Moskë, 13 shtator - Presidenti i Komitetit për Politikë të Jashtme në Dumën ruse, Konstantin Kosaçov, ka deklaruar se frikësohet që Serbia do të humbë edhe pjesë të territorit të saj që i referohet Kosovës, e edhe respektin në botë pas pajtimit të hartimit të rezolutës së përbashkët për Kosovën me BE-në. “Druaj se me devijimin faktik të parimit të paprekshmërisë së kufijve, autoritetet në Beograd do ta humbin edhe territorin e tyre historik dhe të gjithë respektin brenda bashkësisë ndërkombëtare. Miqtë tanë serbë vetë e çuan rezolutën në absurditet, ndërsa në sytë e bashkësisë ndërkombëtare humbën kredibilitetin”, është shprehur Kosaçov, raporton portali serb “Press”. Ai ka shtuar se si pasojë e pranimit të një rezolute të tillë “mund të presim valë të re njohjesh për pavarësinë e Kosovës, pasi që shtetet e tjera nuk mund ta mbrojnë integritetin territorial të Serbisë kur ajo vetë tërhiqet nga ai territor”. “Ofertën tonë për ndihmë diplomatike në lidhje me rezolutën e re autoritetet në Beograd e kanë refuzuar me finesë. Nuk kanë pranuar as ofertat për këshilla ligjore dhe grupin për mbështetje strategjike para takimit të AP të OKB-së. U pa se Serbia kishte vendosur të bënte marrëveshje me partnerët e saj perëndimorë dhe të tërhiqet nga kërkesa që bëri në AP të OKB-së. Personalisht, mendoj se kjo gjë nuk do t’i sjellë asnjë të mirë, mirëpo respektojmë vendimin e tyre sovran dhe në atë rrugë u dëshirojmë shumë sukses”, është shprehur Kosaçov, raporton sot “Press”.