
Postuar më parë nga
Albo
Privatizimi i ish-Ekspozitës, PS: Nesër faktet korruptive
TIRANE- Partia Socialiste deklaron se disponon fakte të cilat vërtetojnë, sipas saj, se godina Ish ekpozita 'Shqipëria sot' është futur në „një proces privatizimi korruptiv për qëllime përfitimi personal e familjar dhe aspak shtetëror. “
Deputeti socialist Eduard Shalsi akuzoi sot nga selia rozë si të përfshirë në këtë privatizim “ministrin e Bujqësisë, ish ministrin e Energjetikës Genc Ruli si dhe njerëz afër kryeministrit Berisha”.
Sipas tij për të kryer këtë privatizim janë prishur arbitrarisht kontratat me subjektet që kishin marrë ligjërisht ambientet e kësaj godine me qera, mes tyre tha Shalsi dhe “Top Channel, televizioni kombëtar që është vënë në presionin për të dalë jashtë pavarësisht se me kontratë të rregullt shumëvjecare me shtetin“.
“Këta njerëz- vazhdoi deputeti socialist- me funksione zyrtare ose jo, i kanë diktuar qeverisë shqiptare të gjithë praktikën e këtij privatizmi, duke e detyruar të prishë arbitrarisht kontratat me subjektet që kishin marrë ligjërisht me qera mjediset e ish-Ekspozitës Shqipëria”-
Shalsi i kërkoi Rulit që në vend të heshtjes t’i përgjigjet sot pyetjeve të bëra dje për të dhënë sqarime për privatizimin dhe prishjen e kontratave, në të kundërt nesër “ne do të fillojmë ekspozimin e fakteve që provojnë se privatizimi i ish-Ekspozitës Shqipëria Sot është një proces i korruptuar nga njerëz me funksione ose jo pranë Sali Berishës dhe Genc Rulit.”
Shalsi thotë më tej se nga ky arbitraritet korruptiv qeveria do të përballet dhe me prishjen e njëanshme të kontratës të cilat kanë penalitete financiare dhe që do të paguhen me paratë e shqiptarëve.
Opozita e ka fokusuar aksionin opozitar tek denoncimi i skandaleve qeveritare. Kështu fillimisht, deputetët e PS-së akuzuan deputeten Albana Vokshi, më pas ministren Majlinda Bregu dhe së fundi deputeten Rajmonda Bulku, për përfitime të bashkëshortëve të tyre nga pushteti i deputeteve.
Pyetjet drejtuar Rulit
"Përse u prish përpara çdo afati dhe në mënyrë të njëanshme nga ju, kontrata e shtetit me subjektet private, që kishin marrë hapësira me qira në mjedisin e ish-ekspozitës "Shqipëria Sot", përfshirë këtu dhe kontratën me televizionin kombëtar Top-Channel?".
A ka takuar investitorë që kanë qenë të interesuar për këtë privatizim, apo ke vepruar i shkëputur nga interesat private të njerëzve e familjarëve të kryeministrit apo zyrtarëve të tjerë të lartë të qeverisë?.
A ka vallë, zoti Ruli, familjarë ose njerëz të tjerë të lidhur me ju, kryeministrin apo funksionarë të tjerë të lartë, që kanë qenë të interesuar për të përfituar drejtpërdrejt nga ky privatizim, duke ju shtyrë të prishni në mënyrë të njëanshme kontratën për dhënien me qira të ish-ekspozitës 'Shqipëria Sot'?"
A është në dijeni të procesit të vlerësimit të truallit të ish-ekspozitës dhe të zonës përreth dhe, a e konsideroni këtë një proces transparent, të drejtë e të ndershëm?".
Balkanweb
Krijoni Kontakt