Ferizaj, plagosen tre nxënës
Tre nxënës janë plagosur paraditen e së hënës në Gjimnazin "Kuvendi i Arbërit" në Ferizaj. Personi i dyshuar, i cili nuk është nxënës i shkollës, ndodhet në arrati.
Policia ka konfirmuar se rasti ka ndodhur rreth orës 8.50, pas përfundimit të orës së parë mësimore. Me të marrë lajmin, në vendngjarje kanë dalë njësitet policore, të cilat kanë marre vesh se bëhet fjalë për një tentimvrasje.
Zëdhënësi rajonal i policisë, Agim Gashi, tha se nga hetimet preliminare dyshohet se personi i dyshuar ka shtirë në nxënës duke plagosur tre prej tyre. "Të tre nxënësit janë jashtë rrezikut për jetë, ndërsa njëri prej tyre është më rëndë i plagosur. Të tre këta kanë marrë plagë në pjesën e poshtme të gjymtyrëve", theksoi Gashi, për të shtuar se i dyshuari është i njohur për policinë.
Policia nuk ka bërë të ditur motivet e rastit, por ka thënë se i dyshuari nuk ka qenë nxënës i kësaj shkolle. Jozyrtarisht mësohet se nxënësit e plagosur janë, G. Rama 15-vjeçare, A. Hashani, 15-vjeçar dhe A. Rama 15-vjeçar.
Rastin e ka dënuar edhe drejtoria e shkollës, duke thënë se ky rast i rëndë duhet dënohet nga të gjithë dhe kryesi i sulmit të nxirret para drejtësisë.
Drejtori i Gjimnazit "Kuvendi i Arbërit ", Ali Azemi, gjatë përshkrimit të ngjarjes, ka thënën se personi i dyshuar i është bashkuar turmës së nxënësve të tjerë dhe ia ka dalë që të futet deri te lokali i paraleles X-12, me ç'rast edhe e ka kryer ketë veprim.
"Bëhet fjalë për një rast të rëndë plagosjeje nga një person që nuk është pjesë e kësaj shkolle, për ta vazhduar shkollimin e mesëm dhe bëhet fjalë për një nxënës të shkëlqyeshëm", theksoi Azemi.
Këtë ngjarje të pazakontë e ka dënuar edhe këshilltari i Ministrit të Arsimit, Nehat Mustafa. Ai ka thënë se bëhet fjalë për një rast që më parë nuk ka ndodhur në shkollat tona, ndërsa ka kërkuar rritjen e kujdesit sidomos në hyrje të shkollave.
"Rasti si i tillë është i rëndë. Në çdo fillim vit nëpër shkolla krijohen tollovi dhe këtë e shfrytëzojnë edhe ata që nuk janë pjesë të shkollave. Kërkoj nga drejtorët e shkollave që të kenë kujdes, sidomos tash kur shkollat frekuentohen shumë nga njerëzit", tha Mustafa.
Policia është duke punuar në kapjen dhe zbardhjen e këtij rasti. Kurse tre nxënësit e plagosur ndodhën për kurim, dy në Ferizaj dhe një në QKU në Prishtinë.
Hoxhaj e dënon rastin
Plagosjen e tre nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj të hënën e ka dënuar edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, gjatë një vizite që i bëri Ferizajt, duke e cilësuar këtë ngjarje si një lajm jo të mirë për Kosovën.
“Lajm që edhe mua si ministër më ka prekur. Bashkëpunëtorët e mi po e përcjellin gjendjen nga afër. Sipas informatave tona, ishte një situatë konfliktuoze e krijuar jashtë objekteve shkollore para disa javëve, por i cili u bart brenda objektit shkollor”, ka thënë Hoxhaj.
Ai tha se ky është akt tejet i dhimbshëm dhe shumë i rëndë për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës. /express/
Lajmi nga Klan Kosova:
Krijoni Kontakt