Le t’ia hedhim një shikim modelit të mësimit fetar islam në shkollat e Austrisë. Edhe pse ka dallim në gjendjen dhe pozitën shoqërore në mes muslimanëve të Kosovës prej atyre të Austrisë, kjo mund të na shërbej si shembull i mirë dhe skicë për ta hartuar modelin e përshtatshëm të mësim-besimit islam për shoqërinë tonë.
Që nga viti shkollor 1982/83 lënda e mësim-besimit mësohet në shkollat publike austriake. Kjo është një veçanti brenda Evropës që qëndron lidhur ngushtë me njohjen e Islamit si fe që nga themelimi i republikës së Austrisë në vitin 1912. Kjo sjellje shembullore ka rezultuar efekte pozitive në integrimin e muslimanëve në jetën shoqërore austriake. Mësimi zhvillohet në gjuhën gjermane.
Momentalisht ka rreth 40 mijë nxënës musliman që ndjekin mësim-besimin islam në Austri. Të punësuar janë rreth 350 mësimdhënës në përafërsisht 2700 shkolla.
Me themelimin e Akademisë Pedagogjike Fetare Islame në vitin 1998 është ngritur edhe Institucioni që bën përgatitjen e kuadrove për këtë lëndë. Para pak kohe është hapur edhe Instituti Islam Religjioz-Pedagogjik për trajnimin e mëtutjeshëm të mësimdhënësve. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2001, në Vjenë jetojnë rreth 122 mijë musliman që përbëjnë 7,8 % të popullsisë.
Muslimanët në Austri janë të kënaqur si pakicë me faktin se pranimi zyrtar i fesë së tyre u hapë atyre mundësi të ndryshme, dhe mësimi fetar nëpër shkolla ka rëndësi të madhe për ta. Vetë raporti kolegjial në mes mësimdhënësve shpie në mundësi të reja dialogu.
Qëllimet e mësim-besimit islam
Përmbajtje unike dhe solide
Islami po vije gjithnjë e më shumë në qendër të vëmendjes. Është shumë e rëndësishme që të rinjve të pakicës muslimane t’u ofrohet dituri unike dhe solide për çështjet islame, dhe njëkohësisht kjo dituri t’i plotësoj kriteret pedagogjike.
Theksimi i rrugës së mesit
Edukim që bazohet në respekt të ndërsjellë dhe mirëkuptim, i qëndrueshëm dhe i kombinuar me nxitje për një të menduar kritik, ngjall ndjenjën dhe vetëdijen e përgjegjësisë shoqërore për raporte të mira ndërnjerëzore dhe sjellje etike. Islami ofron material të shumtë që përfshinë nocioni: “edukim për paqe”.
Stimulimi për identitet
Mësim-besimin islam e ndjekin fëmijë dhe të rinj që kanë prejardhje të ndryshme. Në këtë mënyrë stimulohet të menduarit për identitetin e tyre si musliman. Gjërat e përbashkëta vihen në sfond, kurse nacionalizmi dhe shovinizmi, për shkak të qëndrimit antiracist të islamit, refuzohen në mënyrë kritike. Në mënyrë të veçantë të rinjve të gjeneratës së dytë dhe të tretë lënda fetare u mundëson orientim dhe vend të sigurt për të menduar rreth rolit të tyre social.
Vetëdijesimi për përshtatshmërinë e jetesës islame me ndjenjën e përkatësisë austriake dhe evropiane
Gjatë orëve mësimore mund të diskutohet çështja e integrimit të Islamit në Evropë, dhe mund të analizohet çështja e identitetit të tyre si musliman dhe njerëz që jetojnë në Austri.
Diversiteti
Nxënësve iu bëhet e qartë se pasuria e Islamit qëndron në respektin e kulturave dhe prejardhjeve të ndryshme si dhe të shkollave të ndryshme juridike islame, dhe kështu që ata do të marrin qëndrim pozitiv ndaj qasjeve të tjera që ofrojnë modelet e ndryshme për zgjidhjen e problemeve. Shtyllat kryesore të Islamit që e përbëjnë bazën e përbashkët e mbështesin diskursin interislam që këtu luan një rol bashkues.
Përkrahja e dialogut konstruktiv në mes muslimanëve
Muslimanët në Evropë përballen me sfida të ndryshme. Shkolla si vend i arsimit dhe ngritjes intelektuale i krijon predispozitat që muslimanët e Evropës të formojnë qëndrimin e tyre dhe të jenë në gjendje t’i analizojnë në mënyrë kritike dhe të pavarur çështjet aktuale shoqërore. Së fundi mësimi fetar islam stimulon vetëdijesimin për të dalluar traditën nga Islami.
Shans të njëjtë pa dallime gjinore
Angazhimi kritik ndaj traditave të cilat sipërfaqësisht argumentohen me Islam, kurse në të vërtetë janë në kundërshtim me Islamin, është i rëndësishëm për pozitën së gruas në shoqëri dhe mund të ndihmoj në rishqyrtimin e modeleve të vjetra që nuk i përkasin Islamit.
Kompetencë në mënyrën e trajtimit të llojllojshmërisë brenda grupit, si faktor kryesor për pranimin e llojllojshmërisë së përgjithshme
Shoqëria austriake është pluraliste dhe fjala “Diversitet” tashmë është bërë pjesë e të folurit të përditshëm. Kush është në gjendje të pranoj llojllojshmërinë brenda grupit të cilit ai i përket, mundet t’i bartë më lehtë këto përvoja në aspektet mbarëshoqërore.
Dija si parakusht për një dialog të gjerë
Me kënaqësi pranojmë faktin që dialogu me njëri-tjetrin është bërë shumë i rëndësishëm. Një dialog i hapur, në të cilin marrin pjesë masa të gjëra të popullit, kërkon partnerë të tillë, të cilët përmes njohurive së tyre mundësojnë dialog konstruktiv. Bashkë me barrën si “ndërtues të urave” që u ngarkohet muslimanëve të rinj, duhet t’u jepet edhe dituria dhe arsimi për sfondin e tyre fetar, dhe këtë detyrë e kryen më së miri mësim-besimi islam.
Integrim përmes pjesëmarrjes
Motoja e Bashkësisë Islame të Austrisë reflektohet më së miri në mësim-besimin islam në shkolla. Qëllimi i përgjithshëm i këtij mësimi është që t’i edukoj muslimanët e rinj, në mënyrë që ata të bëhen anëtarë të vlefshëm të shoqërisë dhe t’i shtyjë ata që të veprojnë përmes një pjesëmarrje aktive në jetën e përbashkët në harmoni.
Bashkësia Islame në Austri.
Islamische Glaubensgemeinschaft in Österreich. www.derislam.at
Përktheu: Sokol Gashi - Austri
Krijoni Kontakt