Pengesa, akuza, atentate të dështuara !
Më urdhëruan të pushoja, vazhdon rrëfimin e tij kolonel tahir Zemaj, përkundër dëshirës time për të rifilluar menjëherë jetën në kazermën e Papajt, për të rivendosur kontaktet me ushtarët që kishin filluar të paraqiteshin çdo ditë.
Kanë qenë të caktuar dy eprorë Gani Gjukaj dhe esat Ademaj që të përcillnin ushtarët që paraqiteshin pranë Ministrisë së Mbrojtjes për në Popaj. Unë jam larguar për disa kohë nga Shqipëria, (ushëtimi me skaf drejt Italisë është një histori më vete). Pas disa ditëve jam lajmëruar tek Agim Mehmetaj dhe Halil Bicaj. Ata më thoshin se nuk ka ardhur koha për t’u kthyer. Bicaj, dikur u emrua Ministër i Mbrojtjes dhe unë kamqenë në pritje që ata të më thërrisnin. Kur pash se nuk e kishin ndërmend, por nuk e di se kur, atëherë vetë jam kthyer në Tiranë. Kur më kanë parë janë habitur dhe më kanë thënë se “qenkësha ngutur pasi akoma nuk ishte marrë asnjë vendim, akoma nuk ishin hartuar planet, strategjitë dhe taktikat e reja, se forcat gjendeshin akoma në mobilizim e sipër etj, se do të më duhej të prisja edhe pak, dhe e gjitha kjo për arsye të “sigurisë” sime.
Unë nuk i kisha hyrë kujt kurrë në borxh, nuk kisha shkelur mbi asnjë rregull, urdhër apo ligj të Republikës së Kosovës, gjatë luftës kisha bërë maksimumin për t’iu shmangur incidenteve, kisha luftuar kundër shkieve dhe kisha mbrojtur popullatën civile. Kush më akuzon qoftë edhe për gjënë më të vogël, hyn në borxh personal me mua, pasi përsa i përket veprimtarisë, jam i gatshëm të përgjigjem dhe të mabj përgjegjësi për të gjitha veprimet dhe mos veprimet e mia ushtarake, politike dhe morale. Gjyqin moral unë e kam fituar nga përkrahja e gjithanshme që më ka dhënë popullsia, qytetarët e Kosovës. Zemaj nuk ua ka bërë asnjëherë të njohur autorëve të këtij libri, faktet që ai ka, me arsyetimin se “ato nuk janë për botim, janë për në gjykatë”. Ajo ditë nuk do të jetë shumë e largët. Nuk është rastësi që shumica e njerëzve që akuzohen për krime dhe vepra të tjera penale gjatë luftës, ata që me veprimet dhe mosveprimet e veta kanë shkaktuar gjakderdhje, djegie dhe vjedhje, fill pas çlirimit të Kosovës kanë vrapuar të formojnë parti politike duke menduar se kështu fitojnë imunitet politik.
Megjithatë, për mua që atëherë, po bëhej gjithnjë e më e qartë selinja destruktive kishte fituar terren, kishte zënë vend të rëndësishme, paraqitej agresive dhe mjaft e rrezikshme ndaj njerëzve që nuk ndanin të njejtat pikëpamje me ta. Elementë të tillë i vërejta edhe pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Po përpiqesha t’u bëja një lidheje organike gjitha ngjarjeve që kishin ndodhur, gjithë atyre që transmentonte televizioni i Tiranës, i cili ka luajtur një rol jashtëzakonisht përçarës, atyre që shkruheshin në shtyp dhe njohjeve të mia dhe vërejta se ata që luftonin për rrëzimin e qeverisë së Bukoshit në kohën që Kosova përgjakej nga shkiet, kishin avanczar mjaft. Jam munduar ta arsyetoj atë gjendje duke vlerësuar gatishmërinë e institucioneve tona për të krijuar një gjendje ballance dhe ekuilibri në të gjitha aspektet e mundshme, gjë që shpresohej se do të sillte çtensionim të situatës. Mjerisht, ata që ne i pranuam në gjirin tonë veç për të arritur pajtimin dhe shmangur përçarjen, penguan çdo inisiativë të përbashkët, ndërkohë që të nxirrnin sytë për të marrë mjete financiare apo logjistike.
Shumë komandantë janë financuar, duke u deklaruar se janë komandantë të kësaj njësie apo të atij regjioni. Në takim me kolegët e mi, duke e ditur se eprorët me të cilët kisha punuar më parë ishin në rrugë të zotit dhe të atdheut, vendosëm t’i përvishemi punës për përgatitjet ushtarake në Papaj. Veç, çdo tentim i imi për të shkuar në Papaj është penguar me gjithëfarëlloj justifikimi, si bie fjala nuk është e nevojshme, akoma nuk ka aq forca sa të kërkohet puna dhe përgjegjësia jote etj. Ata, siç duket kishin depërtuar deri edhe në hierarkinë e Ministrisë së Mbrojtjes duke e shpartalluar atë, pothuajse krejtësisht. Psh. Rrustem Berisha, financohej, pajisej dhe zbatonte një pjesë të urdhërave të Ministrisë, veç, siç është marrë vesh, pas bisedave e takimeve që ka pasur me Jakup Krasniqin, Azem Sylën e ndonjë tjetër, ka ndërruar qëndrimin, ka vepruar në krye të vet, nuk i ka informuar më eprorët e tij. Praktikisht ka vepruar pas shpinë së tyre. Unë mora në telefon në Papaj dhe i lajmërova se do të shkoja për një vizitë. Kisha vendosur të merrja përsipër të gjitha përgjegjësitë që kisha pasur. Ministria më tha se nuk ishte mirë të shkoja, por unèe e kisha vendosur.
Duke parë se diçka bluante nën dhe, bëra një dredhë të vogël. Nuk shkova në orën që kisha lajmëruar se do të gjendesha atje, por nja 8-9 orë më vonë. Në orën katër e gjysmë të mëngjesit, dy ditë para fillimit të Luftës në Koshare, jam futur në kazermë me tetë ushtarë. Kam kontaktuar me disa persona dhe ata më kanë treguar planin që ishte përgatitur “për të më pritur mua”. Një njësi nën komandën e njëfarë Nasim Haradinaj, të cilin unë nuk e njoh, ka pas përgatitur atentatin. Ushtarët e kishin marrë vesh dhe kishin ndërhyrë. Ishte krijuar një situatë shumë e rrezikshme. Me ndërhyrjen e disa eprorëve ishte shmangur gjakderdhja. U informova me detajerreth kësaj gjendje dhe duke mos dashur që problemet të ndërlikoheshin edhe më tej, jam tërhequr. Të nesërmen kam informuar Ministrinë e Mbrojtjes.
Atentate kundër meje kanë qenë përgatitur edhe më parë, gjatë kohës që kam qenë në Dukagjin. Faton Mehmetaj ka pasë futur një njeri, një ish bashkëpunëtor të serbëve, (për këtë atentat të dështuar ekziston një dosje e plotë), një njeri i fshatit Kosuriq për ta kryer atentatin. Ata kanë pasë vendosur të më vrisnin mua dhe Sali Çekun, të cilin gjatë gjithë kohës e kanë pasur problem. Donin ta eliminonin, ta largonin, sepse kishin shumë frikë nga potencialet e tij, nga njohjet e gjera, nga cilësitë dhe virtytet e tij. Ka pasur krime të tjera, për shembull vrasja e Sanie Balë, që është vrarë për motive të ulëta, për t’ia vjedhur disa deviza, (më vonë ata e akuzuan se ajo paskësh bashkëpunuar me serbët !). Pasi e kanë vrarë, e kanë djegur dhe hedhur në liqenin e Radoniqit. Janë vrarë një burrë e një grua dhe shumë të tjerë. Hetimin e këtyre ngjarjeve e kanë bërë organet e brigadës për zbulim dhe kundërzbulim. Ekzistojnë prova, dëshmi dhe dokumentacion i plotë rreth tyre. Sapo në Kosovë të rindërtohet një sistem i besueshëm drejtësie, ata që kanë vrarë e djegur në “emër të popullit”, kanë për të dhënë përgjigje në emër të po atij populli.
***
REPUBLIKA E KOSOVËS
UÇK – Brigada 131
Zonës III Operative
Baran 26.08.1998
KOMANDANTIT
Shenim zyrtar
I përpiluar nga ana puntorit operativ lidhur me përgaditjen e atentatit ndaj Komandantit të Zonës së III Operative-kolonel tahir ZEMAJ.
Siç jam informuar nga lidhja ime operative. Faton MEHMETAJ në cilësin e komesarit politik, i ka dhënë leje të përhershme qarkullimi në tërë Dukagjinin Sali SHKRELIT dhe djalit të tij nga fshati Kosuriq. Ky person sipas puntorit zyrtarë dhe tërë Lugut të Baranit ishte i njohur si bashkëpunëtor i ngusht i policisë serbe. Gjithashtu është bërë rehabilitimi i Sali Shkrelit dhe familjes së tij nga ana e Faton Mehmetajt, Metë Krasniqit dhe Dr. Dinë Krasniqit, në shtëpinë e Sali Shkrelit në fshatin Kusuriq në shtëpinë e Sali Shkrelit ku qëndruan me orë të tëra, për përgaditjen e atentatit ndaj Komandantit të zonës së tretë operative – Tahir zemajt. Në përgatitjen e atentatit kanë marrë pjesë vetëm Fatoni dhe Dina. Pas një kohe Salihu krijon miqësi të ngushtë me Metën dhe i tregon për detyrat e marra nga Faton Mehmetaj dhe gjitha imsirat për kryerjen e atentatit. Për të gjitha këto Meta e ka informuar puntorin operativ dhe ky i fundit e ka informuar Komandantin e brigadës 131 në Baran.
Komandanti i Brigadës 131 këto informata ia përcjell Komandantit Tahir Zemajt për të marrë masa kundër këtij plani.
***
Ky shënim zyrtarë është i përpiluar nga puntori operativ i Brigadës 131.
Këta persona ngatërrestar kishin arritur të fusnin një njësit të tyrin brenda kazermës gati me dhunë, duke pretenduar se edhe ata donin t’i bashkoheshin njësive tona. Në fakt qëllimi tyre, siç është reflektuar gjatë gjithë kohës, nuk ka qenë të luftojnë përkrah nesh, por të na përçajnë dhe të na sjellin probleme. Vendosa të krijoja një njësi të re për intervenime të shpejta. Në një objekt në Lezhë, fillova krijimin e njësisë së re. Ndërkohë kishte filluar lufta në Koshare.
Pas pak kohësh jam transferuar në Mamurras, ku numri i ushtarëve është rritur ndjeshëm si rezultat i përgjigjes që i është dhënë thirrjes për mobilizim. Ka pasur ushtarë shqiptarë që kishin ardhur nga të gjitha anët e botës, por edhe nga ata që më parë kishin luftuar në të gjithë Kosovën, nga Dukagjini, llapi, Drenica etj. Për katër –pesë ditë është plotësura Brigada “Mërgimi” me personel të kualifikuar ushtarak dhe me armatim të ri dhe funksional. Ai armatim që e kishim pritur prej kohësh, kishte ardhur së fundi. Në stërvitjen e trupave kanë ndihmuar edhe specialistë nga vendet e NATO-s, nga Norvegjia, Suedia, Gjermania etj. Ata qenë specialistë që në bashkëpunim me oficerët tanë i stërvisnin ushtarët për ndërhyrje të shpejta sipas modeleve më të avancuara perëndimore.
REPUBLIKA E KOSOVËS Sekter ushtarak
Ministria e Mbrojtjes Tejet Sekret
05. Nr.11 / 1- 1
Prishtinë 16.05.1999
Në bazë të nenit 52 paragrafi 2 të Dekretligjit të Mbrojtjes të Qeverisë së Republikës së Kosovës 01. Nr. 17/93 për emrimin e kuadrove në njësi, lëshoj këtë
U R D H Ë R
Me këtë urdhër caktohen eprorët të cilët do ti kryen detyrat në organizimin, aftësimin e njësive si dhe në momentin e caktuar të angazhohen me këto njësi në teritorin e Republikës së Kosovës
Komandant Tahir Zemaj – BESNIKU
Eprorët: Rustem Demaj
Burhan Jahiu
Sami Shabanaj
Shaban Shkreli
Bernard Përlaskaj
Izet Krasniqi – përkthyes për instruktorët Norvegjes e Suedes
Fazli Rugova
Ramadan Behluli
Shaban Morina
Bashkim Thaçi
Avni Kastrati
Sali Rexhaj
Ramadan Sadiku
Alush Myrtaj
Ramiz Muriqi
Sadri Lipaj
Ramadan Behluli pas angazhimit të brigadës MERGIMI në Teritorin e Republikës së Kosovës i mer kompetencat e repartit në Mamurës.
Ky urdhër hyn në Fuqi menjëher
Shtypur në tri Kopje Ministri i Mbrojtjës
- Arkivit (vula zyrtare) HALIL BICAJ
- 2 X njësisë
Edhe në Mamurras ka pasur një tentativë për të më bërë atentat, kjo ka qenë e treta me radhë pas asaj në Dukagjin dhe në Papaj. Siç kam përmendur, pranë njësive që kam drejtuar, gjithmonë kam krijuar organet e kundërzbulimit, të cilat më kanë informuar se në kazermën tonë do të vinin “dy ushtarë të rinj”, të ngarkuar për kryerjen e atentatit. Ata kanë ardhur dhe ne menjëherë i kemi vënë nën mbikqyerje. I kemi ndjekur veprimet e tyre deri në 4astin, kur ata kanë dashur të realizojnë punën e tyre të zezë, në bashkëveprim edhe “me forca” të tjera, jashtë kazermës.
“Ushtari” u ndalua dhe pa kurrfarë dhune ka pranuar, dhe haptas ka deklaruar se “urdhërin e kam marrë nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-së « . Ky person, nga fshati Istog, fillimisht ka qenë i ngarkuar të survejonte Ministrinë e Mbrojtjes. Kjo është dokumentuar dhe e xhiruar. Personi tjetër i zënë bashkë me të, me mbiemër Ademaj nga fshati Vrellë, ka deklaruar se « qe i lumtur që e kishim zënë, pasi ai nuk kishte nga t’ia mbante pa e kryer atë punë”. Kam informuar Ministrinë e Mbrojtjes dhe ndaj tij ne nuk kemi marrë në atë kohë asnjë masë, ve4 e kemi dikumentuar rastin. Ai sot gjendet në shtëpinë e tij në Vrellë. Ai ka rrëfyer edhe për “instruksione dhe përgatitje të tjera”, por që deri më sot me sa di unë ato punë të zeza kanë mbetur në tentativë.
Ne vazhduam punën. Bujar Bukoshi me disa anëtarë të kabinetit të tij ka bërë inspektimin e njësisë dhe ka qenë i knaqur me nivelin e saj. Ne prisnim vetëmurdhërin për të hyrë në luftime. Urdhër që nuk erdhi kurrë dhe ka qenë një dëm i madh, pasi brigadat 131, 134 po luftonin në Koshare. Efektivat e tyre mbusheshin me ushtarë të pa stërvitur. Rrustem Berisha pranonte dhe fuste në luftime djem e vajza të papërvojë, gjë që ka sjellë edhe humbjen e shumë prej tyre. Ndërkohë, disa ushtarë dhe eprorë të cilët kishin qenë nën komandën time në Zonën e Tretë Operative gjatë luftës, më kanë pyetur se çfarë duhej të bënin pasi punët me rrustem Berishën kishin ndryshuar ? I kam këshilluar të luftonin krah përkrah me të tjerët, pasi ne ishim njëlloj, luftonim për të njëjtin qëllim dhe se nuk duhej t’ua vinim mendjen gjërave të vogla.
Brigadën “Mërgimi” nuk e urdhëroi askush të përfshihej në luftime, edhe pse dihej aftësia dhe kapacitetet e saj. Pas vrasjes së Agim Ramadanit, Rrustem Berisha ka tentuar të fshijë nga historia kontributin e brigadave 131, 134 si dhe të batalionit diversanto-vëzhgues “Delta”, duke i bashkuar dhe formuar vetëm një brigadë, me një numër të ri, 138 dhe duke i dhënë emrin e heroit Agim Ramadani. Nuk kishte asgjë të keqe që Brigada 131 dhe 134 të merrnin emrin e një prej eprorëve të tyre më të shquar, por rrustem Berisha tentonte të shuante nga faqja e dheut kontributin e tyre të mëparshëm, duke mohuar edhe një pjesë të kontributit të tij personal, veç si e si të akomodohej me rrethanat e reja. Megjithatë, pas daljes në opinion të emërtimeve të reja nuk kam bërë asnjë veprim, duke menduar se nuk qe e udhës të merresha me gjëra të tilla anësore, por edhe për shkak se ato brigada e kishin shkruar historinë e tyre, jo veç me dekrete, por edhe me gjakun e luftëtarëve të vet. Askush nuk mund të fshinte kontributin e tyre nga historia më e re e Kosovës.
Arsyeja se pse po i kushtoj vëmendje këtij detaji qëndron në faktin se dikush po përpiqej të përvetësonte punën tonë, të manipulonte me gjakun e të rënëve të brigadave tona, për t’i përdorur emrat e famshëm të Sali Çekut dhe Agim Ramadanit për kapital të mëvonshëm politik, deri edhe për shtrembërim të realitetit në dobi të interesave të ngushta të politikës së vet ditore. Njëkohësisht donin të përvetsonin kapitullin më heroik dhe më profesional të luftës në Kosovë, duke hedhur pluhur mbi përpjekjet serioze dhe kombëtare të institucioneve të republikës së Kosovës për të organizuar dhe drejtuar rezistencën e armatosur të popullit tonë.
Skema sa është e thjeshtë, është po aq kriminale. Etiketimet që i bëheshin Presidentit Rugova, vrasja e Fehmi Aganit, presionet ndaj Bujar Bukoshit, vrasja e Ahmet Krasniqit, deformimi që pësoi rrustem Berisha e disa të tjerë, shantazhi me shpifje dhe fyerje ndaj meje, të gjitha bashkë synonin të rrëzonin përdhe e të shkelnin mbi të gjitha përpjekjet, mundin dhe përkushtimin e Institucioneve të republikës së Kosovës për të mbrojtur qytetarët e saj. Njëkohësisht, kjo do të ndihmonte në ardhjen në pushtet të një garniture, e cila para dhe gjatë luftës ishte shprehur hapur se luftonte kundër Institucioneve të vozuara, të njohura dhe të respektuara nga populli i Kosovës. (Fq.111-118)
Krijoni Kontakt