Jo ferexhe. Po shami. Praktikantet e besimit mysliman e fituan dje betejën me kartat e reja të identitetit në Shqipëri. Ndonëse një ditë më herët Ministria e Punëve të Brendshme dhe Çështjeve të Pushtetit Vendor, shprehte vendosmërinë për të mos bërë asnjë hap prapa në këtë drejtim, dje, zyrtarë të saj lanë të kuptohet se e kanë shpenzuar natën për të gjetur një model perëndimor sesi është zgjidhur kjo çështje. Dhe përgjigja ka ardhur nga një vend shembull për rregullin dhe disiplinën: Gjermania. Anëtarët e komunitetit të madh islamik në vendin tonë, i dërgojnë besimtaret e tyre që të aplikojnë për dokumente identifikimi pa e hequr shaminë, e cila për disa ditë me radhë hapi një debat etik mes qarqeve religjioze dhe atyre shtetërore në Shqipëri.
Ditën e djeshme, pasi kanë konsumuar mbledhjen me dyer të mbyllura me këshillat e xhamive të Tiranës, krerët e Komunitetit Mysliman zhvilluan një takim me zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të caktuar për mbarëvajtjen e procesit të pajisjes së popullatës me letërnjoftime të reja. Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Hafiz Selim Muça, është pritur në mesditë nga zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, këmbëngulja e të cilit se nuk ka asnjë model ndërkombëtar që lejon fotografimin me shami, i habiti shumë prej besimtarëve. Në të vërtetë, modelet ekzistonin. Mbetet dyshimi se thjesht zoti Poni s'kishte kompetencën e duhur dhe as informacionet që i nevojiten një zyrtari që bën dalje publike për çështje të natyrës erudite.
Në takim, sidoqoftë, është rënë dakord që besimtaret myslimane të mos zbulojnë kokën gjatë fotografimit që do t'u bëhet në momentin e aplikimit për pajisjen me karta identiteti. Zëvendësministrit iu shpjegua për disa orë rresht dallimi midis ferexhesë që mbulon krejt fytyrën e besimtares dhe shamisë, që izolon thjesht ekspozimin e flokëve të saj. Pas kësaj, zoti Poni tha se do të respektohet e drejta e besimit dhe liritë e shtetasve, duke lejuar pozimin me shami për kartat e identitetit të grave myslimane, duke respektuar kushtet teknike të kërkuara. Për fotografimin e vajzave dhe grave me shami, palët kanë rënë dakord që të përdoret modeli gjerman. Ky model lejon që balli i personit që aplikon të jetë i hapur dhe jo i mbuluar nga shamia. Marrëveshja midis palëve e ka qetësuar hierarkinë e Komunitetit Mysliman, i cili ditët e fundit mendonte, madje, t'u drejtohej organeve gjyqësore për zgjidhjen e kësaj çështjeje të natyrës etike.
Debati për heqjen e shamisë lindi dy ditë më parë, kur zëvendësministri i Brendshëm Poni, vendosi me iniciativë që të gjitha stacionet e aplikimit për karta identiteti në Tiranë, të mos lejonin besimtaret myslimane të fotografoheshin me shami në kokë. Deklarata i zemëroi krerët e Komunitetit Mysliman, që e cilësuan urdhrin si shkelje të lirisë së besimit dhe të simboleve të tyre fetare. Ndonëse shumë qytetarë deklarojnë si origjinë të tyren fetare islamizmin, një pjesë prej tyre konsiderohet si praktikante e të gjitha riteve të këtij besimi dhe krerët e këtij besimi në Tiranë, nisën t'i këshillonin ata që ta evitonin aplikimin për marrjen e kartave të identitetit, nëse ai do t'u kërkonte sakrifica kaq të dhimbshme si heqja e shamisë për femrat. Mbrojtës të idesë se liria fetare prevalon mbi kriteret e kartave të identitetit, iu referuan neneve 10 dhe 24 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku flitet mbi lirinë e besimit, si edhe praktikave perëndimore që e zgjidhin çështjen e mbajtjes së shamisë në kartat e identitetit, pa i kushtëzuar besimtarët të zbulojnë kokën.
Elbasani kërkon ujdi
Përveç Tiranës, ku ndodhen institucionet kryesore të doktrinës islame në Shqipëri, edhe në Elbasan, një qytet i themeluar në epokën otomane dhe me traditë në kultivimin e këtij besimi, ka pasur diskutime këto ditë rreth çështjes së ferexheve në kartat e identitetit. Myftiu i këtij qyteti, Agim Duka, tha se gratë myslimane duhet të lejojnë të fotografohen pa perçe, por ai këmbënguli se "pa ferexhe" nuk do të thotë "pa shami" dhe se ka një dallim mes këtyre dy koncepteve. Duke aluduar për një paralelizëm mes Shqipërisë dhe këtyre vendeve, ai tha se ky problem është i zgjidhshëm, siç kanë bërë edhe "vende të tjera myslimane". Myftiu Duka, rrëzoi pretendimin se shamia përbën problem për kartën e identitetit. "U kërkoj të gjithave besimtareve myslimane që të mos aplikojnë me perçe, por as të heqin shamitë nga koka. Nuk po kërkoj që të zbulohet koka, pasi vetëm shamia është ajo që përfaqëson femrën myslimane, por për fytyrën zbulimi është i lejueshëm", - tha Agim Duka. Në mesazhin e saj, myftinia e Elbasanit tha se nuk ka ndërmend që të shkelë ligjet e Republikës dhe shprehu besimin se në këtë drejtim nuk do të ketë probleme me besimtarët myslimanë. Në qytetin e Elbasanit, sidoqoftë, nuk rezulton ndonjë numër i lartë i femrave të mbuluara në pjesën e fytyrës. Grupi më i madh besimtareve që aplikojnë mbulimin e fytyrës, ose ndryshe perçen, jeton në qytetin e Cërrikut, thonë zyrtarët myslimanë në rrethin e Shqipërisë Qendrore. Myftiu Duka tha se, as me këtë komunitet nuk do të ketë probleme të kësaj natyre, pasi çdo besimtar do të tregohet i gatshëm dhe do të zbatojë ligjet, por gjithmonë duke rënë në ujdi për mbajtjen e shamisë.
Fitore edhe për kësulat e mjekrat
Marrëveshja midis Komunitetit Mysliman shqiptar dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, për mbajtjen e shamive gjatë fotografimit për karta identiteti, nuk do t'u vijë në ndihmë vetëm grave dhe vajzave myslimane, por edhe burrave që mbajnë kësulën tradicionale islame, të cilët kanë hasur probleme të shumta gjatë aplikimit. Rasti më i fundit, nga ku ka lindur më tej i gjithë debati, është ai i ndodhur 3 ditë më parë, kur një nga besimtarët myslimanë, i paraqitur për të kryer procesin e aplikimit për kartë identiteti në një nga njësitë bashkiake në kryeqytet, nuk është lejuar të japë të dhënat, pasi mbante në kokë kapuçin tradicional, që përkon me ritet fetare myslimane. Tashmë, me paktin e fundit, gjithçka duket të jetë e zgjidhur, ndërsa nga dita e sotme e në vazhdim, besimtarët nuk do të kushtëzohen të heqin dorë nga simbolet fetare për të kryer procedurat e kartës së identitetit. Problemi është i zgjidhur edhe për besimtarët që mbajnë mjekër, të cilët do të bëjnë fotografi si gjithë të tjerët, pa frekuentuar ndonjë berber para se të pozojnë.
Krijoni Kontakt