Nga Express më 04.08.2010 në ora 19:39
Veton Surroi, kryetar i bordit të Klubit për Politikë të Jashtme dhe publicist i njohur, e ka quajtur gabim strategjik kërkesën e Prishtinës zyrtare për një rezolutë të re për Kosovën.
Sipas tij, mendimi i dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka konsumuar Rezolutën 1244 dhe Kosova nuk duhet të ketë më punë me Këshillin e Sigurimit.
Në një intervistë për BBC-në, Surroi ka thënë se me vendimin e dhënë nga GJND-ja, çështja e Kosovës tashmë është e mbyllur.
“Unë mendoj se është gabim strategjik të kërkohet rezolutë e re për Kosovën. Nuk mendoj se Kosova ka nevojë për rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit. Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e ka konsumuar në një formë këtë rezolutë ekzistuese dhe mendoj se Ministri nuk është dashur të kërkojë rezolutë të re. Dhe, mendoj që asnjë ministër, asnjë zyrtar i Kosovës nuk duhet të kërkojë rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kosova nuk duhet të ketë më punë me Këshillin e Sigurimit”.
“Statusi i Kosovës është përcaktuar. Është përcaktuar në bazë të Rezolutës 1244. Mendimin për këtë e ka dhënë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe kjo çështje është e konsumuar”, ka shtuar ai.
Kërkesa për rezolutë të re, sipas Surroit, mund të zvarrisë njohjen edhe nga disa vende të pavarësisë së Kosovës. “Absolutisht kjo është njëra prej pasojave të një kërkese të këtillë e cila është e pamenduar mirë, e cila tregon një mungesë sensi politik në qeverinë e sotme, një mungesë konsultimi dhe do të ketë pasoja në riangazhimin e shteteve të cilat janë kundër pavarësisë së Kosovës që çështjen e Kosovës ta ritrajtojnë brenda Këshillit të Sigurimit. Është një nonsens që ne vetë, me dorën tonë, të kërkojmë që çështja e Kosovës të kthehet në Këshillin e Sigurimit”.
Sipas tij, pala kosovare, tani pas shpalljes së mendimit të GJND-së, duhet ta ketë një platformë të veten, në dy drejtime bazike. “Drejtimi i parë është kontakti me ato shtete të cilat kanë qenë të luhatura dhe që kanë nevojë për një përkrahje edhe formale në mënyrë që ta bëjnë njohjen dhe, së dyti, një platformë që sheh në mënyrë afatgjate se si do të rregullohet çështja e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe, në këtë kuadër, të ndërlidhjes me çështjes së normalizimit dhe integrimit në Bashkimin Europian”.
Ndërsa duke i komentuar paralajmërimet e Prishtinës zyrtare se në vjeshtë do të paraqitet me kërkesë për pranim të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Surroi shprehet pesimist se Kosova ka gjasa sivjet, që të paraqesë kandidaturën e vet. “Dhe, nëse vazhdon në këtë formë, do të kalojë edhe më shumë kohë e nuk do të ketë gjasa”.
Për mbledhjen e së martës të Këshillit të Sigurimit, Surroi vlerëson se debati ishte i sforcuar, pothuajse i panevojshëm dhe i inicuar nga Serbia dhe Rusia për të krijuar një përshtypje të re, një riinterpretim të një mendimi të GJND-së, i cili ishte fare i qartë.
Krijoni Kontakt