Prej vitesh politikanët udhëheqës evropianë flasin për krizën e përhershme në Kosovë dhe në Bosnjë-Hercegovinë. E vërteta, ndërkaq, është ndryshe: Jo mungesa e vullnetit të mirë apo budallallëku i politikanëve të këtyre vendeve është shkak për mungesën e përparimit. Problemi më i madh është ende ngurtësia ideologjike e Serbisë. Beogradi ende nuk është shkëputur nga ideologjia nacionaliste serbomadhe, e cila në vitet 90-të shkaktoi gjenocidin më të rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe shkatërrimin e pastajmë të ish-Jugosllavisë. Edhe sot kjo ideologji e pengon çdo përparim në dy vendet fqinje (Kosovë dhe Bosnjë). Me një kryeneçësi politike të pashembullt qeveria serbe kujdeset që ideja historikisht e tejkaluar e Serbisë së Madhe të mos vihet në dyshim. Kush e bën këtë, në Serbi gjendet nën presion të madh politik, i cili mund të çojë deri në vrasje, siç ka ndodhur me ish-kryeministrin e guximshëm Zoran Gjingjiq, i cili shprehimisht u ekzekutua.
Por ekziston edhe një faktor tjetër, i cili pengon zhvillimin pozitiv të mbarë rajonit: Kjo është politika e papërqendruar, jokonsekuente dhe e pavendosur e Evropës. Evropa deri më sot nuk dëshiron ta kuptojë se me lëshimin e përhershëm pe kundrejt politikës së Serbisë ka shkaktuar gjendjen e tanishme katastrofale në Kosovë, në Bosnjë-Hercegovinë dhe edhe në Serbi.
Dy vendime gjykatash nga Evropa tani do duhej t’ua hapnin sytë evropianëve. Fillimisht Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ka dhënë një vendim të qartë dhe të vendosur mbi pavarësinë e Kosovës. Deklarata e pavarësisë e Kosovës nuk ishte shkelje e së drejtës ndërkombëtare! Kjo në Beograd u prit si një rrufe.
Edhe vendimi i dytë i gjykatës, i cili u mor nga një gjykatë në Londër pas hulumtimit të kujdesshëm, është i veçantë: Ajo e liroi Ejup Ganiqin, i cili me kërkesë të Serbisë ishte arrestuar në Londër më 1 mars dhe do duhej të ekstradohej në Beograd si kriminel i mundshëm lufte. Gjykata ka konstatuar se nuk ka asnjë bazë që Ganiqi vërtet i ka kryer krimet në maj të vitit 1992, për të cilat ngarkohet. Gjykatësit konstatuan se jo rrethanat juridike, por motivet politike e kishin nxitur prokurorinë serbe për të ngritur fajësimet e rrejshme; kjo, sipas gjykatës, është keqpërdorim i shtetit juridik britanik.
Arsyetimi i vendimit nga ana e gjykatësit londinez Timothy Workman tregoi po ashtu se pala serbe pas shpinës së gjykatës ishte përpjekur të bëjë një pazar politik me Londrën dhe Sarajevën: Beogradi do të tërhiqte kërkesën për ekstradim nëse Ejup Ganiqi do të nxirrej para gjyqit në Sarajevë dhe nëse qeveria boshnjake do të miratonte deklaratën e pamjaftueshme të parlamentit serb mbi masakrën në Srebrenicë, në të cilën mungon fjala „gjenocid“. Kjo përpjekje tregon se sa pak e çmon qeveria serbe mendësinë e shtetit juridik në Londër; vetëkuptohet se gjykata e hodhi poshtë një synim të tillë.
Kur në Serbi u bë publik lirimi i Ganiqit – pas pesë muajsh në Londër – zemërimi i mediave serbe, i udhëheqësve partiakë radikalë, por edhe i qeverisë ishte i madh; kjo tregon sërish se sa e ndezur është situata në vend. Që nga atëherë presidenti Boris Tadiq, ministri i jashtëm Vuk Jeremiq dhe kryeministri i republikës së serbëve në Bosnjë Milorad Dodik garojnë në përpjekjet e tyre, që të dy vendimet gjyqësore t’i paraqesin si pjesë të një komploti të madh antiserb dhe përbetohen se ata kurrë dhe në asnjë rrethanë nuk do të pranojnë pavarësinë e Kosovës. Tani me nguti po dërgohen 55 emisarë në mbarë botën në mënyrë që mundësisht sa më pak shtete anëtare të OKB-së të pranojnë Kosovën.
Nuk mund të përjashtohet që ky aksionizëm madje të ketë edhe suksese të vogla. Ekzistojnë ende pesë vende anëtare të BE-së, të cilat nga frika para gjendjes së tyre të brendshme politike, refuzojnë të pranojnë shtetin e Kosovës. Por me kalimin e kohës po bëhet gjithnjë e më qartë se ka kaluar koha kur Serbia këmbëngulte që si „Serbi e Madhe“ të sundojë edhe në Kosovë apo Bosnjë. Historia thjesht ka ecur më tutje.
Pikërisht për këtë tani Evropa duhet t’i kryejë detyrat e saj të shtëpisë. Pjesë e kësaj është përkrahja e atyre forcave në Ballkan, të cilat në aspektin afatgjatë janë të gatshme të angazhohen për zgjidhje të mençura dhe të japin kontribute konstruktive për stabilizimin e rajonit. Ka qenë – për shembull – një gabim fondamental që në fund të vitit të kaluar, pas presionit të republikës së serbëve, nga gjykatat e Bosnjë-Hercegovinës u tërhoqën gjykatësit ndërkombëtarë. Kjo e ka vështirësuar shumë ndërtimin e një sistemi funksional të ndarjes së pushteteve në Bosnjë-Hercegovinë; gabime të tilla nuk bën të përsëriten. Evropa duhet t’u ndihmojë atyre, të cilët në Ballkan duan të çojnë përpara procesin e nevojshëm të reformave. Ata janë të varur nga kjo përkrahje ndërkombëtare dhe profesionale.
Një detyrë e rëndësishme e BE-së do të ishte të zhvillojë bisedime me Rusinë dhe Kinën në nivelin më të lartë, në mënyrë që hap pas hapi të hiqen bllokadat në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Synim duhet të jetë një dakordim i ndërsjellë mbi të ardhmen e rajonit. Evropianët duhet të jenë të gatshëm të heqin dorë nga qëndrimi se janë të gjithëdijshëm dhe kështu të rikthejnë besimin e qeverive dhe popullsisë në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe në Serbi.
Për fat të keq në këtë proces edhe gjermanët hyjnë në mesin e të plogëtëve, nganjëherë madje në mesin e frenuesve. Përgjegjësit në Berlin me sa duket po presin një tren të veçantë evropian, në të cilin janë të rezervuara vendet për Gjermaninë për të bashkëpunuar në Ballkan. Do të shihet se ky është një kalkulim i gabuar. Ndërkohë tashmë fuqi të tjera, sidomos Turqia, i kanë zënë këto vende. Ato në mënyrë shembullore po përpiqen që gjendjen kaotike ta shtendosin në sensin e Evropës dhe në marrëveshje me Rusinë. Angazhimi i Gjermanisë si bashkëlojtare konstruktive do të pritej ende mirë. Dy vendimet gjyqësore mund të jenë raste të mira për këtë.
( Christian Schwarz-Schilling, 79-vjeçar, ka qenë përfaqësues i lartë i bashkësisë ndërkombëtare për Bosnjë-Hercegovinën në vitet 2006-07. Në këtë funksion ai ishte përgjegjës për zbatimin e marrëveshjes së Daytonit, e cila i dha fund luftës mbi trevjeçare në Bosnjë-Hercegovinë. Nga viti 1982 deri më 1992 Schwarz-Schilling ka qenë ministër i Postës dhe i Telekomunikacionit në Qeverinë e kancelarit Helmut Kohl. Më 14 dhjetor 1992 Schwarz-Schilling dha dorëheqje nga posti i ministrit në shenjë proteste kundër politikës pasive të Gjermanisë dhe të Evropës Perëndimore kundër agresionit serb në Bosnjë. Me rastin e largimit ai kishte thënë se mosinteresimi i gjeneratës së tij mbi gjakderdhjen në Ballkan kishte qenë ndër përvojat më të tmerrshme të karrierës së tij politike. Që nga largimi i tij prej Sarajevës, Schwarz-Schilling angazhohet aktivisht në shumë organizata joqeveritare për të drejtat e refugjatëve nga Ballkani, të cilët jetojnë në Gjermani. Në cilësinë e mediatorit ai ka marrë pjesë në disa zgjidhje konfliktesh në Kosovë, Maqedoni dhe në Serbinë jugore. Të njëjtën punë ai vazhdon ta kryejë edhe në Bosnjë-Hercegovinë. Shkrimi i mësipërm u botua në gazetën e renomuar gjermane “Süddeutsche Zeitung”).
Krijoni Kontakt