Një këngë e kënduar në shqip për terroristin më të kërkuar në botë dhe udhëheqësin e organizatës terroriste Al-Qaeda, Osama Bin Laden, tashmë është incizuar dhe lëshuar për herë të parë nga një forum islamik interneti në gjuhën shqipe.
Në video-xhirimin e këngës, që tashmë është prezantuar edhe në faqen e njohur YouTube, teksti i këngës në shqip e lartëson kreun e grupit terrorist Al-Qaeda.
Megjithëse kënga i këndohet në shqip, ende nuk dihen se kush e ka incizuar dhe kush janë interpretuesit e saj,ndonëse supozohet se ata mund të jenë me origjinë nga Maqedonia. Burime brenda BFIM në Shkup, gjegjësisht institucionit zyrtar fetar të shqiptarëve në Maqedoni, i thanë agjencisë INA se ata nuk janë në dituri për ekzistimin e një kënge të tillë.
“Ne nuk kemi njohuri për këngë të tilla. Mirëpo, nuk përjashtohet mundësia që një këngë e tillë të këndohet nga grupe vehabiste, madje edhe nëpër disa xhami të Shkupit që ende kontrollohen nga ata”, theksoi një nëpunës i BFIM.
Këngë të tilla që i këndohen kreut të rrjetit terrorist Al-Qaeda tashmë ka mjaft në gjuhën arabe, e boshnjake, por edhe në gjuhë të tjera. /Gazeta Express/
Krijoni Kontakt