Pas tokës, detit, ajrit dhe hapësirës, lufta ka hyrë në dimensionin e pestë: hapësirën kibernetike. Presidenti Obama e shpalli infrastrukturën dixhitale të SHBA "trashëgimi nacionale strategjike" dhe emëroi Howard Schmidt, ish-kreu i sigurisë në Microsoft, përgjegjës për sigurinë informatike. Në maj, Pentagoni ngriti Cyber Command (Cybercom), të udhëhequr nga Gjenerali Keith Alexander, drejtor i National Secusity Agency (NSA). Mandati është që të kryejë operacione në të gjithë terrenin për të mbrojtur rrjetet ushtarake amerikane dhe për të sulmuar sistemet e vendeve të tjerë. Si, dhe sipas cilave rregulla, ky është sekret?
Edhe Britania e Madhe ka krijuar një strukturë për sigurinë informatike dhe një "qendër operative" brenda ekuivalentit britanik të NSA. Kina flet për lufta të informatizuara deri në vitin 2050. Shumë vende të tjera, mes të cilëve Rusia, Izraeli dhe Korea e Veriut po organizohen për luftën kibernetike. Irani thotë se ka ushtrinë e dytë kibernetike më të madhe në botë. Si do të jetë kjo luftë?
Richard Clarke, ish-pjesëtar i stafit të Shtëpisë së Bardhë i ngarkuar me antiterrorizmin dhe sigurinë kibernetike, në librin e tij të fundit thotë se mjaftojnë 15 minuta për të provokuar një katastrofë. Disa defekte informatikë paralizojnë sistemet ushtarake të postës elektronike, rafineritë dhe naftësjellësit shpërthejnë, sistemet e kontrollit të trafikut ajror pësojnë kolaps, trenat dalin nga shinat, të dhënat financiare marrosen, rrjeti elektrik në lindje të SHBA prishet krejt, satelitët dalin jashtë kontrolli. Në pak kohë, shoqëria shkërmoqet, ndërkohë që ushqimi bëhet i pamjaftueshëm dhe paratë mbarojnë. Dhe më e keqja nga të gjitha, identiteti i agresorit mbetet mister. Mike McConnell, ish-drejtues i shërbimeve të fshehtë, thotë se efektet e një lufte kibernetike janë të ngjashëm me ata të një sulmi bërthamor. Dhe shton se kjo luftë ka nisur tashmë "dhe amerikanët po e humbasin". Sipas Schmidt, nuk ka asnjë luftë. Bruce Schneier, guri i sigurisë informatike, e akuzon Clarke për alarmizëm. Hapësira kibernetike do të jetë me siguri pjesë e luftave të ardhshme, thotë ai, por një sulm apokaliptik kundër SHBA është teknikisht i vështirë ("material për kinematografi"), përveç se në kontekstin e një lufte të vërtetë, kur agresori do të ishte i identifikueshëm.
Forcë SHKATËRRUESE
Për zyrtarët e lartë të informatikës, është bekim dhe në të njëjtën kohë mallkim. Bomba drejtohen me satelitë gps, avionët pilotohen në distancë nga ana tjetër e botës, avionët gjuajtës dhe anijet e luftës janë shndërruar në qendra të mëdha përpunimi të dhënash. Edhe ushtarët e këmbësorisë përdorin instrumente telekomunikacioni. Por një rrjet gjithnjë e më pak i sigurtë rrit rrezikun e sulmeve informatikë. Dhe rritja e varësisë nga kompjuterët rrit forcën shkatërruese të këtyre sulmeve.
Refleksione të rëndësishëm mbi problemet taktikë dhe ligjorë të lidhur me luftën informatike janë duke u zhvilluar në një ish-kazermë sovjetike në Estoni, që sot është qendër e krijuar nga NATO. Struktura është ngritur si reagim i asaj që u njoh "si lufta e parë e rrjetit", një sulm i studiuar për të bllokuar serverët e qeverisë, të mjeteve të informimit dhe bankave estoneze. U provokua në vitin 2007 prej vendimit për të hequr nga qendra e Talinit një memorial të epokës sovjetike.
Më shumë se konflikt ishte një revoltë, por në ato ditë Estonia praktikisht u detyrua të shkëputet nga interneti. Sulme të ngjashëm u përsëritën gjatë luftës mes Rusisë dhe Gjeorgjisë në 2008. Dhe ishin edhe më shqetësues, sepse dukeshin të koordinuar me përparimin e trupave ruse. U nxorën jashtë përdorimi faqet e internetit të qeverisë së tbilisit dhe mjetet e informimit, si dhe u prishën linjat telefonike, duke i hequr mundësinë Gjeorgjisë që të informojë jashtë vendit në lidhje me situatën. Siti i presidentit Saakashvili u transferua në një server amerikan, në gjendje të përballonte sulmet. Në ndihmë të Gjeorgjisë erdhën edhe disa ekspertë estonezë. Shumë mendonin se sulmet porositeshin nga Kremlini. Por hetimet çuan vetëm deri tek disa hacker-a rusë. Veç kësaj, shumë prej kompjuterëve përgjegjës e kishin vendndodhjen në vende perëndimorë. Por ka probleme më kompleksë. Sulmi informatikë kundër Estonisë, një vend që është pjesë e NATO-s, duhet të konsiderohet agresion i armatosur? Atëherë, a duhej të mbronte NATO Estoninë? Dhe ndihma e Talinit për Gjeorgjinë, që nuk është pjesë e NATO, a mos rrezikoi të tërheqë në luftë Estoninë dhe bashkë me të edhe NATO-n? Pyetje të tilla karakterizojnë diskutimet mbi "konceptin e ri strategjik" të NATO-s, që do të adoptohet në fund të 2010.
Në maj, një grup ekspertësh të udhëhequr nga ish-Sekretarja e Shtetit e SHBA, Madeleine Albright, konkludoi që sulmet informatikë janë mes kërcënimeve më të mundshëm ndaj aleancës. Sulmi i radhës "mund të vijë nga një kabull në fibër optike" dhe mund të jetë kaq serioz sa të meritojë një reagim të bazuar në klauzolat e mbrojtjes reciproke të parashikuara në Traktatin e Aleancës së Atlantikut.
Krijoni Kontakt