-
Sistemi gjyqësor është i korruptuar - Na duhët një EULEX
Na duhet një EULEX
13/09/2010
Ylli Manjani
Na ka ndodhur një paradoks. Sa më shumë flasim e bëjmë reforma kundër korrupsionit, aq më shumë na shtohet ai. Fjalët, reformat madje edhe paratë e shpenzuara për të luftuar korrupsionin praktikisht kanë shërbyer për ta thelluar atë. Sistemi gjyqësor, që duhet të ishte ilaçi i korrupsionit, është i korruptuar për vete. Që prej vitit 1999, kur për herë të parë u fol hapur për korrupsion masiv dhe mosbesim të publikut nga gjykatës, asgjë nuk ka ndryshuar. Sa herë anketohet publiku shifrat mbeten katastrofike. BE-ja për herë të parë foli hapur vetëm tani në vitin 2010 kur thotë se emërimet në gjykata janë korruptive. Në formë thashethemi (me dozë të lartë vërtetësie) e kisha dëgjuar këtë gjë rëndom në shumicën e kafeve të mëngjesit të 2 apo 3 viteve të fundit, por që BE-ja do ta thoshte kaq troç nuk e prisja.
Në fakt kjo është ngjarja më e rëndë për një shoqëri si e jona që aspiron bashkimin me shoqëritë europiane. Është e rëndë, sepse është dëmtuar rëndë besimi se ilaçi kryesor që shëron shtetin dhe shoqërinë nga korrupsioni, pra gjykata, rezulton të jetë i paefektshëm. Kur të thonë se qeveria apo pushteti politik në vend është i korruptuar, nuk është mirë, por kur të thonë se gjykata është e korruptuar, është keq. Një qeveri mund të ndryshohet politikisht. Individët në përbërje të saj mund edhe të dënohen ligjërisht. Në këtë kuptim ekziston shpresa se diçka do të ndodhë. Po kur korruptohet “ndëshkuesi” shpresa merr fund dhe shoqëria fillon t’i ngjasojë një trupi pa sistem imunitar që mbushet me viruse, baktere, myk, parazitë e deri edhe qeliza malinje. Shoqëria jonë ka hyrë në këtë rrugë tashmë.
Sistemi ynë i ndëshkimit ligjor në letër është shumë i mirë, por në praktikë nuk funksionon. Sot të gjithë e dinë se po të jesh deputet, ministër, i zgjedhur vendor apo zyrtar mund të bëhesh i pasur pa të hyrë gjemb në këmbë. Po të jesh deputet, ministër apo i zgjedhur vendor mund të shpifësh e të thuash ç’të duash në mbrojtje të abuzimit, sepse ligji nuk vepron. Kushdo që ka guxuar të zbatojë ligjin ndaj çdo politikani është ndëshkuar. Kjo teoremë u vërtetua në vitin 2001, kur Prokurori i Përgjithshëm kërkoi lirimin nga imuniteti të një deputeti, që sot është ministër dhe Parlamenti i asaj kohe me konsensus, shkarkoi prokurorin si kundërpërgjigje. Kjo teoremë u vërtetua edhe në vitin 2008-2009, kur prokuroria ngriti akuzë ndaj dy ministrave dhe përgjigjja ishte gjithashtu konsensuale, kur u vendos t’i mbyllet goja prokurorisë me ligjin e miratuar në dhjetor 2008. Kjo teoremë është provuar disa herë, kur asnjë kallëzim penal për abuzim, që nga koha kur me sforco legale u dënua Fatos Nano, nuk u provua si i vërtetë ndaj zyrtarëve të lartë qendror dhe vendor. Kjo teoremë u provua qartësisht në gjithë këto vite, ku asnjë politikan nuk u dënua qoftë edhe simbolikisht për shpifje, megjithëse sasia e shpifjeve të ligjuara për konsum publik ka arritur në nivelet ku as fjala s’ka më vlerë në politikë. Në kushtet ku fjala s’ka më vlerë, akuzat për korrupsion nuk ngjitin më edhe kur janë qartësisht të vërteta. Ky është mjedisi ligjor ku jeton, madje mirë, politika në Shqipëri, mjedis ky ideal për t’u pasuruar pa pasur frikën e ligjit.
Sikur të mbaronte me kaq do të ishte gjysma e së keqes, por çështja është se kjo sjellje shërben edhe si model për çdo zyrtar të shtetit tonë. Ky model inspiron dhe stimulon tipin e zyrtarit dallaveraxhi, gënjeshtar dhe me aftësi të kufizuara vetëm në marrjen e bakshishit dhe dërgimin e tij lart në piramidë. Ligjet, vendimet, udhëzimet, urdhrat e rregulloret që miraton administrata e udhëhequr nga ky model, bëhen për t’ia bërë sa më të thjeshtë zyrtarit dhe politikanit marrjen për të mos e kthyer më (pra vjedhjen) e pasurisë publike. Administratorët publikë kur shkruajnë rregullat nisen qartësisht nga interesi për të shpëtuar veten nga ndëshkimi i mundshëm ligjor. Ligjet e reja, në kundërshtim me parimet e sundimit të së drejtës, hartohen për të legjitimuar çdo maskarallëk që kërkon të kryejë zyrtari. Kjo është një arsye e fortë se përse zyrtarët edhe kur çohen në gjyq dalin përgjithësisht të pafajshëm. Teoritë ligjore që shpiken e sajohen në kësi rastesh nga juristët tanë janë unike dhe të denja për shkollën e shkatërrimit të shtetit. Bashkë me pafajësinë e zyrtarëve shtohet edhe numri i gjyqtarëve që janë përdorues të këtij modeli dhe kështu mbyllet ligjërisht rrethi vicioz i mosndëshkimit të askujt pavarësisht se çfarë bën. Në këtë mjedis administrativ ka lindur dhe është zhvilluar kultura e korrupsionit piramidal, ku të hyrat sigurohen në bazë (nëpunësit e nivelit të ulët) dhe përfituesit gjenden në majë. Baza sjell paratë dhe majat bëjnë ligjet që mbrojnë bazën.
Ka edhe një problem edhe më të madh, që për fat të keq vërehet rëndom. Shoqëria jonë, megjithëse nuk pajtohet me korrupsionin kur anketohet, përsëri të korruptuarit në shtet e në politikë i voton. Kjo është e keqja më e madhe që ka pllakosur jo më në shtet, por edhe në shoqëri. Virtytet morale si sinqeriteti, paqja, drejtësia, konkurrohen dukshëm nga mashtrimi, dhuna e padrejtësia. Kur mendon se me çfarë lehtësie gënjen politikani dhe e pranon publiku, drithërohesh nga fakti se edhe individët brenda publikut dinë të gënjejnë po aq mirë. Në fakt, kjo sindromë vihet re dukshëm midis nesh kur për asgjë dhe në asnjë rrethanë nuk pranojmë përgjegjësinë që na takon, por gjithmonë fajin ia veshim dikujt tjetër.
Ende besoj se e gjithë kjo skemë piramidale, ku shteti (pushteti) vjedh dhe publiku paguan “me dëshirë”, vjen për shkak të degjenerimit të pushteteve. E gjithë çështja është si të rregullohet pushteti. Pushteti politik nuk ka asnjë shpresë të rregullohet në këto kushte. Duhet të rregullojmë me çdo kusht pushtetin gjyqësor. Vetëm ky pushtet mund të disiplinojë pushtetet e tjera. Të mos shkojmë më lart në Perëndim, por të shohim se si Perëndimi qeveris në Kosovë. Kontrollohet bagazhi i Kryeministrit, zyra dhe shtëpia e ministrit, arrestohet guvernatori i bankës, arrestohen zyrtarë të tjerë të shtetit. Të gjitha këto i bën pushteti i drejtësisë që drejtohet nga EULEX-i (pra nga njerëz të formuar me kulturën e shtetit). Perëndimi po na dëshmon se si bëhet shteti dhe ne duhet ta mësojmë mirë këtë mësim. Nga ana tjetër, Perëndimi po na tregon se pushteti, kështu siç e konceptojmë ne në këto kohë, nuk është zgjidhja, por vetë problemi. Në këto kushte nuk kemi pse të shpikim dhe as të vazhdomë të kërkojmë para nga Perëndimi që t’i harxhojmë ne këtu në mënyrë sovrane pa e vrarë mendjen se çfarë sistemi po ndërtojmë. Na duhet thjesht një EULEX. Na duhet edhe ne një EULEX që të na mësojë shtetin, rregullin dhe të na rikthejë besimin se një ditë do të kemi një pushtet më të sinqertë e më të drejtë nga ky i sotmi. Na duhet një EULEX që të arrestohet qoftë edhe për 24 orë zyrtari dhe politikani, siç ndodh me shkelës të zakonshëm të ligjit. Na duhet një EULEX që t’i zbatojë ligjet që shkruhen në letër. Mendoni se sa milionë pasuri do të ishin sekuestruar vetëm në radhët e politikanëve nëse do të zbatohej ligji Antimafia, që u reklamua me bujë të madhe vetëm një vit më parë. Na duhet një EULEX që t’i kthejë vlerën fjalës, duke ndëshkuar këdo që abuzon me të. Ka ardhur koha që më shumë sesa tokat, rrugët, minierat apo pasuritë natyrore, të koncesionojmë edhe pushtetin, në radhë të parë atë të drejtësisë. Pa asnjë lloj ndrojtje duhet ta pranojmë dështimin tonë dhe të kërkojmë ndihmën e duhur nga Perëndimi.
Gazeta Shqip
Shumë shumë e vërtetë dhe shumë shumë e saktë!
Shqipëria ka dështuar në vëndosjen e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe për rrjedhojë ai është krejtësisht i degjeneruar dhe i pabesueshëm.
Shqiptarët janë më të vërtetë të lodhur dhe të rraskapitur nga administrata e paaftë shqiptare e të gjitha niveleve dhe nga e gjithë ngrehina e drejtësisë!
Ndryshuar për herë të fundit nga DYDRINAS : 13-09-2010 më 13:18
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt