Tekstet shkollore serbe: Shqiptarët plackitës e grabitqarë
PRISHTINË- Një komision i pavarur, i ngritur në Kosovë për rishikimin e programeve mësimore në shkollat serbe, vë në dukje se tekstet e librave janë të mbushura me urrejtje e fakte të pavërteta për shqiptarët. Lajmi bëhet publik nga Radio Evropa e Lirë.
Nxënësit serbë, qytetarë të Kosovës mësojnë në shkollë se Kosova është pjesë e Serbisë, nuk njohin himnin e saj, por vetëm atë serb. Në librat e historisë, shkruhet se shqiptarët kanë kryer genocid ndaj serbëve, por nuk dinë asgjë për konfliktin e vitit 1999. Këngët e poezitë e shkollës janë të mbushura me gjuhën e urrejtjes. Këto fakte, tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës sipas Komisionit të pavarur për rishikimin e kurrikulumit në shkollat serbe, mësohen që nga klasa e parë e deri në shkollën e mesme.
“Librat e historisë janë me plot tekste, të cilat serbët dhe shqiptarët i paraqesin në pozitën e xhelatit dhe të viktimës, që direkt inkurajojnë konflikt ndëretnik”, tha Radivoje Mancic, kryetar i Komisionit të pavarur. Ai theksoi se në këto libra të historisë shkruhet se shqiptarët kanë kryer ‘gjenocid’ ndaj popullit serb, duke e bërë këtë me qëllim që t’i largojnë serbët nga Kosova. Shqiptarët përshkruhen si plaçkitës të kishave, ndërsa në të vetmin vend ku përmenden ilirët, ata quhen ‘grabitqarë’.
Sipas komisionit duhen shkruar libra të rinj, ku të gjitha kulturat dhe komunitetet do të paraqiteshin në mënyrë adekuate, në frymë të paqes, bashkëjetesës dhe së ardhmes evropiane të Ballkanit, pasi duket qartë se në shkollat serbe në Kosovë mësohet me programe arsimore të Serbisë, ndërsa mësuesit në këto shkolla marrin paga edhe nga Prishtina edhe nga Beogradi.
Ministria e Arsimit do ta marrë këtë raport si bazë për harmonizimin e teksteve mësimore me Kushtetutën dhe Planin e Ahtisarit.
(m.a/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt