INAUGUROHET KATEDRALJA NËNA TEREZË NË PRISHTINË
Në Prishtinë u mbajt ceremonia e inaugurimit të Katedrales Nëna Terezë, ku morën pjesë personalitete të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare....
Postuar: 01:11:32 / 04.09.2010
Kreu i Kishës katolike në Kosovë Imzot Dodë Gjergji tha me këtë rast se qëllimi i vetëm i katedrales është drejtimi i njerëzve kah Zoti, në forcim të shtetit, paqes dhe tolerancës.
Kreu i vendit Fatmir Sejdiu, duke cituar ish presidentin e Kosovës Ibrahim Rugovën, tha se Katedralja do të jetë në shërbim të paqes dhe bashkimit mes shqiptareve .
Ndërsa i deleguar special i Vatikanit, Imzot Zef Gashi duke folur në nderim të humanistes shqiptare, tha se përurimi është një ngjarje e madhe shpirtërore për shqiptarët.
Hapja solemne e dyerve të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë është shoqëruar edhe me aktivitete tjera në nderim të Nënës Terezë, që është shpallur personaliteti i shekullit XX.
Në ceremoninë inauguruese të Katedrales morën pjesë edhe zyrtarë tjerë të lartë vendorë e ndërkombëtarë në Kosovë, përfaqësues të subjekteve politike e fetare.
Katedralja “Nëna Terezë” në Prishtinë është ndërtuar sipas konceptit që kanë dhënë dy ideatorët kryesor të saj, ish presidenti Ibrahim Rugova dhe ish Ipeshkvi, imzot Mark Sopi. Si arkitekturë ajo i takon stilit neo-romanik të shekullit të XVI, ndërsa është projektuar nga Shoqata e arkitektëve të Romës.
Gur-themeli i saj u vendos më 26 gusht 2005 , nga Presidenti Rugova dhe Ipeshkvi Mark Sopi, në vitin e lumturimit të Nënës Terezë. Ndërtimi filloi më 5 shtator 2007.
Krijoni Kontakt