Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim Tërnava, ka qëndruar në Mitrovicë
Tërnava kërkoi lirimin e pronave të BI-së
Myftiu Tërnava ka qëndruar në qytetin buzë Ibrit për të biseduar me drejtuesit e komunës për tri prona të BI-së, të cilat nuk mund t'i menaxhojë për shkaqe të ndryshme
"Bashkësisë Islame të Kosovës në të kaluarën sistemi komunist dhe okupatori serb ia kanë konfiskuar rreth 90% të pronave, por, fatkeqësisht, ka tendenca që këto prona t'i konfiskohen edhe paslufte", ka thënë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim Tërnava, në një takim që ka pasur me kryetarin e komunës Avni Kastratin dhe nënkryetarin Rizah Haziri gjatë vizitës së tij në Mitrovicë.
Tërnava ka qëndruar në qytetin buzë Ibrit për të biseduar me drejtuesit e komunës për tri prona të BI-së, të cilat nuk mund t'i menaxhojë për shkaqe të ndryshme. Myftiu Tërnava i ka thënë kryetarit Kastrati se fjala është për pronën afër hekurudhës, e cila ende shfrytëzohet nga një kompani private, por e cila evidentohet si pronë e Kuvendit të Komunës, e që sipas tij tjetërsimi është bërë në kohën e masave të dhunshme në Kosovë. "Prona e lartëpermendur deri në vitin 1997 ka qenë pronë e BI-së. Këtë e dinë të gjithë. Ka deshmi të bollshme si dhe dokumentacion të mjaftueshëm. Mirëpo, në vitin 1997 pushteti serb në mënyrë të paligjshme e ka bërë pronë të komunës, andaj ju lusim ju, si drejtues të komunës, të na ndihmoni në kthimin e kësaj prone", i ka thënë kryetarit Kastrati, myftiu Tërnava.
Tjetër problem Tërnava ka përmendur edhe pronën e BI-së në Iliridë, e një pjesë e së cilës është uzurpuar nga disa individë, dhe pronën afër stadiumit të qytetit, ku janë të vendosura kioskat nga ish-tregu i gjelbër, duke u bazuar në një marrëveshje mbi qiranë midis komunës dhe BI-së, të cilën BI-ja nuk është duke e marrë që 16 muaj.
Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, i ka thënë myftiut Tërnava se ai dhe komuna të cilën e drejton janë shumë të interesuara të bashkëpunojnë ngushtë me BI-në dhe t'i zgjidhin problemet e qytetarëve, pjesa dërrmuese e të cilëve i përkasin besimit islam.
Sa i përket pronës afër stadiumit të qytetit, kryetari Kastrati ka deklaruar se ashtu si edhe BI-ja edhe Komuna është e dëmtuar, sepse nuk merr asnjë cent nga shfrytëzuesit e kioskave. Ai ka shtuar se ka shumë probleme në lidhje me këtë, pasi kioskat janë tjetërsuar dhe me vështirësi identifikohen pronarët e tyre për t'i detyruar t'i paguajnë obligimet komunale, me çfarë komuna do t'ia lante borxhin BI-së. Por, kryetari Kastrati ka premtuar se lidhur me këtë çështje do të bëhët një zgjidhje nga e cila të tria palët do të ndahen të kënaqura.
Sa i përket pronës afër hekurudhës, kryetari Kastrati ka deklaruar se çështja është në gjykatë dhe se ai dhe komuna asnjëherë nuk i kanë bërë dhe nuk do t'i bëjnë presion gjykatës që të mos vendosë në bazë të dokumentacionit që ka BI-ja.
Ndërkaq, lidhur me pronat në Iliridë, kryetari Kastrati ka premtuar se do të bisedojë me pronarët që kanë uzurpuar pronën eventuale të BI-së.
Kastrati dhe Tërnava kanë biseduar edhe për mundësin e rindërtimit të xhamisë së Ibrit në cepin verior të urës kryesore, që gjatë luftës është rrafshuar me tokë nga ekstremistët serbë.
Myftiu Tërnava i ka thënë kryetarit Kastrati se për këtë çështje ka biseduar edhe me shefin e ICO-së, Pieter Feith dhe me përfaqësues të institucioneve të tjera ndërkombëtare, nga të cilat ka kërkuar rindërtimin e xhamisë aty ku ka qenë.
Sipas myftiut Tërnava, Feith i ka thënë atij se për rindërtimin e kësaj xhamie duhet edhe pëlqimi i komunitetit serb dhe se në këtë aspekt ka ende probleme, por, megjithatë, ai ishte shprehur se xhamia do të rindërtohet. /Epoka e Re/
Krijoni Kontakt