Kosova duhet ta nderojë Havelin
Publikuar: 20.12.2011 - 21:37
„Besoj se gjatë intervenimit të NATO-s në Kosovë ekziston një element të cilin askush nuk mund ta vërë në dyshim; sulmet ajrore, bombat, nuk janë të shkaktuara nga interesat materiale. Karakteri i tyre është krejtësisht humanitar: çështja është këtu në parimet, të drejtat e njeriut të cilave u është dhënë prioritet i cili e tejkalon madje edhe sovranitetin e shtetit. Kjo e bën sulmin ndaj Federatës Jugosllave legjitime, qoftë edhe pa mandat të Kombeve të Bashkuara“, kishte thënë Havel, më 1999
Bota, Evropa, Republika Çeke dhe ajo Sllovake, BE-ja dhe NATO-ja, Kosova po ashtu, kanë mbetur prej së dielës pa një mik të madh dhe pa një zë të fuqishëm moral të mbrojtjes së tyre. Presidenti i fundit i Çekosllovakisë, presidenti i parë i Republikës Çeke, i cili ishte edhe lideri i parë i një vendi ish-komunist që foli në një samit të NATO-s, disidenti më i njohur nga Evropa Lindore dhe udhëheqësi i një revolucioni më të suksesshëm paqësor në historinë e njerëzimit, Vaclav Havel, ka ndërruar jetë në një kohë kur Evropa, me gjithë krizat financiare dhe ekonomike që ka, është një kontinent i qetë, pa luftëra dhe kryesisht pa kufij dhe pa ndarje ideologjike. E la Evropën ndoshta në atë gjendje ideale siç e kishte ëndërruar që nga rinia e tij, ndërsa shtetin e tij përsëri në mesin e shteteve të zhvilluara dhe më demoratike të botës, pa ndonjë rrezik që ndonjë fuqi e jashtme mund të hyjë me tanke të shuajë ëndrrat e qytetarëve siç bënë tanket ruse në Pranverën e Pragës, pjesë e së cilës ishte edhe vetë.
Kosova duhet të kujtojë Havelin si mik të madh në kohëra të vështira. Si një zë moral që ishte, Nobelist për Paqe, shkrimtar disident, ishte një zë i fuqishëm në mbështetje të popullit të vuajtur të Kosovës në fundvitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Ndonëse në ditët e para të anëtarësimit të Republikës Çeke në NATO opinioni në atë shtet, e madje edhe Qeveria, ose kundërshtonin fuqishëm ose kishin rezerva të mëdha rreth ndërhyrjes së NATO-s kundër Serbisë për të shpëtuar popullin e Kosovës Havel e mbështeste këtë ndërhyrje, ndërsa i quante edhe injorantë kundërshtarët e këtij intervenimi.
„Besoj se gjatë intervenimit të NATO-s në Kosovë ekziston një element të cilin askush nuk mund ta vërë në dyshim; sulmet ajrore, bombat, nuk janë të shkaktuara nga interesat materiale. Karakteri i tyre është krejtësisht humanitar: çështja është këtu në parimet, të drejtat e njeriut të cilave u është dhënë prioritet i cili e tejkalon madje edhe sovranitetin e shtetit. Kjo e bën sulmin ndaj Federatës Jugosllave legjitime, qoftë edhe pa mandat të Kombeve të Bashkuara“, kishte thënë Havel në intervistën dhënë gazetës franceze “Le Monde” në prill të vitit 1999 për çfarë edhe sot termin „Bombardime humanitare“ ia veshin pikërisht atij si person i parë që i ka përdorur edhe pse Havel vetë më vonë, duke ripërsëritur qartë të njëjtat qëndrime, i ka demantuar se i ka përdorur në formën „bombardime humanitare“. Por mbështetja e tij për lirinë e popullit të Kosovës ka qenë gjithmonë e parezervë.
Havel ka lënë gjurmë të pashlyer edhe në historinë e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s. Proceset e rilindjes së demokracisë në Evropën Lindore dhe lirinë e paqen i ka konsideruar si jokomplete përderisa ato vende të mos anëtarësoheshin në NATO dhe Bashkim Evropian. Qëndrimet e tij tejet të favorshme për NATO-n shpesh e kishin sjellë në konflikt me intelektualët liberalë edhe në Evropën Perëndimore, me të cilët pajtohej për çështjet e tjera.
Havel pranon se në disa takime private me ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeline Allbright, kishte punuar për hyrjen sa më të shpejtë të Republikës Çeke në NATO. Ai thjeshtë „Partneritetin për paqe“ që NATO-ja me shtetet e Evropës Lindore e kishte hapur që në vitin 1994 e trajtonte si „hap të mirë, por kurrsesi zëvendësim për anëtarësim të plotë në NATO“. Havel rikujton në librin e tij autobiografik „Drejt kështjellës dhe prapa“ se si hyrjen në NATO e konsideronte si „garanci se ndryshimet në këto shtete dhe paqja në Evropë janë të pakthyeshme“ dhe se kishte dyshime se BE-ja, që ishte më e komplikuar sesa NATO-ja, ndoshta nuk do të zgjerohej fare po të mos zgjerohej NATO-ja.
“Kush e di se a do të kishte vullnet për zgjerim një Bashkim Evropian gjithnjë e më ego-centrik po të mos kishte ndodhur zgjerimi i NATO-s më herët dhe po të mos kishin pasur këto shtete para se të hynin në BE garanci të sigurisë nga NATO-ja, të cilat Bashkimi Evropian nuk ishte në gjendje t’i siguronte“, kishte shkruar Havel. Se sa të vërteta ishin këto fjalë dëshmon edhe fakti se të gjitha shtetet anëtare të BE-së nga Evropa Lindore ishin anëtarësuar së pari në NATO e më pas në BE. Republika Çeke qysh në vitin 1999 së bashku me Poloninë dhe Hungarinë, ndërsa shtetet e tjera në vitin 2004.
„Menjëherë pas zgjerimit të NATO-s një drekë shumë konfidenciale u organizua në Washington ku vetëm krerët e shteteve anëtare ishin ftuar. Në atë takim Presidenti Clinton sqaronte se pse ai mendonte se do të ishte e drejtë të bëhej invadimi i Serbisë së Millosheviqit. Reagimi im i parë privat ishte magjepsës se si Clinton aq haptas fliste për një çështje aq të ndjeshme para meje dhe kolegut tim nga Polonia, Aleksander Kwashnjevski. Ndienim se kanë ndoshta arsye të mira që të mos na besonin tërësisht, por shpejt e kuptova se në fakt ata na besonin tërësisht. E sa i përket kësaj duhet të them se arsyetimet e Clintonit për intervenim të armatosur ishin të detajuara, të gjata, jashtëzakonisht mirë të informuar dhe bindëse“, ka kujtuar në librin e tij ish-presidenti i ndjerë çek, Havel.
Personalisht më kujtohen rastet e vizitave të tij në Bruksel, para se Çekia të hynte në NATO e pastaj si një lider të një shteti të NATO-s. Në paraqitjet në Bruksel nuk ndalej pa rikujtuar se edhe të gjitha vendet e Ballkanit duhet të jenë në BE dhe në NATO. Ndoshta për shkak të prejardhjes çeke të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeline Allbright Havelin e kujtoj edhe si pro„evro-amerikan“ të madh, çfarë sot janë në fakt shqiptarët.
Sot në Kështjellën presidenciale në Pragë është një Vaclav tjetër, një president që irriton tërë Evropën e i cili kurrsesi nuk mund të përballojë faktin se Kosova është shtet. Vaclav Klaus, për fat të mirë edhe jo shumë gjatë, do të jetë në krye të Republikës Çeke. Ai ende refuzon që të njohë pavarësinë e Kosovës dhe e bën këtë duke refuzuar të nënshkruajë dekretin për emërimin e ambasadorit çek në Kosovë. Por Havel deri në ditët e fundit të jetës ishte krah i Kosovës. Në takimin e fundit të forumit të tij të liderëve ishte e ftuar edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me gjithë kundërshtimet e Klausit dhe të Ambasadës serbe. Për angazhimet e tij dhe kontributin për popullin e Kosovës ish- presidenti Sejdiu e kishte nderuar të ndjerin Havel me medaljen “Ibrahim Rugova”.
Populli i Kosovës, kur të nderojë Havelin, duhet të kujtojë se simpatinë e tij, sikur edhe të një pjese të madhe të botës, e fitoi me vuajtje dhe me dëshirë për paqe, liri, sundim ligji e demokraci. Janë ato vlera të kundërta me korrupsion, trafikimin dhe krim të organizuar, me të cilat jo rrallë lidhet imazhi i shqiptarëve dhe i Kosovës sot në Evropë. Kosovës gjithsesi do t’i mungojë një zë i fortë në favor të popullit të saj.
E lexuesve të “Kohës Ditore” gjithsesi do t’i mungojnë disa nga kolumnet e Havelit që i kemi botuar.
Krijoni Kontakt