Novobërdë, 14 gusht - Drejtoria për Urbanizëm, Kadastër dhe Mbrojtje të Mjedisit e Komunës së Novobërdës ka njoftuar se është bërë bartja e katërmbëdhjetë zonave kadastrale në këtë komunë nga komunat e Kamenicës dhe të Gjilanit. Skënder Avdyli, drejtor i Urbanizmit..., ka thënë se këtë javë Agjencioni Kadastral i Kosovës ka bërë bartjen e zonave kadastrale, 14 sosh, në Regjistrin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme (RDPP), të cilat tash e tutje i përkasin Komunës së Novobërdës. Sipas Avdylit, për këto zona kadastrale, tani e tutje, qytetarët mund të marrin shërbime në Komunën e Novobërdës, derisa edhe kërkesat, të cilat janë në procedurë, automatikisht do të barten në Komunën e re, përkatësisht të zgjeruar të Novobërdës, ku edhe do të finalizohen. Të gjithë qytetarët e këtyre zonave kadastrale, që tashmë janë pjesë e Komunës së Novobërdës, për nevojat e tyre, të çfarëdo natyre, mund të drejtohen vetëm në Komunën e Novobërdës dhe jo në komunat e mëparshme.
Komunës së Novobërdës, e cila në bazë të Pakos së Ahtisaarit është zgjeruar me disa lokalitete të komunave të Gjilanit dhe të Kamenicës, i janë bashkangjitur këto zonat kadastrale: Bolevc, Bushincë, Carefc, Miganovc, Tirincë (Kamenicë), si dhe Dragancë, Koretishtë, Kufcë e Epërme, Makresh i Epërm dhe Makresh i Poshtëm, Mozgovë, Parallovë, Stanishor dhe Strazhë (Gjilan).
Kryetari i Novobërdës, Bajrush Ymeri, ka thënë se punëtorët e arsimit dhe shëndetësisë që janë paguar nga buxhetet e komunave Gjilan e Kamenicë do të jenë pjesë e buxhetit të varfër të Novobërdës, ndërsa për zgjidhjen e këtyre problemeve ka thënë të ketë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me kryetarin e Gjilanit. Edhe Qemajl Mustafa, kryetar i Gjilanit, ka thënë se ka bërë një marrëveshje me kryetarin e Novobërdës për zgjidhjen e problemit të listës së punëtorëve që kanë marrë paga nga buxheti komunal ose përmes komunës së Gjilanit, e që tani i janë bashkangjitur Komunës së zgjeruar të Novobërdës.
Ma bartjen e 14 zonave kadastrale nga Kamenica dhe Gjilani në Komunën e Novobërdës dhe themelimin e tri komunave të reja në Kllokot (Viti), Ranillug (Kamenicë) dhe Partesh (Gjilan), në Anamoravë është finalizuar procesi i decentralizimit, i paraparë me Pakon e Ahtisaarit dhe Anamorava tani është rritur në 7 komuna, prej tyre 4 komuna (Novobërda, Ranillugu, Kllokoti dhe Parteshi) janë të dominuara nga serbët, ndërsa 3 komuna tjera (Gjilani, Vitia dhe Kamenica) qeverisen dhe dominohen nga popullata shqiptare. Prej 7 komunave të Anamoravës, vetëm Parteshi është etnikisht komunë e pastër, e banuar vetëm me serbë, ndërsa të tjerat janë të përziera.