IMAM ALIU (R.A.) PËRCJELL PËR MUAJIN RAMAZAN


“O ju që besuat! Agjërimi është caktuar edhe për ju, njësoj si për ata që erdhën para juve. Mbase do të ruheni... (Kur`an, 2:183)”


Në ditë, i Dërguari (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) na tha: “O njerëz! Po ju afrohet muaji i Zotit, përplot begati, mëshirë dhe falje. Ky muaj është më i lartësuari pranë Zotit, ditët e tija janë më të vlefshmet e ditëve, netët e tija më të mirat e të gjitha netëve dhe orët e tija, më të mirat e orëve. Në këtë muaj, ju jeni të ftuar në gostinë e Zotit dhe jeni bërë të denjë për ta shijuar begatinë e Tij. Në këtë muaj, çdo frymë e juaja është si një përmendje e Zotit dhe si një adhurim. Veprat tuaja pranohen dhe lutjet ju dëgjohen. Atëherë, me qëllim të pastër e me zemër të sinqertë, kërkojini Zotit që t`ju mundësojë ta agjëroni këtë muaj dhe ta lexoni Librin e Tij!



Vërtet i humbur është ai që s`fiton gjë nga bekimi i Zotit në këtë muaj. Me urinë dhe etjen tuaj të Ramazanit, kujtojeni urinë dhe etjen e Ditës së Gjykimit! Jepuni lëmoshë të varfërve, nderojini të moshuarit, ruajeni gjuhën, mbyllini sytë para të ndaluarës dhe vulosni veshët!



Jini të mëshirshëm ndaj jetimëve të të tjerëve, që edhe ata të jenë të tillë me jetimët tuaj! Pendohuni për mëkatet tuaja dhe kthehuni drejt Zotit! Në kohë të namazit, ngrini duart për t`iu lutur Atij, sepse kohët e namazit janë më të lartësuarat e orëve. Në atë kohë, Zoti i Madhëruar i sheh me mëshirë robërit e Tij, ua plotëson kërkesën nëse kërkojnë diçka, u përgjigjet nëse e thërrasin dhe e pranon lutjen e tyre nëse i luten.



O njerëz! Vërtet shpirtrat tuaj janë peng i veprave që kryeni. Andaj çlirojini shpirtrat tuaj duke kërkuar falje nga Zoti! Të ngarkuar e keni shpinën me mëkatet tuaja. Lehtësojeni, pra, këtë barrë duke bërë sexhde! Dhe dijeni se Zoti i Madhëruar ka dhënë fjalë se atë Ditë kur të gjithë njerëzit të radhiten para Zotit të botëve, s`do t`i dënojë e s`do t`i frikësojë me zjarrin e ferrit, ata që qëndrojnë para Tij, e falin namazin dhe bëjnë sexhde.



O njerëz! Kushdo që në këtë muaj i jep iftar një besimtari që ka agjëruar, do t`i falen mëkatet dhe me këtë vepër të tij do të fitojë një shpërblim aq të madh tek Zoti, si të kishte liruar një skllav.”



“O i Dërguari i Zotit!”, thamë ne. “Jo të gjithë kemi një mundësi të tillë.” Ai tha: “Përpiquni ta shpëtoni veten nga zjarri i ferrit, qoftë kjo edhe me një hurmë të vetme ose me një gotë ujë! O njerëz! Kushdo që në këtë muaj e zbukuron moralin e tij, kjo gjë do t`i bëhet një leje kalimi në ditën kur këmbët rrëshqasin mbi Sirat. Secilit, që ia lehtëson punën robit (ose shërbëtorit) të tij, Zoti do t`ia lehtësojë llogarinë. Secilin, që largohet nga të ligat në këtë muaj, Zoti do ta largojë nga dënimi në Ditën e Gjykimit. Dhe nëse dikush tregohet bujar ndaj një jetimi në këtë muaj, ndaj tij Zoti do të jetë bujar në ditën kur vetëm Ai do të gjykojë.



Kushdo që u bën mirë të afërmve të tij në këtë muaj, le ta dijë se Zoti do ta falë me mëshirën e Tij. Kushdo që i ndërpret lidhjet me të afërmit e tij, e ka ndërprerë lidhjen me mëshirën e Zotit në Ditën e Gjykimit. Kushdo që i fal namazet vullnetare (mustehap) në këtë muaj, do të mbrohet nga zjarri i ferrit. Kushdo që e fal vetëm një namaz të detyrueshëm (farz) në këtë muaj, fiton shpërblim sikur të ketë falur shtatëdhjetë namaze të detyrueshme (farz) në një ditë tjetër. Kushdo që mua më dërgon salavate, do ta ketë të mbushur peshoren e veprave të mira, në atë ditë kur të lehta janë peshoret e të mirave. Kushdo që lexon një varg të Kur`anit në këtë muaj, është si personi që në një kohë tjetër e lexon gjithë Kur`anin.



O njerëz! Dyert e parajsës janë të hapura në këtë muaj. Lutjuni Zotit tuaj që të mos i mbyllë këto dyer! Dyert e ferrit janë të mbyllura në Ramazan. Lutjuni Zotit që të mos i hapë!” (Ujun el Akhbar-i Riza, vëll.1, fq.230; Ravzat`ul-Muttakin, vëll.3, fq.277; Bihar`ul-Enver, vëll. 96, fq.356)



Përzgjedhur nga: Fahrettin Altan