Lobim kundër rezolutës serbe
Hillary Clinton dhe William Hague e kanë marrë personalisht mbi supe lobimin kundër rezolutës serbe rreth Kosovës, për të cilën do të debatohet në sesionin e ardhshëm të Asamblesë Parlamentare të Kombeve të Bashkuara, që mbahet në shtator.
Gazeta beogradase “Blic”, duke iu referuar burimeve diplomatike, shkruan në numrin e sotëm se sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton dhe ministri i Jashtëm britanik, William Hague, u kanë dërguar letër liderëve të mbi 50 vendeve, ndër to edhe atij kinez, me të cilën kërkojnë që të mos e votojnë rezolutën serbe.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me kërkesë të Serbisë, thuhet në letër, ka shqyrtuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe ka konstatuar se ajo nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, prandaj votimi pro kësaj rezolute do ishte fare i pakuptimtë.
Në këtë letër thuhet po ashtu se “rezoluta duhet të mos aprovohet edhe pëër faktin se e ardhmja e të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë, është në Bashkimin Evropian”.
Pos sekretares së Shtetit Clinton dhe ministrit të Jashtëm Hague, në lobim kundër rezolutës serbe janë aktivizuar edhe ministri i Jashtëm i Francës dhe ai i Arabisë Saudite.
Beogradi, sipas gazetës ”Blic”, ka arritur të marrë mbështetjen e 50 shteteve, të cilat kanë premtuar se do ta votojnë rezolutën serbe, ndërkaq SHBA-të, Franca, Britania e Madhe dhe Arabia Saudite kanë marrë premtimin e 65 vendeve se do të votojnë kundër kësaj rezolute.
Në anën tjetër një numër i madh vendesh kanë bërë të ditur se nuk do ta votojnë rezolutën, por as nuk do të jenë kundër, shkruan në numrin e sotëm gazeta e serbe. /Telegrafi/
Krijoni Kontakt