Paralajmërohet modifikimi i Pakos së Ahtisaarit
Publikuar: Sot, më 11 gusht 2010
Prishtinë, 11 gusht – Për autoritetet kosovare zgjidhja e integrimit të veriut nuk nënkupton kryekëput formën e parashikuar në propozimin gjithëpërfshirës të presidentit Martti Ahtisaari.
Kryeministri Hashim Thaçi, të martën, ka lënë të hapur mundësinë që pakoja të “preket”. Ai ka theksuar se edhe modalitete të tjera do të kihen në konsideratë, gjatë përpjekjeve për të vënë kontroll në këtë pjesë të territorit të Kosovës.
“Ne kemi vetëm një zgjidhje, implementimin e plotë të dokumentit të presidentit Ahtisaari, me ide kreative, të reja, me ide integruese në kuptimin gjithetnik dhe territorial”, ka theksuar kryeministri Thaçi, pas vizitës bërë Odës Ekonomike. “Por duhet të vazhdohet edhe me formimin e komunës së re (të Mitrovicës v.j.) dhe organizimin e zgjedhjeve të lira në tri komunat e tjera, dhe me vazhdimin e investimeve socio-ekonomike”.
Muajin e shkuar ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, dhe këshilltari i kryeministrit Thaçi, Dukagjin Gorani, ishin cituar të kenë përmendur mundësinë e dhënies së një autonomie për veriun. Më pastaj ata kishin demantuar ta kenë përmendur fjalën autonomi. Ndërkaq kryeministri Thaçi kishte theksuar se autoritetet kosovare “njohin natyrën e veçantë rajonale të Kosovës veriore”.
Veriu i Kosovës që nga përfundimi i luftës, më shumë se dhjetë vjet më parë, ka vepruar jashtë kornizave ligjore të autoriteteve të Prishtinës dhe serbët e atjeshëm kanë qenë më shumë të ndikuar nga Beogradi zyrtar. Shkrimin e plotë për këtë temë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore.
Krijoni Kontakt