Fakte
Dokumente
ROBERT ELSIE
Fuqitë e Mëdha e njohën Shqipërinë si shtet sovran më 29 korrik
1913. Por Kosova, Dibra, Ohri dhe Manastiri mbetën nën sundimin
ushtarak serb dhe më 7 shtator 1913, Mbreti Peter I i Serbisë
deklaroi aneksimin e territoreve të pushtuara. Një kryengritje e gjerë
kundër sundimit serb filloi në Lumë dhe në bjeshkët në perëndim të Gjakovës, që u
shtyp nga një forcë serbe prej 20.000 trupave, që përparuan drejt Shqipërisë dhe
për pak sa nuk arritën deri në Elbasan. Një vit pas informacioneve të tmerrshme të
përpiluara nga Leo Freundlich, “Raporti zyrtar drejtuar Fuqive të Mëdha” i botuar
në dhjetor 1913, shpalos më imtësisht kërdinë e bërë pas amnistisë në Dibër dhe
Lumë…
Lufta e Parë Ballkanike filloi në tetor të vitit 1912.
Serbia përparoi duke e shfrytëzuar vakumin e
lënë nga thërrmimi i përandorisë Osmane në
drejtim të invadimit dhe pushtimit të Kosovës dhe
rajonit të Dibrës, që tash gjendet në kufirin mes
Shqipërisë e Maqedonisë. Kjo ndodhi në fund të tetorit dhe
fillim të nëntorit të atij viti. Derisa Fuqitë e Mëdha e njohën
Shqipërinë si shtet sovran më 29 korrik 1913, Kosova, Dibra,
Ohri dhe Manastiri mbetën nën sundimin ushtarak serb
dhe më 7 shtator 1913, Mbreti Peter I i Serbisë deklaroi aneksimin
e territoreve të pushtuara. Një kryengritje e gjerë
kundër sundimit serb filloi në Lumë (në jugperëndim të
Prizrenit) dhe në bjeshkët në perëndim të Gjakovës, që u
shtyp nga një forcë serbe prej 20.000 trupave, që përparuan
drejt Shqipërisë dhe për pak sa nuk arritën deri në Elbasan.
Një amnisti u shpall në Beograd nga qeveria në tetor 1913,
por masakrat kundër popullit shqiptar vazhduan. Një vit
pas informacioneve të tmerrshme të përpiluara nga Leo
Freundlich, “Raporti zyrtar drejtuar Fuqive të Mëdha” i
botuar në dhjetor 1913, shpalos më imtësisht kërdinë e bërë
pas amnistisë në Dibër dhe Lumë.
Raport zyrtar
paraqitur Fuqive të Mëdha
Ne jemi të parët që po paraqesim listën e plotë të vrasjeve
të bëra nga armata serbe në Krahinën e Dibrës, Dibrës së
Ulët dhe Lumës, që shtrihen në Shqipërinë veriore, pas amnistisë
së tetorit të kaluar të akorduar nga qeveria e Beogradit,
masakra të bera pas revoltës së malësorëve shqiptarë.
Ky është një dokument i rëndësisë së jashtëzakonshme dhe
tashmë është dërguar te qeveria e njërës nga Fuqitë e Mëdha
nga përfaqësuesi i saj i plotfuqishëm, që e ka përpiluar përsonalisht
me shënime dhe emra të vendeve të vrasjeve dhe
terrorit. Ja versioni i plotë i raportit zyrtar.
Krahina e Dibrës
Në Klos, bandat serbe kanë therur Ahmet Aliun dhe vëllain
e tij, sikurse edhe Nezir Sulejmanin dhe Mehmet Salihun.
I tërë fshati është grabitur.
Në Valikardhë, në pikë të ditës dhe në prani të krejt banorëve,
Ymer Halili, Osman Qira, Qerim Zejneli, Ismail
Alushi dhe Sul Hoxha (hoxhë mysliman) janë prerë me bajonetë
dhe janë katandisur në kufoma të panjohshme. Shtëpitë
u janë djegur pasi më parë u ishin plaçkitur.
Në Peladhi, janë bërë kontrollime shtëpi më shtëpi, me
pretekst të kërkimit të armëve. Shumë shtëpi janë plaçkitur.
Shtëpia e Hasan Patajt është djegur dhe pronari është
prerë në fyt në prani të nënës së vjetër, gruas dhe fëmijëve.
Në Krajkë, shtëpia e Muharrem Dervishit është djegur
pasi ishte grabitur.
Në Zerqen, krejt shtëpitë janë grabitur dhe djegur.
Në Sopot, i tërë fshati është rrënuar dhe plaçkitur. Shumë
shtëpi janë djegur. Të gjitha kafshët janë vjedhur dhe këta
persona janë therë në bajonetë: Ali Kamberi, shërbëtori i
tij, Hamza Disha, si dhe Salih Selimi.
Në Dibër (qytet), disa orë para sulmit të malësorëve,
prefekti lokal dhe komandanti ushtarak arrestuan tetëmbëdhjetë
udhëheqës të qytetit, që janë ekzekutuar pa u
gjykuar: Ramiz Karanfili,Sheh Husejni, Numan Hasani dhe
Safet Bej. Të tjerët mbijetuan falë hyrjes në atë kohë të malësorëve
në qytet dhe ushtria serbe u detyrua të ikë me ngut.
Kur u kthyen në qytet, serbët e plaçkitën krejt qytetin dhe
morën me vete mbi një milion lira turke të vjedhura. Shumë
shtëpi u dogjën, posaçërisht ato e Ali Beut, Rakip Qatibit
dhe Kurtish Agait. Me vrazhdësi të paparë, serbët po ashtu
i masakruan shumë njerëz të tjerë, mes të cilëve kishte edhe
të tillë që bënin punët e tyre dhe s’merrin pjesë në kryengritje.
Mes të masakruarve ishin: Kurtish Aga, Behgjet Efendi,
Haxhi Syreja Efendi, Reshid Efendi Kusari dhe Sadullah
Shtrazimiri. Në këtë çast, qyteti i Dibrës është thjesht i shkretë,
sepse banorët kanë ikur në mal. Në qytet kanë mbetur
vetëm dyqind apo treqind veta të të dyja gjinive.
Në Gjoricë, një ditë pas vizitës së një oficeri të dërguar
nga qeveria austriake, që ishte duke kaluar dhe verifikuar
tërheqjen e ushtrisë serbe nga rajoni, serbët u rishfaqën në
fshat dhe vranë një grua dhe një fëmijë pesëvjeçar. Ata, po
ashtu, e plagosën një grua tjeter.
Në Homesh, vetëm tri nga 150 shtëpitë e katundit qëndrojnë
në këmbë. Të gjitha janë djegur pasi që ishin plaçkitur.
Pasi janë dorëzuar, serbët i kanë vrarë: Musa Ismajlin,
Shemsedin Bajramin dhe Halit Sulejmanin, që ishin kthyer
në fshat pas amnistisë. Herën e parë i morën 1000 krerë dele,
150 krerë gjedhe dhe 40 kuaj. Herën e dytë, ata morën 50 krerë
dele, nëntë krerë gjedhe dhe nëntë kuaj.
Në Shupenzë, pas vjedhjes së shtëpive dhe marrjes së
gjërave të vlefshme, serbët masakruan: Ali Myslimin dhe
vëllain e tij Abdiun, Hasan Abazin dhe Dalip Elmazin.
Në Okashtinë, vetëm një shtëpi qëndron në këmbë nga
74 sa ishin. Të gjitha janë plaçkitur dhe djegur. Dy burra të
quajtur Ferhat dhe Nazif janë prerë me bajonetë. Krejt kafshët
janë marrë.
Në Topojan, fshat me 68 shtëpi, kishte plaçkitje dhe djegie
të përgjithshme. Një burrë me emrin Abdullah Xhaferri
u pre në qafë pasi nuk ishte në gjendje të paguante pesë
lira turke (115 lira italiane) të kërkuara haraç nga oficeri
komandues i detashmentit. Ushtarët serbë i morën me vete
të gjitha kafshët.
Në Kovashicë, Malik Bajrami, Aziz Haxhi, Ahmet Ramadani,
Leka, Destan Jashari, Sejfedin Elezi dhe Sulejman
Ramadani janë masakruar. 150 krerë delesh, 41 gjedhe dhe
13 kuaj janë vjedhur. Burri me emrin Rashid Rexhepi është
kursyer nga vrasja vetem së i ka paguar haraç prej 150 lirave
turke (rreth 3450 franga) komandantit të detashmentit
serb.
Në Gjuricë (katundi afër Topojanit) janë masakruar 14
burra. Dy gra po ashtu janë vrarë: Naile Seferi dhe Zemane
Ibrahimi, si dhe djemtë e vegjël: 8-vjeçari me emrin Ismail
Mehmedi, 10-vjeçari me emrin Bajram Elezi, 7-vjeçari me
emrin Rrahman, dy dymbëdhjetëvjeçarë, njëri i quajtur
Hasan Ali dhe tjetri Elias dhe e bija e Husein Cokës.
Në Golevishtë, i tërë fshati është grabitur. 74 shtëpi janë
djegur dhe dy burra, njëri me emrin Halil Numani e tjetri
Nuredin Mustafa janë prerë në fyt. Sa u përket kafshëve,
herën e parë serbët i kanë marrë 1000 krerë dele, 30 krerë
gjedhe dhe 35 kuaj, kurse herën e dytë 23 kuaj, 40 gjedhe dhe
500 krerë dele.
Në Kërçisht, dy shtëpi të vetme myslimane janë djegur.
Pastaj janë vjedhur 60 krerë dele, dy dema dhe katër lopë.
Në Bllatë, serbët kanë djegur 75 shtëpi dhe kanë masakruar
Rexhep Lleshin së bashku me të vëllain Abdiun dhe
djalin e vogël Bajramin, si dhe gruan e Islam Kuaranas. Fshati
është plaçkitur tërësisht dhe kafshët e mbetura, 90 krerë
dele dhe 50 krerë gjedhe, janë marrë.
Në Zogjaj, fshati është plaçkitur të gjitha të mirat. Drutë
e dimrit dhe kafshët janë marrë. Serbët i kanë shkatërruar
124 shtëpi dhe, derisa zjarri shndërronte çdo gjë në hi, ata i
kanë hedhur këta njerëz për së gjalli në flakë: një grua me
emrin Rihane, dy vajza me emrat Fazile e Myslime dhe një
7-vjeçar me emrin Bajram. Ata gjithashtu i prenë me bajoneta
Haxhi Myslimin, Nezir Azizin, Halil Numanin dhe Zenel
Hasanin. Duke u kthyer për të dytën herë në Zogjaj, serbët
masakruan: Musafa Myslimin, Aziz Jusufin, Adem Shabanin
dhe Edin Nurkën. Ata, po ashtu, i vodhën shtatë lopë
dhe gjashtë dele, që i kishin shpëtuar plaçkitjes së parë.
Në Maqellarë, 10 shtëpi janë grabitur dhe janë djegur.
Për me shumë, serbët i kanë prerë: Elmaz Selmanin dhe të
birin e tij Selmanin, Malik Rexhepin dhe të birin e tij Muratin,
Hasan Sulejmanin, Abdullah Qehajën, Hajredin Hasanin
dhe të tre bijtë e tij Ymerin, Ramizin dhe Tevfikin, të
vëllain Rakipin, babën Hasanin; Rrustem Mehmetin, Numan
Shemsedinin, Ramadan Bajramin dhe Ejup Edhemin.
Banorët e tjerë të fshatit u detyruan të sjellin 50 krerë gjedhe,
dy lope dhe 113 dhi, në mënyrë që të mos masakrohen.
Në Poçest, serbët e kanë vrarë Muharrem Muharremin
dhe të birin e tij Behgjetin. I morën 100 krerë dele dhe nëntë
copë bagëti, si dhe 150 lira turke (afër 3450 franga), që i zbuluan
nëpër xhepat e katundarëve.
Në Kërçisht të Poshtëm, serbët kanë vjedhur shtëpinë e
Mehmet Ejupit pasi ia pre në fytin atij në prani të familjes.
Në Çerenec, ata dogjën 23 shtëpi dhe e masakruan Hasan
Abazin bashkë me gruan e tij, Ramadan Salihun dhe Rrustem
Sulejmanin. Ata e kanë vjedhur krejt fshatin duke i marrë
me vete të gjitha gjërat e vlefshme, furnizimet dhe kafshët.
Në Bllacë, i gjithë fshati është djegur pasi ishte vjedhur.
Banorët janë prerë me shpatë, krejt pa shkak, kështu që ka
qenë e pamundshme përpilimi i listës së viktimave. Kur u
kthyen në Bllacë, serbët e panë se i kanë lënë pa marrë 250
krerë dele, 37 lopë dhe 28 kuaj, kurse barinjtë i masakruan.
Në Spas ata i plaçkitën të gjitha shtëpitë dhe i dogjën
dhjetë prej tyre. I morën të gjitha kafshët që mundën t’i zinin,
150 krerë dele, katër kuaj dhe 13 krerë bagëti.
Në Klobuçishtë, pas grabitjes së të gjitha shtëpive, ua
vunë pastaj zjarrin. Tridhjetë shtëpi u bënë shkrumb e hi.
Po ashtu, në prani të katundarëve i vranë: Adil Bilhalin,
Ahmed Abazin, Mustafa Murtezin, Xhelaledin Destanin dhe
të vëllain e tij Musën, Hajredin Maksutin, Lutfi Fejzullahun,
Reshid Murtezin dhe të birin tij Fetahun, Gazanfer Zejnelin
dhe të tjeret. Serbët poashtu i vodhën 150 dele dhe dhi, 11
bagëti të tjera, dhe një gomar.
Në Pulçishte (Poçest?) serbët i morën 103 krerë dele, l5
krerë gjedhe, 14 kuaj, shtatë gomerë dhe 65 lira turke (afër
1500 franga). Kur u kthyen herën e dytë, ata zunë dhe morën
edhepesë dele, 10 gjedhe dhe një kalë. Në Obok, i tërë fshati
është plaçkitur dhe udhëheqësit e fshatit, Ramadan Bajramit,
i është prerë fyti. Kur kaluan herën e parë, serbët
morën një tufë prej 120 deleve dhe, herën e dytë, ata morën
25 dele, dy dema, një kalë dhe dy gomarë.
Në Pesjakë, ata kanë djegur dhe shkatërruar të gjitha
shtëpite. Prej banorëve kanë vrarë këta: Jahja Ismajlin,
Malik, Mahmut, Sejfullah, Abaz dhe Vehbi Sulejmanin. Serbët,
po ashtu kanë marrë me vete 14 bagëti, 50 dele dhe një
gomar.
Në Erebarë i gjithë fshati është plaçkitur dhe këta përsona
janë masakruar: Ibrahim Osmani, Junus Kurtishi, Xhafer
Demiri dhe Destan Ishaku. Po ashtu i kanë marrë me
vete tre kuaj, një gomar dhe tetë krerë dele. Ata ia kanë
marrë një tufë prej 150 deleve Shukri Beut nga kullota afër
fshatit.
Në Vojnik, serbët plaçkitën e dogjën të gjitha shtëpite, 51
sish dhe, derisa flakët e shkretonin fshatin, ushtarët serbë
e therrnin me bajoneta kë e gjenin. Mes viktimave ishin Sinan
Ibrahimi, Nazif Numani, Ali Selimi dhe Idriz Shabani.
Për më tepër, një grua me emrin Shame është torturuar dhe
i është prerë fyti në prani të fëmijëve të saj. Të gjitha kafshët,
100 krerë dele, tetë krerë gjedhe dhe nëntë kuaj janë
marrë.
Në Allajbegi, serbët e plaçkitën tërë fshatin dhe dogjën
65 shtëpi. Ata masakruan këta persona: Ibrahim, Zejnel
Dalipin, Salih Ahmetin, Ali Selimin, Hajdar Shabanin dhe
vëllain e tij Hajredinin, Hajredin Muçajn, Ali Osmanin, Numan
Elmazin, Sejfedin Selimin, Zejnel Saipin, Salih Sulejmanin,
Fazli Abazin dhe gratë: Shame, Qamile, Alie, Nimetallah,
Hibe, Zaide, Fatime dhe një vajzë pesëvjeçare. Të gjitha
kafshët e kullotave përreth janë vjedhur e marrë.
Në Avalan, fshati është plaçkitur dhe katër shtëpi janë
djegur. Kryeplaku i katundit Ismajl Ismajli është prerë në
fyt dhe kafshët, 90 krerë dele, 6 kuaj dhe 1 gomar janë marrë.
Në Çankë, pasi fshati është vjedhur, nëntë shtëpi janë
djegur. Prej banorëve të fshatit janë prerë këta: Beqir Rrustemi,
Husejn Abazi, Shahin Numani dhe Zejnullahu. Ata po
ashtu i morën me vete 13 kafshë.
Në Kovaçicë, i tërë fshati është plaçkitur dhe 32 shtëpi
janë djegur. Të masakruar ishin: Elias Dauti, Nuredin
Nurçe, Salih Osmani dhe Zejnel Troza. Serbët morën dy
dema, 30 krerë dele dhe nëntë lopë.
Në Bllatë të Eperme, i tërë fshati është plaçkitur dhe 18
shtëpi janë djegur. Abdul Azizi dhe Abdurrahmani ishin të
vetmet viktima të serbëve. Për më tepër, 42 krerë dele dhe
dy kuaj janë marrë.
Në Bllatë të Poshtme, 25 shtëpi, pasi janë plaçkitur, janë
bërë shkrumb e hi. Një burrë me emrin Ali Bllata dhe të dy
bijtë kanë vdekur në flakë. Serbët po ashtu i kanë marrë 30
krerë dele, katër lopë dhe tre kuaj.
Në Lishan, pasi fshati është plaçkitur, është djegur i tëri
dhe të gjitha kafshët e gjetura në stalla dhe jashtë tyre janë
marrë.
Krahina e Dibrës së Ulët Në Rabdisht, fshati është plaçkitur
dhe është shkatërruar krejtesisht. 38 shtëpi dhe afër
30 stalla janë djegur. 65 burra janë masakruar, si zakonisht,
me bajonetë. Për më tepër, në mesin e tyre ishte edhe një
djalosh 6-vjeçar, i biri i udhëheqësit lokal, që ishte hedhur
për së gjalli në flakë. Serbët, po ashtu, morën me vete 400
krerë dele, 150 dhi, 60 lopë dhe 22 kuaj. Hallakatja e xhepave
të banorëve që ishin kursyer nga vdekja rezultoi me 20 lira
turke (afër 450 franga), të cilat serbët i konfiskuan.
Në Zimur, serbët plaçkitën dhe dogjën shtatë shtëpi. Ata
i prenë me bajoneta: Ahmet Shabanin, Mulajm Elmazin,
Sulejman Zeqirin, Veisel Rizajn dhe Salih Shabanin. Kafshët
u morën dhe ishin 245 krerë dele dhe 12 dema.
Në Staravec, i tërë fshati u plaçkit dhe 42 shtëpi u bënë
shkrumb. Viktimat ishin: Husejn Muça, Reshid Rrahmani
dhe një grua e quajtur Zobejda. Serbët zunë dhe morën 300
dele e dhi, 30 krerë bagëti të tjera dhe katër kuaj.
Në Bahutaj, serbët e detyruan Ramadan Mehmetin dhe
shoqeruesit e tij të rrinë në terezi dhe pastaj ua prenë fytet.
Ata i morën 10 kuaj.
Në Tomin, fshati është plaçkitur dhe dy shtëpi, teqeja dhe
xhamia janë djegur. Mazllum Jusufi dhe një çunë dhjetëvjeçar
janë prerë. Të gjitha kafshët e gjetura janë marrë.
Në Dohoshisht, pas grabitjes së fshatit, 55 shtëpi janë
djegur. Mes viktimave që janë masakruar tmerrshëm, njeriu
mund të njihte trupat e Malik Bajramit, Ramadan Ahmetit,
Ymer Sadikut, Zejnullah Hasanit, Halil Junuzit, Musa
Bajramit dhe Shaban Halilit. Serbët morën me vete edhe 400
krerë dele dhe 200 kuaj.
Në Zagrad, ushtarët shkatërruan tetë shtëpi dhe vodhën
katër kuaj.
Në Bellovë, serbët plaçkitën tërë fshatin dhe morën çdo
gjë që mund të bartnin.
Në Grazhdan, 22 shtëpi janë grabitur dhe janë djegur.
Aziz Shemsedini, Hasan Zekiria, Xhafer Jusufi, Emrullah
Mahmuti, Mon Beqiri, Hasan Durmishi, Rrustem Hasani
dhe i vëllai i tij Zekiria, Bexhet Nuri dhe e shoqja e tij, Ismail
Xhelili dhe i biri i tij Elias, Elez Hasani, Emrullah
Demiri, Sinan Xhaferi, Aziz Kurteshi, Maksut Numani dhe
Ferhat ishin prerë me bajonetë në prani të familjeve të tyre.
Serbët, po ashtu, i morën të gjitha kafshët.
Në Muhurr, ata i plaçkitën të gjitha shtëpitë dhe 14 i
dogjën. Kur kapërcyen herën e parë, i morën 200 krerë dele,
100 qengja, 30 lope dhe 15 kuaj, si dhe mbi 300 lira turke (afër
7000 franga) që i gjetën në xhepat e banorëve. Kur kaluan
herën e dytë nëpër fshat, trupat serbe vodhën 10 dele dhe
një kalë. Ata i shkuan në bajonetë edhe njëmbëdhjetë
udhëheqës fshati.
Në Luzni, të gjitha shtëpitë private janë plaçkitur. Serbët
pastaj i shkatërruan pesë shtëpitë kryesore. Ata i morën
të gjitha kafshët që i gjetën në stalla, mbi 1500 dele e dhi dhe
200 krerë bagëti të tjera. Dëmet njerëzore, të vrarë me bajoneta,
janë 45 veta, emrat e të cilëve me kujdes janë verifikuar
dhe regjistruar.
Në Çetush, katër shtëpi janë djegur dhe përsonat: Asma
Hasani, Zejnel Shabani dhe Osman Numani janë masakruar.
Tre kuaj janë vjedhur. Në Brezhdan, serbët plaçkitën dhe
dogjën 17 shtëpi. Ata masakruan këta përsona: Abedin Osmanin,
Shahin Mehmetin dhe Salih Kadriun. I morën, po
ashtu edhe 25 kuaj.
Në Ushtelencë, i gjithë fshati është grabitur dhe trembëdhjetë
shtëpi janë bërë shkrumb e hi.Janë masakruar këta
përsona: Numan Rrustemi, Muslim Zeki dhe Mehmet Gota.
U morën edhe 17 kuaj e gjashtë dema.
Në Deshat, serbët dogjën 15 shtëpi dhe e hodhën një
djalosh dhjetëvjeçar e dy gra në flakë për së gjalli. I vodhën
50 krerë bagëti dhe 500 krerë dele.
Në Sohodoll, i dogjën tri shtëpi dhe i masakruan katër
burra: Abdullah Abedinin, Tusun Dalipin, Sulejman Bahtiarin
dhe Dalip Ismajlin, si dhe një grua me emrin Belure
dhe të birin e saj gjashtëvjeçar me emrin Mazllum. Po ashtu,
i vodhën edhe 200 dele e 30 kuaj.
Në Borovjan, serbët i dogjën dy shtëpi dhe prenë në fyt
Rrustem Muharremin, në prani të familjes së tij. Po ashtu i
morën 27 krerë bagëti, 119 dele dhe pesë kuaj.
Në Rashnopojë, ata plaçkitën në tërësi shtëpitë, por nuk
mundën t’i digjnin asnjë prej tyre. Ata i prenë në fyt gjashtë
fshatarë udhëheqës: Bajram Mehmetin, Malik Rakipin, Selman
Rakipin, Behgjet Behlulin, Osman Azanin, Hajredin
Malikun dhe vodhën 20 dema.
Në Cerjan, serbët shkatërruan shtëpitë dhe vranë tre
burra: Fazli Sulejmanin, Jashar Hejbatin dhe Bektesh Arsllanin
dhe një grua; Zobejden. I morën 14 kuaj dhe 60 krerë
dele.
Në Pilaf, të gjitha shtëpitë janë plaçkitur dhe pesë prej
tyre janë djegur. Serbët e prenë me bajonete Dalip Ramadanin
në prani të së ëmës së tij të vjetër.
Në Pilaf-Mahallë ata grabitën të gjitha shtëpitë dhe shkatërruan
tetë nga to. E vranë Hasan Fetahun, Salih Jusufin
dhe të bijen e tij gjashtëvjeçare Fatimen. Për më tepër
soldateska serbe i vërviti djemtë e vegjël, 6-vjeçarin me
emrin Shukri dhe 4-jeçarin me emrin Hasan në flakë. U
morën 100 krerë bagëti, 200 krerë dele dhe tetë kuaj.
Në Pollozhan, krejt katundi u grabit dhe tri shtëpi u
dogjën. Këtu mbetën njëmbëdhjetë viktima: Hajredin Vehta
dhe vëllai i tij Azizi, Jusuf Uka, Hajredin Shkurti, Husejn
Zejneli, Hajredin Halili, Said Pasha, Emin Shahini, Elez
Numani dhe vëllai i tij Osmani dhe i biri i këtij të fundit. Sa
i përket kafshëve, ata morën 50 krerë dele 12 dema dhe katër
kuaj.
Në Gliçë (Blliçe?), të gjitha shtëpitë janë plaçkitur dhe
pesë sish janë djegur. Serbët ua prenë fytin tre burrave (Xhafer
Rrustemit, Destan Hasanit dhe Xhemal Salihut) dhe një
gruaje (Ajshes). I morën 250 krerë dele dhe 30 kuaj.
Në Limjan, i tërë fshati u grabit. Në mesin e banorëve që
u prenë me bajoneta ishin Hasan Shahini, Sejfullah Ibrahimi,
Abdurrahman Fetahu, Qerim Sadiku dhe Bajram Xhelili.
Po ashtu, i morën 200 krerë dele, 20 1opë dhe 10 kuaj.
Në Peshkopi, pasi u plaçkitën të gjitha shtëpite, 57 nga
to, mes tyre edhe me të rëndësishmet, u dogjën. Të masakruar
ishin: Xhelaledin Abazi, Ali Ymeri, Xhelman Selmani,
Hasan Arsllani, Hajredin Shabani dhe Murat Demiri. 180
krerë bagëtish, 450 dele e dhi,15 mushka dhe 20 kuaj janë
marrë me vete. Në Trepçë, katundi u plaçkit dhe Zejnullah
Ahmeti u pre me egërsi në sy të familjes së vet. Dy kuaj dhe
57 krerë dele janë marrë.
Në Çidhën, tridhjetë shtëpi janë bërë shkrumb e hi. Tre
burra ishin mes viktimave: Kitan Keloshi, Hasan Hani dhe
Arsllan Sadiku. 500 dele e dhi, 200 krerë bagëti, 13 kuaj dhe
tre gomarë janë marrë.
Në Renz, serbët shkatërruan pesë shtëpi, ia prenë fytin
Zëjnel Ahmetit në shkallare dhe morën 100 dele e dhi, 12 lopë,
dhe 5 kafshë të tjera. Tregimi i masakrave mban me vete
listën tmerruese të zbulimit të martirizimit të rinisë shqiptare.
Detajet janë pajisur edhe me vrasjet e bëra në pjesë të
tjera të Krahinës së Dibrës së Ulët të Shqipërisë veriore, siç
janë:
Në Dipjakë, grabitje e përgjithshme ku ndodhi vrasja e
një burri me emrin Beqir Sulejmani dhe ku u paguan haraç
45 lira turke nga banorët për komandantin serb që të ndalte
masakrën. Por, të gjitha kafshët i morën.
Në Venisht, grabitje dhe rrënime. U prenë në fyt Beqir
Asimi dhe Idriz Tahiri dhe u plaçkitën të gjitha kafshët.
Në Sllatinë 30 shtëpi u shkatërruan. Bahtial Idrizi u dogj
i gjallë dhe 1365 krerë të bagëtive u morën.
Në Trojak dhe Velështë 41 shtëpi u bënë shkrumb e hi.
U vranë këta përsona: Zaim Idrizi, Abas Huseini dhe Salih
Kadri. 660 kafshë janë marrë.
Në Kallë 30 shtëpi janë djegur. Një grua me emrin Daveshe
është hedhur për së gjalli në flakë. Bajram Rrustemit
iu pre fyti në shkallaret e shtëpisë së tij. 576 kafshë i morën.
Në Sllovë, nuk kishte viktima, pasi popullata nuk i kishte
besuar amnistisë serbe dhe kishte ikur në male. Fshati u
plaçkit krejtësisht, 32 shtëpi u dogjen krejt dhe 319 kafshë i
morën teksa kullosnin.
Në Dardhë, plaçkitje të përgjithshme. Dy viktima: Nuredin
Sulejmani dhe Ramadan Sinani. 380 kafshë janë marrë.
Në Reç, plaçkitje e përgjithshme dhe marrje e 600 kafshëve.
Në Shumbat Palaman, plaçkitje, rrënim i tetë shtëpive.
Tri gra, Rihane, Selvije dhe Ajshe, dhe tre burra, Jusuf, Bajram
dhe një Bajram tjeter, janë vrare. Mbi 1340 kafshë janë
marrë. [...]
Marrë nga gazeta e përditshme Corriere delle Puglie,
Bari, XXVI, 354, e 21 dhjetorit 1913.
Krijoni Kontakt