SITUATA NË MITROVICË E QETË
Situata në Mitrovicë të dielen është e qetë pas incidenteve të mbrëmshme, që shpërthyen mes grupeve të serbëve dhe shqiptarëve, pas fitores së basketbollistëve të Turqisë kundër Serbisë....
Postuar: 12:01:32 / 12.09.2010
Ura mbi lumin Ibër është hapur për qarkullim. Ndërkaq EULEX-i konfirmoi plagosjen e një polici francez në këmbë, ndërsa mediat serbe flasin për 4 serbë të lënduar.
Dënohet dhuna në Mitrovicë
Nga Express më 12.09.2010 në ora 11:51
(E plotësuar)Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Erhard Buhler, ka dënuar ashpër përleshjet e dhunshme në Mitrovicë, ndërsa ka bërë edhe një herë me dije se KFOR-i nuk do të tolerojë dhunën dhe se do të përkujdeset për një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët.
Policia mbrëmë vonë përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë grupet e serbëve dhe shqiptarëve që hodhën gurë mbi njëri tjetrin pas humbjes së Serbisë nga Turqia në kampionatin botëror të basketbollit.
Gjuajtjet me gurë filluan kur grupe shqiptarësh të rinj nisën të kremtojnë fitoren e Turqisë ndaj Serbisë, ndërsa grupet e serbëve ishin mbledhur për të ndjekur ndeshjen e basketbollit në kafenetë në afërsi të urës mbi lumin Ibër që shënon edhe vijën ndarëse të qytetit.
Një pjesëtar i EULEX-it është plagosur gjatë përleshjeve ndërmjet grupeve të shqiptarëve dhe serbëve në Mitrovicë, por është jashtë rrezikut për jetën.
“Policit të lënduar të EULEX-it, shokëve tanë të KFOR-it dhe qytetarëve të pafajshëm të lënduar u dëshiroj shërim të shpejtë. KFOR-i nuk do të toleroj kurrfarë dhune në Kosovë dhe unë kërkoj që popullata e Kosovës të ndihmojë në arrestimin e ngatërrestarëve”, thuhet në reagim, transmeton Kosovapress.
Erhard Buhler ka shprehur zotimin e KFOR-it për të reaguar në çfarëdo situate në bashkëveprim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in dhe të ndërmarrë masa të duhura në mënyrë që të mbajë ambient të qetë dhe të sigurt.
Informohet se pjesëtarë të policisë së Misionit të Bashkimit Evropian dhe të forcave paqeruajtëse të NATO-s janë vendosur në urën kryesore dhe situata është vënë nën kontroll.
Qyteti verior i Mitrovicës i ndarë në dy pjesë, në veriun me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare, vazhdon të jetë skenë e tensioneve të larta dhe ndarjeve të thella etnike.
Kërkohen hetime për incidentin në Mitrovicë
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dënon incidentin e mbrëmshëm në Mitrovicë, ku si pasojë e hedhjes me gurë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, ka pasur disa të lënduar, ndërkaq i bën thirrje qytetarëve të Mitrovicës që të tregohen të matur dhe të mos bien pre e provokimeve.
Në një komunikatë për media të dielën, theksohet se Ministria e Punëve të Brendshme vlerëson punën profesionale të bërë nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i në vënien nën kontroll të situatës dhe parandalimin e përshkallëzimit të saj.
MPB dënon fuqishëm lëndimin e një pjesëtari të Policisë së EULEX-it, të cilit i dëshiron shërim të shpejtë, ndërkaq kërkon hetim të plotë të rastit dhe vënien para organeve të drejtësisë të të gjithë atyre personave që kanë iniciuar një incident të tillë.
Ministria e Punëve të Brendshme fton të gjithë qytetarët e Mitrovicës të mos bien pre e provokimeve të grupeve të organizuara kriminale, të cilët janë të pakënaqur me zhvillimet e fundit politike në vend.
“Policia e Kosovës në koordinim më EULEX-in dhe KFOR-in, nuk do të tolerojnë provokime të tilla, si ai i mbrëmshëm në Mitrovicë dhe ndaj çdo kërcënimi të rendit publik do të veprohet me vendosmëri”, përfundon komunikata.
Situatë e qetë në Mitrovicë, hapet ura mbi lumin Ibër
Situata në Mitrovicë është e qetë pas incidenteve të mbrëmshme, që shpërthyen pas takimit të basketbollit Turqi – Serbi.
Ura mbi lumin Ibër është hapur për qarkullim, ndërsa në afërsi të saj, në udhëkryqe dhe në vendbanimet shumetnike në veri hetohet prani e shtuar e policisë dhe KFOR-it.
Mediat serbe kanë raportuar se nga 4 serbët e lënduar për shërim në spital është mbajtur vetëm M. Radovanoviq, që tash ndihet mirë, ndërsa të tjerët janë lëshuar.
Ndërkohë, zëdhënësja e EULEX-it, ***** Lindal, ka deklaruar se në mesin e të lënduarve është edhe një polic francez që është goditur në këmbë.
Krijoni Kontakt