Një herë e një kohë, na ishte një djalë energjik, i apasionuar, i gjallë, me njohuri të thella fetare dhe që e donte shumë Zotin e tij, ose të paktën, Zotin ashtu sic ai e kishte mësuar. E donte aq shumë, saqë ishte gati të persekutonte të gjithë ata njerëz që luftonin Zotin e tij, ose të paktën Zotin që ai kishte në mendjen e tij.
Një ditë, ndërsa ai kishte marrë autorizim për të kapur të gjithë ata që i kundërviheshin Zotit të tij dhe për t'i futur në burg, rrugës për në Damask vetëtin rreth tij një dritë e fuqishme nga qielli dhe ndërsa rrëzohet përtokë, dëgjon një zë që i thotë: "Saul, Saul, përse ......" Do doja ta lë të paplotësuar këtë për ta plotësuar pak më vonë. Më pas, ky djalë trim dhe i vendosur për të mbrojtur Zotin e tij, duke u dridhur nga frika thotë: "Kush je ti o Zot"? Dhe Zoti i tha: "Unë jam Jezusi që ......". Edhe këtu po e lë pa plotësuar fjalinë për ta plotësuar më poshtë.
Atëhere, çfarë i thotë Saulit zëri nga qielli? Do doja që përgjigjen ta mirrja nga persona që nuk e kanë lexuar ndonjëherë Biblën. Sepse të gjithë ata që e kanë lexuar, e dinë përgjigjen, megjithatë shumë nuk e kanë kapur thelbin e atyre fjalëve. Logjikisht Jeszusi duhet të kishte thënë: " Saul, Saul, përse po përndjek besimtarët e mi?" Apo, "... vëllezërit e mi", apo ".... miqtë e mi", apo "...ndjekësit e mi". Por jo, çuditërisht Jezusi nuk thotë asgjë nga këto. Ai thotë; "përse më përndjek mua" dhe më pas kur Sauli e pyet se kush është ai, Jezusi përgjigjet: "Unë jam Jezusi që ti e përndjek". E pabesueshme! Jezusi njëson veten e Tij me të krishterët, me ata që kanë besuar në Të.
Le të kthehemi pak në kohë dhe të shohim se çfarë tha Jesusi sa ishte në tokë në një nga shëmbëlltyrat e Tij. Ai tha që një ditë të gjitha kombet do të mblidhen para Mbretit dhe Ai do t'i ndajë njërin nga tjetri ashtu siç bariu ndan delet nga cjeptë. Dhe delet do t'i vërë në të djathtën e Tij ndërsa cjeptë në të majtën. Atëhere Mbreti do t'u thotë atyre që do jenë në të djathtën e Tij: "Ejani të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës. Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë, isha i huaj dhe më pritët, isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë. Atëhere të drejtët do t'i përgjigjen: "Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë, apo të etur dhe të dhamë për të pirë. Kur pamë të huaj dhe të pritëm apo të zhveshur dhe të veshëm? Kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm tek Ti?
Atëhere Mbreti u përgjigj: "Me të vërtetë po ju them, sa herë që ja keni bërë këtë gjë njërit prej këtyre vëllezërve të mi të vegjël, këtë ma bëtë mua".
E babesueshme, Jezusi po njëson përsëri veten e Tij me të tijët! E mahnitshme, Ai na ka bërë ne Krishtër të vegjël. Çdo gjë që ne i bëjmë vëllait apo motrës sonë, është njësoj sikur ja kemi bërë vetë Krishtit! Nëse duam vëllain apo motrën, kemi dashur Krishtin, nëse ngushëllojmë vëllain apo motrën kemi ngushëlluar Krishtin, nëse kemi ndihmuar vëllain apo motrën, kemi ndihmuar Krishtin, por nëse kemi lënduar vëllain apo motrën, kemi lënduar vetë Krishtin. Nëse kemi akuzuar vëllain apo motrën, kemi akuzuar vetë Krishtin, nëse kemi ofenduar vëllain apo motrën, kemi ofenduar vetë Krishtin.
Vëllezër dhe motra, a e shihni përgjegjësinë që Krishti na ka dhënë? Përveç privilegjit që na ka dhënë që ne të jemi Krishtër të vegjël, njëkohësisht kemi edhe përgjegjësinë ndaj vëllezërve dhe motrave tanë.
Oh Zot, na i hap sytë të mund të të shohim Ty në çdo vëlla dhe motër, sado i ndryshëm të jetë nga ne. Na lejo që t'u japim nga dashuri dhe vetëm dashuri që buron prej Teje. Na lejo që çdo gjë që i bëjmë një vëllai apo motre, ta bëjmë njësoj sikur të ta bëjmë Ty, o Krisht!
Krijoni Kontakt