24-vjeçarja nga Shkodra do të veshë një kostum kombëtar të punuar nga “Victoria Secrets” me vlerë 6 mijë dollarë
Disa javë më herët ju treguam se Angela Martini në bazë të përvojës si modele me përmasa botërore është një nga kandidatet më të forta për të fituar titullin e “Miss Universe 2010”, dhe ja këto ditë mësojmë se bukuroshja shqiptare tashmë është favoritja kryesore e këtij spektakli, pasi pritet të futet në “Top 3” e nxehtë dhe ka shumë gjasa që të fitojë titullin e më të bukurës së Universit.
Ndërsa vite me radhë kurora e më të bukurës shkonte tek bukuroshet latino-amerikane, këtë vit si duket gjërat do ndryshojnë pozitivisht për shqiptarët. Vajzat, të cilat po na përfaqësojnë tek ky spektakël, po tregojnë një seriozitet të madh në punën e tyre. Gjatë javës që kaloi në Shtetet e Bashkuara është ngritur një debat mediatik pas publikimit të disa fotove provokative të realizuara nga Fadil Berisha, por që modele kishte vajzat konkurente në “Miss Universe”. Angela Martini është vajza që ka kapur majat e modës në New York. Ajo është shembulli i suksesit, kur “vullneti, kurajo dhe besimi në vetvete ekziston”, ka thënë modelja.
Nëna e saj, Nexhi Ibrahim Nussbaumer vazhdon të mbetet idhulli i Angelës. Ka lindur në Shkodër, ndërsa është rritur në Zvicër dhe tani jeton në New York, duke u bërë pjesë e agjencive më të rëndësishme të botës së modës. Angela shkoi në Zvicër kur ishte 9 vjeçe. Ëndrra e saj ishte gjithmonë që të bëhet modele. Kishte udhëtuar drejt Amerikës me bindjen se atje është vendi i suksesit të saj dhe po ia arrin qëllimit pasi spektakli “Miss Universe” si duket po i plotëson dhe një ëndërr tjetër bukuroshes. Nga burime të sigurta pranë stafit të spektaklit, mësojmë se Angela pritet që të rradhitet në “Top 3” e nxehtë në mesin e shumë bukurosheve nga mbarë bota. Martini tashmë ka zgjedhur edhe kostumin tradicional që do të paraqitet në sfilatë.
Ajo do të prezantohet me kostum kombëtar të punuar nga “Victoria Secret” të kombinuar me ngjyrat kuq e zi. Ky kostum ka kushtuar shumë, gjë për të cilën tregon dhe vetë Angela në një intervistë për mediat zvicerane. “Ka kushtuar një pasuri! Organizatorët e Miss Universe kanë paguar 6000 $ për të. “Për kostumin kuq e zi jemi frymëzuar nga flamuri shqiptar, kemi zhvilluar së bashku idenë”, thekson Martini, ndërsa shprehet shumë e kënaqur që mban veshur një model të “VS”, duke treguar se momentalisht është shumë e përqëndruar në spektaklin “Miss Universe”. Përveç familjarëve, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkrahje do t’i japin edhe disa miq zviceranë që jetojnë në New York si dhe një kushëri i saj që do të udhëtojë nga Belgjika. Më 24 gusht bukuroshja shqiptare merr avionin dhe niset për në Çikago ku pritet të pozojë për katalogun më të ri të firmës “Shopbop”, të cilët presin mbarimin e spektaklit.
Panorama
Faqja e Miss Universe - Albania
http://www.missuniverse.com/members/profile/468764
Krijoni Kontakt