Kosova i kundërpërgjigjet versionit serb për historinë e bibliotekave
Publikuar: Sot, më 10 gusht 2010



Prishtinë, 10 gusht – “Bibliotekat e Kosovës – historiku dhe zhvillimi” është titulli i kumtesës me të cilën delegacioni kosovar do t’u kundërpërgjigjet të pavërtetave që janë shpalosur në edicionin e kaluar të Kongresit të Federatës Ndërkombëtare të Institucioneve dhe Shoqatave Bibliotekare.

Kongresi pesëditor i 76-të i IFLA-s do të nisë sot (e martë) në Gothenburg të Suedisë dhe Kosova në të do të përfaqësohet nga drejtori i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, Sali Bashota, dhe nga ish- kryetari i Shoqatës së Bibliotekave të Kosovës, Besim Kokollari.

Vitin e kaluar, në këtë kongres, autorët serbë Gordana Stokiq – Simonçiq dhe Zoran Vukanoviq kanë shpalosur kumtesën me titull “Librat dhe bibliotekat serbe në Kosovë dhe Metohi”, përmes së cilës kanë dhënë informacione të pasakta lidhur me historinë e Kosovës, duke falsifikuar të dhëna të shumta për trashëgiminë kulturore, institucionet arsimore dhe kulturore, institucionet e kultit etj. Autorët e kësaj kumtese po ashtu kanë dhënë dëshmi të pasakta edhe për themelimin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, Sali Bashota, ka thënë se misioni i delegacionit kosovar në kongresin e sivjetmë është që të reagojë ndaj dezinformatave të paraqitura nga përfaqësuesit i Serbisë në Kongresin e IFLA-s, të mbajtur në vitin 2009 në Milano të Italisë.

“Vitin e kaluar autorët serbë kanë paraqitur kumtesën e cila ka shumë të pavërteta dhe ne përmes kumtesës sonë jemi fokusuar që t’i tregojmë të dhënat e sakta lidhur me historikun e zhvillimin e bibliotekave me theks të veçantë për dëmet që i ka shkaktuar Serbia në periudhën e viteve 1990-1999 në institucionet bibliotekare”, ka thënë Bashota.

Sipas tij, prezantimi i kësaj kumtese është mjaft i rëndësishëm. “Është shumë me rëndësi që para opinionit ndërkombëtar të paraqesim të vërtetën për Kosovën. Besojmë se do të ketë edhe debate, meqenëse do të jetë e pranishme edhe pala serbe në Kongres”, ka thënë ai.

Në kuadër të programit të aktiviteteve të Kongresit, gjithashtu organizohet edhe takimi i radhës i konferencës së drejtorëve të bibliotekave kombëtare nga mbarë bota, në të cilin BKUK-ja përfaqësohet nga drejtori Sali Bashota.

Ndryshe, pjesëmarrja e përfaqësuesve nga Kosova në Kongresin e 76-të të IFLA-s në Gothenburg të Suedisë është
mbështetur financiarisht nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.