Një plan të çuditshëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, tash ka lancuar presidenti i saj, Boris Tadiq, sipas portalit Press. Ai është quajtur “Autonomi nga 1 deri në 100”.
Sipas këtij plani, Beogradi është i gatshëm t’iu ofrojë shqiptarëve të zgjedhin vetë shkallën e autonomisë në një diagram nga 1 deri në 100, ku 100 do të thotë pavarësi.
Por, atë që do ta zgjidhnin shqiptarët, duhet ta fitojnë edhe serbët në veri të Kosovës. Ky është një pjesë e planit, të cilin Boris Tadiq e ka zbuluar në kampfushimin “Nashe Srbije” (Serbitë tona) në Tar.
Serbia, sipas portalit Press ka përgatitur propozimin për zgjidhjen e qëndrueshëm të statusit të Kosovës me titull “Autonomi nga 1 deri në 100”, që do t’ua propozojë vendeve perëndimore.
Sipas këtij propozimi, shqiptarëve do t’u ofrohet që vet të zgjedhin se në çfarë raportesh dëshirojnë të jetojnë me Serbinë, a duan autonomi më të gjerë apo të kenë shtetin e pavarur. Por, me një kusht: që serbët në veri të Kosovës të fitojnë të njëjtën gjë, zbulon Press.
Pikat kryesore të këtij plani, rastësisht ose jo, i ka zbuluar presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, gjatë qëndrimit në javën e kaluar në Tar, ku ka folur për mënyrën se si Serbia ka paraqitur propozimin e rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të KB.
“Ne natyrisht jemi të ndërgjegjshëm për faktin se 2 milionë shqiptarë të Kosovës, ndoshta nuk dëshirojnë të pranojnë rendin kushtetues të Serbisë, nga ana tjetër bota duhet të jetë e ndërgjegjshme për faktin se serbët në Kosovë nuk dëshirojnë të pranojnë çatinë sovrane të shtetit të ashtuquajtur Kosovë, dhe brenda kësaj kornize duhet të kërkojmë zgjidhjen që do të siguronte paqen dhe zhvillimin”, ka thënë Tadiq në Tar.
Bashkëbiseduesi i Pressit, nga kreu i pushtetit thotë se sipas këtij plani, Serbia kërkon që në fillim të negociatave për statusin e Kosovës të përcaktohet ajo për të cilën flet presidenti Tadiq.
“Propozimi ynë është të pranohet ‘realiteti në terren’, që është një formulim, të cilin vendet perëndimore e kanë përsëritur pa ndërprerë duke arsyetuar pse Kosova duhet të jetë e pavarur. E sot është realitet në terren se kemi 2 milionë shqiptarë në Kosovë që nuk dëshirojnë të jetojnë në Serbi, por kemi edhe serbë në veri të Kosovës që nuk dëshirojnë të jetojnë në Kosovën e pavarur. dhe këtu asgjë nuk do të ndryshojë”, thekson bashkëbiseduesi i Press-it.
Ai shton se propozimi i Serbisë, që shqiptarët e Kosovës vet të zgjedhin çfarë autonomie dëshirojnë në diagramin “nga 1 deri në 100”, me kusht që “1 të jetë pjesë përbërëse e Serbisë, kurse 100 shkalla më e lartë e autonomisë, përkatësisht pavarësia”.
Nënkryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, duke folur për zgjidhjen me kompromis për Kosovën i ka thënë “Politikës”, se “së pari duhet të shihet a do të ketë negociata”.
Ai është i bindur se për shqiptarët kompromisi më i madh sot, të cilin do ta pranon është Kosova e pavarur me autonominë për veriun, që për Serbinë është e papranueshme.
“Prandaj, mendoj se zgjidhja me kompromis nuk nënkupton më modelin shtetëror, por ndoshta disa çështje territoriale, por me të vërtetë mendoj se në këtë moment askush nuk ka një ide të qartë për këtë. Për shembull, idenë për ndarjen e Kosovës asnjëherë asnjë organ shtetëror, pra, as politikanët, asnjëherë nuk e ka shtruar publikisht. Thjesht është një tabu temë. Duhet të hapen negociatat, të cilat do të përcaktojnë qartë se çfarë pret të bëjë Serbia, dhe a është e mundur kjo gjë, e pastaj të arrihen marrëveshje të caktuara historike”, ka thënë Daçiç dhe ka shtuar se mendon se nuk bëhet fjalë për këtë, përkatësisht se bashkësia ndërkombëtare nuk ka vullnet të marr pjesë këtu.
“Serbia është e gatshme që shqiptarëve t’ua lë të zgjedhin vetë se në çfarë raportesh dëshirojnë të jetojnë me Serbinë, a dëshirojnë autonomi dhe çfarë niveli të autonomisë, deri në pavarësi. Por, meqë ‘realiteti në terren’ është ashtu çfarë është, po atë status ta fitojnë edhe serbët në veri. Nëse Prishtina vendos për nivelin më të lartë të mundshëm të autonomisë në Serbi, serbët në veri në kuadër të autonomisë së tyre do të kishin të njëjtin status. Por, nëse dëshirojnë shtet të pavarur, atëherë këtë duhet ta fitojnë edhe serbët në veri të Kosovës”, i ka thënë burimi i Pressit, dhe ka shtuar nëse një marrëveshje e tillë do të arrihej, qytetarët e Serbisë për këtë do të vendosnin me referendum.
Në vërejtjen tonë se a është ky plan i Serbisë propozim për ndarjen e Kosovës, për të cilën as shqiptarët e as vendet më të fuqishme të botës nuk pranojnë, ai përgjigjet se Serbia edhe për këtë ka argumentin e vet.
“Të gjitha shtetet që kanë njohur Kosovën në vendimin e tyre nuk kanë shkruar se e njohin këtë apo ata kufij. Aq më parë, se Kosova është nën protektoratin e KB dhe ku pushtetin e ushtron EULEX-i. Çështje e kufijve të Kosovës ende nuk është zgjidhur. Dhe për zgjidhjen e kësaj çështje angazhohen edhe fuqitë më të mëdha botërore siç janë Rusia dhe Kina. Meqë në fund problemi nuk do të zgjidhet nëse njëra palë fiton të gjitha kurse tjetra humb çdo gjë”, citon bashkëbiseduesin e vet Press. (Koha)![]()
Krijoni Kontakt