-
i/e regjistruar
Një Vlerësim Dhe Gjykim I Drejtë I Gjykatës Ndërkombëtare Të Drejtësisë, Që Konfirmo
NJË VLERËSIM DHE GJYKIM I DREJTË I GJYKATËS NDËRKOMBËTARE TË DREJTËSISË, QË KONFIRMOI LIGJËSINË E SHPALLJES SË PAVARËSISË SË KOSOVëS
Realiteti i gjendjes në trojet shqiptare është dëshmitari më i besueshëm i përkushtimit dhe i cilësisë së përpjekjeve të PARISË SHQIPTARE. Andaj, ky realitet aktual, sidomos politik, aspak i volitshëm, sugjeron ndërrim përgjegjësie, ndërgjegjësimi, përzgjedhje adekuate të kuadrove udhëheqëse, profesionistë, të cilët do të dinë t’i harmonizojnë sjelljet dhe qendrimet, dhe ta përshpejtojnë ritmin e veprimeve konkrete, që do të shpienin drejt prosperimit dhe realizimit të aspiratave jetike gjithshqiptare. Përndryshe, po të vazhdohet në këtë mënyrë, duke mbrojtur interesat personale dhe ato partiake, e humbim rrugën e zgjidhjes së drejtë dhe i bëhemi ortak kundërshtarit tonë,i cili nuk pushon së vepruari me gjithfarë metodash e obstrukcionesh, për ta penguar realizimin e aspiratave tona jetike.
Nder e respekt ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuar në luftën për çlirimin e Kosovës. Do të dëshironim, që ky nder e ky respekt të mos vyshkej, por të vazhdojë edhe më tej, sidomos ndaj atyre që ua lëshojnë rrugën të aftëve profesionistë që të udhëheqin me mekanizmat dhe institucionet e shtetit. Kjo, për arsye kauzale,se, qëllimi dhe motivi kryesor i kontribuesve të çlirimit ka qenë ideali për t’u çliruar nga okupatori, e jo për t’i krijuar vetës jetë luksoze. Kjo, sepse njeriu me moral patriotik e aq më pak me atë njerëzor, nuk mund të kënaqet me komforitetin e vet, kur i sheh të tjerët që vuajnë nga shumë aspekte.
Prandaj, që të mos ndodh sikur edhe shumë herë tjera, që, për shkak të papërgjegjësisë, të paaftësisë dhe të mosunitetit të na ikin rastet e mundësisë së kthesave për fatin tonë. Tani, koha e lypë që përkushtimi ynë, gjegjësisht i klasës politike shqiptare të jetë më këmbëngulës dhe më unikë në mbrojtjen e vlerave tona jetike, që kanë të bëjnë me lirinë, pavarësinë dhe integrimin, të cilat po atakohen, jo vetëm nga armiku ynë shekullor, veç, jo pak herë edhe nga faktori ndërkombëtar.
Këto komponente do të duhej shoqëruar edhe me respektimin e optimalitetit të kohës, sidomos në momentin e tanishëm historik, duke mos i ngatërruar interesat e përgjithme me interese të ngushta.
Kjo aq më parë, kur tani, më në fund, njëri prej mekanizmave ndërkombëtar më meritor, më efektiv dhe më objektiv,(Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë), përfilli dhe respektoi të drejtën për vetëvendosje, sipas të drejtës ndërkombëtare, duke i peshuar faktet e pamohueshme historike, me të cilat, Kosova i plotëson të gjitha kushtet për të qenë e pavarur dhe sovrane, Paria shqiptare në përgjithësi dhe ajo e Kosovës në veçanti, nuk do të duhej të ngazllehej së tepërmi, por të zgjohet dhe t’i kundërvihet çdo tentative kthimi prapa,sepse, siç thonë edhe fjalët e urta të popullit : «Mos u gëzo i gëzuem, as mos u hidhëro i hidhëruem» dhe tjetra »Uji flen, hasmi nuk flen».
Se, vërtet hasmi nuk flen, shihet qartë edhe tani, pas shpalljes së vlerësimit të akuzës serbe, që e kumtoi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në favor të së drejtës së shqiptarëve për vetëvendosje,
Serbia, me angazhimet e veta të pandërprera, duke u bazuar në shpifje, në shantazhe, në obstrukcione dhe në epshet e pashuara hegjemoniste, jo pak herë edhe ka pasur sukses. Prandaj, duke mos u ngopur Serbia me shpifje e akuza dhe duke shpresuar, se edhe këtë herë do të ketë sukses me manipulim, iu drejtua edhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me akuzën kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Por këtë herë, Serbisë i hasi sharra në gozhd të së vërtetës, që u gjykua nga GJND-ja. Ç’është e vërteta, Pala shqiptare, ishte dashur para Serbisë ta akuzojë Serbinë për diskriminimin, krimin dhe gjenocidin që e ka ushtruar mbi popullin shqiptar. Por ç’ti bëjmë vesit tonë «vonesë», kur duhet të shpejtojmë, dhe atij «nxitim», kur duhet të frenojmë.
Tani, ndonëse Serbisë këtë herë iu fundos në ujë kungulli i gënjeshtrave, ajo ende vazhdon me të vjetrën në stilin : «Në vend që të jep llogari, ajo kërkon hesap», duke mos u pajtuar me realitetin as me mendimin e GJND-së. Dhe, ajo vazhdon me aprovimin e rezolutës mospajtuese dhe u shkruan rezoluta të njëpasnjëshme mekanizmave ndërkombëtare dhe shteteve të ndryshme me kërkesën që këta mekanizma, (edhe OKB-esë e Këshillit të saj të Sigurimit) që ta zhvleftësojnë Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.
Prandaj, që të mos ndodh befasia, që prap të fitojë padrejtësia, sëpari, klasa politike shqiptare, përveç fakteve të veta, me të cilat duhet mbuluar tavolinat e mekanizmave ndërkombëtare, ka edhe një adut të fuqishëm, meritor më tepër (mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë), të cilin duhet shoqëruar me aktivitetet lobuese. Sepse, siç thotë i ndjeri poet Azem Shkreli : «Kjo nuk është punë turresh e sprintesh. Është punë maratonesh, sepse jemi larg dhe jemi vonë».
Së dyti, duhet patur parasysh edhe pengesat dhe përvojën 11 vjeçare nëpër negociata e procese për «stabilizimin» e Kosovës, me ç’raste, faktori ndërkombëtar e ka stimuluar mospajtimin e Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës. Se është kështu, dëshmojnë iks raste tok me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës deri më tani nga vet Bashkimi Evropian dhe nga OKB-eja. Këtë stimulim të faktorit ndërkombëtar që ia ofron Serbisë, po e dëshmon edhe insistimi me ngulmë që të rifillojnë negociatat në mes Serbisë dhe Kosovës për gjoja çështje teknike.
Pra, ky mospajtim i Serbisë ndaj këtij mendimi të GjND, është rezultat i masave joadekuate të faktorit ndërkombëtar ndaj agresorit. Përndryshe, sikur t’ishte ndëshkuar Serbia me kohë në mënyrën meritore për agresionin që ka bërë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnje Hercegovinë dhe Kroaci dhe po t’ishte detyruar ajo që t’ua paguaj këtyre vendeve dëmshpërblimet, ajo, menjëherë do t’ishte pajtuar me realitetin që është krijuar në Kosovë.
Kjo, sepse është dëshmuar gjatë historisë, se Serbia i bindet vetëm argumentit të forcës. Këtë konstatim e vërteton ndërmarrja adekuate e NATO-s, e cila, pas shumë vërejtjeve e sugjerimeve, për ta ndalë represionin, Serbia nuk i përfilli ato, por e vazhdoi atë duke viktimizuar dhe dëbuar masovikisht popullatën shqiptare nga trojet e veta, që rezultoi me bombardim të objekteve ushtarako-policore, me largim të forcave ushtarako-policore serbe nga Kosova dhe me kthim të popullatës shqiptare në trojet e veta. Pra, mu për këtë shkak të njëanshmërisë së faktorit ndërkombëtar, dhe lëshuarjes pe të palës shqiptare, u desht të kalojnë 11 vite, që të shikohet çështja shqiptare me dioptri më të hollë.
Ishin, pra intërvenimi i NATO-s dhe vlerësimi juridiko-politik e historik i Gjykatës Nddërkombëtare të Drejtësisë, që vlerësuan, gjykuan dhe vepruan në bazë të së drejtës ndërkombëtare për t’ia hapur rrugën zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Tani, kur do të duhej t’i mbyllej goja Serbisë dhe të heq dorë nga pretendimet dhe epshet anakronike hegjemoniste, faktori ndërkombëtar, prap insiston me ngulmë që të rifillojnë negociatat në mes Serbisë dhe Kosovës, gjoja për çështje teknike.
Unë në artikullin me titull «Njëanshmëria dhe mashtrimi po ia zgjasin jetën moszgjidhjes së plotë të çështjes së Kosovës», i publikuar në internet më 11.06. 2010 ndër të tjera kam thënë : «Tani po thuhet se negociatat do të bëhen vetëm për çështje teknike e jo politike, gjë që fare nuk përkon me të vërtetën, spse të gjitha këto çështje teknike, rrënjët i kanë në politikën hegjemoniste e diskriminuese serbe ». Dhe, siç duket, edhe tani, fjala është për kompromise të reja që do ta sakatonin prap territorin, integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, të cilin e kishte lënë të mundshëm edhe Ahtisari me ato komuna pilote dhe me ato eksterritore të tyre, për të cilat u pajtuan negociatorët shqiptarë. Megjithatë, jehona e mendimit të Gjykatës Ndërkombêtare, me sa po shihet deri më tani ka bërë efekt të madh te mekanizmat tjerë, sidomos te BE dhe te OKB-eja. Por klasa politike shqiptare, tani nuk duhet kurrsesi të rrembehet nga euforia e llojit «Bac u krye», sepse tani, kur i mbyturi mundohet të kapet edhe për fije të kashtës, ai do të aplikojë edhe metoda tjera, me të cilat do të përpiqet që ta pengojë zhvillimin e Kosovës me kërkesa të shumëllojshme, për t’u krijuar serbëve supërkushte dhe për të siguruar edhe autonomi të veçanta njëetnike në disproporcion me popullaten tjetër të Kosovës.
Një qendrim i tillë i njëanshëm i faktorit ndërkombëtar a nuk është në favor të Serbisë?
Në bazë të krejt kësaj që u tha më parë, lind pyetja, se faktori ndërkombëtar, don apo nuk don ta zgjidhë çështjen shqiptare në tërësi dhe të Kosovës në veçanti? Ky dyshim më del nga Pakoja e Ahtisarit, ku veç tjerash, në të thuhet : «Kosova nuk duhet të bashkohet me asnjë shtet tjetër», duke aluduar për me Shqipërinë. Pra edhe në këtë pako të Ahtisarit mbetet fara e moszgjidhjes së çështjes shqiptare. Dhe, për të qenë apsurdi më i madh, këtë Pako nuk e pranoi pala serbe, ndërsa pala shqiptare po. Në vend që të jetë e kundërta, pala serbe ta pranojë, kurse ajo shqiptare ta refuzojë.
Prandaj tani, pas këtij insistimi të ngulmtë të faktorit ndërkombëtar, që të fillojnë negociatat, pala shqiptare duhet të ruhet së tepërmi nga kafshimet tjera të trojeve shqiptare, si dhe nga shtimi i kompetencave për palën serbe, kur edhe me këto që i kanë, po iu mjaftojnë për ta destabilizuar Kosovën.
Hamzë Gashi – Francë
03.08.2010
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt