Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 9
  1. #1

    Ana tjetër e medaljes: Masakra e Tivarit dhe… flet Hysni Milloshi, kryetar i PK

    RAMIZ ALIA, TRADHTAR I REVOLUCIONIT, JO VRASËS I TIVARIT

    Flet Kryetari i Partisë Komuniste, shoku Hysni Milloshi

    Nga, Albert ZHOLI
    ( dërguar redaksisë së Radio Projektit 21, Danimarkë )

    Ka mëse një muaj që në shtypin shqiptar, për ccdo ditë shkruhet për Masakrën e Tivarit. Për këtë masakër midis të tjerëve akuzohet dhe ish udhëheqësi i fundit komunist dhe Presidenti i parë pluralist Ramiz Alia. Për këtë masakër ka mendime të kundërta. Një mendim krejt ndryshe përcjell dhe Kryetari I Partisë Komuniste sh Hysni Milloshi. Në këtë intervistë ai jep mendimin e tij për Ramiz Alinë, Sali Berishën, Pandeli Majkon, Enver Hoxhën, Haxhi Lleshin, Titon, Vukmanoviç Tempon etj..në lidhje me këtë masakër…

    *Zoti Hysni, Parlamenti shqiptar ka krijuar një komision hetimor për Masakrën e Tivarit? Cili është mendimi juaj?

    (Shoku, qesh). Po, më 15 Korrik parlamenti ynë - më saktë gjysma e tij - tregoi, ashtu si edhe herë të tjera ka treguar, se mbetet konseguent në masakrimin e të vërtetave historike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe, ashtu siç u shpreh deputeti Gramoz Ruçi, “për inat të vjehrrës komuniste shkon të flejë me mullixhijtë serbë”. Po mbushen plot 20 vjet që kur Sali Berisha dhe shpura e tij, me dashje apo pa dashje, të rreshtuar nën flamurin e antikomunizmit, i kanë shërbyer flamurit serb. Presidenti Tadiç dhe parlamenti serb gjykoj se po tregohen tepër mosmirënjohës ndaj shërbimeve të dikatorit shqiptar, duke vonuar ngritjen e monumentit të tij në Beograd, ose të paktën shpalljen si fillim akademik nderi të Akademisë serbe. Vlerat e diktatorit Berisha në shërbim të Serbisë nuk janë më të pakta se ato të akademikut serb Çubriloviç.

    *Ju zbrazni qysh në fillim kritika mbi kryeministrin Berisha, po ndërkohë edhe socialisti Majko, ish kryeministër, duke folur për këtë çështje, atakon Enver Hoxhën dhe komunistët shqiptarë në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”. E kini lexuar atë intervistë?

    E kam lexuar intervistën megallomane të Pandeli Majkos, i cili na paraqitet një nxënës shumë i keq i diktatorit Berisha. Mendoj se nuk mund të pritet ndonjë paraqitje tjetër më dinjitoze prej “orakullit” Majko. Ai është ushqyer me misër e kashtë artificiale në stallën e Fatos Nanos dhe, në lojën e kumarit që bënte zoti Nano, Pandi na u gdhi një ditë prej ditësh kryeministër i Shqipërisë. I ngujuar në delirin e madhështisë prej ish kryeministri, ky tashmë e sheh Botën nga lart, kërkon të na imponohet si profet e udhëheqës kombëtar. Ky Enver Hoxhën dhe Josif Broz Titon, dy udhëheqës kundërshtarë, por me peshë në histori, i sheh e i konsideron me mendjelehtësi proverbiale si të ishin, bie fjala, Erion Braçe dhe Erion Veliaj. Pandi, akoma në fazën e foshnjës, që e vënë në gjumë me përralla, na shfaqet në këtë intervistë si njeriu që paska zbuluar diplomacinë e fshehtë midis Enver Hoxhës dhe Josif Broz Titos, e cila paska “qenë rindërtuar mbi një bazë kontraktuale”. Një akuzë e re kjo ndaj Enver Hoxhës. Pandi ndoshta e ka lexuar bisedën midis Enver Hoxhës dhe ambasadorit Lik Seiti duke ngrënë akullore dhe s’ka kuptuar asgjë prej saj. Absolutisht asgjë. Këta janë udhëheqësit socialistë: foshnja të sëmurë me autizëm. Prandaj edhe në fushata elektorale diktatori Berisha s’ka nevojë të lodhet shumë me ta. Këta udhëheqës delirantë e autikë Berisha i mund me shurrë.

    *Zoti Majko i ka konsideruar bashkëpërgjegjës komunistët shqiptarë e ata jugosllavë për Masakrën e Tivarit. Cili është mendimi juaj?

    Po, po, prokurori dhe gjykatësi politik Majko i cilëson si bashkëpërgjegjës si komunistët shqiptarë e si ata serbë, gjë që do të thotë se të njëjtën përgjegjësi që mbante Shtabi Jugosllav i Titos mbante edhe Shtabi Shqiptar i Enver Hoxhës, sepse, sipas Majkos, “komunistët shqiptarë dhe ata jugosllavë ishin aleatë të Luftës së Dytë Botërore”. Sipas filozofisë Majko, meqënëse ne gjatë kësaj lufte ishim aleatë edhe me anglezët, Enver Hoxha dhe Çërçilli mbajnë të njëjtën përgjegjësi për masakrën e Athinës që organizoi ky i dyti në kryeqytetin helen. Ja deri ku mund të arrijë marrëzia! As shakaxhiu Majko, as diktatori Berisha nuk janë e as nuk do të jenë ndonjëherë në gjendje të gjykojnë Enver Hoxhën dhe komunistët e luftës. Enver Hoxha e kishte kokën plot me Diell Kombëtar dhe zemrën me stuhi revolucionare, ndërsa armiqtë e tij - politikanët e ditëve tona - me myk antikombëtar kokën dhe helm antikombëtar zemrën. Me oreksin për të nxirë të vërtetën, në një farë mënyre, ata i shërbejnë padashur asaj. Ka një thënie të shkrimtarit amerikan Etleri Uilliam Çening: Asgjë nuk i ndihmon fitores së të vërtetës se sa kundërshtimi i saj.

    *Në bisedën me ambasadorin Lik Seiti mësohet se Enver Hoxha nuk e mbështeste idenë e Kosovës Republikë.

    Po, është e vërtetë. Enver Hoxha kishte qëllime të tjera për Kosovën në atë kohë, që nuk i kupton zoti Majko, ose i kupton, po ia do puna të bëjë lojën e bretkocës që ëndërron të bëhet shqiponjë. Enveri s’ka qenë për dy Republika Shqiptare e dy shtete shqiptarë, siç nuk kanë qenë as Bajram Curri e gjenerata e tij. Ka qenë për bashkimin e saj me Shqipërinë. Kjo është e vërtetë, që, sipas Ciceronit, e mbron veten fare lehtë. Që Enveri ish për dy republika shqiptare nuk u mësua për herë të parë nga leximi i bisedës me Lik Seitin. Kjo është thënë edhe më parë nga vetë bashkëshortja e tij. Enveri është pajtuar me kërkesën “Kosova Republikë” në rrethana të tjera, të vitit 1981. Gjithësesi kjo është temë më vete dhe nuk mendoj se ka lidhje me Masakrën e Tivarit, për të cilën kërkohet të hidhet dritë duke mbjellur natë. Dy injorantë historikë si Berisha e Majko, apo një komision i urdhëruar nga diktatori, s’kanë për qëllim të ndriçojnë Masakrën e Tivarit, por të nxijnë heroizmin partizan dhe Partinë Komuniste që drejtonte luftën.

    *Kush mund të hidhte dritë sipas jush?

    Mbi Masakrën e Tivarit mund të hidhte dritë të plotë Fadil Hoxha, udhëheqësi numër Nji i Kosovës në atë kohë, por edhe më vonë. Por diktatori Berisha, një ngatërrestar e demagog pa kufi, e ngre këtë çështje kur edhe Fadil Hoxha ka vdekur. Është jashtë çdo dyshimi se diktatorin Berisha nuk e zë fort halli për të masakruarit në Tivar, po, si hakmarrës i paduruar që është dhe mjeshtër shashkash për të larguar vëmendjen nga problemet e ditës, kryesisht nga komisioni hetimor për zgjedhjet e 28 Qershorit, korrupsioni galopant i qeverisë së tij, si dhe borxhet kolosale ku e ka futur financën, bën një kapërcim spektakolar e hidhet krejt papritur tek Masakra e Tivarit, me synimin të vrasë shumë zogj me një gur. Kështu ky fyen edhe popullin kosovar dhe shtetin e tij.

    *Përse e fyen popullin dhe shtetin e Kosovës?

    Sepse i takon popullit të Kosovës të interesohet i pari për bijtë e vet. Kanë kaluar 65 vjet dhe ende po flitet me hamendje për numrin e të masakruarve. Dikush thotë se shifra varion kështu e dikush varion ashtu. Kanë qenë njerëz, kanë patur nëna e baballarë, vëllezër e motra në Kosovë. Shifra duhej të ishte e saktë, me emër, atësi, mbiemër, vendlindje, asnjë më pak e asnjë më shumë. Në shënimet e mia për këtë ngjarje është shifra diçka mbi 500 vetë, ndërsa flitet se kanë qenë 4 - 5 mijë vetë. Historiani Pëllumb Xhufi përmend shifrën 4 mijë pa iu referuar asnjë dokumenti. 65 vjet kanë qenë mjaft për të verifikuar shifrën ekzakte të atyre djemve të pajafshëm që ranë viktimë e planeve serbe në prag të fitores mbi fashizmin. Kosova ka sot një parlament. Diktatori Berisha e anashkalon atë si të jetë ndonjë parlament derdimenësh dhe injorantësh, që s’janë në gjendje të hulumtojnë në histori për të rënët e tyre, kur në të vërtetë parlamenti kosovar ka figura dinjitoze patriotësh të arsyeshëm, që për fat të keq nuk i gjen në parlamentin shqiptar. Kosova e ka një Euleks mbi kurriz, s’ka nge të mbajë edhe Berishën me bëmat e tij absurde. Nëse dëshiron të mbulohet me turp, le t’ua bëjë parlamenti i Kosovës gjyqin dy divizoneve tona që luftuan me heroizëm legjendar në tokën e saj e më gjerë, duke i falë gjakun e 600 herojve e heroinave. Kosovarët, po të kenë fakte, le të flasin edhe për Ramiz Alinë, t’ia bëjnë gjyqin në mungesë, ndërsa diktatorit Berisha s’i mbetet gjyq për t’i bërë, se ia bëri njëherë, e kishte në bankën e të akuzuarve Ramizin, ku mund ta pyeste edhe për masakrën e Tivarit.

    *Kryeministri e ngarkon me përgjegjësi direkte Ramiz Alinë në Masakrën e Tivarit. Sa është, sipas jush, përgjegjësia e Ramiz Alisë?

    Ramiz Alia ka përgjegjësi të tjera para historisë. Ramiz Alia është tradhtar i Revolucionit, jo vrasës në Masakrën e Tivarit. Pra s’ka përgjegjësi. As Ramizi e as shtabi partizan i divizionit të tij. Ushtria jugosllave ndodhej nën komandën dhe urdhërat e Titos e jo të Ramiz Alisë. Komisari Ramiz Alia, ashtu si rreth 10 mijë partizanë të tjerë që luftuan për qëllime kombëtare në Kosovë, e ka kryer me nder e lavdi detyrën e tij. Nëse diktatori Berisha e parlamenti i tij kanë zbuluar ndonjë dokument se 19 vjeçari Ramiz Alia komandonte më 1945 ushtrinë partizane jugosllave, atëherë Ramizi meriton të arrestohet, në të kundërtën, meriton të arrestohet diktatori Berisha për shpifje dhe abuzim kriminal me postin e kryeministrit kundër ushtrisë partizane të Enver Hoxhës, aleate me Ushtrinë e Kuqe të Stalinit, Ruzveltit dhe Çërçillit, që, si asnjë ushtri tjetër në Europë, e çliroi Atdheun me forcat e veta.

    *Po nuk duhet harruar se Ramiz Alia ishte komisar i divizionit kur ndodhte Masakra e Tivarit.

    Ramiz Alia ishte komisar i një divizioni shqiptar internacionalist, jo komisar i Jugosllavisë. Edhe Asim Vokshi ishte një farë komisari internacionalist në Luftën e Spanjës. Mos u dashka shpallur përgjegjës për vrasjet që bënte “Kolona e Pestë” dhe krimet e tjera të gjeneralit Franko? Ramiz Alia ishte komisar divizioni, por s’kishte të drejtë urdhëri për vrasje e për therje. Të drejtën për dhënien e urdhërave e kishte komandanti. Dhe komandant ka qenë Rrahman Parllaku. Përse diktatori Berisha nuk akuzon komandantin, po akuzon komisarin? Ramiz Alia si komisar nuk mbante as përgjegjësi partiake, sepse me punët e partisë merreshin zëvendëskomisarët. Nga ana tjetër, përse drejtohen shigjetat e Jupiterit vetëm mbi Ramiz Alinë, kur në Kosovë vepronin dy divizione shqiptare? Dhe ja katër personalitetet kryesorë që drejtonin dy divizionet tona: Gjin Marku, Njazi Islami, Rrahman Parllaku, Ramiz Alia. Në këtë katërshe më i riu si në moshë si në detyra të larta ishte Ramiz Alia. Tre të tjerët, sidomos gjeneral Gjin Marku, kishin kryer detyra të larta edhe më parë. Dhe ata, sipas logjikës, duhet të hetoheshin e gjykoheshin të parët po të kish arsye për të hetuar. Por ja që ndodh e kundërta. Shigjetohet Ramizi që të denigrohet ushtria partizane dhe Enveri si Komandant Suprem i saj. Enver Hoxha i madh nuk i çoi komandantët e komisarët të vrisnin kosovarët, po t’i ngrinin masivisht në luftë kundër gjermanëve, sepse reaksioni serb do të dëshironte që kosovarët të mos luftonin, apo të implikoheshin me gjermanët, që pastaj ta kishte shumë më të lehtë çfarosjen e tyre e spastrimin etnik. Enver Hoxha, që kishte aftësitë të shihte përtej hriozontit, kishte në vëmendje çështjen madhore të vetëvendosjes së popullit kosovar, e cila as që mund të diskutohej nëqoftëse kosovarët nuk do të luftonin kundër fashizmit sipas parimeve të Kartës së Atlantikut. Në emër të këtij qëllimi PKSH dhe Enver Hoxha nuk mbollën retorikë në erë, po e mbollën tokën kosovare shqiptare me gjakun dhe jetën e 600 dëshmorëve partizanë, që i përzierë me gjakun e shqiptarëve të Kosovës, t’u jepte të drejtën legjitime shqiptarëve të kërkonin respektimin e parimit të vetëvendosjes deri në shkëputje e të realizohej ideali i Bashkimit të Atdheut, ai ideal për të cilin qe mbledhur edhe Konferenca e Bujanit. Rrahman Parllaku, komandant divizioni ku Ramizi ishte komisar, është gjallë, po edhe deklarata e tij është e filmuar kur ka folur se çfarë i thanë Dali Ndreu e Hysni Kapo në emër të PKSH e Enver Hoxhës në fshatin Linzë për qëllimet e divizioneve tona në Kosovë. Enver Hoxha i madh nuk çoi kushërijtë e tij të komandonin dy divizionet tona në Jugosllavi, po zgjodhi kuadro me afërsi më të forta shpirtërore me krahinën e Kosovës. Në katërshen kryesore që përmenda, tre janë veriorë dhe vetëm njëri nga jugu. Komandatët ishin të dy veriorë. Rrahman Parllaku, si lumian, ishte pothuajse kosovar, sepse krahina e Lumës shtrihet edhe në Kukës, edhe në Kosovë. Siç thashë, sipas akuzave të diktatorit Berisha, duhet të besojmë që Ramiz Alia më 1945 ishte Komandanti Suprem i Jugosllavisë dhe Josip Broz Tito një adjutant i tij. E vërteta e Masakrës së Tivarit është krejt ndryshe nga ajo që paraqitet sot për qëllime politike.

    *Cila është e vërteta në këndvështrimin tuaj?

    E vërteta lakuriq është kjo: Në Mars të vitit 1945 kaluan nëpër Shkodër mbi 500 kosovarë me destinacion Malin e Zi, ku, sipas urdhërit do të luftonin kundër forcave gjermane. Siç shprehet edhe historiani Pëllumb Xhufi, ata nuk kaluan ilegalisht në Shqipëri. Me ta ka marrë takim Shefqet Peçi, komandant divizioni në Shkodër, i cili u ka folur për luftën kundër pushtuesve gjermanë dhe miqësinë shqiptaro - jugosllave. Pastaj kosovarët janë nisur në drejtim të Oblikës e janë hedhur në Mal të Zi. Kur janë shtruar atje të hanin bukë, komanda serbo - malazeze që shoqëronte kolonën, pasi ka zënë pozicionet e duhura, ka hapur zjarr mbi ta. Rreth dhjetë kosovarë të mbijetuar mundën të kalojnë kufirin dhe t’u dorëzoheshin forcave tona tek Ura e Bunës në Shkodër. Pranë tyre ka shkuar me urgjencë Shefqet Peçi dhe i ka marrë në pyetje. Ata kanë treguar ngjarjen e hidhur. Kush e ka njohur Shefqet Peçin e di se si i ndizeshin rrufetë në gjak në momente të tilla. Të nesërmen Shefqet Peçi ka marrë takim në Shkodër me një sekretar të KQ të Malit të Zi, i cili ishte transferuar si sekretar politik në Kosovë në vend të Miladin Popoviçit, që u vra prej Titos e Rankoviçit. Pyetjes plot revoltë për masakrën, malazezi i është përgjigjur se kosovarët u gjendën të rrethuar nga forcat e Mihailloviçit. Shefqet Peçi, bazuar në realitetin e treguar nga kosovarët e mbijetuar, e ka kundërshtuar egërsisht versionin e malazezit, është larguar prej tij pa i dhënë dorën dhe ka vënë menjëherë në dijeni Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare. Më 15 Prill 1945 Shefqet Peçi është thirrur direkt nga Enver Hoxha, ku është pyetur për këtë çështje. Biseda është bërë kokë më kokë. Shefqet Peçi edhe në këtë bisedë e ka hedhur poshtë versionin e Mihailloviçit.

    *Sipas jush versioni se kosovarët u vranë nga forcat e Mihailloviçit s’ka kurrëfarë baze të vërtetë?

    Aspak. 500 kosovarët u vranë pabesisht nga serbo - malazezët sipas strategjisë së tyre të çfarosjes. Duhet kujtuar se kosovarët ishin të shoqëruar nga oficerë serbë dhe malazezë. Atëherë si mund të besohet që plumbat e Mihailloviçit binin si me magji mbi kosovarët e jo edhe mbi serbët? Duhet kujtuar se pas 45 vjetësh vetë serbët e mohuan versionin e parë të vrasjes së kosovarëve nga Mihailloviçi dhe deklaruan në vitin 1989 se këta kosovarë kishin organizuar një kryengrtitje kundër shtetit jugosllav. I revoltuar nga kjo propagandë e poshtër serbe, Shefqet Peçi, që e kish jetuar ngjarjen, më 4 Nëntor 1989 i drejtohet shtetit shqiptar me një deklaratë për të vërtetën e Masakrës së Tivarit. Duhet kujtuar se Shefqet Peçi, edhe në muajt Tetor - Nëntor 1944, kur luftonte në Gjakovë e Prizren, njoftonte me shkrim komandantin e komisarin e koorpormatës së Parë nga e cila varej, përkatësiht Dali Ndreun dhe Hysni Kapon, se në “ushtrinë jugosllave mungon një vijë politike për vëllazërimin e popujve”, se serbët e malazezët sillen keq me kosovarët muhamedanë, që arrestohen e burgosen pa asnjë shkak dhe se “po të mos merren masa të prera në mënyrë bolshevike, punët do të shkojnë keq e më keq”. Duhet kujtuar se ky Shefqet Peçi, që thosh të vërtetën për keqtrajtimin e kosovarëve në përgjithësi dhe Masakrën e Tivarit në veçanti, arrestohet më 1995 me urdhër të Sali Berishës dhe vdes në grevë urie. Ju mund të thoni se Shefqet Peçi u arrestua për problemin e Buzëmadhes së Kukësit. Po Haxhi Lleshi, që arrestohet në të njëjtën kohë, për çfarë u prangos? Për të nuk u shtrua problemi i ndonjë Buzëmadheje gjatë luftës. Dihet se gjatë luftës, për shkak të konflikteve që Haxhi Lleshi kishte me Vukmanoviç Tempon, shtabi jugosllav me Titon në krye kërkonte eleminimin e tij. Atë që nuk e bënë dot serbët me Titon më 1944 - 45 e bëri Sali Berisha më 1995. Kësisoj Tirana nxinte e Beogradi qeshte. Edhe tani parlamenti e Berishës nuk bën gjë tjetër veçse nxin Tiranën e lyen më bojë të bardhë Beogradin. Duke shpallur të implikuar në Masakrën e Tivarit shqiptarin Ramiz Alia parlamenti shqiptar u lan duart e përgjakura serbëve. Ky është një krim i madh. Ramiz Alia, në emër të shoqërisë që ka patur me Heroin e Madh Manush Alimani, në emër të 600 herojve e heroinave që ranë heroikisht nga radhët e divizioneve shqiptare në Jugosllavi, duke qenë se jetën e ka jetuar dhe s’ka çfarë humbet më, ka rastin të rizgjojë rininë partizane e ta hedhë në gjyq parlamentin shqiptar, për t’i treguar Botës e brezave që vinë përse Hauzdingët e sotëm shqiptarë kanë mobilizuar tërë forcat dhe energjitë e tyre të Ferrit për të dhunuar e ngulur bajonetën në zemër lavdisë së Ushtrisë Partizane Shqiptare siç bënte gjermani Hauzding në një qeli të Shkodrës kur pas 27 ditë torturash i çante zemrën me bajonetë Manush Alimanit. Kjo është masakër që duhet denoncuar energjikisht, edhe nga populli, sa nuk është tepër vonë. Kur hesht populli, tirani i vret të shkuarën dhe të ardhmen, me ëndrrën që t’i përdorë njerëzit si përdornin baronët e plantacioneve skllevërit zezakë.

    *Parlamenti ka ngritur një komision hetimor. Hetimi është diçka e drejtë.

    E drejta e hetimit kundër një shqiptari në këtë rast vë në dyshim padrejëtsinë makabre serbe, prandaj ky do të hyjë në histori si një komision kriminal. Nga ana tjetër, komisioni i ngritur nuk mund të konsiderohet komision parlamentar përderisa anëtarët e tij i përkasin vetëm një partie, e cila s’ka marrë shumicën e votave të 28 Qershorit 2009. Një parti e vetme në pluralizëm, që ka ardhur në pushtet falë një koalicioni me mercenarë shumëpartiakë, nuk e ka të drejtën të marrë vendime e të bëjë hetime në emër të popullit. Sot Kosova ka parlamentin e vet. Nëqoftëse ky parlament me Jakup Krasniqin në krye do të ngrinte një komision hetimor për Masakrën e Tivarit e gjatë hetimit ky të zbulonte se përgjegjësia s’ka qenë plotësisht e serbëve, po edhe e partizanëve shqiptarë, atëherë parlamenti shqiptar duhej të preukopohej e të hetonte në ka apo s’ka të drejtë pala kosovare. Komisioni i ngritur, që padrejtësisht quhet parlamentar, nuk pasqyron të drejtën hetimore, po të padrejtën diktatoriale. Shtrohet pyetja: a do të ngrihej ky komision nëqoftëse Ramiz Alia nuk do të mbështeste grevën 19 ditore të socialistëve, që, për hir të realitetit, ishte e drejtë e madhështore, ku të dyqind grevistët u mbështetën nga qindra mijëra shqiptarë, por që mjerisht e hëngri për darkë “Krokodili” i Strasburgut? Jo, nuk do të ngrihej. Në inat e sipër, produkt i një shpirti hakmarrës dhe i një demoni diktatorial, Saliu nxehet, papritur i vjen në kujtesë se ka ndodhur një masakër në Tivar dhe akuzon me gjuhën e xhelatëve serbë të Rankoviçit Ramiz Alinë. Atë Ramiz Ali që e kishte ngritur në qiell me gjuhën e Enver Hoxhës në një miting më 12 Dhjetor 1990: “Mirënjohja jonë e madhe, padyshim shkon së pari tek presidenti, shoku Ramiz Alia, i cili me një mençuri të madhe, po me atë guxim që udhëhoqi njësitë e mëdha të ushtrisë sonë në betejat çlirimtare, udhëhoqi vendin tonë në betejat e reja për demokratizimin e Shqipërisë”. Me këto fjalë gjëmonte komunisti Berisha më 12 Dhjetor 1990. Duhet kujtuar, se kur e ka fjalën për njësi të mëdha partizane, ai kishte parasysh Kosovën, sepse brenda territorit shtetëror Ramiz Alia nuk pati udhëhequr njësi të mëdha. Për herë të parë në krye të njësive të mëdha ai u vu me urdhër të Enver Hoxhës në Dhjetor të vitit 1944. Komandanti suprem e emëron komisar politik të Divizionit të Pestë Sulmues që do të vepronte në Jugosllavi tok me Divizionin e Gjashtë. Në këtë periudhë, po sipas Sali Berishës, komisari Ramiz Alia nuk paska udhëhequr me lavdi formacione të mëdha partizane në Kosovë, por paska përgjakur duart me Masakrën e Tivarit!!!

    *Ju këmbëngulni se Ramiz Alia s’ka asnjë përgjegjësi për masakrën e Tivarit, në të njëjtën kohë ju e cilësoni Ramiz Alinë tradhtar të Revolucionit. A nuk po bëni afërsisht të njëjtën gjë që bën Berisha lidhur me Ramiz Alinë?

    Unë dhe Sali Berisha nuk po bëjmë të njëjtën gjë. Së pari, kur Sali Berisha e shpallte Ramiz Alinë Hero të revolucionit demokratik, unë, si shumë të tjerë, e shpallja Ramiz Alinë tradhtar të Revolucionit popullor. Vlerësimet tona lidhur me këtë figurë historike ishin krejt të kundërta. Për Sali Berishën Ramizi ishte Hero, sepse vendosi pluralizmin politik, që do ta çonte vendin nga diktatura e proletariatit në diktaturën e Sali Berishës. Për mua ishte tradhtar pikërisht se bëri një gjë të tillë. Kur turmat e popullit kërkonin dorëheqjen e tij si president, kur ushtria kërkonte gjithashtu dorëheqjen e tij si komandant i përgjithshëm, Ramiz Alia himnizohej nga Sali Berisha, Sabri Godo dhe kundërrevolucionarë të tjerë, sepse e dinin se pa kalin e Ramiz Alisë nuk e hidhnin dot lumin. Pa rolin vendimtar të Ramiz Alisë Shqipëria nuk do të mund të kalonte kurrë në duart mizore të Berishës, të Fatos Nanos apo të Edi Ramës. Nëse e ashtuquajtura “demokraci” e vendosur më 1990 ishte një fitore e madhe, siç edhe quhet, atëherë arkitekti i saj, Ramiz Alia, meriton një monument në të gjithë qytetet e Shqipërisë dhe në qendër. Mirëpo të gjitha forcat e ashtuquajtura demokratike, që unë i quaj, ashtu siç janë, kundërrevolucionare, e prenë në besë Ramizin, e lanë babanë e pluralizmit politik mes katër udhëve, bile Saliu, që e himnizoi më shumë, e futi në burg. Dhe ashtu si Bonaparti që e vuri vetë mbi krye kurorën e perandorit, Saliu ia hoqi me dhunë Ramiz Alisë kurorën e prijësit të betejave të demokratizimit të Shqipërisë, që vetë ia kish dhënë, dhe e vuri mbi kokën e tij. Tani Saliu po i heq Ramiz Alisë edhe kurorën e udhëheqësit të formacioneve të mëdha partizane që vetë ia reklamoi më 12 Dhjetor 1990 dhe kërkon ta vendosë mbi kokën e tij, prandaj dhe ka marrë rolin e prokurorit dhe gjykatësit politik të luftës partizane. Unë, në emër të së vërtetës, jam i detyruar të mbroj solemnisht të vërtetën, duke deklaruar se Ramiz Alia s’ka kurrëfarë përgjegjësie për Masakrën e Tivarit.

    *Po Enver Hoxha dhe Fadil Hoxha a mbajnë përgjegjësi për Masakrën e Tivarit?

    E përsëris: Jugosllavët dolën në atë kohë me versionin se masakra u krye nga forcat e Mihailloviçit. Megjithatë Enver Hoxha e ka dënuar. Së dyti, Enver Hoxha nuk bënte pjesë në Shtabin jugosllav që të mbante përgjegjësi. Së treti, momentalisht mund të mblidheshin të dhëna rreth të vërtetës, por jo të hapeshin gjyqe të mëdha kur drejtimi kryesor i luftës ishte mbi fashizmin. Së katërti, si Enver Hoxha, si Fadil Hoxha, edhe pas fitores së 9 Majit, edhe pse padyshim e kanë përjetuar me dhimbje e dyshime të mëdha masakrën e Tivarit, s’kishin ç’të bënin, sepse nga njëra anë jugosllavët ia faturuan masakrën Mihailloviçit, nga ana tjetër mobilizuan tërë potencialin e dinakërisë e të pabesisë për t’i eleminuar të dy si udhëheqës. Sipas dëshmive të Milovan Gjilasit, pothuajse njeriu numër dy në Jugosllavi, Enver Hoxha ishte e vetmja pengesë për realizimin e qëllimeve strategjike jugosllave. Enveri thuajse kish mbetur vetëm në udhëheqjen e tij. Ai rrethohej nga shokë të pabesë. Koçi Xoxe ishte një titist sadist dhe marshalli Tito vepronte që ky të zëvendësonte Enverin. Nako Spiru gjithashtu fillimisht e kishte shitur Enverin tek Tito. Buharinisti i njohur Sejfulla Malëshova synonte nga ana e tij rrëzimin e Enverit për të dalë të paktën pas një viti vetë në krye të Partisë dhe i thoshte Petro Markos: “Mos fol një vit, prit edhe një vit”. Europa nga ana e saj komplotonte nëpërmjet grekut Caldaris dhe jugosllavit Moshe Pijade në Paris të copëtohej Shqipëria. Anglo - amerikanët për interesat e tyre vepronin më vete për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës me dhunë. Bandat ishin maleve. Në OKB nuk pranoheshim. Uria e bukës na kërcënonte. Stalini, që fillimisht njihte vetëm Titon, prandaj udha e Shqipërisë për në Moskë kalonte nga Beogradi, kish nisur të dyshonte, dhe nga njëra anë provokonte në Moskë Milovan Gjilasin: “Përse nuk e gllabëroni Shqipërinë”, që ky të mund të përgjigjej: “Atë duam të bëjmë, shoku Stalin”, nga ana tjetër këshillonte Enver Hoxhën të mos i pranonte divizionet e Titos në Shqipëri dhe informonte Gjergj Dimitrovin se jugosllavët kishin synimin e gabuar ta bënin pjesë të tyre Shqipërinë. Në këtë amulli politike të llahtarëshme, kur hallet e një populli të vogël e fukara si ky i yni ngriheshin gjer në Mars e Jupiter, nuk mund të ish prioritet numër një e vërteta rreth një masakre, sado e dhimbshme, kur e gjithë Shqipëria kërcënohej nga një masakër e përbindëshme për ta zhdukur nga harta e Europës. Të mos ish Enveri me rezistencën e tij hyjnore, me zgjuarsinë dhe largpamësinë profetike përtej horizontit, po dhe me mjeshtërinë e dinakërisë në duel me kundërshtarët dinakë, do kishim marrë fund. Duhet pranuar se Enver Hoxha ishte një lojtar i madh. Në minutat më kritike të amullisë e të ndeshjes, në kthesën e fundit, kur kundërshtari përgatitej të pushtonte qiellin me krahë për fitoren, Enveri e detyronte të bënte autogol dhe dilte vetë i fituar. Enver Hoxha dhe Tito bashkëpunuan gjatë luftës nisur nga qëllime krejt të kundërta. Tito ta bënte Shqipërinë republikë të shtatë, Enveri të bashkonte Kosovën dhe tokat e tjera shqiptare në Jugosllavi me Atdheun. Bashkimi nuk u arrit në rrethanat e tradhtisë titiste që dihen. Enver Hoxha dhe Titua mbetën kundërshtarë të përjetshëm, jo vetëm për divergjenca ideologjike në prizmin marksist - leninist, po mbi të gjitha për çështjen kombëtare. Deklarata e një zagari socialist serb si Pandeli Majko se paska ekzistuar një diplomaci e fshehtë mes Enverit dhe Titos, “megjithëse në librat e historisë dhe në librat e kujtimeve ata janë përpjekur të na thonë se kanë qenë kundështarë dhe armiq”, duhet konsideruar deklarata e një kalamani flokëthinjur dhe nuk meriton gjë tjetër veç fjalëve: Mbete kalama o Pandi! Sa për Fadil Hoxhën mund të them se gjatë luftës ka qenë një komunist i vendosur, trim i madh, që e ka dashur bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ai s’ka përgjegjësi direkte për masakrën e Tivarit, jo vetëm se nuk bënte pjesë në shtatmadhorinë jugosllave, po sepse serbët edhe Fadil Hoxhës i kishin përgatitur gijotinën. Ai mundi të mbijetojë falë autoritetit që kishte në popull dhe, me sa duket, pas një kohe pati edhe mbështetjen e Titos. Ka të ngjarë që Tito dhe Fadil Hoxha të kenë respektuar njëri - tjetrin. Gjithësesi Fadil Hoxha s’ka qenë kurrë antishqiptar. Fadili, ashtu siç e thotë Enver Hoxha në bisedën me Lik Seitin, ishte një nacionalist shqiptar. Po fjalën e fundit mund ta thonë vetëm kosovarët objektivë.

    *Si do ta komentonit përfundimisht komisionin hetimor parlamentar, në shërbim të historisë mbarë kombëtare apo në shërbim të një partie të vetme si PD?

    Aspak në shërbim të historisë mbarë kombëtare. As të Partisë Demokratike, e cila me këtë komision vetëm humbet, duke na kujtuar se ka mbetur ajo që ka qenë: Kobure e ndryshkur në duart e një diktatori. Komisioni në fjalë u shërben serbëve. Komisioni hetimor për masakrën e Tivarit tregoi edhe një herë që diktatori shqiptar Sali Berisha ka hyrë në gjak me popullin dhe historinë e kombit të vet. Ai është verior dhe e di çdomethënë të hysh në gjak me një shtëpi, por me sa duket nuk e kupton se çdo të thotë të hysh në gjak me një popull të tërë duke u tallur me luftën dhe gjakun e tij të derdhur për liri e pavarësi. Ky komision nuk i sjell ndonjë shërbim të vërtetë historisë, se tashmë ajo dihet, po, siç thashë, i sjell një shërbim politikës aktuale serbe. Komisoni u krijua mu në prag të orëve kur Gjykata Ndërkombëtare pritej të jepte vlerësimin e vet mbi Pavarësinë e Kosovës. Pikërisht në këto momente parlamenti shqiptar i kumton Botës se nuk kanë vrarë vetëm serbët, por edhe shqiptarët. Po të kish me të vërtetë shpirt kombëtar, ky parlament do të ish dashur të krijojnte ndonjë komision për të hetuar përse kur në Kosovë më 2 Korrik 1990 nënshkruhej deklarata e Kaçanikut, në Shqipëri ndodhnin ngjarjet e ambasadave? Ose, përse PD e PS nuk e mbështetën qysh në krismat e para Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, po pritën sa të flsite Amerika? Ose, pse kor plasi kjo lufët PD-ja bënte thirrje që kjo ushtri të çlironte Shqipërinë nga socialistët e Nanos e jo Kosovën nga xhelatët e Millosheviçit? Ose, pse kur plasi lufta në Kosovë, kosovarët e shkretë blinin armë me lek, kur ato ndodheshin në malet e Shqipërisë, e cila kishte armë për të furnizuar shtatë shtete, jo më një Kosovë të vogël? Aq më tepër kur një pjesë e këtij armatimi kolosal, për hir të realitetit, ishte planifikuar për Kosovën? Ose, pse kur serbët e Milosheviçit organizuan në Kosovë masakrat miliona herë më të llahtarëshme se ajo e Tivarit, Serbia furnizohej me naftë nga Shqipëria? Ose, a ka ekzistuar një plan makabër për të futur ne sherr krahinat e Shqipërisë dhe kush janë autorët që nxisnin këtë urrejtje? Ose, pse e nga cilët individë u planizua masakra e madhe mbi popullin e Jugut më 1997 dhe a ishte rastësi që forcat ushatarke që u komanduan kundër Jugut komandoheshin nga gjeneralë veriorë? Ose, pse nuk u hetua kurrë një deklaratë e ish Ministrit të Mbrojtjes në këtë kohë se dosjet e zeza të shkatërrimit të ushtrisë më 1997 nuk do të hapen kurrë? Kush i mban edhe sot e kësaj dite të mbyllura këto dosje? Ose, pse nuk krijohet një komision hetimor për vrasjen dhe fshehjen e trupit të masakruar të kosovarit Remzi Hoxha prej SHIK-ut shqiptar në kohën kur qeverinë e kish Partia Demokratike dhe SHIK-u ndodhej nën komandën supreme të diktatorit Berisha që ishte President i vendit? Ose, pse është arrestuar në Shqipëri komandanti legjendar Adem Jashari kur diktatori Berisha ishte president? Ose, pse nuk organaizohet komision hetimor për enigmat rreth serbit Fazlliç, që është shtrirë si Oktapod në Shqipëri, aq sa arriti të marrë pjesë deri në mbledhjet e këshillit të sigurisë kombëtare? Ose, pse s’ka komision hetimor për 350 kilometra katrore det që ju falën Greqisë me marrëveshje nga qeveria e diktatorit Berisha, që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese? Ose, përse qeveritë shqiptare, të djathta e të majta, që nga viti 1992 e këtej i kanë lyer duart me gjak dhe a duhet të përgjigjen për krime kundër njerëzimit, duke marrë parasysh se vetem në 15 vjet janë vrarë e vetëvrarë, mbytyr në det apo humbur, si dhe vdekur në aksidente rreth 50 mijë shqiptarë? Ose, pse vazhdon çdo ditë, masakra e përgjakur, pse vriten çdo ditë 2- 3 të rinj, pse ka krim në familje, pse mbytet toka jonë çdo ditë në gjak e në lot, deri kur do të vazhdojë kjo tragjedi? Si e pse ka ndodhur në Shqipëri jo vetëm masakrimi i njerëzve, po dhe i pyjeve e vreshtave, ekonomisë kombëtare e të tjera e të tjera? Ose, kush e ka fajin që, siç është deklaruar në shtyp, në çdo katër familje ka një psikopat? Kush po e stimulon këtë masakër psikologjike? Kush po i kthen psikopatë shqiptarët?

    *Kush po i kthen sipas jush?

    Të hetojë një komision parlamentar pa deputetë psikopatë njëherë, pastaj të përgjigjem unë. Tomas Xheferson, president i Amerikës 210 vjet më parë, pati thënë se përdorimi i një pjese të popullit për të mbajtur nën fre pjesën tjetër, është një mënyrë veprimi e vjetër e despotëve. S’kemi jetuar 20 vjet pluralziëm, po 20 vjet despotizëm, ku politika, pa asnjë themel moral, ka përdorur një pjesë të popullit kundër tjetrës në interes të një grupi despotësh, dje proletarë e sot miliarderë. Në këtë klimë despotizmi më shumë se gjysma e popullit e ka parë despotizmin blu si të keqen më të madhe dhe despotizmin rozë si të keqen më të vogël. Po kjo e “keqja më e vogël” tani është rritur, është bërë 19 vjeçe, që ka rënë në dashuri me Djallin e djathtë dhe nga ky shtrat bashkëshortor lindin e rriten vetëm djaj të djathtë. Në këtë klimë të virusuar me murtajë, njëriu i gjorë, që ka humbur besim e shpresë, bie në depresion e psikopati.

    *Është deklaruar se komisioni hetimor i sapokrijuar do të marrë në pyetje Ramiz Alinë. A ka të drejtë ta marrë dhe si parashikoni të mbrohet Ramiz Alia?

    Ramiz Alinë ka të drejtën ta marrë në intervistë Rudina Xhunga nëse Ramizi pranon, por jo komisioni aktual parlamentar, i cili edhe pse përbëhet prej deputetësh, nuk mund ta ketë të drejtën pasi ata janë të një partie të vetme. Pra është një komision thjeshtë partiak. Ramiz Alia është një mbështetës i themelimit të PD, por nuk di të jetë anëtar i PD, që të përgjigjet para saj siç përgjigjej kur ishte anëtar i Partisë së Punës. Edhe mua, që kam pakënaqësitë e mia ndaj tij si tradhtar i Revolucionit, mund të më teket nesër të krijoj ndonjë komision të PKSH për ta marrë në pyetje, po ai me të drejtë do të na thoshte: Kush jeni ju që më thërrisni në pyetje, unë s’jam anëtar i PKSH? Së fundi, unë nuk mund të parashikoj si do të mbrohet Ramiz Alia para një komisioni partiak, para të cilit, sipas mendimit tim nuk duhet të paraqitet fare, sepse nuk i plotëson kushtet e të qenit një komision hetimor parlamentar.

    *Po sikur komisioni të plotësonte kushtet?

    Komisionit që do t’i plotësonte kushtet për të qenë komision legjitim, sipas mendimit tim, Ramiz Alia duhet t’i vinte një kusht: komisioni të mblidhte në Pallatin e Kongreseve gjithë veteranët e luftës të kombit shqiptar dhe pasardhësit e tyre nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia. Të sigurohej gjithashtu në këtë tubim edhe prezenca e presiedentit serb Tadiç, i cili të përfaqësonte Titon dhe Rankoviçin, si dhe ajo e presidentit të Malit të Zi, ku ka ndodhur ngjarja. Si të realizohej ky kusht, Ramiz Alia mund të shkonte e t’u përgjigjej pyetjeve, duke patur sigurisht edhe kërkesën tjetër themelore legjitime që konkluzionet të mos i bënte komisioni, por veteranët e luftës mbledhur nga i gjithë kombi. Për çështje të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Ramiz Alinë mund të gjykojnë me të drejtën e tyre morale vetëm veteranët e asaj lufte dhe kurrësesi, bie fjala, diktatori Berisha, presidenti Topi, socialisti Ruçi, zogisti Spahia, socialdemokrati Gjinushi, bile as më i madhi i të mëdhejve në Shqipëri, Ballkan, Europë e më gjerë, domethënë August Pandeli Majko.

    *A mendoni se komisioni në fjalë do të gjejë mbështetje nga historianët?

    Kur më kanë pyetur njëherë se cili ishte ndryshimi midis Sali Berishës dhe Fatos Nanos, jam përgjigjur: Ndryshimi mes tyre është se Sali Berisha, kur ia do interesi, gomarin e gradon gjeneral dhe Fatos Nano, përkundrazi, gjeneralin e degradon në gomar. Saliu ia ka bërë hyzmetin vetes. Ka mbështetur ata që i shërbejnë dhe ka siguruar jo pak “historianë” mullaxhij që i bluajnë drithin në mullirin e antihistorisë. Me dhimbjen e thikës në zemër jam i detyruar të shprehem se kombi ynë ka vuajtur historikisht nga mercenarizmi. Kanë ecur stinësh paralel e janë ndeshur heroizmi legjendar me deheroizmin më të pështirë, besnikëria e lartë me tradhëtinë e lartë, Besa e kuqe me pabesisnë e zezë. Në Shqipërinë e pushtuar nga fashizmi nuk munguan ata shqiptarë për t’i dhënë kurorën e Skënderbeut pushtuesit Viktor Emanueli. As sot, në Shqipërinë e pastër nazifashiste, nuk do të mungojnë ata shqiptarë “historianë” për t’i dhënë kurorën e dëshiruar diktatorit Berisha. Pjatalarësit e “guzhinës Berisha”, njëherësh dhe autorë të “Historisë 12” për shkollat e mesme, janë gati. Janë gati të kalojnë në vetmohim moral si shqiptarë vetëm e vetëm për një pjatë pilaf me pak lëng miu sipër. Një shoku im i shkollës dhe i punës shkruante këto ditë në “Panorama” artikullin “E vërteta e Tivarit”, pa asnjë të vërtetë konkrete rreth ngjarjes së Tivarit dhe hidhej degë më degë që nga 8 Nëntori i vitit 1941 e këtej. Arrinte deri aty sa të thosh se kur shkuan brigadat tona në Jugosllavi, gjermanët ishin tërehqur dhe se “shqiptarët vrisnin shqiptarët”. O Tempos, o Mores! Brigada e Pestë Sulmuese, ose “brigada e famshme” siç e ka quajtur kosovari Fadil Hoxha, ka ndërmarrë vetëm mbi Gjakovë plot nëntë sulme të njëpasnjëshme, të përgjakura, sepse gjermanët e ndodhur në pozicione tepër të fortifikuara nuk tërhiqeshin. Në këto nëntë sulme mbi fortifikatat gjermane mbetën në luftimet deri trup me trup më gjermanët shumë të vrarë, midis të cilëve dhe Hyrije Çurre, motra e Heroinës legjendare Zonja Çurre vrarë gjithashtu pak muaj më parë. Shoku im i shkollës dhe i punës arrin deri aty sa të merret me thirrjen e Kominternit për luftë të përbashkët kundër fashizmit, ndërsa anashkalon jo pa qëllim të vërtetën e madhe të Kartës së Atlantikut hartuar para Kominternit nga Amerika e Ruzveltit dhe Anglia e Çërçillit, që u aprovua më pas edhe nga Bashkimi Sovjetik i Stalinit, kartë e cila kërkonte në mënyrë të prerë se çështjet nacionale do të zgjidheshin vetëm pas luftës. Shoku im i shkollës dhe i punës arrin deri aty sa të keqinterpretojë në mënyrën me antihistorike të mundëshme një frazë të shkëputur nga letra sekrete e Enver Hoxhës dërguar Stalinit më 1949, në të cilën kërkonte të hapej luftë kundër Jugosllavisë titiste, tokat shqiptare në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni t’i ktheheshin Shqipërisë. Të guxosh të interpretosh edhe këtë letër - manifest lufte së prapthi do të thotë të guxosh që edhe planetin tokë të mos e quash planeti tokë. Një historiane e madhe ruse, Nina Smirnova, mbrojtëse e çështjes kosovare, edhe pse s’kish ndonjë simpati për Stalinin as për Enverin, bazuar megjithatë në fakte reale historike të padiskutueshme, është shprehur: “Nuk e kuptoj se përse disa politikanë e studiues në Shqipëri e sulmojnë aq shumë Enver Hoxhën për qëndrimin e tij ndaj Kosovës. Këta qofshin profesorë a çfarëdoqofshin në Shqipëri, janë sharlatanë në shkencë dhe sahanlëpirës në praktikë. Enver Hoxha ka qenë komunist nacionalist, që për hir të Kosovës ishte gati t’i vinte flakën Jugosllavisë më gjerë. Letra e tij drejtuar Stalinit më 1949 është dëshmia më e qartë për qëndrimin e tij ndaj Kosovës. Por ka edhe materiale të tjera të pabotuara që e vërtetojnë më së miri këtë… Sot, te ne në Rusi, Enver Hoxha kritikohet kaq shumë pikërisht për nacionalizmin e tij e madje, këtu në Rusi, arrijnë deri atje sa ta cilësojnë atë si shkaktarin kryesor të prishjes së marrëdhënieve të Bashkimit Sovjetik me Jugosllavinë e kjo, kryesisht, për ambicjet e tij për Kosovën e tokat e tjera shqiptare në Jugosllavinë e asaj kohe”. Kështu, pra, të huajt realistë zbardhin monumentin e së vërtetës, ndërsa disa “historianë” servilë shqiptarë, në emër të pjatës me pilaf, rrëmbejnë kazmën për ta rrëzuar atë, duke treguar se Faik Konica nuk ka qenë i dehur kur shkruante me dhimbje se armiku më i madh i shqiptarëve janë vetë shqiptarët.

    *Cili mendoni se do të jetë fundi i këtij komisioni?

    Fundi i flluskës së sapunit, siç ka ndodhur edhe me 25 komisione të mëparëshme. Një gjë është e qartë: Lufta Nacionalçlirimtare dhe epoka socialiste në tërësi janë vënë nga inkuizicioni i ditëve tona në turrën e druve për t’u djegur. Për të mbuluar krimet e kapitalizmit, arsenali kolosal i propagandës reaksionare nuk pushon së gjëmuari për të ashtuquajturat “krime të komunizmit”, çdo ditë e çdo orë, që nis në orën gjashtë të mëngjesit me sirenat e gazetave, pastaj në vijim me zërat e çjerrë të Sali Berishës dhe Edi Ramës, pasuar prej ish kriminelësh e pinjollëve të tyre, me konferencat e mediumet televizive, me gjithfarë emisione lajmesh dhe inetervistash, deri në orët e vona në emisionin “De zha vy”, për të nisur prapë në orën gjashtë të ditës tjetër. Në rastin konkret, lidhur me Masakrën e Tivarit, synohet të vihen në të njëjtën peshore si komunistët e Enverit, si komunistët e Titos. Daullexhijtë e ditëve tona nuk pushojnë së lehuri së PKSH-në e krijuan jugosllavët, brigadat tona partizane i menazhuan jugosllavët. Sipas këtyre duhet të besojmë marrëzinë që edhe Shqipërinë e çliruan jugosllavët. Në tërë historinë e njerëzimit, as nga mbretërit e perandorët më të këqij, nuk është parë e dëgjuar të përbaltet lavdia e luftrave siç po ndodh në Shqipëri. Nazifashizmi i dikurshëm u mori herojve shqiptarë jetën, nazifashizmi i ditëve tona u rrëzon monumentet e u varros emrat. Por në rastin konkret, lidhur me Masakrën e Tivarit, Sali Berisha dhe reaksioni i kanë dhuruar padashur një armë Ramiz Alisë. Ramiz Alia ka dy mendje: të Zgalemit dhe të delfinit. Varet se me çfarë mendje do ta përdorë armën që i është dhënë për të kaluar në kundërakuzë e për të demaskuar fallsifikatorët e historisë. Le të shpresojmë se si një politikan profesionist i karierës, që ka lindur për koiçidencë në shtëpinë e Oso Kukës, ta përdorë armën me guximin e Oso Kukës, duke djegur politikisht, jo veten, po Knjazin diktator, Sali Berishën.
    "Projekti 21" nuk i bën reklamë vetes, afirmon të tjerët!

  2. #2
    krenar qe jam malsor..... Maska e _MALSORI_
    Anëtarësuar
    21-07-2005
    Vendndodhja
    diku neper bote
    Postime
    2,637

    shume je i shqetesuar ...

    shume je i shqetesuar baca adem per keto coftinat e komunizmit more..se ku i gjen do artikuj qe te shkojne per shtat dhe na i ben ketu me la m.u.t me shu.rre..na paske gjete edhe nje coftine tjeter si puna e ketij hysnies qe na i thot vetes komunist i kulluar..

    mos u lodh o bace se edhe enverin me e que ne kembe nuk e lajne ate qe bene komunistet shqiptare me enverin e ramizin ne krye ndaj vellezerve te tyre nga kosova..krejt arkivat boterore ti shetisesh nuk do gjesh nje dokument qe i shfajeson keta njerez..
    a do male me debore,trima te forte dhe malsore,fort bujare dhe burrerore,shko ne kukes i ke me dore.

  3. #3
    E dua letërsinë Maska e eralni
    Anëtarësuar
    01-10-2004
    Vendndodhja
    Roma
    Postime
    151
    Per ju o njerez qe Saline e quani orakull ja nje mendi tieter e ca fakte te tiera.Se ne demokraci ose me mire ne Shqiperi kane te drejte te gjithe te thone te vertetat e tyre me fakte , pastaj se jane apo jo ato fakte te verteta hec ulemi e flasim .Por nje gje smunde tia lejoje vetes se sa here ka probleme Sala hap nai komision dhe ja ve fain defakto kundershtarve politik , ksaje i thone politik Saliste bravo i qofte kote ska mijetuar 20 vjet ne politik ky gic.

  4. #4
    Citim Postuar më parë nga _MALSORI_ Lexo Postimin
    shume je i shqetesuar baca adem per keto coftinat e komunizmit more..se ku i gjen do artikuj qe te shkojne per shtat dhe na i ben ketu me la m.u.t me shu.rre..na paske gjete edhe nje coftine tjeter si puna e ketij hysnies qe na i thot vetes komunist i kulluar..

    mos u lodh o bace se edhe enverin me e que ne kembe nuk e lajne ate qe bene komunistet shqiptare me enverin e ramizin ne krye ndaj vellezerve te tyre nga kosova..krejt arkivat boterore ti shetisesh nuk do gjesh nje dokument qe i shfajeson keta njerez..
    MALSORI kam thënë nuk merrem më me politikë. Shkrimin e solla se e kishin dërguar në adresën e radios. Unë e solla për ju.

    Që të vish deri të një e vërtetë duhet një gjë ta studiosh nga të gjitha anët.

    Mbase lexuesit kanë nevojë të dëgjojnë edhe të vërteta të tjera.
    "Projekti 21" nuk i bën reklamë vetes, afirmon të tjerët!

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e Besoja
    Anëtarësuar
    24-07-2008
    Vendndodhja
    Prrenjas, Shqiperi
    Postime
    3,260
    Natyrisht që mendime do ketë edhe të tjera por nuk besoj se u dashka të jenë të vërteta këto që thotë Hyska!
    Mendoj se ka edhe shkrime të tjera që thonë të kundërtën por Hyska duhet të thotë se si intelektual që ishte(ka patur edhe të tjerë)që çfarë bënë kur shihnin se komunizmi nuk thoshte të vërtetën!Dhe jo vetëm për këtë ngjarje.Nuk mendoj se duhet marrë ndonjë mëndje nga një njeri që akoma trumbeton të "mirat" e komunizmit!!!

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e drenicaku
    Anëtarësuar
    06-05-2003
    Postime
    3,263
    Citim Postuar më parë nga ademgashi_dk Lexo Postimin
    MALSORI kam thënë nuk merrem më me politikë. Shkrimin e solla se e kishin dërguar në adresën e radios. Unë e solla për ju.

    Që të vish deri të një e vërtetë duhet një gjë ta studiosh nga të gjitha anët.

    Mbase lexuesit kanë nevojë të dëgjojnë edhe të vërteta të tjera.
    Adem ti nuk je i pa njohur per mua,dhe ne te gjitha shkrimet ke mbrojt komunizmin,dhe ke selmua berishen!!!
    Sidoqoft ky eshte mendim i yti dhe une respektoi,por mos harro se edhe une mund te gjej shkrime te bolleshme qe keto shkrimet tua i hedh ne balt.
    E kam te veshtir te kuptoi qe akoma ka njerz qe derdhin lot krokodili per komunizmin qe ishte kanceri i kombit.
    Ne te gjitha shkrimet tua ka tendnc qe te djatheten shqipetare ta paraqesish negativisht kurse komunistet sikur ben perpjekje te na i glorifikosh,sikur shqipetaret han bar.
    Keshilla ime per ty adem gashi eshte qe ne te ardhmen ta ndegjosh trurin e jo zemren sepse ne shkrimet tua sikur komunizmin e ke per zemer.

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    milloshi hys ca gjera i ka then mire ne fakt.

    masakra qe e quajm per shkurt .. "tivari" nuk lidhet me ndonji ramiz e as me ndonji tjater te llojit miz..

    eshte veper e pasoje e filozofise shoviniste serbe-malazese fund e krye.


    prishja e mukjes beri qe shqipot ne fund te luftes te ishin kasht e k.oqe .. e serbo malazeset vet te bashkuar.

    dhe i dobti..shum shum ben sehir.. dhe shqipot i ben sehir masakres.

    sic i ben sehir masakres arkane ne 99-ten.

    apo jo o te 15 katshit klosist?




    kjo eshte thelbi i tivarit..

    po ktu nuk hyn dot milloshi i nexhit te mizit te enverit.


    ..

  8. #8
    Lazaratas Maska e Bel ami
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Vendndodhja
    Lazarat
    Postime
    1,184
    Sa poshte ke rene Adem?
    ... E ku thuhene ne karte
    Fjalet e Gjuhes se Zjarrte!

  9. #9
    Peace and love
    Anëtarësuar
    16-06-2006
    Vendndodhja
    usa
    Postime
    1,897
    Per nje gje e ka mire ky Hysni Kapua, kur permend politikane te sotem te kallepit "Erion" Brace apo Veliaj.

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •