Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka kundërshtuar ashpër bisedimet e paralajmëruara në mes Kosovës dhe Serbisë dhe sipas tij pas vendimit të GJND-së dhe Rezolutës së OKB-së, liderët kosovare është dashur të debatojnë me Tiranën për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ai tha se parulla “Jo negociata, vetëvendosje”, tashmë është më aktuale se kurrë.
“Pushtetarët tanë në vend që të diskutojnë me autoritetet e Tiranës për bashkimin Kosovë-Shqipëri, kanë zgjedhur të debatojnë me Serbinë për ndarjen e brendshme të Kosovës”, është shprehur Kurti, të martën pasdite në Klinë, njofton Koha. Ai me ketë rast ka bërë zyrtar edhe formimin e Këshillit për Zhvillim të Qendrës së Vetëvendosjes në Komunën e Klinës, Këshill ky që do të punojë për gjetjen e një përkrahjeje sa me të madhe për këtë lëvizje.
Kurti, i ka kritikuar qeverinë aktuale për politikën që po zhvillon sidomos pas paralajmërimeve për bisedime dhe ka paralajmëruar demonstrata dhe protesta kundër këtyre negociatave, që sipas tij, janë në dëm të Kosovës. Ai është i bindur se me këto negociata do të jetësohet plani 6 pikësh i Ban Ki Moonit dhe kjo është shumë e rrezikshme.
“Krerët tanë nuk duhet assesi të pranojnë negociata me Serbinë, sepse nga to nuk fiton Kosova por Serbia. Nuk negociohet me një shtet si Serbia e cila në kushtetutën e vet akoma Kosovën e konsideron si pjesë të saj, nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera, akoma i mban fshehur gjurmët e personave të pagjetur”.
Kurti mendon se në Kosovë duhet të ndodh një mobilizim një rizgjim i popullit për të ndryshuar ketë politike që është në dëm të Kosovës pasi që liderët aktual e shikojnë vetëm interesin e tyre personal e jo edhe të Kosovës.
“Politikanët tanë nuk po e mbrojnë Kosovën por po punojnë vetëm për interesa të tyre personale që me shumë kanë të bëjnë me fitime financiare. Në Kosovë ka nevojë për protesta dhe demonstrata për të ndryshuar ketë qeverisje”, potencoi Kurti sipas të cilit në ketë kohë janë duke përfituar pushtetarët, miqtë dhe miqtë e miqve të tyre ndërsa qytetari është lënë në harresë.
“Qëllimi ‘Vetëvendosjes’ është që të gjithë njerëzit e pakënaqur me zhvillimet në vend të bashkohen dhe të japin një organizate të re. “ Vetëm një grusht politikanësh dolën përfituesit kryesor dhe jo qytetarët. Ne do të angazhohemi për një shtet sovran dhe demokratik në realitet e jo siç është sot vetëm në letër dhe për neve vendosin të tjerët”. /Telegrafi/
Krijoni Kontakt