Qeveria shqiptare ka vendosur t’u japë falas tekstet shkollore fëmijëve të minoritetit grek e maqedonas, por jo të gjithë familjeve shqiptare, e së paku komunitetit romë e egjiptian, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve që jetojnë në varfëri ekstreme. Pa përmendur këtu faktin se librat e kësaj kategorie fëmijësh (minoriteteve) kushtojnë plot 15 mijë lekë të reja një copë, krahasuar me një çmim mesatar prej 400 lekësh që kushtojnë librat për fëmijët shqiptarë.
Këshilltari i ministrit të Arsimit, Jovan Kristiqi, ka thënë për “Gazetën Shqiptare” se ky vendim është marrë në bazë të rekomandimeve të ndërkombëtarëve, dhe nuk merr në konsideratë kriterin ekonomik.
Sipas tij, në Shqipëri ndjekin arsimin parauniversitar 700 fëmijë të këtyre komuniteteve dhe nëse do të bënim një llogari të thjeshtë, një fëmijë ka mesatarisht 10 libra, shtetit shqiptar vetëm për një nxënës duhet të harxhojë 150 mijë lekë të reja, ndërsa për 700 nxënës kostoja është 105 milionë lekë të reja. I pyetur nëse i njëjti veprim do të bëhet dhe për komunitetin rom dhe egjiptian, Kristiqi shprehet se ata do të trajtohen njësoj si të gjithë familjet e tjera shqiptare.
“Nëse figurojnë në listat e bashkive e komunave si familje që nuk kanë të ardhura, atëherë do të përfitojnë nga skema e rimbursimit”, tha ai. Por, përfaqësuesit e komunitetit egjiptian, vendimi për rimbursimin 100 për qind të minoritetit grek dhe maqedonas është një diskriminim i hapur. Arjan Lile, presidenti i komunitetit egjiptian të Shqipërisë, shprehet se ata nuk kanë asgjë kundër minoriteti grek e maqedonas, por kërkojnë që edhe ata të trajtohen me këtë status.
Krijoni Kontakt