“Mbulesa e lë pa shkollë”
Viti i ri shkollor nuk ka filluar njëjtë me nxënësit tjerë edhe për Fatime Hajdarin, nxënëse e klasës së shtatë të shkollës fillore “Andon Zako Çajupi” në Mitrovicë.
Në të vërtetë prezenca e saj të mërkurën në hapësirat e kësaj shkolle me shami në kokë i ka kushtuar, pasi drejtuesit e shkollës i kanë kërkuar që të kthehet në shtëpi, me shpjegimin se në shkollë nuk mund të pranohet e mbuluar me shami në kokë.
Nexhmedin Hajdari, babai i Fatimes, tha se vajza e tij ka shkuar të mërkurën në shkollë, mirëpo drejtoresha e shkollës nuk e ka lejuar që ta vazhdoj mësimin, për shkak të shamisë së saj që mbante në kokë. Sipas tij, vajza gjatë pushimeve verore kishte vendosur vet që të mbulohet.
“Vajza ka vendosur të mbulohet me vetë dëshirë dhe nuk mund ta detyroj ta heqë shaminë”, u shpreh babai i Fatimes
Vetë Fatimja tregoi se si ishte kthyer nga shkolla, duke qarë dhe e mërzitur, për faktin se nuk i është lejuar t’i vazhdoj mësimet.
“Natyrisht kam dëshirë të madhe të shkollohem, si çdo fëmijë tjetër, por jam shumë e vendosur ta ndërpres shkollimin nëse nuk më lejohet që të shkoj në shkollë me shami”, ka thënë ajo.
Fatimja sqaroi se bashkë me babanë kanë shkuar për t’u ankuar edhe te zyrtarët komunalë të arsimit, por nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
“Na thanë se deri nesër ose pasnesër nuk mund t’u japim ndonjë përgjigje, sepse na duhet të flasim me Prishtinën”.
Ndërkaq, Melihate Meha, drejtoreshë në shkollën fillore “Andon Zako Çajupi” në Mitrovicë, nuk ka pranuar se e ka përjashtuar Fatime Hajdarin nga shkolla. Sipas saj, ajo ka biseduar me vajzën dhe prindin e saj, me të cilët është përpjekur të gjejnë një kompromis në lidhje me këtë çështje. Meha thotë se fjalën e fundit për këtë do ta japë drejtori i Arsimit në Mitrovicë.
Ali Bejta, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Mitrovicë, nuk ka dhënë ndonjë përgjigje të prerë në lidhje me rastin, duke thënë se është duke provuar të kontaktoj me Ministrinë e Arsimit në Prishtinë për të marrë një konfirmim për këtë çështje. /KosovaSot/
Krijoni Kontakt