Punoni në këtë botë që të pushoni në botën tjetër


Shkruan: Dr. Shefqet Krasniqi


Jemi në pjesën e parë të muajit të madhërishëm, në muajin Ramazan. Koha, në këtë muaj na ka marrë e nxehtë, por, ani pse vapë, u kënaqem me këtë Ramazan. Zemrat tona po freskohen, shpirtrat po ushqehen, trupi, natyrisht, po na lodhet. Por, ndashtë, le të lodhet. Pushon, më pas e harron lodhjen e mbetet sevapi, mbetet shpërblimi nga i madhi Zot xh.sh.
Zaten ky trup është krijuar të lodhet gjatë tërë kësaj jete. Eh sa herë trupi lodhet edhe për gjëra më të vogla. Lodhet tërë ditën për një kafshatë goje, bile lodhet edhe për punë të kota fare. Kur lodhet për punë të mira dhe të ndershme, krenohet, sepse e di se ajo lodhje kalon dhe më pas mbetet rezultati, mbetet fryti i punë. Lodhet bujku duke punuar tokën, por kur merr bereqetin, gëzohet dhe e harron lodhjen. Lodhen punëtori e minatori, por kur ta marrin pagën në fund të muajit, gëzohen dhe e harrojnë lodhjen. Kështu na qenka ligji i kësaj jete, lëvizje, lodhje, mundim, pastaj pushim dhe, sërish, në lëvizjem lodhje, pushim, e kështu me radhë - deri në vdekje. Këtë ligj e ka caktuar All-llahu xh.sh., i cili ka thënë: Ne kemi bërë natën pushim, ndërsa ditën gjallërim (punë, lëvizje)", (Kur'an 78:10-11).
E kur të vdesim do të pushojmë me emrin e All-llahut, për atë ka thënë Pejgamberi Muhamed a.s.: "Vdekja është pushim për besimtarin", por për të pushuar atje, në atë botë, duhet punuar këtu në këtë botë, ashtu sikurse për të pasur bukë tërë dimrin duhet punuar tërë verën. Për ta kaluar vitin shkollor duhet mësuar tërë vitin. Për t'u shëruar duhet mjekuar. Për të ngrënë duhet punuar. E kështu me radhë. Edhe për të pushuar në varr dhe në botën tjetër duhet punuar për atë botë. E, më thoni, ju lutem, a ka punuar një njeri për botën tjetër i cili nuk agjëron?! E nëse jo, atëherë, a thua, do të jetë i pushuar dhe i qetë në varr? Tamam sikurse ai i cili nuk ka punuar tërë vitin fare, a do t'i vijë atij ushqimi vetvetiu?! A do të këtë të ngrejë mjaft?! Mendoj se pergjigja është e qartë dhe për këtë nuk ka nevojë për koment. Për këtë arsye njerëzit edukohen nga fëmijëria se "pa punë nuk ka asgjë", por një gjë duhet sqaruar, se njeriu është krijuar në mënyrë që: rezultatin e punës, e do menjëherë, ndërsa nëse i vonohet ai rezultat, shumë herë e kaplon dembelia, e rezultatet e kësaj dynjaje janë më të hershme, më të shpejta, ndërsa rezultatet e botës tjetër janë më të vonshme, sepse duhet të vdesim e pastaj t'i shijojmë ato të mira. Kjo është arsyeja pse njerëzit përtojnë të agjërojnë, të falen e të bëjnë vepra të tjera, sepse frytet e tyre ekskluzivisht janë në botën tjetër, ani pse ashtu nuk mungojnë edhe në këtë botë. E ajo botë i duket atij larg. Ai do menjëherë të shpërblehet. Për këtë arsye unë u them shumë njerëzve, të cilët nuk mbajnë Ramaza, duke u justifikuar se kanë dhe po lodhen. Jam i bindur se sikur ta kish dhënë bosi juaj edhe një pagë shtesë gjatë këtij Ramazani vetëm të agjëroni, do të kishit agjëruar, sepse do të kishit thënë: "Ia vlenë barra qiranë". Mirëpo, pse shpërblimin e agjërimit nuk je duke e vërejtur tash për tash, e po përton të agjërosh? E nëse është kështu, atëherë më lejo, të lutem, të pyes: A më i madh është shpërblimi i një page shtesë për ta agjëruar Ramazanin, apo shpërblimi që ta jep All-llahu në ditën e gjykimit?! A e di ti se kur ka ardhur në hadith të Pejgamberi a.s.: "Sikur një njeri që agjëron një ditë, e pastaj si shpërblim për atë ditë ia japin tërë pasurinë e dynjasë, nuk do mund t'ia japin shpërblimin e duhur derisa të vijë dita e kiametit e ta marrë shpërblimin e duhur". A mund ta imagjinosh se sa është i madh shpërblimi i një dite agjërimi? Sa është shpërblimi i një Ramazani? Ai është më i madh sesa që ke mundësi ta imagjinosh. Ai është më i madh sesa të mirat e kësaj dynjaje. E nëse është ky shpërblim kaq i madh, atëherë, më thoni, ju lutem: A ia vlen barra qiranë? A ia vlen të lodhemi në këtë vapë për të pushuar në botën tjetër? A ia vlen ta durojmë etjen e urinë në këtë botë, për të qenë të ngopur dhe jo të uritur në ditën e gjykimit?! Për këtë arsye, kur ne myslimanët kuptojmë realitetin e punëve të cilat bëhen për botën tjetër, menjëherë iu qasemi atyre për t'i kryer, sepse jemi të bindur thellë se ajo ditë do të vijë. Ne do të dalim para të Madhit Zot dhe se ky agjërim dhe veprat e tjera që i bëjmë për Krijuesin tonë, do të na gjenden shumë. Në të vërtetë lodhemi në këtë botë që të pushojmë në botën tjetër, që të pushojmë pasi të vdesim. Andaj, nga thellësia e zemrës, ju lutem, vëllezër dhe motra, ju që e besoni botën tjetër, ju që doni të pushoni e të jeni të qetë e të lumtur në botën tjetër, agjëroni ramazanin, agjëroni këto ditë që ju kanë mbetur. Nisjani nga nesër agjërimin dhe pendohuni për të kaluarën. Mos e shitni botën tjetër për këtë botë. Mos e humbni xhennetin për kënaqësitë e kësaj bote. Deri javën e ardhshme me një artikull tjetër. SELAM ALEJKUM!

Epoka e Re