Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 5
  1. #1
    OPENMINDED Maska e land
    Anëtarësuar
    12-12-2003
    Postime
    7,684

    Mbretëria e Arbërisë në Dokumentet Papnore në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XIV

    Etleva Lala

    Mbretëria e Arbërisë në Dokumentet Papnore në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XIV

    Mbretëria e Arbërisë duket se ka qenë shumë më komplekse sesa njihej deri më sot, sidomos përsa i përket rolit rajonal të kësaj mbretërie dhe pranisë së saj si formacion politik në arenën ndërkombëtare. Sigurisht që nuk kanë munguar studiuesit që janë marrë me Mbretërinë e Arbërisë, me karakterin, funksionimin, rolin dhe rëndësinë e saj,1) por mësa duket, një studiues i shek. XIV e ka të pamundur të vazhdojë punën e tij kërkimore pa u ndalur në mënyrë të veçantë tek ky formacion politik, për të ndriçuar ndonjë aspekt të veçantë të kësaj mbretërie. Fjala është veçanërsht për ndriçimin më të plotë të rrethanave historiko-politike, socio-religjioze në të cilat jetonte populli shqiptar në shekullin XIV.

    Në këtë studim do të përqëndrohemi kryesisht tek marrëdhëniet e Mbretërisë së Arbërisë me Papatin në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XIV, i cili në këtë kohë ishte pushteti qendror i mesjetës evropiano-perëndimore, marrëdhënie këto që deri tani nuk janë marrë në analizë.

    Është tashmë i njohur fakti që Mbretëria e Arbërisë u shpall zyrtarisht si formacion politik më 21 shkurt 1272, nga Karli I Anzhu2). Në fakt, termi Regnum Albaniae (Mbretëria e Arbërisë) kishte filluar të përdorej që më herët, dhe konkretisht që në vitin 1267 në kancelarinë anzhuine.3) Në vitin 1272, Mbretëria e Arbërisë, iu servir shqiptarëve si pasardhëse e natyrshme e Principatës së Arbërit. Medievisti shqiptar Pëllumb Xhufi vë në dukje se, pavarësisht se Anzhuinët e servirin atë si pasardhëse të Principatës së Arbërit, Mbretëria e Arbërisë nuk kishte asnjë lloj lidhjeje historike, e aq më pak vazhdimësi me Principatën e Arbërit, jo vetëm përsa i përket rrethanave në të cilat u krijuan secila, si qëllimeve të cilave duhet t'u shërbenin, ashtu edhe për sa i përket funksionit të secilës dhe mënyrës se si u receptuan ato nga shqiptarët.4) Ducellier është i mendimit se kjo mbretëri ishte një structure politique artificielle … régime d'occupation militaire, tout y a été fait par la guerre et pour la guerre.5) Megjithatë, ajo ishte një mbretëri, un royaume distinct du royaume de Naples,6) dhe si e tillë kishte mjetet dhe organet e veta administrative, të cilat ishin përqëndruar në kryeqytetin e mbretërisë që ishte Durrësi. Përsa i përket rëndësisë që pati kjo mbretëri në arenën ndërkombëtare, pak rëndësi ka nëse ajo vetë ishte strukturë artificiale apo formacion politik organik. Rëndësia kryesore që ky fenomen pati për trojet shqiptare është statusi që forcat politike vendore fituan nga kjo shpallje mbretërie, një status ky mbretërie mesjetare, i cili nuk mund të ishte i përkohshëm, por i gjithëhershëm, pavarsisht nga jetëgjatësia e Anzhuinëve në territoret shqiptare, dhe pavarësisht nëse kishte gjithmonë një mbret apo jo. Një herë e shpallur, mbretëria mesjetare nuk mund të shpërbehej më.

    Regnum Albaniae u shpall zyrtarisht në vitin 1272, megjithatë dokumentet e para papnore në të cilat përmendet ky formacion politik me këtë emër, datojnë nga dhjetëvjeçari i dytë i shekullit XIV, dhe pikërisht nga viti 1317. Njëri prej këtyre dokumenteve është nga maji i këtij viti7) dhe tjetri nga shtatori i po këtij viti.8) Dokumenti i majit me siguri që është shkruar pikërisht në kohën kur në Selinë Papnore kanë arritur sinjalet e para për persekutimet që mbretërit serbë kishin filluar që t'u shkaktonin katolikëve në territoret shqiptare. Për një fenomen të tillë flet qartë bula papnore e shtatorit të vitit 1317, në të cilën bëhet e njohur se me datë 17 shtator të vitit 1317, Ndreu, ipeshkvi katolik i Krujës, ishtë dëbuar me dhunë nga posti i tij.9)

    Bulat e shumta papnore që datojnë nga viti 1317 deri në vitin 1320, në të cilat pothuajse gjithmonë përmendet Regnum Albaniae, direkt apo indirekt të gjitha kanë lidhje me një kryengritje që po përgatitej kundër sundimit serb, sundim ky që po u shkaktonte shumë vuajtje katolikëve të territoreve shqiptare që ishin pushtuar nga mbretërit serbë.

    Në vitin 1319 do të ndeshemi me shumë bula papnore në të cilat adresohet Regnum Albaniae, dhe të gjitha këto bula janë në kontekstin e një kryqëzate. Më 17 qershor 1319, Papa Gjoni XXII, filloi përpilimin e një plani për kryqëzatë kundër mbretit Serb. Në fakt, përpilimi i këtij plani deri tani është menduar dhe interpretuar si ide e Anzhuinëve, dhe konkretisht e Filipit, princit të Tarentit,10) i cili nëpërmjet një letre duket se i kishte parashtruar Papës Gjoni XXII, gjendjen e keqe të katolikëve shqiptarë nën sundimin e mbretërve serbë, dhe i kishte kërkuar Atij që t'i mbronte ata me ndihmën e një koalicioni.11) Kësaj letre Papa i ktheu përgjigje më 12 maj 1319,(12) duke e siguruar që ishte i gatshëm për çfarëdo lloj iniciative. Papa shtonte me këtë rast se të gatshëm njëlloj ishin edhe Karli I Roberti, mbreti i Hungarisë (1308-1342), si dhe Mladeni II, bani i Kroacisë dhe Bosnjës.13) Megjithatë, mund të themi pa frikë që Papa Gjoni XXII, së paku që nga viti 1317 e njihte mirë gjendjen e katolikëve në territoret shqiptare, siç kemi parë nga bula që kishte lidhje me Ndreun e Krujës, kështu që nga ky këndvështrim ai nuk mësoi asgjë të re nga letra e Filipit, përveç faktit që Filipi vetë e njihte tepër vonë gjendjen e keqe të katolikëve të Mbretërisë së Arbërisë. Ndoshta ky është shkaku pse Papa Gjoni XXII u drejtohet vetë shqiptarëve për të marrë përsipër kryqëzatën kundër serbëve.

    Më 17 qershor 1319 Papa Gjoni XXII u dërgoi letra Muzakajve14): Mentul Muzakës, kontit të Këlcyrës, Ndre Muzakës, marshallit të Mbretërisë së Arbërisë (regni Albaniae marescalco), Theodor Muzakës, protosevastor-it të Mbretërisë së Arbërisë, të cilët i kishin pronat e tyre në jug të Shqipërisë së sotme; princërve të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut:15) Guljelm Blinishtit, protosevaston, Guljelm Aranitit, protholegaturo, Kalgjon (Calojohanni) Blinishtit, Pal Matrangës dhe baronëve të tjerë të Mbretërisë së Arbërisë (ceterisque baronibus regni Albaniae), si dhe Ladislavit, kontit të Mbretërisë së Arbërisë,16) duke i vënë në dijeni që Ai ishte i informuar për vuajtjet e tyre nën tiraninë e rëndë të mbretit të Serbisë (sub gravi tirannide illius regis perfidi Rascie nedum scismatici et religionis christiane totaliter inimici).17) Një dokument i tillë, që në rrethana të caktuara mund të ishte shprehje e një interesi formal të një autoriteti qendror me autoritetet lokale, shoqërohet me një interesim dhe përkushtim të veçantë të Papës Gjoni XXII për zgjidhjen e problemeve në "periferi", siç ishte Mbretëria e Arbërisë përsa i përket kriterit "kufi me botën bizantine." Ky interes dhe përkushtim vihet re në caktimin e një mënyre më të gjallë komunikimi midis fisnikëve lokalë dhe Selisë së Shenjtë, mënyrë kjo që u mishërua në caktimin e një personi në këmbë të tij, person ky që do të jepte udhëzime (oraculo vive vocis) me autoritetin e plotë të pontifikatit të lartë. Vlerësimi dhe besimi i lartë i Papës Gjoni XXII tek forcat lokale shprehet hapur kur personi i kontaktit për një çështje kaq delikate dhe të rëndësishme zgjidhet një vendas, siç është Ndreu, ipeshkvi i Krujës.

    Po t'i referohemi mënyrës sesi Papati u drejtohet forcave politike shqiptare, vëmë re që ky autoritet ishte i mirëinformuar, jo vetëm për forcat politike të Mbretërisë së Arbërit, por edhe për marrëdhëniet e tyre dhe për distancat gjeografike që ishin midis tyre. Nuk është rastësi që Papa u drejtohet atyre në grupe: në një letër Muzakajve, në një tjetër Blinishtëve, Aranitëve, Matrangëve, dhe në një tjetër Ladislav Jonimës (Radislaut Gonomes), kontit të Dioklesë dhe të Arbërisë bregdetare, me pothuajse të njëjtat fjalë, të njëjtat udhëzime, dhe u sugjeron të njëjtin person-kontakti me rol udhëheqës: Ndreun, Ipeshkvin e Krujës. Ky lloj grupimi i forcave politike në dokumentin papnor, të shtyn të mendosh që në radhë të parë Papa Gjon XXII nxiste bashkimin e këtyre forcave, si forca politike, dhe në këtë kontekst Ndreu i Krujës kishte edhe një mision indirekt përveç atij të udhëheqjes së kryqëzatës në fjalë: atë të bashkimit të forcave politike të Mbretërisë së Arbërit.

    Në botimin e ri të Historisë së Shqipërisë bulat papnore interpretohen sikur fisnikët shqiptarë ishin të ritit ortodoks dhe gjithë letërkëmbimi i tyre me Papën shpjegohet sikur ata donin të braktisnin ritin ortodoks dhe të përqafonin katoliçizmin për interesa politike, duke u ndarë edhe kishërisht nga pushtuesit serbë.18) Dokumentet origjinale nuk lënë të kuptosh një gjë të tillë. Papa Gjoni XXII u drejtohet atyre si "dilecti filii"19) dhe një adresim i tillë nuk u bëhej kurrë atyre që nuk ishin tashmë katolikë të devotshëm.20) Një adresim i tillë i bëhet madje edhe Ladislavit,21) i cili nga emri është konkluduar se duhet të jetë sllav dhe i ritit lindor.22) Është pikërisht emri i tij ai që i ka ngatërruar shumë studiues seriozë që të mos e quajnë atë katolik. Fakti që Papa i drejtohet atij si "dilectus filius" duke e konsideruar atë katolik të devotshëm, nuk duhet të na çudisë, sepse dihet tashmë që Dioklea ishte nën ndikimin e princeshës katolike, gruas franceze të mbretit Stefan I Urosh, Helenës, dhe ajo kishte vazhduar një aktivitet të dendur katolik,23) dhe një korrespondencë mjaft të gjallë me Papatin në lidhje me çështjet e besimit. Stefan Dragutini, i cili sundoi i vetëm për një periudhë të shkurtër (në vitet 1276-1282), pasi ndau tokat nën sundimin e tij në tri pjesë (midis dy bijve dhe gruas së tij Helenës), Helenës i la pronat e bregdetit që nga jugu i Dubrovnikut deri në Shkodër, toka këto që për një kohë të gjatë u njohën si pronat e nënës mbretëreshë (domina regina mater). Në brendësi të vendit i la Plavën (pranë Gucisë) në Limin verior dhe kështjellën Brnjaci në pjesën e sipërme të Ibrit.24) Në këtë mënyrë Helena e kishte tërë Dioklenë nën sundimin e saj të plotë dhe sigurisht që vazhdoi aktivitetin e saj pro interesave katolike në këto territore, duke i lënë Papatit dorë të lirë përsa u përket çështjeve religjioze, gjë që përligjte më vonë edhe planet politike që Papati përgatiste kundër skizmatikëve në këto zona. Në këtë kuadër, nuk ka pse të jetë çudi që një "sllav"25) nga zona e Dioklesë të jetë katolik i devotshëm dhe një ndër forcat kryesore politike të Mbretërisë së Arbërisë, që në thelb ishte një mbretëri katolike.

    Edhe sikur Ladislaus të ishte vërtetë sllav, kjo nuk do të përbënte asnjë kundërargument përsa kemi pohuar më sipër, që Papati dëshironte të forconte identitetin lokal të Mbretërisë së Arbërisë. Duke pasur parasysh që në mesjetë nuk ekzistonte koncepti komb, pra as kriteret që përbëjnë një komb, siç është gjuha, zakonet dhe kultura e përbashkët si mjet identiteti kombëtar, dhe hapësira e përbashkët gjeografike, mbretëritë nuk bazoheshin në të tilla kritere që janë moderne për nga konceptimi. Mbretëria e Arbërisë, që ishte një formacion politik i mbështetur kryesisht mbi kriterin "fe katolike" mund të ketë qenë shtrirë deri në jug të Dubrovnikut, ku ishin pronat e Helenës, Nënës Mbretëreshë dhe ku duhet të ketë sunduar Ladislav Jonima, konti i Dioklesë dhe i Arbërisë bregdetare. Megjithatë, këto kufij veriorë janë të diskutueshëm dhe nuk mund të përcaktohen me siguri, përderisa kemi një ndërthurje të elementeve katolikë e sllavo-ortodoksë, që kanë bashkëjetuar. Kjo bashkëjetesë ka qenë paqësore deri në momentin kur mbretërit serbë filluan politikat persekutuese ndaj katolikëve, duke futur elementet e para të fanatizmit fetar në shoqërinë mesjetare Ballkano-perëndimore.

    Nuk ndodh shpesh që Papati t'u drejtohet me emër dhe me titull secilit prej fisnikëve të një mbretërie. Rasti më i zakonshëm është që Papa u drejtohet me bulë mbretit dhe fisnikëve në përgjithësi, pa përmendur emrat e fisnikëve. Me këtë akt, Papa Gjon XXII dëshironte njëkohësisht të tregonte që ai e njihte Mbretërinë e Arbërisë me këta kufij, dhe si forcë politike udhëheqëse të saj, këta fisnikë, më shumë se një mbret cilidoqoftë qoftë ai.26) Zyrtarisht shqiptarët njihnin si zot Filipin e Tarentit, të birin e Karlit II Anzhu, por ai nuk adresohet dhe mesa duket as nuk njihet si mbret i shqiptarëve në kancelarinë papnore, ndoshta për shkak të vëllait, Robertit, mbretit të Napolit. Kështu, në një dokument papnor të 12 majit 1319, ku Papa Gjoni XXII i drejtohet Filipit, ai e quan atë "Dilecto filio nobili viro Philippo clarae memoriae regis Siciliae filio, principi Tarentino,27) por asgjë më shumë se kaq, përsa i përket lidhjes së tij me Regnum Albaniae,28) pra pa e njohur atë si mbret të Arbërisë, në një kohë që normalisht është e detyrueshme për kancelarët papnore t'i drejtohen adresantit të tyre me të gjithë titujt që ai zotëron.

    Një fakt tjetër që flet në favor të një Mbretërie të Arbërisë si një mbretëri e ndryshme nga Mbretëria anzhuine e Arbërisë në sytë e papatit, janë territoret që përfshin Mbretëria e Arbërisë nëë fundin të viteve 20 të shekulli XIV. Duke u nisur nga këto dokumente papnore që kanë si qëllim që të arrijnë t'i bashkojnë të gjitha forcat politike shqiptare, Shuflaj ka arritur të përcaktojë thelbin e Shqipërisë etnike të mesjetës. Si kufi jugor studiuesi kroat ka marrë territoret që posedonte Mentul Muzaka që shkonin deri në Këlcyrë,29) si lindorë territoret e Ohrit dhe të Dibrës, ku shtrinin sundimin e tyre Matrangët dhe si veriorë territoret e Blinishtëve që posedonin Mirditën deri në Ulqin dhe Danjë. Do të ishte më e saktë nëse këto territore t'i konsideronim si territoret apo kujfijt e Mbretërisë së Arbërisë - formacion politik, dhe jo si territoret e Shqipërisë etnike që shtriheshin shumë më gjerë se kaq. Duke qenë një mbretëri me karakter katolik,30) në këtë formacion politik nuk janë përshirë territoret shqiptare që ishin të ritit bizantino-ortodoks.

    Në vazhdim po paraqesim kufijtë e ngushtë të Mbretërisë anzhuine të Arbërisë për të përqasur kështu dy fazat e jetës së kësaj mbretërie: asaj anzhuine dhe asaj me karakter të mirëfilltë lokal, siç e njeh papati në bulat papnore të vitit 1319.

    Sipas studimeve të Carabellese, Mbretëria e Arbërisë, e krijuar nga Karli I Anzhu (1272), shtrihej nga Malet e Karaburunit deri në Grykëderdhjen e Drinit, nga gjiri i Vlorës deri në Lezhë, dhe me kufij shumë të papërcaktuar në brendësinë malore.31) Anzhuinët e kishin projektuar dhe e ndërtuan atë si një bërthamë të një perandorie të tërë ballkanike.32) Fisnikëve shqiptarë u ishte premtuar që do të mbroheshin nga çdo lloj armiku, do t'u ruhej autonomia dhe do të luanin rol parësor.33) Megjithatë atyre jo vetëm që nuk iu njohën aspiratat politike, por për t'i detyruar që t'i qëndronin besnikë Karlit të parë Anzhu, u morën dhe u mbajtën edhe robër.34) Në një situatë të tillë - këtu në fakt nuk janë përmendur aspektet e tjera të regjimit të rreptë shfrytëzues të Anzhuinëve, si taksat e detyrimet që i imponoheshin popullsisë vendase në mënyre arbitrare - popullsisë dhe fisnikërisë vendase nuk i mbetej tjetër veçse t'i kundërvihej këtij sundimi.35)

    Forcë tërheqëse e këtij orientimi të ri kundërvënës të aristokracisë shqiptare ishin bërë ata fisnikë që nuk ishin përfshirë në Mbretërinë e Arbërisë kur ajo u krijua, gjë që ata e kishin dëshiruar me shumë forcë, me shpresën që do të mbroheshin nga sulmet serbe që i kërcënonin vazhdimisht. Të tillë kishin qenë Pal Gropa e Gjin Muzaka, zotër përkatësisht të zonës së Dibrës36) dhe asaj të Beratit. Me këta fisnikë qenë bashkuar edhe të tjerë, nga ata që ishin njohur si vasalë të mbretit Karl I, të cilët ky i fundit i quajti "tradhëtarët e mi" (proditores nostros).37) Të tillë fisnikë ishin Blinishtët, Skurrajt, Jonimët etj. Pas kësaj "Mbretëria (Anzhuine) e Arbërisë" u reduktua në kështjellat bregdetare të Durrësit, Vlorës e Kaninës.38) Për shkak të Vesprit Sicilian,39) anzhuinët e humbën fare për ca kohë Mbretërinë e Arbërisë, të cilën e ripushtuan bizantinët (1282).40) Si pasojë e marrëdhënieve të tilla të Anzhuinëve me forcat politike vendase, Mbretëria anzhuine e Arbërisë, në vend që të zgjerohej, u reduktua tashmë që në vitin 1292 vetëm në qytetin e Durrësit dhe në ca territore rreth tij.41)

    Duke qenë të sulmuar nga mbreti serb Stefan Uroshi II Milutini, që kishte ardhur deri në vijën Mat-Ohër, në vitet '90 të shekullit XIII, shqiptarët filluan t'i rimarrin në konsideratë ndihmat që mund t'u ofronin anzhuinët në neutralizimin e tensioneve me fqinjët sulmues. Në këtë kuadër, në shtator 1304, bashkësia qytetare e Durrësit dhe krerët shqiptarë nga familjet Matranga, Arianiti, Skurra, Blinishti, Zenebishti, Shpata etj., njohën për kryezot princin Filip të Tarentit, djalin e mbretit Karl II Anzhu, i cili bashkë me Karlin II u konfirmoi qytetarëve të Durrësit dhe fisnikëve shqiptarë, të gjitha privilegjet që u kishte dhënë më parë Karli I. Për më tepër, në vitin 1305, Karli II u dha shumë privilegje të tjera ekonomike qyteteve të Adriatikut.42) Megjithatë, kur erdhi puna për të vendosur pushtet real në Durrës dhe në Mbretërinë e Arbërisë, anzhuinët e Napolit u panë dhe u trajtuan si armiq nga fisnikëria vendase. Studiuesi i dinastisë Anzhuine, Andreas Kiessewetter konkludon që Mbretëria e re anzhuine e Arbërisë nuk arriti më që të shtrihej përtej mureve rrethuese të Durrësit, dhe Filipi I nuk pretendoi kurrë që të quhej Mbret i Arbërisë, por përdori vetëm titullin Zot i Mbretërisë së Arbërisë (Dominus Regni Albaniae).43)

    Për shkak të marrëdhënieve jo të mira me vendasit (shqiptarët), anzhuinët e Napolit arritën deri aty sa në vitin 1311 të mendonin t'i ndërronin zotërimet e tyre me Sicilinë e Frederikut të Aragonës.44) Por titullari i kësaj të fundit, Frederiku i Aragonës, pasi mori vesh që në Durrës dhe në "Mbretërinë e Arbërisë" ishte e vështirë të vendosësh një pushtet real nga jashtë, nuk e pranoi ofertën e Anzhuinëve, megjithëse e dinte që këto territore "ishin shumë të pasura e bujare".45)

    Duke pasur parasysh të gjitha këto zhvillime midis anzhuinëve dhe shqiptarëve vendas, nuk mund të ishte kurrsesi e vërtetë që të gjithë territoret që Papati ia njeh Mbretërisë së Arbërisë në bulat papnore të vitit 1319 të ishin territore të Mbretërisë anzhuine të Arbërisë. Konkluzioni i natyrshëm i gjithë kësaj është që Papa Gjoni XXII e shikonte Mbretërinë e Arbërisë si një mbretëri me karakter kryesisht lokalo-vendor. Në rrethanat e një rreziku të madh jo vetëm për elementin katolik në territoret shqiptare, por edhe për katolikët në Gadishullin Apenin, që vinte nga Serbët ortodoksë e bashkuar me perandorët bizantinë, Papati ishte i interesuar të forconte identitetin dhe karakterin lokalo-vendor të kësaj mbretërie, si mbretëri e bazuar në fenë katolike.

    Një konkluzion i tillë, në pamje të parë na bën të mendojmë që marrëdhëniet e Papatit me anzhuinët në përgjithësi nuk qëndronin më në lartësinë e dikurshme46) gjatë pontifikatit të Gjonit XXII, megjithëse kjo nuk do të thotë që këto marrëdhënie ishin të këqija. Mbretëria e Anzhuinëve ishte krijuar si feud pontifikal dhe ishte quajtur krahu shekullor i kishës në Itali. Gjithsesi kjo nuk e pengonte Papatin të synonte të vendoste marrëdhënie aktive me vetë forcat lokale për të zgjidhur me efikasitet problemin shqetësues. Ky lloj pragmatizmi i Selisë Papnore gjatë shekullit XIV nuk ishte pa precedencë. Kishte shpesh raste të ngjashme kur Papati në vend që të vepronte indirekt nëpërmjet një mbreti formal, vendoste marrëdhënie direkte me fisnikët më të pushtetshëm të vendit për një zgjidhje të shpejtë të problemeve. Shpesh Selia papnore ishte shumë më tepër e informuar mbi forcat reale udhëheqëse në një vend, sesa ç'mund të mendohet, dhe shumë më e shpejtë në veprim sesa ç'do të ishte normale për një pushtet qendror me përmasat që Papati kishte në mesjetë.47)

    Megjithatë, mund të flitet edhe për marrëdhënieve jo të mira të Papës Gjoni XXII me Mbretërinë e Sicilisë, hipotezë kjo e ngritur dhe e argumentuar nga studiuesi i mirënjohur Gennaro Maria Monti. Synimet armiqësore të Papës Gjoni XXII ndaj anzhuinëve, sipas Montit, u shpalosën kur Ai tentoi të formonte një mbretëri laike vasale të Kishës në Italinë Veriore. Megjithëse kjo përpjekje dështoi për shkak të kundërshtimit të të gjithë forcave të tjera të gadishullit Italik,48) ajo shënoi kulmin e krizës së Mbretërisë Anzhuine, e cila, sipas Montit, shënoi edhe fillimin e degradimit të kësaj mbretërie.49) Dështimin e Anzhuinëve dhe të Mbretërisë së Sicilisë, Monti e shpjegon në një kontekst më të gjerë se kaq. Ai e përshkruan atë si rrjedhojë të pamundësisë së Mbretërisë së Sicilisë për të zgjeruar pushtetin e saj. Ky pushtet me kalimin e kohës u ngushtua akoma më shumë në territorin midis detit dhe Shtetit të Kishës me të cilat kufizohej. Anzhuinët nuk guxonin të preknin territoret tokësore me të cilat kufizoheshin, për shkak të lidhjes fetare dhe politike me Papatin, ndaj dhe e vetmja rrugë për zgjerim i kishte mbetur deti; por edhe ky drejtim vetëm në ato raste kur territoret përtej detit ishin zotërime të largëta dhe jo-organike si dhe pak të mbrojtura dhe pa kufij territorialë për të mos u përplasur me armiq të pushtetshëm.50)

    Vërtetë që para se të shpallej nga Karli I Anzhu, Mbretëria e Arbërisë edhe mund të quhej një "zotërim jo-organik, pak i mbrojtur, pa kufij territorialë të përcaktuar qartë", në këndvështrimin e perëndimorëve katolikë, po të mbajmë parasysh që, pas ndarjes së krishtërimit në Bizant dhe në kishë katolike perëndimore, territoret shqiptare ishin të paorganizuara. Megjithatë rrethanat kishin ndryshuar në fillimin e shekullit XIV. Rënia e Konstantinopojës (1204) dhe sidomos vendosja e regjimit Anzhuin në brigjet juglindore të Adriatikut, kishin ndikuar pozitivisht në konsolidimin e katolicizmit në territoret shqiptare, dhe me këtë konsolidim ishte forcuar ndikimi i papatit në vend, dhe ishte rritur vetëndërgjegjësimi lokal, qoftë në pikëpamje religjioze e sociale-kulturore, qoftë në pikëpamje politike. Lidhja direkte e Papatit me forcat politike të Mbretërisë së Arbërisë, e krijuar nëpërmjet klerikëve, kishte nxjerrë në pah qëllimet e përbashkëta të tyre përsa i përket situatës në kufijtë me serbët skizmatikë. Si forcat politike shqiptare, ashtu edhe Papati e perceptonin rrezikshmërinë e serbëve dhe bizantinëve me pothuajse të njejtat shqetësime. Nëse forcat politike ishin kryesisht të interesuara për pronat e tyre, Papati ishte i interesuar për kishën e tij në vend. Anzhuinët ishin shumë larg forcave politike të Mbretërisë së Arbërisë dhe shumë larg Papatit, përsa i përket këtyre qëllimeve dhe këtyre perceptimeve, gjë që do ta shpjegojmë në vazhdim. Prandaj do të ishte shumë logjike që Papati, duke u nisur nga specifikat e zonës, ta konsideronte Mbretërinë e Arbërisë si krahun shekullar të tij dhe madje jo vetëm në kuptimin e ngushtë të fjalës, por kryesisht për çështjet shpirtërore në Ballkan.

    Anzhuinët, që nuk u pritën mirë nga shqiptarët, më sa duket kishin humbur edhe besimin e Papës Gjoni XXII, për shkak të lidhjeve që ata kishin krijuar dhe ushqyer me serbët skizmatikë dhe me bullgarët.51) Se çfarë pozicioni do të mbanin anzhuinët në çështjet delikatë të shqiptarëve, këtë ata e kishin bërë të qartë që në të famshmin "Privilegj" të Pal Gropës më 18 maj 1273. Në këtë privilegj të dhënë nga Karlit I Anzhu shkruhet që Pal Gropa duhet të kënaqej me ca fshatra në veri të Ohrit (Casalia Radicis maioris et Radicis minoris nec non Cobochetes, Zuadigoriza, Sirclani et Craye, Zessizan sitam in valle de Ebu), të cilat nuk kishin ndonjë vlerë kushedi se çfarë (nec excedunt valorem annuum quadrigentorum yperperorum), si dhe më kryesorja, nuk preknin interesat imediate as të serbëve dhe as të grekëve (dummodo non sint de pertinentiis regni nostri Albanie, neque regni Servie, nec terrarum datarum in dotem per quondam Michaelem despotum quondam Elene filie sue uxori quondam Manfridi olim principis Tarentini).52) Kjo sprovë u bëri të qartë shqiptarëve se anzhuinët nuk do të ishin në anën e tyre në këto mosmarrëveshje/konflikte me fqinjët ambiciozë.53)

    Që anzhuinët do të ishin të mefshtë për të qenë krahu shekullar i Papatit në Ballkan në fillim të shekullit XIV, këtë ata e treguan me qëndrimin e tyre ndaj problemeve të lindura nga mësymjet e serbëve skizmatikë mbi katolikët shqiptarë. Filipi i Tarantit kishte pasur dhe vazhdoi që të kishte marrëdhënie të mira me mbretërit serbë, gjë që më vonë u shoqërua me plane të guximshme të mbretërve serbë duke u mbështetur tek anzhuinët. Gjatë luftës kundër kunatit të të vëllait, Vladislavit, në vitin 1323, Uroshi II, u orvat madje që t'i thellonte marrëdhëniet me anzhuinët e Napolit, duke synuar që t'i shndërronin ato në lidhje më të ngushta familjare. Për këtë ai kërkoi për grua vajzën e Filipit të Tarentit, dhe kaq shumë u besua në këtë lidhje sa klerikët e tij, fisnikët dhe populli i mbretërisë së Serbisë u treguan të gatshëm që të përfundonin skizmën dhe t'i nënshtroheshin kishës romane, lojra këto që serbët i luanin tashmë prej kohësh me kishën katolike. Në këtë mënyrë Uroshi shpresonte të mbrohej nga hungarezët dhe nga aleancat e ndryshme që po krijoshin kundër serbëve.54)

    Është pikërisht kjo mungesë harmonie në pikësynimet e Papatit dhe të anzhuinëve, që pengoi realizimin me sukses të kryqëzatës së planifikuar për të cilën u bëhet thirrje fisnikëve shqiptarë në vitin 1319. Duke qenë një mbretëri e krijuar për luftë, Mbretëria Anzhuine e Sicilisë ishte e domosdoshme për fushatat e Papatit, kështu që mungesa e vullnetit të saj nuk mund të zëvendësohej me asnjë tjetër nga Papati. Kryqëzata në fjalë, në fakt nuk u realizua kurrë. Arsyet për këtë duhen kërkuar, së pari, në problemet organizative dhe politike që Papati pati jo vetëm me anzhuinët, por edhe me forcat politike perëndimore.55) Papati e shmangu kryqezatën ngaqë Uroshi II, mbreti i Serbisë, me mjeshtëri diplomatike i premtoi Papës se do të pranonte besimin katolik bashkë me popullin e tij, gjë që sigurisht nuk e bëri kurrë.56) Pas paqes me perëndimin, në vitin 1319, ai bashkë me gruan e tij Simonën, vajzën e perandorit bizantin Andronikut II dhe me djalin Konstantin, ndërtoi një altar prej argjendi për kishën e Shën Nikollës së Barit, me mbishkrime latine.57) Nëse i referohemi studiuesit të mirënjohur të historisë së sllavëve, në lidhje me tekstin e mbishkrimit: "zot i të gjithë tokave nga deti Adriatik deri në lumin e madh të Danubit"58), atëherë loja që serbët luajnë me Papatin dhe me vetë anzhuinët duhet të ishte shumë fyese për anzhuinët nëse ata do të ishin seriozë në qëllimet e tyre.59) Me anë të kësaj deklarate anzhuinët, krahu shekullar i Papati, u njohu skizmatikëve serbë, supremacinë në territoret që së paku formalisht duhet të ishin të tyret (të Anzhuinëve). Një strategji e tillë e mbretërve serbë për të shfrytëzuar situatat për të luajtur me Papatin dhe me fuqitë perëndimore kur ata ishin në mosmarrëveshje me njëri tjetrin, do të përdorej vazhdimisht gjatë shekullit XIV, sidomos kur shumë kryqëzata planifikoheshin kundër tyre, për shkak të politikave persekutuese që zbatonin ndaj katolikëve.60) Të tilla plane për kryqëzata ku në fakt forcat politike shqiptare vendosen në qendë,r regjistrohen në vitin 1331, 1336 dhe në vitet '50 të shekullit XIV. Është gjithmonë e njejta strategji që i shpëton serbët në momentin e fundit kur fushatat e koalicioneve bëhen gati për të filluar.

    Për të përfunduar, mund të përsërisim edhe një herë që arsyeja kryesore pse Papati e përkrahte karakterin vendor të Mbretërisë së Arbërisë ishte pikërisht mungesa de facto e një krahu shekullor të vetin, krah ky që të kishte të njejtin qëllim dhe vullnet si Selia e Shenjtë në Ballkanin perëndimor, për të penguar mësymjet e serbëve, jo vetëm mbi katolikët, por edhe mbi popullsinë vendëse.

    Edhe nëse me potencialin e saj të kufizuar ushtarak, Mbretëria e Arbërisë nuk do të mund të ngrihej në nivelin e një krahu shekullor, një identitet i fortë katolik dhe lokalo-vendor do t'i ndihmonte shqiptarët për të përballuar më me efektivitet rrezikun nga jashtë të pushtuesve sllavë e bizantinë, të cilët në shekullin XIV ishin një kërcënim serioz për katolicizmin në Ballkan. Në rastin e Mbretërisë së Arbërisë, të cilin Papati e shikonte si kështjellë të katoliçizmit në Ballkan, Selia e Shenjtë ishte i interesuar që forca politike vendore të kishte hapësirë vetëvepruese dhe identitetin e saj, sepse vetëm në këtë mënyrë ajo do të mund t'u rezistonte forcave pushtuese serbe dhe bizantine. Nëse këto forca vendore nuk do të kishin karakter dhe identitet të fortë si forcë politike, ato rrezikonin të shuheshin e të asimiloheshin nga pushtuesit serbë e bizantinë, dhe Papati nuk do të kishte asnjë fitim dhe pothuajse asnjë shans tjetër për të vendosur influencën e tij në Ballkan, gjë që do të ishte një humbje e madhe për politikën e universalizimit të Kishës Katolike Romake.

    1)Disa nga studiuesit që janë marrë me Mbretërinë e Arbërisë janë: Émile Léonard, Les Angevins de Naples, Paris, 1954; G. del Giudice, La famiglia di re Manfredi, Napoli 1880; Francesco Carabellese, Carlo d'Angio nei rapporti politici e commerciali con Venezia e l'Oriente, Bari, 1911; Gennaro Maria Monti, Nuovi Studi Angioini, Trani, 1937; po ai, La dominazione napoletana in Albania - Carlo I, d'Angio, primo re degli Albanesi në "Rivista d'Albania" I, 1940; po ai, Ricerche sul Dominio Angioino in Albania, në "Studi Albanesi", vol. V-VI, Roma, 1935-1936; Alain Ducellier, La façade maritime de l'Albanie au moyen âge, Tessaloniki, 1981, f. 230-323; J. Boucart, L'Albanie et les Albanais, Paris, 1921; Pëllumb Xhufi, Shqiptarët përballë Anzhuinëve (1267-1285). "Studime Historike", XLI/1 (1987), f. 199-222. Andreas Kiesewetter, "I principi di Taranto e la Grecia (1294-1373/83", separat nga "Archivio Storico Pugliese", viti LIV, fasc. I-IV, janar-dhjetor 2001.

    2) Sipas Donald Nicol si dhe G. M. Montit, ishin "ipeshkvët, kontët, baronët, ushtarët dhe qytetarët" shqiptarë ata që e zgjodhën dhe e pranuan Karlin I Anzhu si mbretin e tyre. Si rrjedhim, Karli u premtoi se do t'i mbronte ata nga armiqtë e tyre dhe do të respektonte privilegjet e vjetra që u ishin dhënë nga perandorët Bizantinë në të kaluarën. Shih: Donald Nicol, The Despotate of Epiros 1267-1479: A Contribution to the History of Greece in the Middle Ages, Londër, New York, New Rochelle, Melbourne, Sydney: Cambridge University Press, 1984, f. 15; G. M. Monti, Mezzogiorno d'Italia nel medioevo: Studi Storici, Bari: Laterza, 1930, f. 80. Për më shumë në lidhje me Karlin I Anzhu e dinastinë e tij, në përgjithësi si një ndër studimet më të fundit e më të plotat ia vlen të konsultohet: Andreas Kiesewetter, Die Anfänge der Regierung König Karls II. Von Anjou (1278-1295): das Königreich Neapel, die Grafschaft Provence und der Mittelmeerraum zu Ausgang des 13. Jahrhunderts, Husum: Matthiesen, 1999. (Historische Studien, vëll. 451).

    3)Në kancelarinë anzhuine, termi Regnum Albaniae (Mbretëri e Arbërisë) shfaqet të paktën që prej vitit 1267, ose më saktë, që prej Traktatit të Viterbos, më 27 maj 1267, traktat ky i nënshkruar midis Papës Klementi IV dhe Karlit I Anzhu, dhe që përligjte fushatën ballkanike të Karlit I. Shih: Ludwig Thallóczy - Konstantin Jireček - Milan von Šufflay, Acta et Diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia. Vëll. I, Vienë: Holzhausen, 1913, [ribotuar nga: DPA - Tiranë dhe Ekskluzive - Prishtinë, 2002], (AA) I, nr. 253; P. Xhufi, Shqiptarët... f. 205.

    4)P. Xhufi, Shqiptarët… f. 204

    5)A. Ducellier, La Façade, p. 262.

    6)Ibid.

    7)Dokumenti ruhet në Archivio Segreto Vaticano [ASV], Registri Avignonezi [Reg. Avin.] 2, fol. 183 dhe Registi Vaticani [Reg. Vat.] 63, fol. 363v. Ky dokument përmendet gjithashtu edhe në: AA. I, nr. 633, si dhe si regestë edhe në: G. Mollat, Jean XXII (1316-1334). Lettres communes, un fascicule d'introduction et 16 tomes en 31 fascicules (fascicules 19, 21/2, 23 épuisés) Paris, 1921-1947, nr. 5251 (reg). Është redaktuar nga Guérard, Documents pont. Sur la Gascogne I, nr. 14: "Venerabili fratri Archiepiscopo Auxitanensis salutem. Cum venerabilis fratris nostri Guillelmo de Montegrano episcopo Cunaviensis de Archiepiscopatu Duraseno in Regno Albaniae ex certis causis sic nobis presentia oportuna tibi fraternitati tue per apostolica scripti mandamus quatenus ipsium apostolicam per te vel alium seu alios ex parte nostra perempertoris citare provenires ut infra viginti dierum spatium post citationem huiusmodi se coram nobis personaliter representer. Diem vero citationis et formam et quoquod inde duxeris faciendum nobis per tuas literum seriem continentes studeatis fidelitem intimare. Datum Avinionen."

    8)Kjo letër ishte regjistruar në ASV, Reg. Avin. 8 fol. 70 ep. 96 dhe Reg. Vat. 67, fol. 26, ep. 96. Është redaktuar nga Aloysius L. Tăutu, Acta Joannis XXII (1317-1334) e registris vaticanis aliisque fontibus. Fontes Pontificia Commissio ad redigendum Codicem Juris Canonici Orientalis. (Typis Pontificiae Universitatis Gregorianae: 1952), f. 5, nr. 4, por përpara kësaj është përmendur në formë regeste nga G. Mollat, Jean XXII... nr. 5629.

    9)Ibid.

    10)Filipi, princi i Tarentit (1294-1331) ishte biri i katërt i Karlit II, mbretit të Sicilisë. Ishte martuar me Tamara Dukë Comnenën, vajzën e Nikeforit, dhespotit the Romanias (Bizantit), dhe mori titullin princ i Akaiës në vitin 1304. Për shkak të një martese të dytë me Katerinën, vajzën e Karl de Valois, u bë trashëgimtar potencial i fronit perandorak të Konstantinopojës në vitin 1312, dhe pas kësaj filloi pretendimet për titullin e perandorit. Për më tepër në lidhje me Filipin, princin e Tarenti dhe sundimtarin e Mbretërisë së Arbërisë shih: A. Kiesewetter, Filippo I d'Angiò, imperatore nominale di Costantinopoli. Dizionario Biographico degli Italiani 47 (1997) 717-723; O. Casanova, Il principato di Taranto e gli Angioini (Filippo I - 1280-1332), Taranto, 1908.

    11)Letra e Filipit nuk ekziston më, por këtë informacion e marrim vesh nga përgjigjja që Papa Gjoni XXII i jep atij në letrën e regjistruar në ASV, Reg. Vat. 109, fol. 162v, ep. 671. Kjo letër përmendet edhe në AA. I, nr. 648, si dhe nga: Augustin Theiner, Vetera monumenta historica Hungariam sacram illustrantia maximam partem nondum edita ex tabularis Vaticanis de prompta. collecte ac serie chronologica disposita ab Augustino. Roma, Paris, Vindobonae, 1860, vëll. I, f. 830, n. 1263.

    12)Ibid.

    13)Mladeni II ishte Ban i Kroacisë dhe i Bosnjës deri në vitin 1322. Pas këtij viti ai u dëbua nga mbreti i Hungarisë, për shkak të ambicjeve të tij që preknin interesat e fronit hungarez.

    14)ASV, Reg. Vat. 109, fol. 140r, ep. 571. Është dhënë edhe në AA. I, nr. 648, nga A. L. Tăutu, Acta Joanni... nr. 22a; A. Theiner, Mon. Hung. Vëll. I, f. 831 nr. 1264; D. Farlati, Illyricum... f. 64B, dhe një fragment edhe nga Caesaris Baroni, Odorico Raynaldi et Jacopo Laderchii. Annales Ecclesiastici. Vol. XVIII, Paris, Freiburg, 1887, vol. XV, f. 178; për vitet: 1318 & 35.

    15)ASV, Reg. Vat. 109, fol. 140-140v, ep. 572, (shënuar si letër sekrete). Përshkruhet pjesërisht nga O. Raynaldi, Ann. Eccl. 1318 & 35, f. 178; përmendet nga D. Farlati, Illyricum... f. 63; dhe jepet edhe nga A. Theiner Mon. Hung. I, f. 831, nr. 1264; si dhe në AA. I, nr. 649:

    16)ASV, Reg. Vat. 109, fol. 140v, ep. 573.

    17)Ibid.

    18)Grup autorësh, Histori e Shqipërisë, Tiranë: Toena, 2002, vëll. I, f. 273.

    19)Në bulat e përmendura më sipër kemi këto adresime: Dilectis filiis nobilibus viris Mentulo Musatio comiti Clissaniae Andreae Musatio regni Albaniae marescallo et Theodoro Musatio prothosevastori...; Dilectis filijs nobilib[us] viris Guil[e]lmo Bleniste prothosevastoni. Guil[e]lmo Aranite protholegaturo Caloiobani Bleniste comiti Paulo Materango ceterisq[ue] baronibus Regni Albanie...; Dilecto filio nobili viro Bladislao Conome Dioclee et maritime Albanie comiti...; Në lidhje me kuptimin e një adresimi të tillë shih më tej ... Thomas Frenz, Papsturkunden des Mittelalters und der Neuzeit, (Stuttgart, 2000), f. 44-46.

    20)Th. Frenz, Papsturkunden... f. 44-46.

    21)ASV, Reg. Vat. 109, fol. 140v, ep. 573.

    22)Claudine Delacroix-Besnier, Les Ordres mendiants et l'expansion de l'Église latine dans les Balkans. Në: Alle frontiere della Cristianità/ I frati Mendicanti e l'evangelizzazione tra ‘200 e ‘300. Atti del XXVIII Convegno internazionale, Assisi, 12-14 ottobre 2000. Centro Italiano di studi sull'alto Medievo. Spoleto, 2001, f, 245; AA. I, nr. 650, komenti i bërë nga Shuflaj.

    23)Elena lavdërohet për oratorinë, për mirësinë, bujarinë, përshpirtshmërinë, dhe mënyrën e paqortueshme të jetesës. Në zonën e Dioklesë, sipas Barletit, ajo rinovoi Drishtin dhe qytete të tjera që kishin qenë shkatërruar nga pushtuesit mongolë. Themeloi kisha dhe manastire katolike në Kotorr, Tivar, Ulqin e Shkodër, dhe në brendësi të vendit themeloi manastirin serb të Gradacit në Ibër. Për nga prejardhja mbretëresha Helenë ishte franceze, dhe me sa shihet nga letrat e Karlit I dhe II Anzhu, ishte kushërirë e tyre Konstantin Jireček, Geschichte der Serben, (Gotha: Friedrich Andreas Perthes A. - G. 1911). Ribotuar në Amsterdam: Verlag Adolf M. Hakkert, 1967, f. 318-319, 328.

    24)K. Jireček, Geschichte... f. 328.

    25)Nëse Ladislaus ishte apo nuk ishte sllav, kjo në fakt nuk mund dhe nuk duhet të përcaktohet vetëm nga emri i tij. Po të niseshim nga kjo logjikë, vetëm nga emri, si kriter për origjinën, atëherë edhe mbretërit hungarezë, me emrin Ladislaus [Vladisllavi] do na dilnin sllavë.

    26)Është për t'u çuditur edhe përshkrimi që Anonimi i Gorkës i bën indirekt marrëdhënieve midis "mbretit" dhe Mbretërisë së Arbërisë në vitin 1308, sepse e cilëson Mbretërinë e Arbërisë si mbretëri pa mbret. Në faqen 26 shkruhet: "partem huius regni cum ciuitate duracena tenet nunc princeps tarentinus filius regis sycilie" dhe në faqen 27 shkruhet: "Dictum Albanie regnum nunc regem nullum habet, sed terra diuiditur per principes terre, qui ipsam regunt et ipsi nulli subsunt." Shih Anonymi Descriptio Europae Orientalis "Imperium Constantinopolitanum, Albaniae, Serbia, Bulgaria, Ruthenia, Ungaria, Polonia, Bohemia" anno MCCCVIII exarata, të edituar nga Dr. Olgierd Górka, (Cracoviae: Academia litterarum Gebethner et Socii, 1916).

    27)ASV, Reg. Vat. 109 (Litt. Secr.) fol. 162v ep. 671; AA. I, no. 648; A. Theiner, Mon. Hung. vëll. I, f. 830,

    nr. 1263; A. L. Tăutu, Acta Johannis XXII, p. 43, nr. 22.

    28)Sovranët e Napolit e kërkonin gjithmonë titullin e mbretërisë dhe këtë titull e kishte edhe Filipi i Tarantit. Në fillim, që nga viti 1304, kur Karli II Anzhu ia dorëzon mbretërinë Filipit të Tarantit, Filipi i Tarantit, e quante veten "despotus," e më vonë që nga viti 1306 e në vijim, e quante veten "Regni Albaniae dominus" (G. M. Monti, Ricerche... f. 6). Megjithatë Filipi nuk e quajti kurrë veten mbret i Arbërit, ndoshta për shkak të vëllait të tij, mbretit Robert të Napolit. Për këtë argument shih A. Kiesewetter. I principi... f. 69.

    29)Karl Hopf. Ed. Storia e genealogia della casa Musachia scritta da Giovani Musachio despoto d'Epiro a suoi figli nel 1510. Në: "Chroniques Greco-Romannes inedites ou peu connues". Berlin, 1873, pp. 270-366.

    30)Është për t'u tërhequr vëmendja tek mospërmendja e Topiasve në këtë listë të fisnikëve shqiptarë. Mesa duket, Topiasit nuk konsideroheshin si katolikë nga Papati në këtë periudhë.

    31)F. Carabellese, Carlo d'Angiò... f. 45. Shih edhe G. M. Monti, "Ricerche… f. 1-22; po ai, Mezzogiorno... f. 80-81.

    32)Durrësi ishte menduar si baza kryesore e Karlit I Anzhu edhe për fushatat e tij kundër Konstantinopojës. Për më tepër për politikën e tij orientale shih: George Yver, Le Commerce et les Marchands dans l'Italie mèridionale au XIIIe et au XIVe siècle. (Bibliothèque des Ècole Françaises d'Athènes et de Rome, no. 88), Paris: Librairie des Ècole Françaises d'Athènes et de Rome, 1903, f. 9-23; G. M. Monti, Da Carlo I a Roberto di Angiò: Ricerche e documenti. Trani: Vecchi e C., 1936; L. Boehm, De Karlingis imperator Karolus, princeps et monarcha totius Europae. Zur Orientalpolitik Karls I. Von Anjou, in "Historisches Jahrbuch der Görres-Gesellschaft", LXXXVIII (1968), f. 1-35; P. Herde, Karl I. von Anjou. Berlin, Stuttgart, Köln, Mainz: Verlag W. Kohlhammer, 1979; si dhe S. Borsari, La politica Bizantina di Carlo I d'Angiò dal 1266 al 1271, Archivio Storico per le province napoletane 74, (1955), f. 319.

    33)F. Carabellese, Carlo d'Angio… f. 57-58.

    34)AA. I, nr. 279, 333, 354; P. Xhufi, Shqiptarët… f. 213; G. M. Monti, Mezzogiorno… f. 82; G. Yver, Le Commerce... f. 12.

    35)P. Xhufi, Shqiptarët… f. 213.

    36) "Privilegji" i Karlit I, për Pal Gropën më datë 18 maj 1273 shënon një moment qëndror në marrëdhëniet shqiptaro-anzhuine. Sipas këtij privilegji, Pal Gropës i duhet të kënaqet me ca fshatra në veri të Ohrit, fshatra këto që nuk përfshihen as në interesat imediate të anzhuinëve, dhe as të serbëve, gjë që tregoi se anzhuinët nuk kishin ndërmend të mbanin anën e shqiptarëve, as kur interesat e këtyre të fundit prekeshin nga serbët. P. Xhufi, Shqiptarët…f. 212. Kur flet për marrëdhëniet e Stefan Dragutinit, mbretit të Serbëve në vitet 1276-1282, Jireček thotë që ai u qëndroi besnik lidhjeve të të atit me Karlin e I Anzhuin, dhe se lojrat e Michaelit me unionin e kishave nuk çudisnin asnjë njeri më, ngaqë Papa Martin IV, u kishte hapur rrugë traktativave me perandorin grek. K. Jireček, Geschichte..., f. 320.

    37)AA. I, nr. 396; P. Xhufi, Shqiptarët… f. 213.

    38)Shih G. M. Monti, Ricerche... f. 565-568; po ai, La Dominiazione… f. 50-58. P. Xhufi, Shqiptarët… f. 199-222. A. Ducellier, La Façade… f. 230.

    39)Më 30 mars të vitit 1282, një turmë njerëzish ishte mbledhur në sheshin e kishës së vjetër të Santo Spirito, në juglindje të mureve të qytetit të Palermos. Njerëzit kishin ardhur nga çdo anë për të dëgjuar shërbesën e Vesprit. Papritur, një bashkëshort i zemëruar theri një ushtar francez që po i ngacmonte gruan. Kjo dha shkas që të gjithë francezët në shesh të shfaroseshin brenda pak minutash, gjë që mbeti në histori me emrin "Vespri Sicilian". Masakra nuk mbaroi me kaq, por në ditët e ardhshme u shtri në të gjithë ishullin. Edhe flota anzhuine u shkatërrua në portin e Mesinës, dhe jo vetëm kaq, por sipas shumë historianëve, kjo ngjarje shënoi fillimin e dekadencës së Anzhuinëve. Shih Kenneth M. Setton, "The Sicilian Vespers and a Century of Angevin Decline (1282-1383)", në: The Papacy and the Levant (1204-1571), vëll. I, Philadelphia: The American Philosophical Society, 1976, f. 140-162.

    40)Shih A. Kiesewetter, I principi… f. 61; A. Ducellier, La Façade… f. 230 e vijim. Për rëniën e Vlorës dhe Durrësit nën pushtimin Bizantin në vitin 1284-1286 le të shikohet letra e Marino Sanudos e datës 10 prill 1330, botuar nga: F. Kunstmann, Studien über Marino Sanudo den Aelteren mit einem Anhange seiner ungedruckten Briefe, në: Abhandlungen der historischen Classe der kgl. Bayerischen Akademie der Wissenschaften, vëll. VII, (1855), f. 697-819; për këtë shiko: f. 755-789, nr. 2.

    41)Shih G. M. Monti, Ricerche... f. 6; pa ai, Mezzogiorno... f. 80.

    42)A. Ducellier, La Façade... f. 329.

    43)A. Kiesewetter, "I principi... f. 69.

    44)Projekt i 28 prillit të vitit 1311, shih: H. Finke, Acta Aragonensia. Quellen zur deutschen, französischen, spanischen, zur Kirchen- und Kulturgeschichte aus der diplomatischen Korrespondez Jaymes II. (1291-1327), Berlin-Lipsia 1908, vëll. II, f. 704-705, nr. 443. Shih gjithashtu: D. Abulafia, The Aragonese Kingdom (sic!) of Albania. An Angevin Project of 1311-1316, në: "Mediterranean Historical Review" X, (Intercultural Contacts in the Medieval Mediterranean. Studies in Honour of D. Jacoby). Londër, 1955, f. 1-13. Arsyeja kryesore në fakt ishte që anzhuinët të merrnin me çdo kusht ishullin e Sicilisë, që ishte në duart e Frederikut të Aragonës. Shih Norman Housley, The Italian Crusades: The Papal-Angevin Alliance and the Crusades against Christian Lay Pawers, 1254-1343, Oxford: Clarendon Press, 1986, f. 96-97. Shih gjithashtu G. M. Monti "L'Albania e la Guerra di Sicilia: trattative diplomatiche," Nuovi studi angioini.

    45)G. M. Monti, Ricerche... f. 14-24.

    46)Marrëdhëniet e Papatit me Anzhuinët ishin të mira në shekullin XIII. Shih kapitullin, "Die Beziehungen zu den Päpsten und zum Kardinalskollegium" të A. Kiesewetter në: Die Anfänge... f. 298-337. Interesi i Papatit ndaj territoreve që Anzhuinët kishin pushtuar, ra paksa kur filluan marrëdhëniet intensive të Tij me lindjen e largët, marrëdhënie këto të dëshiruara e të ushqyera nga Il-Khan Arghun i Persisë për të luftuar së bashku selxhukët turq në Azinë e Vogël dhe mamlukët në Egjipt. Për këtë argument shih kapitullin "The Sicilian Vespers and a Century of Angevin Decline (1282-1383)" të studiuestit Keneth M. Setton, në librin e tij The Papacy and the Levant (1204-1571). vëll. I, Philadelphia: The American Philosophical Society, 1976, f. 143-146. Megjithatë, me pushtimin katalan të Dukatës së Athinës në vitin 1311, studiuesi Setton është i mendimit se interesat anzhuine në More u rikonsideruan nga Papa Klementi V në Avinjon, nga Filipi, mbreti i Francës dhe nga Roberti, mbreti i Napolit.

    47)Intervistë e bërë nga autorja e këtij shkrimi me Janos Bak. Janar 2004, CEU, Budapest.

    48)Lufta midis perandorisë dhe komunave, midis Guelfëve dhe Gibelinëve, midis instinktit latin e konceptimit gjerman. Shih Caggese, Roberto d'Angiò e i suoi tempi, f. 197.

    49)Papa Benedikti XII, pasardhës i Gjonit XXII, e konsideron Robertin si një ndër princërit katolikë më të devotshëm të Papatit, por jo më si krahun shekullor të kishës në Itali, siç kishte qenë konsideruar para pontifikatit të Papës Gjoni XXII, gjë që është një humbje shumë e madhe në prestigjin ndërkombëtar të Anzhuinëve. Shih G. M. Monti, Studi di Storia Angioina. Roberto di Angiò e la Crisi del Regno di Sicilia. Estratto dalla Rivista Storica. Fasc. III, 1931. Pinerolo: Unitipografica Pinerolese, 1931, f. 19-21.

    50)G. M. Monti, Studi di Storia... f. 22-23: "... D'altra parte, il Regno [di Sicilia] non aveva potuto, come queli altri Stati estendere la propria potenza perchè stretto fra il mare e lo Stato della Chiesa, il cui confine non poteva violare per ragioni religiose e politiche di aderenza al Papato: esso poteva, e tentò, espandersi solo in domini lontani e non organici, popo agevolmente difendibili, senza contiguità territoriale, sì che doveva accadere che all'urto dei nemici sempre più potenti, se il Regno restò intatto per la sua posizione geografica e per la sua omogeneità e grandezza, quei lontani domini dovessero perdersi volta a volta o esser lasciati a sè stessi, perchè non valeva la pena di profondere oro e milizie per difenderli."

    51)Karli I kishte shkëmbim ambasadorësh me sovranët serbë dhe bullgarë, si dhe me mbretërinë e Sagarach (sic!). Shih. F. Carabellese, Carlo d'Angio... f. 48. Karli II dhe Roberti kishin raporte më të ngushta me Uroshin, mbretin e Serbisë, i cili i bën dhuratë ikonën e tij të famshme bazilikës së Shën Nikollës së Barit. Bani i Sklavonisë dhe perandori i Bullgarisë marrin madje pensione nga Anzhuinët si dhe martohen me princesha të gjakut mbretëror. Për këtë shih G. M. Monti, Mezzogiorno... f. 93, si dhe G. Yver, Le Commerce... f. 13-17.

    52)Shih AA. I, n. 300, f. 86-87.

    53)P. Xhufi, Shqiptarët…f. 212.

    54)K. Jireček, Geschichte..., vëll. I, f. 359.

    55)Për një trajtim më të gjërë të kësaj çështjeje shih: Norman Housley, The Italian Crusades: The Papal-Angevin Alliance and the Crusades against Christian Lay Pawers, 1254-1343. Oxford: Clarendon Press, 1986. Po ai: The Avignon Papacy and the Crusades, 1305-1378, Oxford: Clarendon Press, 1986; Kenneth M. Setton, A history of the Crusades. Wisconsin, 1985, vëllimin III.

    56)K. Jireček, Geschichte..., vëll. I, f. 359. Gjatë luftës kundër kunatit të të vëllait, Vladislavit, në vitin 1323 Uroshi II, tentoi që të vendoste lidhje miqësie familjare me Anzhuinët e Napolit, duke kërkuar për grua vajzën e Filipit të Tarentit. Me këtë rast klerikët e tij, fisnikët dhe populli i mbretërisë së Serbisë u treguan të gatshëm që të përfundonin skizmën dhe t'i nënshtroheshin kishës romane. Në këtë mënyrë ai donte të mbrohej nga hungarezët dhe nga aleancat e ndryshme që po krijoshin kundër serbëve. Papa Gjon XXII i besoi dhe dërgoi me misionin që të kryente bashkimin e kishave ipeshkvin e Brindizit, Bertrandi.

    57)Për këtë shkruajnë: Mauro Orbini, Il Regno de gli Slavi hoggi corrottamente deti Schiavoni. Pesaro, 1601, f. 255; Vicentije. Makušev, "Istrorièeskia Razyskania o Slavjanah v Albani v Srednie Veka", Varšava, 1871, f. 13, 62; K. Jireček, Geschichte... vëll. I, f. 353.

    58)F. Dvornik, Gli Slavi... f. 163.

    59)Që Filipi i Tarantit kishte pasur dhe do të vazhdonte të kishte marrëdhënie të mira me mbretërit serbë del qartë edhe nga planet që mbretërit serbë guxojnë të bëjne duke u mbështetur në marrëdhëniet pozitive me të. Gjatë luftës kundër kunatit të të vëllait, Vladislavit, në vitin 1323 Uroshi II, tentoi madje që t'i thellonte marrëdhëniet me anzhuinët e Napolit, duke i kaluar ato në lidhje miqësie familjare. Për këtë kërkoi për grua vajzën e Filipit të Tarentit, dhe kaq shumë u besua në këtë lidhje sa klerikët e tij, fisnikët dhe populli i mbretërisë së Serbisë u treguan të gatshëm që të përfundonin skizmën dhe t'i nënshtroheshin kishës romane, lojra këto që serbët i luanin tashmë prej kohësh me kishën katolike.. K. Jireček, Geschichte... vëll. I, f. 359.

    60)Persekutimet e katolikëve na bëhen të ditura edhe nga përshkrimet e udhëtarëve, siç është rasti i Anonymi Descriptio Europae Orientalis së vitit 1308, f. 30: "Ceteri autem eiusdem regni et rex sunt scismatici perfidi et ideo nimium persequuntur dictos katholicos, et permaxime ecclesias latinorum destruunt, disipant, et inuadunt prelatus et captiuant et plura inexquisita mala faciunt."

  2. #2
    OPENMINDED Maska e land
    Anëtarësuar
    12-12-2003
    Postime
    7,684
    Hohenstaufen, Anzhuinet dhe Regnum Albaniae

    Dikur princat shqiptarë ishin Baronë, Kontë e Dukë të mirëfilltë të Europës Perëndimore në Mbretërinë e Napolit dhe Shqipërisë!
    Historia e “Regnum Albaniae” i përket mugëtirës së kohërave, atëhere kur brigjet e Adriatikut ishin pre e luftrave të pareshtura dhe betejave të mëdha. Të zotëroje Adriatikun, do të thoshte së pari të zotëroje brigjet në dy anët e saj dhe të bëheshe më pas zot i Mesdheut. Ja pse në vitet 1000 të erës sone, u panë të zbarkonin në brigjet shqiptare armata me mijera kalorës Normande, që të vendosur në Italine e Jugut, në Napoli e Siçili, kërkonin të pushtonin brigjet përballe dhe që permes Via Egnatia të marshonin drejt Konstantinopojës bizantine dhe të vendosnin pushtetin e tyre mbi perandorine ortodokse. Historia na tregon per dyndjet e mëdha dhe rrethimet shumevjecare të kështjellave të Durresit, Kanines, Vlorës apo Butrintit e Beratit (Beligrad); për emrat e Robert Guiskardit dhe birit te tij te tmerrshëm Boemund, për Hugo de Vermondua dhe Robertin e Flandres, për Tankredin dhe Gijom le Bonin, e shume kalores te tjere normande te zbritur nga Normandia e Frances.

    Manfred Hohenshtaufeni dhe Principata e Arbërit
    Kapërcimi i shek. XII-XIII solli në Mbretërinë e Siçilisë një ndryshim të dinastisë sunduese. Vendin e dinastisë normane Altavila, e zuri dinastia perandorake gjermane Hohenshtaufen. Bashkë me fronin e Sicilisë, sovranët e rinj gjermanë trashëguan dhe planet pushtuese në Lindje të paraardhësve të tyre.
    Henriku VI Hohenshtaufen që me ardhjen e tij në pushtet i shpalli hapur pretendimet e tij në bregun lindor të Adriatikut. Sipas historianit bizantin Niketë Koniati, Henriku pretendonte të ishte zot i gjithë territorit që shtrihej prej Durrësit e deri në Selanik, territor i pushtuar për një kohë të shkurtër nga paraardhësi i tij norman, Guljelmi II, gjatë fushatës së vitit 1185.
    Por as Henriku VI, as pasardhësi i tij i madh, Frederiku IIHohenshtaufen, nuk qenë në gjendje të organizonin ndonjë ekspeditë si ato të normanëve në Shqipëri. Një gjë të tillë e bëri djali i Frederikut, Manfred Hohenshtaufeni (Venosa1232 –Benevento, 26 Shkurt 1266). Duke përfituar nga konflikti midis Despotit të Epirit Mihali II dhe perandorit të Nikesë, Teodorit II Laskari, i inkurajuar nga pakënaqësia e thellë që kishte pushtuar popullsinë shqiptare ..kundër këtyre dy rivalëve bizantinë, në mesin e dimrit të vitit 1257-1258 flota e Manfredit e komanduar nga admirali i tij, Filip Kinardi, zbarkoi në bregdetin shqiptar dhe pushtoi Durrësin, Vlorën, Spinaricën e Beratin. Ndonëse këto kështjella juridikisht ishin në atë kohë nën sundimin e perandorit të Nikesë (Durrësi), apo të despotit të Epirit (Vlora, Berati e Spinarica), as njëri e as tjetri nuk ushtronin pushtet real në to. Kryengritja e fundit e vitit 1257 e shqiptarëve i kishte detyruar garnizonet dhe administratën e perandorit apo të despotit të tërhiqeshin dhe ta linin qeverisjen e atyre vendeve në dorë të parisë lokale, e cila, me sa duket, ishte marrë vesh paraprakisht me Manfredin e Sicilisë për ndërmarrjen e tij.
    I ndodhur para faktit të kryer, Despoti i Epirit Mihali II e pa me vend mos të ndizte armiqësi të reja me mbretin e Sicilisë.
    Me qëllim që ta tërhiqte atë në një aleancë ushtarake kundër rivalit të tij, perandorit të Nikesë, Mihali II i njohu Manfredit pushtimet në bregdetin shqiptar. Madje i ofroi atij dhe dorën e së bijës, Helenës, bashkë me një sërë zotërimesh të tjera në cilësinë e pajës: Himarën, Sopotin (Borshin), Butrintin e Korfuzin. Manfredi qe i pari që zuri një pjesë të mirë të brezit bregdetar të Shqipërisë në pritje të kushteve për të zgjeruar pushtimet në Ballkan.
    Por beteja e Pelagonisë (Manastirit), në pranverë 1259, ku bashkë me forcat e despotit, Mihalit II të Epirit, u shpartallua edhe reparti i vogël prej 300 luftëtarësh që Manfredi i kishte dërguar për ndihmë vjehrrit të tij, i vuri në pikëpyetje vetë zotërimet siciliane në Shqipëri. Ngadhënjyesi i Pelagonisë, perandori i ri i Nikesë, Mihali VIII Paleologu (prej 1261 perandor i Bizantit), vazhdoi mësymjen deri në bregdet, duke marrë të gjitha zotërimet
    .. e Manfredit, me përjashtim të Durrësit. Gjithsesi, në shtator të vitit 1261 Manfredi organizoi një fushatë të re në Shqipëri dhe arriti përsëri zotërimet e bregdetit, të cilat i mbajti deri në fund të jetës së tij (1266).
    Baza e qeverisjes së zotërimeve të Manfredit në Shqipëri ishin kështjellat. Këtu u vendosën garnizonet siciliane nën komandën e kështjellarëve. Kështjellari i Kaninës, që kontrollonte dhe zonën e Vlorës, …në vitet 1258-1274 ishte Jakob Balsiniani një fisnik gjerman. Juridiksioni i tij shtrihej në një perimetër të gjerë rreth kështjellës, që përfshinte edhe fshatrat e Orikumit, Vranishtit, Vonicës etj. Krerët feudalë vendas ishin përfshirë në sistemin e mbrojtjes së kështjellës së Kaninës dhe të territorit të saj. Përveçse në rast lufte, ata, normalisht, të shoqëruar nga njerëzit e tyre, kryenin për një muaj në vit shërbimin e garnizonit në kështjellë.
    Manfredi e respektoi traditën përsa i përket organizimit administrativ të Durrësit dhe të krahinës fqinje të Arbrit. Ato u ruajtën si një njësi e vetme administrative, nën drejtimin e një qeveritari ushtarak me titullin e kapitenit që e kishte selinë në Durrës. Duke pasur parasysh forcën dhe rolin e parisë feudale të Arbrit në fatet e kësaj treve, Manfredi ia besoi postin e kapitenit të Durrësit e të Arbrit një fisniku nga një shtëpi e njohur feudale, Andrea Vranës. Në 1185, në kohën e fushatës normane, një tjetër pinjoll i kësaj familjeje kishte kryer funksione të ngjashme në atë trevë si strateg i Bizantit.
    Rasti i njohur i kapitenit Andrea Vrana tregon se Manfredi diti të tërhiqte në administratën civile e ushtarake të zotërimeve të tij shqiptare edhe fisnikë vendas. Madje, trupa shqiptare nën komandën e krerëve vendas u integruan edhe në forcat e Manfredit të angazhuara në Itali kundër kundërshtarëve të tij.
    Si mëkëmbës të përgjithshëm të zotërimeve të tij në Shqipëri, Manfredi caktoi njeriun e tij të besuar, admiralin Filip Kinardi. Megjithatë, pushteti i tij realizohej në zotërimet jugore. Treva Durrës-Arbër, si zonë me rëndësi të posaçme strategjike, ishte nën vëzhgimin e drejtpërdrejtë të mbretit Manfred.
    Fillimisht, selia e admiral Kinardit ndodhej në Korfuz, por me kohë u zhvendos në Kaninë.
    Këtu ai u martua me të venë e një fisniku nga familja e vjetër Frëngu, që ishte njëherësh kunata e Despot Mihalit II të Epirit. Miqësia që Filip Kinardi kishte me peshkopin ortodoks të Kaninës është një tjetër tregues i lidhjeve të ngushta, që Kinardi, e në përgjithësi gjithë administrata e Manfredit, vendosi me mjedisin, e veçanërisht me parinë vendase. Me këtë shpjegohet fakti që, pas vrasjes së Manfredit në Betejën e Beneventit (1266), ..disa nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij, midis tyre dhe konti Frederik Lançia, dajë i Manfredit dhe personi numër një në oborrin e tij, erdhën dhe u strehuan në Shqipëri.
    Fundi i mbretit Manfred në Betejën fatale të Beneventit, shkaktoi pështjellim në zotërimet shqiptare të Hohenshtaufëve të Sicilisë. Menjëherë pas Manfredit, edhe mëkëmbësi i tij admiral Kinardi ra viktimë e një komploti të kurdisur në Kaninë nga despot Mihali II Engjëlli në bashkëpunim me të shoqen e njeriut të Manfredit, Maria Frëngun, që ishte edhe kunatë e tij.
    Por, pavarësisht nga kjo, despoti nuk arriti t’i shtinte në dorë zotërimet e Manfredit. Njerëzit e këtij, si Këshilltari i Kaninës, Jakob Balsiniani, ai i Korfuzit, Verner Alamani, dhe kapiteni i Durrësit-Arbrit, Andrea Vrana, refuzuan t'ia dorëzojnë despotit të Epirit viset nën juridiksion të tyre. Të njëjtën gjë bënë edhe më 1267, kur ngadhënjyesi i Beneventit e vrasësi i Manfredit, francezi Karl Anzhu, u çoi fjalë funksionarëve të ish-mbretit Hohenshtaufen në Shqipëri që ta njihnin atë si mbret i ri i Sicilisë.
    UNE JAM TI-TI JE UNE



    E LA NOSTRA GIOIA CON NOI

  3. #3
    OPENMINDED Maska e land
    Anëtarësuar
    12-12-2003
    Postime
    7,684
    Charles d’Anjou dhe Regnum Albaniae
    Charles d’Anjou, (Karl d’Anzhu), do të behej një nga aleatet e fuqishem të shqiptareve kundër dominimit Bizantin të Mihal Paleologut dhe dyndjeve sllave të mbretërise serbe që kërcënonin nga veriu. Faik Konica na kujton për përmendoren e tij që mbahej në Krujë gjer në shekullin e XVII-të, ndërkohë që simbolet e “tri luleve te zambakut” që ishin në emblemën e tij, ..do të bëheshin pjese e emblemës së Durrësit, i cili per nje kohë të gjatë ishte kryeqytet i dytë i kësaj mbretërie me dy brigje të saj në të dy anët e Adriatikut: Napolit dhe Shqipërisë. Akoma më befasuese është dhe një embleme e vjetër e Karlit Anzhu që ruhet edhe sot, ku duket në nje sfond te kuq dhe të verdhë nje shqiponjë dykrenare, sic është dhe sot në stemën e Republikës Shqiptare me shqiponjën e zezë. Shumë kush mund të pyesë me të drejtë, nesë kjo embleme u krijua në kohën e asaj mbretërie si simbol i vemendjes nga të dyja brigjet, apo ishte e shqiptarëve? Kjo embleme tregon qarte se elementi i shqiponjës me dy koka nuk lidhet thjesht me epokën e Skënderbeut, se ajo i ka rrënjet mbi dy shekuj më parë, në “Regnum de Naples et d’Albaniae”( Mbreteria e Napolit dhe Shqipërisë). Kjo mbështetet dhe nga shënimi i gjetur në Itali, në Kishën e Shën Mari Meshireplotës Mezanje, të stemës së vjetër të familjes së Muzakajve, ku në pamjen e një mburoje, krahas armëve të kohës dhe shqiponjës dy-krenare duket dhe zambaku anzhuin. Por cili ishte Karli i Anzhuse?

    “Famulltar i Krishtit” dhe “Lejtnant i i Shen Pjetrit”

    Në fundin e shekullit të XIII-të në Evropë dhe gjer në Jeruzalem, Charles d’Anjou (Karli I Anzhuse) ishte një nga personazhet më të dëgjuar dhe heroikë pas vellait te tij Luigj IX, mbret i Frances, i shpallur shenjt pas vdekjes. Historiani francez Zhan Rishar, pohon se “ai kishte si idhull mbretin e famshëm Charle Magne (Karl i Madh) dhe donte të ishte po aq i lavdishëm sa dhe ai”. Ai ishte biri me i vogel i Luigjit VIII, mbret i Frances, dhe i mbretereshes Blanche de Castille (Blanka e Kastiljes). Madje Luigji nuk arriti të njohë birin e tij, pasi mbreti vdiq kur shkonte drejt luftës dhe kur Blanche ishte shtatzene me të. Karli dhe vëllai para tij, Roberti i Artuase, ishin më luftarakët midis vëllezërve, gjaknxehtë dhe aventurierë, të prirur për ndermarrje ushtarake.

    Kur mbreti Luigj IX ndërmori kryqëzaten drejt Jeruzalemit në vitin 1248, ai i mori me vete dhe tri vëllezërit e tij, mes të cilëve dhe Karlin. Në brigjet e Egjiptit, ata sulmuan dhe pushtuan keshtjellen e Damietes në deltën e Nilit, por kur ju drejtuan Kajros, sulmi kryenec i Robert d’Artuase ne krye te 300 kalorësve u kushtoi shume shtrenjte: Roberti mbeti i vrarë dhe ushtria u shpartallua, çka solli dhe shpartallimin e ushtrise së mbretit francez. Në tërheqje e sipër, mbreti u kap rob dhe u desh nje harac i madh si dhe dorëzimi i kështjellës së Damietes që të mund të largoheshin. Por në vend që te kthehej në Francë,
    Mbreti vazhdoi rrugën e kryqezatës drejt brigjeve të Palestinës, ku shume nga qytetet-kala ishin ende në duart e shteteve latine perëndimore, më saktesisht të Templarëve dhe Hospitalierëve. Luigji IX i ndjekur nga Karl i Anzhuse dhe Alfonsi i Puatjese, çliroi Nazaretin nga islamikët, por vdekja e nënes së tij Blanche e detyroi të kthejë në fillim dy vëllezerit e tij për drejtimin e mbretërise dhe pas 4 vjetesh të kthehej edhe vetë, pa arritur të çlirojë Jeruzalemin.
    Në vitin 1260 Papa Urban IV i bëri thirrje Karlit Anzhu që të nisej drejt jugut të Italise për t’i ofruar kurorën e Napolit e të Siçilsë që mbahej nga mbreti Manfred i familjes mbretërore gjermanike Hohenstofen. Ideja se mund të mbretëronte, e joshi dhe e bëri të nisej me ushtrinë e tij drejt veriut të Italise ku bëri për vete princat e atjeshëm, zbriti në Rome ku u bë senator i Romës dhe më pas u përgatit për luftë.
    Në qershor të vitit 1263, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa e kurorëzon Mbret të Siçilisë dhe Napolit. Tashmë ushtria anzhuine dhe trupat italiane sulmojnë drejt jugut dhe në Benevent bëhet beteja e madhe, ku mbetet i vrarë dhe vete mbreti Manfred.
    Sovrani i ri i mbretërisë së Sicilisë, Karli I Anzhu, trashëgoi synimet e vjetra të dinastive të Altavilëve normanë e të Hohenshtaufëve gjermanë.
    Në qendër të politikës së tij të jashtme u vu pushtimi i Lindjes e marrja e Konstandinopojës. Kjo politikë u nxit e u ushqye vazhdimisht nga kisha e Romës, e cila llogariste të organizonte, nëpërmjet anzhuinëve, një kryqëzatë të re kundër Bizantit dhe të realizonte kështu bashkimin e kishes Romane të Perendimit më ate Bizantine të Lindjes. Pikërisht në praninë e Papës Klementit IV u nënshkrua në maj të vitit 1267 në Viterbo ..marrëveshja midis Karlit I Anzhu e Perandorit të shfronëzuar latin të Konstandinopojës, Balduinit II, në bazë të së cilës ky i fundit ia kalonte të drejtat e tij në Lindje mbretit anzhuin. Marrëveshja në fjalë përcaktonte si fazë të parë të ndërmarrjes anzhuine zënien e një kryeure në bregdetin shqiptar, në zotërimet e ish-mbretit Manfred.
    Karli I Anzhu u mundua të afirmonte të drejtat e tij në vijë trashëgimije mbi zotërimet shqiptare të Manfredit. Në këtë kuadër, më 1267, Karli I emëroi si mëkëmbës të tij në Shqipëri Gaco Kinardin, një i afërm i mëkëmbësit të vrarë të Manfredit, Filipit. Por as kështjellari i Korfuzit, as ai i Vlorës, i Butrintit e i Sopotit dhe as kapiten Vrana e qytetarët e Durrësit nuk dëgjuan të kalojnë nën sovranitetin anzhuin.

    Trupat e Anzhuse hyjnë në Napoli. Një vit më vonë, nipi i Manfredit, Konradi, kërkon të shpaguhet dhe me ushtrinë e tij gjermanike zbret drejt jugut, madje arrin gjer në Puglia, por më së fundi është Anzhu që do të fitojë. Konradi i kapur rob, do të varet në sheshin e Napolit.
    Eshtë koha e aleancës së Anzhuinëve me mbretin e Francës e me Papatin e Romes, që e bëne Karlin një nga figurat legjendare të kësaj epoke. Ai kërkonte të zgjeronte mbretërine e tij, të bënte për vete senjoret e Morese, të Epirit e të brigjeve shqiptare të Adriatikut. Qëllimi i tij i vërtetë ishte pushtimi i Konstantinopojes që të rrëzonte perandorin Mihal Paleologu e me ndihmën e Papës të ishte ai Perandor Latin i Lindjes.
    Por ndërkohë mbreti Luigj IX, në vitin 1270 shpalli se do të ndërmerrte një kryqëzatë të re për të cliruar Jeruzalemin. Kësaj rradhe do ta shoqëronin vec tri djemve të tij të rinj, edhe dy vëllezerit e tij, Karli Anzhu dhe Alfonsi i Puatjese. Me vonë vetë mbreti Luigji IX, nje djalë i tij dhe disa princa, vdiqën nga tifoja jashte Kartagjenes së rrethuar.

    Siç pohon bizantologu dhe albanologu Alen Duselje, nga gruaja e Manfredit të cilen Karli Anzhu e mbante të burgosur siguroi zoterimin e Himarës, Sopotit, Butrintit, Spinarizza-s (Zvërnecit), meqë ajo ishte bijë e despotit të Epirit dhe këto toka ishin prika e saj. Karli donte tashmë të bënte për vete shqiptarët që ndjeheshin të kërcënuar nga trupat e Michael Paleologut.


    Marrëdhëniet e mbretit Karl me Aristokracine e Arbërit mbetën të ndera deri në vitin 1271. Atë kohë, vetë ai shprehej në një letër se shqiptarët e "urrenin emrin e tij" (in odium nostri nominis).
    Gjithsesi, anzhuinët nuk ndërmorën ndonjë fushatë të armatosur. Karli I u përpoq të tërhiqte me anë premtimesh krerët shqiptarë dhe në vitin 1271 duke vendosur një dialog me aristokracinë e Arbrit si edhe me bashkësinë qytetare të Durrësit. Gjatë atij viti dy priftërinj katolikë shqiptarë, Gjoni nga Durrësi dhe Nikolla nga Arbri si të besuar të mbretit Karl dhe të aleatit të tij të madh, papës Gregori X, bënë disa udhëtime midis Napolit e Durrësit, duke përcjellë mesazhet e mbretit te krerët shqiptarë. Në fillim të shkurtit 1272 mbërriti në oborrin anzhuin në Napoli një përfaqësi e fisnikërisë së Arbrit dhe e bashkësisë qytetare të Durrësit. Në përfundim të traktativave me Karlin Anzhu u shpall bashkimi i "Mbretërisë së Arbrit" (Regnum Albaniae) me mbretërinë e Sicilisë nën sovranitetin e mbretit Karl (Carolus I, dei gratia rex Siciliae et Albaniae). Kthesa e fisnikëve shqiptarë në marrëdhëniet me mbretin anzhuin ndodhi për një sërë arsyesh të jashtme dhe të brendshme.
    Në atë kohë bizantinët dhe serbët e kishin rritur presionin në trevat shqiptare që ishin ende jashtë kontrollit të tyre. Serbët i ishin afruar tashmë zonës së Dibrës, kurse Perandoria Bizantine e kishte rivendosur sundimin e saj në një pjesë të mirë të Shqipërisë së brendshme. Marrja e Beratit menjëherë pas fitores së bizantinëve në Pelagoni (Manastir), më 1259, i jepte Bizantit një bazë strategjike mjaft të rëndësishme për të shtrirë më tej zonën e kontrollit të vet deri në vijën bregdetare.
    Vështirësive të aristokracisë shqiptare në marrëdhëniet ..me këto fuqi të huaja, u shtoheshin edhe ndarjet e konfliktet midis vetë fisnikëve shqiptarë. Në këtë kohë edhe Principata e dikurshme e Arbrit e kishte humbur shkëlqimin që kishte patur në kohën e princit Dhimitër. Në vend të një familjeje feudale, në trevën e Arbrit ushtronin ndikimin dhe pushtetin e tyre disa familje, shpesh herë në konflikt me njëra-tjetrën, siç ishin familjet Skurra, Vrana, Blinishti, Topia, Arianiti etj.
    Njohja e një sovrani të huaj u pa edhe si një mjet për të qetësuar rivalitetet midis tyre.
    Së fundi, jo pa rol ishte edhe fakti që në Shqipëri, veçanërisht në zonën e Durrësit dhe të Arbrit, ekzistonte tashmë një grupim filo-anzhuin, që përfaqësohej kryesisht nga kleri katolik i Durrësit dhe i Arbrit, që nën sundimin e Manfredit, armikut të egër të Papatit, kishte pësuar përndjekje nga më të ashprat.
    Për rrjedhojë,
    Papati bashkëpunonte me sovranin e ri të Sicilisë, Karlin Anzhu, që ndryshe nga Manfredi ishte beniamin dhe krahu i djathtë i kishës katolike të Romës. Me paktin që vendosi me Prijesat Shqiptare, Karli u shpall mbret i Napolit e Shqiperise në 21 shkurt 1272 që u mundësua pasi ai u dha prijsave shqiptarë garancitë e kërkuara. “Durazzo, Berati, Janina, Butrinti hyne ne mbreterine e re Regnum de Naples et Albaniae” shkruan historiani Rishar.
    - “Regnum de Naples et Albaniae, u festua dhe u brohorit nga të gjithe shqiptaret”.
    Në dy diploma të dala nga kancelaria e Karli I Anzhu më 20 e 21 shkurt 1272, u premtonte Prijesave Shqiptare mbrojtjen e tij (protectionem suam) dhe njohjen e të gjitha privilegjeve, normave e dokeve "të mira" të mëparshme. Teksti i tyre tregon qartë që njohja e sovranitetit anzhuin nga krerët shqiptarë nuk qe një "dorëzim" pa kushte, por një ujdi e arritur, siç shprehej vetë mbreti Karl, "pa dhune e shtrëngim"(absque aliqua violentia seu cohactione). Anzhuinët kënaqnin në thelb dy kërkesat themelore të shqiptarëve:
    1- Kërkesën për një angazhim të anzhuinëve në marrëdhëniet e ndera të shqiptarëve me fuqitë e tjera, kryesisht Bizantin e Serbinë
    2- Kërkesën për njohjen e autonomisë politiko-administrative të fisnikëve vendas brenda kuadrit të Regnum Albaniae "Mbretërisë së Arbrit".
    UNE JAM TI-TI JE UNE



    E LA NOSTRA GIOIA CON NOI

  4. #4
    OPENMINDED Maska e land
    Anëtarësuar
    12-12-2003
    Postime
    7,684
    Një dekret mbretëror njeh Princat Shqiptare si Baronë dhe Kontë, duke u dhëne tituj nderi “inter quos barones sabatus Paulus Brana, Sevastus Petrus Leti, sevastus Petrus Messia” e u jepte atyre pushtet ndaj zotërimeve të tyre dhe menjëhere me ndihmat e mbretit Anzhuin filluan forcimet e kështjellave mbrojtese. Në dokumentet Anzhuine njihemi me aristokracinë dhe familjet e mëdha shqiptare si Muzaka, Blenishti, Aranitasi, Skura, Zenebishti etj, për të cilët flet edhe Duselje.
    Studjuesi italian Francesco Tajani, në librin e tij “Storie Albanesi”(Le Istorie Albenesi) botuar ne Salerno më 1886, duke folur për Anzhuinet në Shqipëri përmend zotërimet e Princeve Shqiptarë. Balshajt kishin zonën midis Krujës dhe Lezhës, Dukagjinët kishin krahinat mbi lumin Drin, Zakariajt kishin qytetin e Danjes dhe Zadrimën, Pjeter Spani kishte Drishtin, ndërsa Kastriotët kishin Dibrën.
    Gijom Blinishti (apo Gjon Blinishti) u caktua nga mbreti francez, Marshall i Forcave Shqiptare. Tanush Topias i ishte dhene titulli Kont “Dominum Tanucium comitem Thopian”. Andrea Muzaka mori titullin “Despote d'Albanie”, apo siç shkruhet në kronikat latine “Andreas Masocius regni Albaniae Despotus”, ku atij i jepeshin gjithë të drejtat dhe fuqitë, me kusht që një nga djemte ta linte peng ne Kështjellën e Durrësit ku rrinte dhe Lejtnanti i mbretit.



    Anzhuinët përcaktuan qysh në fillim hapësirën midis Durrësit e Vlorës ose më saktë midis Matit e Seman-Devollit, si zonë e interesave të tyre jetike në Shqipëri. Tokat jashtë tyre anzhuinët i panë para së gjithash në funksion të marrëdhënieve me shtetet aleate ballkanike, në radhë të parë me mbretërinë e Serbisë. Aleanca me Mbretërinë Serbe pati gjithmonë përparësi për Karlin Anzhu dhe ky refuzoi të merrte në mbrojtje fisnikët shqiptarë, si Gropajt e Dibrës, ..tokat e të cilëve ndodheshin nën kërcënimin e pushtimit serb.
    Por marrëdhëniet e anzhuinëve nuk vonuan të prishen edhe me fisnikët-vasalë të tyre të "Mbretërisë së Arbrit". Premtimet lidhur me njohjen e autonomisë e të privilegjeve të vjetra, që Karli I u kishte dhënë krerëve shqiptarë në fillim, u treguan se ishin demagogji. Fisnikët shqiptarë u detyruan të kryejnë "betimin dhe homazhin feudal" (ligii homagii iuramentum).
    Dokumentet anzhuine lënë të kuptohet qartë se ku konsistonte ndihma e krerëve shqiptarë për kryezotin anzhuin. Në radhë të parë ata duhet të shoqëronin trupat anzhuine në fushatat ushtarake. Ky shërbim i tyre përputhej me thelbin e regjimit anzhuin e të "Mbretërisë së Arbrit", të cilën anzhuinët e projektuan dhe e ndërtuan si një bërthamë të një perandorie të tërë ballkanike.
    Zëdhënëse e kësaj pakënaqësie u bë aristokracia shqiptare, brenda e jashtë kuadrit të "Mbretërisë së Arbrit" e cila e pa se anzhuinët i shkelën pa ngurruar aspiratat e saj politike.
    Përplasjet e shqiptarëve me anzhuinët, që në fillimet e vendosjes së këtyre të fundit në Shqipëri, favorizuan lojën e bizantinëve. Duke filluar nga vera e vitit 1272, perandori bizantin Mihali VIII Paleolog ishte vënë në kontakt me fisnikët shqiptarë dhe përpiqej t'i bënte ata për vete e t'i hidhte kundër anzhuinëve. Përpjekja e tij mbështetej në premtimet e garancitë që u paraqiste shqiptarëve e s'ka dyshim që në këtë pikë ai kapërceu rivalin e tij, Karlin I Anzhu, ..përderisa arriti qysh në fillim të bënte për vete ("të mashtrojë", sipas shprehjes së Karlit I) mjaft prej tyre.
    Në verën e vitit 1274, vetë dokumentet anzhuine bëjnë fjalë për një aleancë operative midis bizantinëve e fisnikëve shqiptarë.
    Në muajin nëntor komandantët anzhuinë në Shqipëri i raportonin mbretit anzhuin Karl se "arbëreshët e bizantinët kishin rrethuar Durrësin".
    Informatat e mëvoshme konfirmonin se luftimet tashmë ishin përqendruar në afërsi të kështjellave bizantine. Shpërthimi i konfliktit të hapur me shqiptarët bëri që fronti i luftimeve të zhvendosej me shpejtësi në afërsi të kështjellave anzhuine të bregdetit. Forca tërheqëse e këtij orientimi të ri të Princave Shqiptare u bënë ata fisnikë që kishin mbajtur një qëndrim të rezervuar ndaj anzhuinëve e që nuk ishin përfshirë në "Mbretërinë e Arbrit".

    Të tillë qenë Pal Gropa e Gjin Muzaka, zotër përkatësisht të zonës së Dibrës dhe asaj të Beratit. Me kohë me këta fisnikë u bashkuan edhe të tjerë, nga ata që ishin njohur vasalë të mbretit Karl. Në mënyrë mjaft domethënësë Karli I Anzhu fillon t'i quajë me emrin "tradhtarët e mi" (proditores nostros) fisnikë të tillë si Blinishtët, Skurrajt, Jonimët etj, që deri atëherë kishin qenë "besnikët e tij" (fideles suos).

    Rrjedhja që morën marrëdhëniet shqiptaro-anzhuine, dhe aleanca shqiptaro-bizantine, përmbysi planet e Karlit I i cili shpresonte t'i çonte ushtritë e tij në Konstandinopojë. Planet u komprometuan edhe nga afrimi i perandorit bizantin, Mihalit VIII Paleolog me Papën që rane në ujdi në Koncilin e Lionit 1274, për të realizuar bashkimin e kishave! Kjo izoloi Karlin e i hoqi përkrahjen e Papatit duke e detyruar të nënshkruante një
    ..armëpushim me Mihal VIII Paleolog (1276).
    Ndërkohë "bizantinët" e kishin kthyer Beratin në qendrën ku së bashku me fisnikët shqiptarë organizoheshin operacionet kundër kështjellave anzhuine. Komandën e kësaj kështjelle ata ia kishin besuar një fisniku vendas, Sebastit Stano, që kryente funksionin e qefalisë (qeveritarit) të qytetit. Bizantinët kishin arritur të rrëmbenin edhe Spinaricën, lokalitetin bregdetar midis Vlorës e Durrësit.

    Në këtë mënyrë, zotërimet jugore të anzhuinëve ishin ndarë nga Durrësi nëpërmjet këtij pykëzimi bizantin nga Berati në bregdet. Ndërlidhjet midis zotërimeve anzhuine dhe Mbretërisë së Sicilisë kryheshin vetëm me anën e detit. Por edhe komunikimi detar ishte bërë i rrezikshëm, sepse një flotë bizantine me bazë në Spinaricë e në Butrint sulmonte anijet anzhuine.



    Ne vitin 1277 Charles II d’Anjou ( Karli II Anzhu) niset drejt Palestinës, pasi nga Maria e Antiokese, ai bleu titullin “Mbret i Jeruzalemit”. Arriti të çliroje Shën Joanin e Akres dhe bëhet një nga figurat e fuqishme që ndërmjetësoi midis myslimaneve dhe Templareve e Kryqtarëve kristiane. Por mendja e tij është gjithnje, zbarkimi në brigjet e Adriatikut dhe marshimi mbi Konstantinopojen.
    UNE JAM TI-TI JE UNE



    E LA NOSTRA GIOIA CON NOI

  5. #5
    OPENMINDED Maska e land
    Anëtarësuar
    12-12-2003
    Postime
    7,684
    Duke parë gjendjen katastrofike të trupave të tij në Shqipëri, mbreti Karli I Anzhu mendoi të organizonte një fushatë të re, gjatë së cilës të nënshtronte krerët kryengritës shqiptarë dhe të merrte kështjellat e pushtuara ndërkohë nga perandori bizantin Mihali VIII Paleolog. Në këtë kuadër rëndësi e posaçme iu dha kështjellës së Beratit, kundër së cilës u përqendrua goditja kryesore anzhuine. Marrja e Beratit do të çlironte nga presioni bizantin bazat bregdetare të anzhuinëve (Vlorën, Durrësin) dhe do të krijonte kushtet për …përparimin e ushtrive të Karlit Anzhu në brendësi të vendit. Është për këto arsye që Karli I i shkruante komandantit të ushtrisë anzhuine në Shqipëri se "nuk mund ta shprehte me fjalë rëndësinë që i jepte pushtimit të kështjellës së Beratit" (ad captionem castri Bellgradi, que ultra quam dici valeat cordi nostro residet ).
    Në prag të mësymjes, Karli I Anzhu konfirmoi aleancat me Serbinë e me Despotatin e Epirit.
    Despot Niqifori I i Epirit u shpall vasal i mbretit anzhuin dhe i dorëzoi këtij kështjellat e Butrintit, të Sopotit e të Porto-Palermos. Por para së gjithash Karli I bëri një përpjekje të re për t'i rregulluar marrëdhëniet me shqiptarët e për t'i shkëputur këta nga bizantinët. Në këtë kuadër Karli I liroi nga burgjet italiane një numër krerësh shqiptarë kryengritës, mes të cilëve Gjin Muzakën, i cili mbahej në burgun e kështjellës së Brindizit së bashku me Dhimitër Zogun, Kasnec e Guljelm Blinishtin.
    Karlit I Anzhu i erdhën kërkesa të përsëritura nga fisnikët shqiptarë për të liruar Muzakën, pasi me sa duket, Gjin Muzaka gëzonte pozitë e autoritet të veçantë dhe nëpërmjet tij mbreti anzhuin u përpoq të ndikonte mbi krerët shqiptarë.
    Në prag të betejës vendimtare për Beratin lajmet që i vinin Karlit nga komandatët e tij në Shqipëri e njoftonin se "Arbrit kishin ngritur përsëri krye dhe sulmonin trupat anzhuine".
    Qëndrimi anti-anzhuin i një pjese të fisnikëve shqiptarë kushtëzoi në mënyrë vendimtare ecurinë e ngjarjeve. Sipas kronikave të kohës, më 1279 ai dërgoi në Shqipëri besnikun e tij Hugo de Sully, në krye të një ushtrie të madhe, që me ndihmën e trupave shqiptare akoma besnike të çlironin sërish Beratin e pushtuar nga Bizantinët. Ndërkohë që ushtria e Hugo de Sully , e përforcuar nga kontingjentet e ardhura nga Durrësi, Vlora e Butrinti, kishte mbyllur rrethimin e Beratit, shqiptarët anti-anzhuin sulmonin kështjellat e anzhuineve në bregdet duke detyruar komandantin anzhuin t'i shpërqendronte forcat e të niste përforcime në drejtim të atyre kështjellave.
    Në dhjetor të vitit 1280 anzhuinët mundën më në fund të zinin lagjet e jashtme të qytetit (suburbia) të Beratit. Por në betejën finale, që u zhvillua në pranverën e vitit tjetër buzë Osumit, mbrojtësit e kështjellës i shkaktuan një ..disfatë kalorisë duke zënë rob edhe komandantin e ushtrisë anzhuine. Pas disfatës së Beratit anzhuinët u tërhoqën në skajin bregdetar, ku mundën të ruajnë kështjellat e rëndësishme të Durrësit, Vlorës e Kaninës. Në vitin 1282 Karli projektoi një fushatë të re kundër Bizantit, por po atë vit në Sicili shpërtheu kryengritja anti-anzhuine e "Mbrëmjeve siciliane" në të cilën kishin dorë edhe perandori bizantin Mihali VIII Paleologu, e mbreti i Aragonës.

    Paskësaj nisi një periudhë 20-vjeçare luftërash midis aragonasve e anzhuinëve për zotërimin e Sicilisë. Kështjellat që anzhuinët mbajtën edhe për disa vjet në bregdetin shqiptar mbetën si ishuj të izoluar nën rrethimin e vazhdueshëm të shqiptarëve e të bizantinëve. Brenda vitit 1285 anzhuinët braktisën edhe Durrësin, Vlorën e Kaninën. Mundën të mbajnë në jug, në territoret e Despotatit të Epirit fortesat e Butrintit, Sopotit e Porto-Palermos.
    që ata, ishin pika mbështetëse pa ndonjë rëndësi strategjike të veçantë.
    Në këtë mënyrë, pas rreth 15 vjetësh përpjekjesh për të fituar e për të mbajtur pozitat e tyre në Shqipëri, anzhuinët u detyruan të tërhiqen e t'ia lënë vendin Perandorisë Bizantine, që sakaq rivendosi autoritetin e saj në një pjesë të mirë të tokave shqiptare.
    Pas vdekjes së Karlit Anzhu në vitin 1285 dhe varrimit të tij në Napoli, të dërguarit e Anzhuineve u larguan nga Shqipëria më 1286, por u rikthyen përsëri më 1304 me Charles II d’Anjou (Karl II Anzhu) dhe hipjes së tij në fronin mbretëror të Napolit.

    Aleanca me prijesat shqiptare do te vazhdonte dhe pas vdekjes se Charles II d’Anjou (Karl II Anzhu), me pinjollet e tij, dinasti që do të lidhej me shume oborre mbretërore të Eropes aq sa do të flitej më vonë për Evropen Anzhuine. Pikërisht Robert II d’Anjou (Robert II Anzhu) nga Napoli, u shkruante më vonë Princave Shqiptare “Aux nobles comtes, barons et autres feudataires du royaume d'Albanie” se do t’i ndihmonte për të luftuar kundër Dushanit të Serbise.
    Karakteristikë në këtë fazë është se fuqitë e huaja mundoheshin t'i bënin për vete krerët shqiptarë, duke u dhënë atyre liri e priviligje gjithnjë e më të mëdha. Në traktatet e nënshkruara, më 1336 me Despotin Gjon Muzaka, e më 1338 me Kontin Tanush Thopia, anzhuinët e Napolit merrnin përsipër një sërë detyrimesh ndaj Prijsave shqiptarë dhe kërkonin prej tyre vetëm bindje formale.
    Kjo tregon qartë ndryshimin e raportit të forcave ndërmjet pushtetit të huaj e strukturave vendase.
    Në vitet 20-30 të shek.XIV në gjithë gjerësinë e trevave shqiptare shpërthyen kryengritja që drejtoheshin kundër serbëve, anzhuinëve dhe bizantinëve. Ato qenë veçanërisht të fuqishme në Despotatin e Beratit. Krerët shqiptarë të atjeshëm prishën traktatet e lidhura me pushtetin Bizantin dhe sulmuan qytetet e Vlorës e të Beratit, si dhe garnizonet bizantine të Skraparit, të Këlcyrës e të Tomorit.
    Lëvizja përfshiu për trevat e Ohrit, Devollit, Kolonjës, Leskovikut dhe popullsitë shqiptare të Thesalisë. Historiani bizantin Kantakuzeni thotë se shqiptarët e Despotave të Beratit, Artës e Thesalisë ishin "të pavarur" dhe "nuk pyesnin për perandorin". Androniku III Paleologu organizoi fushata ndëshkimore, ku më e rëndësishmja qe ajo e vitit 1336, ku ushtritë bizantine, të përforcuara me mercenarë turq, ripushtuan qytetet dhe
    …dëbuan e vranë kryengritsat pasuria e të cilëve u konfiskua.
    Gjatë kësaj fushate perandori Andronik III arriti të ankesonte edhe Despotatin e Artës. Por pas disa vitesh, më 1341, me vdekjen e Andronikut III, në të gjitha këto vende shqiptarët u ngritën përsëri dhe e dëbuan administratën bizantine.
    Kështu Shqipëria u shkëput përfundimisht nga Perandoria e Bizantit.


    Dukati i Durresit do të mbetej si zoterim i Anzhuineve jo vetëm në mbreterimin e Robertit “le sage” (“i urti”) siç e quanin bashkëkohësit e vet, i cili mbretëroi në Napoli gjatë 1309-1343, por edhe shekuj më pas. Fronin mbreteror ai ja la trashëgim mbesës së tij Zhana I e Napolit, por ajo u mbyt me 1387 sipas urdherit të Charles III d’Anjou (Karlit III Anzhu), i cili vazhdonte të quhej dhe Duka i Durrësit, “Comte Duras”.
    Bashkimi përmes martesave me familjen mbretërore te Aragones së Spanjës, shpjegon dhe pretendimet për trashegimin e fronit te Anzhuineve mbi Durresin nga ana e Aragonasve gjer në ditët tona. Historia e vjetër flet gjithashtu edhe për një tjetër pinjoll të kësaj familje, të quajtur Karl, i cili luftoi përkrah francezëve në luftën e anglezëve dhe u vra në betejën e Puatjese.

    Karl Thopiaj (Charles Thopia) pinjolli shqiptar me gjak francez.
    Një pinjoll i hershëm i familjes Thopia, përmendet në vitet ‘70 të shek. XIII si ushtarak me titullin MILES, dhe në fillimet e shek. XIV ata kishin në sundim të tyre një zotërim të gjërë që shtrihej midis luginës së Shkumbinit dhe të Matit. Në këtë kohë ata kishin lidhje të drejtpërdrejta me Papën e Romës dhe Karlin I Anzhu, mbas krijimit nga ana e tij më 1272 të "Mbretërisë së Shqipërisë" (Regnun Albanie).
    Në këtë kohë Topiajt i lejojnë vetes edhe aventura që tregojnë se ndihen mjaft të fortë, aq sa Andrea Thopia rrëmben vajzën e mbretit Robert të Napolit, Helene d’Anjou dhe e bën bashkeshorte.
    Andrea e kishte parë Helenën për herë të parë ne keshtjellën e Durrësit, kur ajo kishte ardhur me anije vetëm sa për të kaluar një mbrëmje dhe për t’u nisur pastaj brigjeve te Peleoponezit, ku e priste i fejuari i saj freng, princ i ishujve të Morese.
    Guvernatori francez në Durrës, i kërcenoi se mbreti do t’i dërgonte ushtrine dhe do t'ja digjte të gjitha pronat. Një vit më vonë u lindi një djalë që Helena e quajti Charles (Karl) në kujtim të stërgjyshit të saj. Sipas Gjon Muzakës që tregon këtë "love story" fundi ishte tragjik pasi mbreti i Napolit nuk e gëlltiti këtë poshtërim. "Pas ca kohe -shkruan Muzaka- mbreti Robert ftoi vajzën dhe dhëndrin në Napoli e, sapo ata mbërritën në kështjellën e tij i vrau për fajin që kishin bërë".
    Karl Thopia kur u bë zot i Durrësit e i krahinës përreth, në stemën e tij vazhdoi të mbante zambaket heraldike dhe luanin e stemës së hershme Anzhuine. Ai përmendet për herë të parë rreth 1350, në një kohë kur Anzhuinet zotëronin ende Durrësin, por jo “de facto”. Shqiperia vazhdonte të quhej “Regnum Albaniae” me kryeqendër Durrësin dhe Thopiajt e ruajnë sundimin e tyre edhe në periudhën e vështirë të sundimit të car Stefan Dushanit mbi tokat shqiptare.
    Pas vdekjes së Dushanit (1355) dhe shpërbërjes së Perandorisë Serbe, Thopiajt hynë në luftëra të vazhdueshme me Balshajt, Matrangët, Muzakajt duke pretenduar kështu sundimin mbi tokat shqiptare. Anzhuinet sulmojnë Durresin dhe e pushtojne më 1368, por ai çlirohet përsëri nga Karli, pa përfillur protestat e anzhuinëve, të Papatit e të vetë Venedikut, që i trembej gjithmonë daljes së feudalëve shqiptarë në det.


    Kjo periudhë në historinë e principatës lidhet me emrin e Karl Topisë (1359-1388). Pas vdekjes së mbretit të Charles I d’Anjou, mbret i “Regnum de Naples et Albaniae”, dhe të birit të tij, Robert d’Anjou, më 1365, Charles Duras (Durazzo), duka i Durrësit dhe bir i Louis I d’Anjou (në Hungari) kërkon ta bëjë atë trashëgimtar, vjen nga Hungaria në krye të një ushtrie.

    Në mesin e viteve ‘70 Karl Thopia zotëronte një pjesë të mirë të brezit bregdetar, nga Kepi i Rodonit në veri, e deri në derdhjen e Semaint në jug, ku kishte mundur të largonte zotërit e mëparshëm, Muzakajt. Në lindje zotërimet e tij kufizoheshin me zotërimet e Andrea Gropës, që shtriheshin midis Dibrës e Ohrit, dhe vetë qyteti i Ohrit u përfshi për ca kohë nën sundimin e tij. Në këtë mënyrë Karl Topia arriti të bashkonte pothuajse gjithë territoret e Arbrit të vjetër.
    Kur Turqit po shtyheshin drejt Regnum Albaniae, ai i kërkon ndihmë Venecianëve duke dërguar në Venedik peshkopin e Scampa-s. Më 1388 Grande Comte d'Albaniae (titull i dhene nga Papa Grigor XI më 1374), Karl Thopia sëmuret rëndë dhe vdes. Marrëveshja më Venedikun u bë në kështjellën e Durrësit në gusht 1392 dhe u arrit pas shumë bisedimesh midis Gjergj Topisë dhe komandantit të flotës së Adriatikut, Saracen Dandulo.
    E veçanta e kesaj marrëveshje qëndron në faktin se Gjergj Thopia pranonte që Durrësi të kalonte në dorë të Republikës së Venedikut, por pas vdekjes së tij. Mbrojtja e qytetit kalonte në duart e Venedikut dhe për këtë arsye të dyja palët pranonin që në kështjellën e Durrësit të ngrihej flamuri i Republikës së Vendikut, me qëllim që turqit osmanë të ndërprisnin sulmet për pushtimin e qytetit. Gjergj Thopia do të vazhonte të merrte si më parë të gjitha të ardhurat e qytetit dhe do të vazhdonte të ushtronte kontroll mbi zyrtarët dhe ushtarakët e tij. Të dyja palët merrnin përsipër të respektonin statutet dhe rregullat e qytetit. Marrëveshja u ratifikua nga Republika e Venedikut më 18 gusht të vitit 1392.

    Pas nënshkrimit të marrëveshjes Gjergj Topia nuk jetoi gjatë. Burimet bëjnë të ditur se në tetor të vitit 1392 ai nuk jetonte më. Pas vdekjes së tij, më 14 nëntor 1392, Republika e Venedikut nisi në Shqipëri dy zyrtarë të lartë (proveditorë), Mikel Kontareno dhe Pjetër Kurino, për të marrë të gjitha masat e duhura për marrjen në dorëzim të qytetit të Durrësit, dhe qeverisjen e ardhshme të tij. Zyrtarëve në fjalë iu dha detyra të merrnin edhe kështjellën e Krujës.

    Nga fundi i shek. të XIV Principatat Shqiptare u thërmuan prej ndërhyrjeve të jashtëme e prej grindjeve midis tyre e vendi ra në një anarki feudale. Eshtë e rëndësishme të theksohet se peng i grindjeve fetare, të dhunshme e shekullore, midis Romës dhe Bizantit ka qenë Iliria/ Arbëria.
    Pra interesi kryesor i këtyre fuqive ishte që të mos lejonte Ilirët/ Arbërit që të krijonin një shtet më vehte, siç u formuan në vende të tjera.
    Familja e Thopiajve do të kishte qenë ndoshta më e përshtatshmja për të bëre bashkimin e përgjithshëm të gjith Principatave Arbërore falë pozitës gjeografike që kishte në Shqipërine e Mesme. Karl Thopisë nuk i mungonte as ambicja e as zotësia për të krijuar një Regnum Albaniae me identitet të fort Shqiptar. Bashkimin e Shqipërise në një shtet të vetëm, që su bë dot në shek. XIV u perpoq ta bënte Skënderbeu në shek e XV, gjatë qëndreses kombëtare kunder Perandorise Turke.
    UNE JAM TI-TI JE UNE



    E LA NOSTRA GIOIA CON NOI

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •