“Ka një ftesë që është bërë verbalisht ndaj Presidentit Boris Tadiç gjatë vizitës së ministrit Meta në Beograd. Por është e qartë se aktualisht ka mjaft zhvillime dhe priten ende zhvillime të reja që lidhen me mendimin e GJND-së për pavarësinë e Kosovës”, deklaroi numri dy i diplomacisë shqiptare, Edit Harxhi

Zhvillimet ndërkombëtare që qarkojnë çështjen e Kosovës pritet të kushtëzojnë sjelljen diplomatike të Tiranës zyrtare për sa u përket ritmeve të hapjes me Serbinë. Një ditë pasi ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Shpëtim Çaushi, ka deklaruar për të përditshmen serbe “Danas”, se vizita e Boris Tadiçit në Tiranë është në agjendë dhe pritet të zhvillohet shumë shpejt, numri dy i diplomacisë, zv.ministrja Edith Harxhi, ka dhënë për “Shqip” disa elemente thelbësore, të cilat sqarojnë më mirë ecurinë e vizitës.

“Ka një ftesë që është bërë verbalisht ndaj Presidentit Boris Tadiç gjatë vizitës së ministrit Meta në Beograd. Por është e qartë se aktualisht ka mjaft zhvillime dhe priten ende zhvillime të reja që lidhen me mendimin e GJND-së për pavarësinë e Kosovës. Po kështu, ka një iniciativë të Serbisë në OKB për Kosovën, e cila është zhvillim që kërkon vëmendje. Pra ka një dinamikë ngjarjesh. Po kështu, nga ana protokollare vizita konkretizohet përmes ftesës së Presidentit të Republikës”, tha Harxhi për gazetën “Shqip”. Çështja e Kosovës dhe diskutimi i saj i gjerë në arenën ndërkombëtare është kthyer sërish në parantezë dhe premisë për marrëdhëniet mes Tiranës e Beogradit. Protagonizmi serb në këtë drejtim, që vijon të mbajë në tryezë politikën e nacionalizmit deklarativ shoqëruar me iniciativa konkrete, po kushtëzon në një masë të madhe ndryshimin real të kursit mes dy vendeve, pavarësisht vullnetit të mirë të shprehur shpesh nga përfaqësuesit kryesorë të Tiranës zyrtare.

Kështu mjafton të vihet në dukje me këtë rast gatishmëria e shprehur si nga ministri i Jashtëm Ilir Meta, i cili në muajin mars udhëtoi drejt Beogradit në një vizitë dyditore që i dha ministrit shqiptar mundësinë e parë të kontaktit me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Në këtë frymë hapjeje është zhvilluar edhe konsulta e parë diplomatike mes Shqipërisë pluraliste dhe Serbisë më 22 qershor të këtij viti, mes dy zv.ministrave të Jashtëm, Edith Harxhi dhe Zdravko Ponosh.
Ajo që duket se mbetet ende një detyrë zbatuese për diplomacinë dhe mision për politikën është aktualizimi i marrëdhënieve në pikëvështrimin e perspektivës. Vendosja në prioritet të hapjes i interesit ekonomik mes dy vendeve dhe trajtimi i tij si një çështje e pakushtëzuar nga problemi i Kosovës është ndoshta shenja e parë e lëshimit nga Tirana zyrtare. Ky riformulim diplomatik nuk ka gjetur simetri në palën serbe, e cila jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe në raport me shtete të tjera në rajon vijon të luajë me kartën e paternalizmit dhe qendrës gravitacionale të të gjithë serbëve në Ballkan.

Se sa e vërtetë është kjo, mund të kuptohet te kërkesa e shtruar në vizitën e Ilir Metës në Beograd, ndaj të cilit ministri i Jashtëm serb, Jeremiç, kërkoi statusin e pakicës për serbët që banojnë në Shqipëri. Për këto arsye, që nxisin ndjeshmëri të mëdha në opinionin shqiptar, por edhe për shkak të agresivitetit serb lidhur me mendimin e dhënë nga GJND-ja, duket se vizita e Presidentit serb në Tiranë do të shtyhet në kohë. Një element me rëndësi në këtë kuadër është fakti se nga Tirana zyrtare iniciatorë të politikës së hapjes me Beogradin janë Kryeministri Sali Berisha dhe zëvendësi i tij aktual, Ilir Meta.

Nacionalizmi serb

Çështja e Kosovës dhe diskutimi i saj i gjerë në arenën ndërkombëtare është kthyer sërish në parantezë dhe premisë për marrëdhëniet mes Tiranës e Beogradit. Protagonizmi serb në këtë drejtim, që vijon të mbajë në tryezë politikën e nacionalizmit deklarativ shoqëruar me iniciativa konkrete, po kushtëzon në një masë të madhe ndryshimin real të kursit mes dy vendeve, pavarësisht vullnetit të mirë të shprehur shpesh nga përfaqësuesit kryesorë të Tiranës zyrtare.