Nën hetime edhe një ish-ministër i koalicionit LDK-AAK
Prishtinë, 5 gusht – Një ish-ministër i tri përbërjeve të kabineteve qeveritare të koalicionit LDK-AAK është duke u hetuar për keqpërdorim të parasë publike dhe korrupsion, gjatë kohës sa e ka udhëhequr njërin nga dikasteret më të fuqishme qeveritare të Kosovës, kanë konfirmuar për gazetën burime ndërkombëtare.
Siç shkruasn sot “Koha Ditore”, zyrtarë të afërt me hetimet që EULEX-i po i bën kundër korrupsionit, i kanë thënë kësaj gazete në kushte anonimiteti se dyshimet për këtë ish-zyrtar janë të mëdha, dhe se hetuesit po i mbledhin provat, ndërkaq në të ardhmen pritet që të bëhen edhe aksione konkrete në rastin kundër tij.
Ish-ministri, që tash është zyrtar i lartë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sipas burimeve të gazetës, është njëri nga tetë rastet e profilit të lartë në të cilat EULEX-i ka punuar më intensivisht, nga 38 sa janë gjithsejtë.
Ish-ministri më parë ka qenë zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ky zyrtar ka qenë ministër në kabinetet e tre kryeministrave të koalicionit LDK-AAK: Ramush Haradinaj, Bajram Kosumi dhe Agim Çeku. (gjerësisht në numrin e sotshëm të “Kohës Ditore”. /koha/
Krijoni Kontakt