Stafi i Përfaqësueses së Turqisë në basketboll është shpërblyer për suksesin e arritur në kampionatin botëror "Turqia 2010", shkruan të martën mediat turke.
E mërkure 15 Shtator 2010
Përfaqësuesja e Turqisë ka fituar medaljen e argjendtë në këtë botëror, pasi në finale u mposht nga ekipi i SHBA-së. Me gjithë humbjen, ekipi turk ka marrë bonuse të mëdha nga Qeveria.
Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, pasi ka pritur ekspeditën e ekipit të Turqisë u ka bërë me dije se secili do të ketë nga një shpërblim "modest". Ai ka thënë se basketbollistët dhe stafi i Përfaqësueses së Turqisë do të marrin nga një milion dollarë për kokë, falë suksesit që kanë arritur. Krahas kësaj ata nga kryeministri Erdogan kanë marrë edhe 500 monedha të arit.
"Ju falënderoj në emrin tim personal dhe të mbarë popullit. Ky është suksesi më i madh për ne. Këtë sukses do t'ua shpërblej me çekun e firmosur", ka thënë Erdogan gjatë takimit me basketbollistët.
Përveç shpërblimit nga Qeveria turke, basketbollistët turq kanë marrë dhuratë edhe nga një shtëpi në vlerë prej 200 mijë eurosh nga një biznesmen i këtij shteti. Këtë e ka bërë të ditur edhe vetë pronari i kompanisë ndërtuese "Agaoglu Construction", Ali Agaoglu.
"Kjo nuk është asgjë në krahasim me suksesin e arritur. Këta basketbollistë i kanë sjellë gëzim popullit tonë dhe këtë sukses vetëm po ua shpërblejmë", ka thënë Ali Agaoglu.
Suksesin më të madh sporti i Turqisë e pati gëzuar në Kampionatin Botëror të futbollit në vitin 2002 kur ekipi turk pati zënë vendin e tretë.
Për presidentin e Federatës së Basketbollit të Turqisë, Turgay Demirel, kjo është arritja më e madhe në sportin turk.
"Ajo që kanë arritur basketbollistët tanë nuk ka asnjë çmim, por një përkrahje e tillë është motiv i madh për ekipin tonë", ka deklaruar Demirel. "Ky do të jetë motiv për basketbollistët tanë edhe në të ardhmen, të cilët do të mundohen të përsërisin këtë sukses të arritur në këtë botëror".
Deri më tash suksesi më i madh i Përfaqësueses së Turqisë në basketboll ishte vendi i tretë i fituar në “Evropianin 2001”, po ashtu të mbajtur në Turqi. Tani ekipi ka shkuar një hap para.
Krijoni Kontakt