Beograd, 28 korrik – Serbia i ka dorëzuar sot Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së tekstin e rezolutës së re për Kosovën, me të cilën synon negociata të reja rreth statusit të këtij vendi, pohon “Blic”. Në tekstin e saj, sipas kësaj gazete nuk përmenden negociatat për statusin, por theksohet se secesioni është mënyrë e papranueshme për të fituar Kosova sovranitetin territorial.
Me rezolutë Asamblesë i propozohet konkluzioni rreth mendimit këshillëdhënës të GJND-së, ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë, duke shtuar se ministri Vuk Jeremiq tashmë ka udhëtuar për në New York, për të biseduar me sekretarin e Përgjithshëm të KB, Ban Ki Moon.
Duke pasur parasysh faktin se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk ka konfirmuar të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për shkëputje nga Serbia, thuhet në komunikatë, në Rezolutë theksohet qartë se secesioni i njëanshëm është mënyrë e papranueshme për zgjidhjen e çështjeve territoriale.
Po ashtu, Rezoluta e Serbisë përmban thirrje që përmes dialogut të arrihet një zgjidhje e pranueshme reciprokisht për të gjitha çështjet e hapura, shton komunikata.
Rezoluta është dorëzuar pasi janë bërë konsultime me një rreth të gjerë faktorësh ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të KB, njofton Blic.
Kjo gazetë njofton se gjatë qëndrimit në New York, ministri i Jashtëm Jeremiq do t’i drejtohet forumit të Lëvizjes së të Painkuadruarve dhe do të zhvillojë një numër të madh takimesh me ambasadorët e KB-së.
Mediet e Beogradit thonë se Jeremiq do t’ua bëjë të ditur bashkëbiseduesve të vet pozicionin e Serbisë pas publikimit të Mendimit këshillëdhënës të GJND-së, duke u bërë thirrje që të mbështesin Rezolutën e Serbisë dhe të refuzojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Ky është, sipas “Blicit”, teksti integral i Rezolutës së Republikës së Serbisë për KB:
“Në lidhje me pikën 77 të rendit të ditës së sesionit 64 të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së: ‘Kërkesa që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të miratojë Mendimin këshillëdhënës rreth asaj nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare’
Asambleja e Përgjithshme,
Duke u udhëhequr nga parime që përmban Karta e Kombeve të Bashkuara,
Duke pasur parasysh funksionet dhe autorizimet e veta në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara,
Duke rikujtuar rezolutën e vet 63/3 nga 8 tetori i vitit 2008,
E ndërgjegjshme se nuk është arritur ujdia ndërmjet palëve mbi pasojat e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës nga Serbia,
Duke pasur kujdes për faktin se secesioni i njëanshëm nuk mund të jetë mënyrë e pranueshme për zgjidhjen e çështjeve territoriale,
1. Merr në dijeni Mendimin këshillëdhënës të GJND-së, të miratuar më 22 korrik 2010 rreth asaj nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare,
2. Fton palët të gjejnë zgjidhje të pranueshme reciprokisht për të gjitha çështjet e hapura përmes dialogut paqësor, në interes të paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në rajon,
3. Vendos të përfshijë në rendin e përkohshëm të ditës të sesionit 66 pikën me titull: “Aktiviteti i mëtejshëm pas miratimit të Mendimit këshillëdhënës të GJND-së rreth asaj se a është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.
Krijoni Kontakt