Prishtinë, 11 shtator – Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa posedon pesë biznese, ndërsa ka edhe biznese të paregjistruara.
Djali i kryetarit të Prishtinës, Besnik Mustafa, në fillim të qershorit të këtij viti ka hapur agjencinë e udhëtimeve Prime Travel, e cila ndodhet në rrugën “Rexhep Mala” në “Bregun e Diellit”. Por, ai nuk ka marrë licencën nga MTPT-ja, për transport të udhëtarëve, madje as që ka aplikuar, shkruan gazeta Express.
Zëdhënësi i MTPT-së, Xhevdet Pozhari, ka thënë se sapo të shkojë lënda e kompanisë në fjalë në procedurë, ministria do të marrë masa. “Në çdo rast ku paraqiten shkelje, ministria jonë merr masa në bazë të neneve në fuqi, pa marrë parasysh se kush vepron në atë kompani”, ka thënë ai.
Ndërkaq, djali i Isa Mustafës thotë se agjencia e tij është kompani shërbyese, andaj nuk i është nevojitur licenca.
Ndryshe, ky nuk është biznesi i vetëm i familjes Mustafa. Me rastin e deklarimit të pasurisë, Isa Mustafa kishte deklaruar katër biznese. Ai ka aksione në këto kompani: 49 për qind të aksioneve në kompaninë Makcar, 20 për qind në Universitetin Riinvest, 1.6 për qind në klubin e futbollit Prishtina, si dhe është aksionar me pesë për qind të aksioneve në Intereuropa Kosova L.L.C.
Në kompaninë Makcar, me të cilën është përfaqësues për Kosovë i makinave BMW, Mustafa ka 49 për qind të aksioneve që, sipas Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, paraqet shkelje. Në njërin nen të këtij ligji thuhet se zyrtari nuk duhet të ketë më shumë se 20 për qind të aksioneve në një kompani. Nëse personi zyrtar është aksionar me më shumë se kjo përqindje, automatikisht detyrohet t’i bartë këto aksione te një person i besuar, por jo te dikush i afërm. Në të kundërtën, vjen deri te më keqja, pasi që ai duhet të japë dorëheqje.
Për këtë veprim të Mustafës, Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit është duke e hetuar atë, nën dyshimin se ka shkelur ligjin dhe si bazë për hetim është deklarimi i pasurisë.
Krijoni Kontakt