Pas shkrimit të publikuar në "Gazeta Shqiptare" dhe pamjeve filmike në "News 24", ai gjen një strehë
Gjendet një "nënë" për Ilirin
Një familje nga Kukësi strehon 13-vjeçarin Barçi
Jetmira Delia
TIRANE
Një ditë pas publikimit në "Gazeta Shqiptare" të historisë së 13-vjeçarit nga Burreli dhe transmetimit të imazheve filmike në "News 24", Ilir Barçi gjen strehën e munguar prej kohësh.
Ai është i rrethuar tashmë nga njerëz që ndjejnë për të jo vetëm keqardhje, por edhe dashuri. E ka braktisur kutinë e madhe prej kartoni që deri dje ishte "krevati i tij" dhe tani fle në një krevat të vërtetë. "Vajza e teta Majlindës, Romina më kishte pa në televizor dhe i kishte ardhë keq për mu. Pastaj kam shku te shpia e teta Majlindës dhe do rri këtu." Ai ka një pamje tjetër. Nuk mban më veshur pulovrat e tij të pista, me të cilat dikur mbështillej duke u mbledhur kruspull, për të hyrë në krevatin e tij të kartontë. Pamja e ndryshuar e tij i ka çuditur edhe shitësit e dyqaneve, pranë të cilëve Iliri kalonte natën. "Ta shikoje Ilirin sot nuk e njihje. Ishte larë, ishte qethur, ishte veshur mjaft mirë. Na tregoi se rrinte në një shtëpi të vërtetë dhe iku." Kështu tregojnë ata ndërsa shtojnë se pas publikimit të shkrimit në "Gazeta Shqiptare", shumë qytetarë kanë shkuar te ish-streha e Ilirit. Kanë kërkuar ta takojnë dhe i kanë dhënë ndonjë lekë, i kanë sjellë edhe shumë rroba. Të gjitha këto dhurata Iliri i ka mbledhur dhe i ka çuar te shtëpia e teta Majlindës. Ai ka realizuar dje edhe ëndrrën e tij, për të cilën thurte plane se si do të shiste më shumë indikatorë dhe do të mblidhte lekët që i duheshin. 13-vjeçari kishte mbledhur më shumë se gjysmat e lekëve, ndësa pjesën tjetër ia ka paguar vajza e Majlindës, Romina Difi. Që në atë moment, ai i ka kërcyer bicikletës dhe ka shëtitur me të gjithë Tiranën. "Kam qenë nga Liqeni, nga "Fshati SOS", në Kinostrudio, në Kombinat, gjithandej." Ai endet rrugëve kësaj here për qejfin e tij dhe jo i detyruar për t'i shkelur ato me qëllimin e gjetjes së tregut për të shitur indikatorë apo për të parë se cila mund të jetë streha e tij e përkohshme. Shitësit e dyqaneve në rrugën e Dibrës, tani e kuptojnë edhe nga shumë larg ardhjen e Ilirit. "Po vjen Iliri, se i bie bories që atje tej ngaqë është shumë i gëzuar që u bë me biçikletë." Iliri buzëqesh si gjithmonë dhe nis t'u tregojë se tani rri në një shtëpi të vërtetë, se ka rroba të mira, se si e ka pritur "familja" e tij e re, si i kanë blerë edhe një biçikletë dhe sa i lumtur ndjehet. Të gjitha këto i tregon mjaft shpejt, nuk ka shumë kohë për të humbur. I duhet të ikë, jo se ka ndonjë punë, por se do të bëjë xhiro me biçikletë. Ndërkaq Drita Dyrmishi, një zonjë kryeqytetase i është drejtuar "Gazetës Shqiptare" për ta ndihmuar se ku mund të gjejë Ilir Barçin dhe ta marrë në shtëpinë e saj. Me dhembshurinë e nënës, ajo ka lënë numrin e saj të telefonit duke pritur që një zile të tringëllinte për t'i thënë se po vjen Iliri, por një tjetër e ka marrë tashmë në shtëpinë e saj. Edhe insitucione shtetërore kanë reaguar pas shkrimit të një dite më parë në "Gazeta Shqiptare". Përfaqësues nga "Avokati i Popullit" janë duke e ndjekur këtë problem në aspektin e përgjegjësisë institucionale, ndërsa interesim është shfaqur edhe nga Presidenca. Ky reagim i institucioneve dhe indëvidëve të shumtë ka ndryshuar diçka në jetën e 13-vjeçarit Ilir Barçi. Prej këtij momenti ai nuk është më fëmija që kishte si strehë një kuti kartoni dhe që duhej t'i binte Tiranës kryq e tërthor për të shitur ndonjë indikator, apo të shtegtonte në rrethe të tjera të vendit për t'u marrë me ndonjë punë tjetër që të siguronte bukën e përditshme. Duket se tani ai ka gjetur atë që i mungonte.
-------------------------
-------------------------------
Flet endacaku nga Burreli
"Do të rri te teta Majlinda, edhe sikur të kthehet mamaja"
Iliri është mjaft i kënaqur për këtë ndryshim që ka ndodhur në jetën e tij. Ai nuk u gëzohet dot rrobave të reja që ka veshur dhe biçikletës që më në fund e ka blerë. "Tani fle në krevat". Kështu thotë Iliri ndërsa qesh tek kujton se deri dje flinte në një kuti kartoni. "Nuk do të dal më të shes indikatorë, kështu më ka thënë teta Majlinda, sa të rrish te unë s'do dalësh të shesësh, por do të shkosh në shkollë si gjithë të tjerët." Iliri thotë se dy vajzat dhe djali i Majlindës e duan shumë. Dhe ai e vlerëson veprimin e tyre ashtu siç di ai. "Do të rri te teta Majlinda, edhe sikur mami im të kujtohet për mua unë nuk iki me të. Teta Majlinda më do prandaj erdhi më mori atje ku rrija se i erdhi keq, ndërsa mami po të më donte nuk më linte vetëm në mes të Tiranës, kur isha i vogël." Ai është i gatshëm gjithashtu të rifillojë shkollën, pasi ka bërë vetëm klasën e parë dhe të dytën në Burrel. Kështu i ka thënë gruaja që e ka bërë pjesë të familjes së saj dhe ai ashtu do të veprojë. "Do të iki çdo ditë t'i takoj ata shitësit që më kanë ndihmu deri tani, do të iki edhe në Burrel për të takuar babin dhe vllain por do të rri te teta Majlinda."
--------------------------
------------------------------
Oj sharki e lehte si era , a ka ardhur ne shqiperi pranvera?
Krijoni Kontakt