёn e nderon mirё me gjitё sienxet poezinё e De Radёs. Nd’atё mot De Rada, vёrtet, kish dhёnё ndё shtyp veprёn e madhe c’i dha mbjatu njohje e nderё: “Poesie albanesi del secolo XV. Canti di Milosao, figlio del Despota di Scutari” (Napoli, Da’ Tipi del Guttemberg, 1836). Tё tjerat dy botime cё Dё Rada bёn tё kёtij poemi (1847, 1873) nёng i japin mё shumё dritё, pse nёng janё mё tё mira e mё tё larta nga ana e formёs estetike, e pra ajo pёr tё cilёn fjet Basili
    qёndron patjetёr vepra c’i doli mё mirё nga penda, pёr delikatecёn e poezisё, pёr stilin modern e formёs, pёr ermetizmin cё gjarpёron ndё gjithё kёngёt.

    Frymёzimi i pastёr si edhe forma e lartё, cё Basili gjёn ndё kёngёt e Milosaut, i sugjerojin se poezia e De Radёs ka tё ketё, patjetёr, njё dimension europian, do t’e djovasin jo vetёm ndё Kalabrjet o ndё Siciljet, ndёr arbёreshёt, po edhe ndё gjithё Italjen e jashtё Italjes. Prifti e shkrimtari Basili, pra, e nderon me zёmёr De Radёn, ndien njё gёzim tё madh mbrёnda spirtit tё vetvetes pёr njё njeri aq tё bёgat me kualitete poetike cё do t’i japin dritё gjithё jetёs arbёreshe.

    Me njё fjalё Basili arvoi tё ndionij – nd’atё vit kur shkruan kish 26 vjet – se De Rada meritonij nderёn e koronёs sё poezisё. Me tё vёrtetё ёshtё shumё bukur tё djovasim kur Basili shkruan se De Rada ёshtё “i pari poet i Shqipёrisё” – kёtu fjala “Shqipёri” ka tё interpretohet si gjithё jeta cё fjet shqip dhe arbёrisht. Njё fuqi e madhe del nga fjalёt e Basilit kur i dergon njё mesaxh gjithё trimave arbёreshё dhe shqiptarё tё mirren me kulturё, me leteraturё, me poezi sa tё nisen ndё drejtimin e njё jete mё tё lartё, mё tё bёgatё, e cila e vetme mund t’i japё sudhisfaciuna tё vёrteta. Prifti e shkrimtari Basili thёrret gjithё rininё se tё ndahet nga dёshira e pёlqimit material, nga dёshira e arit, dmth e bёgatёrisё pa rregull, nga ai pёlqim cё nёng e ngrёn ndaj tё lartit, por cё e mban ndё livelin e ulёt e cё ka si perspektivё vetёm errёtit. Basili dёshiron se rinia ka tё gjegjinj zёrin cё vjen nga lart, zёrin e qiellit se tё lartesohet ngaherё mё shumё e tё tundet ndaj Tempullit e pavdekjes.

    Engjёll Basili ёshtё edhe ai ndё udhёn e shkrimtarёve e i vete pas De Radёs, cё nd’atё mot ish xha njё xhigand, njё yll, njё dritё cё shkёlqenij e cё meritonij titullin e poetit tё madh. Me tё vёrtetё, letteratura arbёreshe dhe ajo shqiptare neng kishin pasur mosnjёherё njё vepёr kaq tё lartё, kaq tё pёrsosur, kaq tё fuqishme nga ana e poezisё, sa “I Canti di Milosao”, njё vepёr cё, mbjatu sa dolli, e njohtin e e nderuan ndё gjithё vendet e Europёs ku ajo arvoi. Tek literat ce do te botojim ndё numrat e kёsaj riviste, do tё shohim sa personaxhe u interesuan pёr veprat e De Radёs e sa mirё i konsideruan gjithё veprat e De Radёs, dhe mёsemё “I Canti di Milosao”.

    Edhe Basili, si De Rada me veprёn “Odisse”, filloi tё shkruanij mё parё italisht e ndё kёtё gjuhё na la traxhedien “Ines De Castro”, cё botoi ndё vitin 1849 (Napoli, Tip. Trani). Kish ndё mend t’e prirnij arbёrisht, por pra i mangoi, thomse, moti, pse jeta e tij qe e shkurtur. Edhe tё tjerat vepra cё citon ndё kёtё liter nёng arvoi t’i shkruanij, ose u buartin pse neve neng na arvuan. Ndё fund njё fjalё pёr Dhuminik Mauro nga Shёn Mitri, njё patriot garibaldin, mё parё maxinian e pra ndё favor tё monarkisё (shih veprёn “Vittorio Emanuele e Mazzini”, Genova 1851), i cili nderoi gjithё jetёn arbёreshe tё shekullit XIX, si studiues i “Komedisё Hyjnore (“Allegorie e bellezze della Divina Commedia”, Napoli 1835; “Concetto e forma della Divina Commedia”, Napoli 1863), si autor me poemin “Errico” (1845, 1869), cё fjet pёr brigantaxhin ndё motin e dominacionёs franceze, e me poezitё “Poesie varie” (Napoli 1862), si politik: qe dy herё deputet i legjizlaturёs IX e X. Ndё fund mund tё thomi se Basili ka ligj kur shkruan ndё kёtё liter pёr Maurin se qe shok korrispondend i Akademisё sё Kosenxёs e mёsemё qe “un forte albanese”.

    R. "Jeta arbereshe" 66

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •