
Postuar më parë nga
drifilon
Nje shkrim shume i vertet dhe interesant nga Augustin Palokaj Gazetar i perhershem ne bruksel i Kohes Ditore dhe njeherish nje nder Gazetaret shqiptare me me pervoje dhe me i vjetri ne Bruksel .
Ja si shprehen ne bisedat private konfidenciale zyrtaret e brukselit per politikanet e shqiperis
Miresjellja e kosovareve - shembull per politikanet e Shqiperise
29.06.2010
nga Augustin Palokaj
Shqipëria është edhe zyrtarisht vendi më i varfër në Evropë, së paku përderisa Kosova të mos trajtohet si shtet nga enti evropian i statistikave, EUROSTAT.
Shënimet e tij të bëra publike javën e shkuar mbi bruto prodhimin shoqëror për kokë banori, duke u bazuar në fuqinë blerëse, e nxjerrin Shqipërinë si vendin më të varfër të Evropës. Kosova nuk u përfshi në këtë raport të fundit statistikor dhe, kur të ndodhë kjo, Kosova do ta zëvendësojë Shqipërinë në pozitën e fundit si vendi më i varfër në Evropë.
Për rritjen ekonomike duhet pasur parasysh disa faktorë dhe duhet pritur disa vite. Nuk është turp as të jesh i varfër. Por ekziston një shqetësim tjetër lidhur me shqiptarët, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Me përjashtim të ”sjelljes konstruktive në bashkëpunimin rajonal“, pothuajse nuk ka fushë tjetër ku Kosova dhe Shqipëria marrin lëvdata nga bashkësia ndërkombëtare. Nuk luftohet sa duhet krimi i organizuar dhe korrupsioni. Shkelen rregullat e prokurimit publik, liritë e mediave nuk respektohen, gjykatat janë nën ndikime politike. Dhe, çka është edhe më keq, shqiptarët në vendet evropiane ende kanë në masë të madhe një imazh jo të mirë.
Shqipëria është shtet dhe, ndryshe nga Kosova, ajo trajtohet si shtet edhe nga NATO-ja edhe nga Bashkimi Evropian. Si e tillë është edhe anëtare e NATO-s dhe ka aplikuar edhe për anëtarësim në BE me të cilën ka të nënshkruar edhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit e cila, në një mënyrë, e bën Shqipërinë anëtare të asociuar me BE-në. Prandaj mund të thuhet se Kosova synon të arrijë për disa vite atë që sot ka Shqipëria.
Por ka një dallim në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, që shihet si përparësi e Kosovës. Kjo është klima e brendshme politike dhe reflektimi i saj në takimet ndërkombëtare, në të cilat marrin pjesë delegacionet nga Kosova. Në Kosovë ka debat të ashpër politik në mes të Qeverisë dhe opozitës. Ka ngatërresa edhe të asaj se çfarë është opozita dhe shpesh parterë të Qeverisë së koalicionit sillen sikur të mos e dinë se ata janë pjesë e së njëjtës Qeveri. Ka edhe përfaqësues të opozitës që bëjnë biznese me Qeverinë. Ka edhe fjalorë fyes në prononcime publike, duke përfshirë edhe akuza për hajni dhe vrasje. Por, kur delegacionet shumëpartiake, posaçërisht ato parlamentare, dalin jashtë Kosovës, nuk e akuzojnë njëri-tjetrin nëpër takime, por flasin për nevojën e integrimit të Kosovës në BE, ndihmën që i nevojitet Kosovës në këtë drejtim. Kështu është tash e disa vite dhe asnjëherë nuk ka ndodhur që në takimet në Parlamentin Evropian të ketë shkëmbim akuzash mes mysafirëve të Kosovës para mikpritësve evropianë.Kështu ishte edhe në takimin e fundit ndërparlamentar të deputetëve nga Kosova me ata të Parlamentit Evropian. Deputetët nga koalicioni qeveritar dhe nga opozita flisnin për të njëjtat gjëra, kërkonin liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës, ndihmë ekonomike. Madje edhe përfaqësuesit e pakicave nga Kuvendi i Kosovës ishin shumë konstruktivë. Krejt kjo me një fjalor të matur, ndonëse shpesh edhe të mërzitshëm.
Shqipëria është një rast krejt i kundërt. Sa herë që kanë ardhur delegacione nga Shqipëria, përfaqësuesit e Qeverisë dhe ata të opozitës e kanë konsideruar sallën e Parlamentit Evropian si një ring boksi, ndërsa deputetët e BE-së si arbitra. Edhe kur Sali Berisha me PD-në e tij ka qenë në opozitë dhe socialistët në Qeveri, edhe tash kur është e kundërta, ka qenë e njëjta pamje. Përfaqësuesit e partisë në pushtet kanë folur për “suksese të mrekullueshme çfarë nuk ka pasur askush në histori“, ndërsa opozitën e kanë konsideruar si një organizëm që “nuk ia do të mirën vendit dhe është e lidhur me strukturat e krimit“. Opozitarët gjithmonë kanë folur të kundërtën dhe e kanë quajtur strukturën në pushtet si ”mafioze“ dhe se kanë ardhur në pushtet ”duke vjedhur votën e popullit“. Asgjë nuk ka ndryshuar tash e 15 vjet. Madje ka ndodhur që në Bruksel një ministër i Shqipërisë të grushtohet nga simpatizantë të një partie. Ka ndodhur kjo me ish-ministrin e Integrimeve Evropiane, Paskal Milon, të cilin nën një hotel të Brukselit e kanë rrahur mbështetësit e PD-së.
Një prej deputetëve evropian shprehu dëshirën që edhe deputetët nga Shqipëria të sillen në këtë mënyrë kur vijnë në Bruksel dhe të flasin më pak kundër njëri-tjetrit e më shumë në të mirë të vendit të tyre.
”Më vjen keq të them, por ata nga Shqipëria po sillen sikur të ishin të egër. Nuk e kuptojnë fare se çfarë është demokracia parlamentare“, thoshte një deputet.
Fije respekti për politikanët nga Shqipëria nuk ka askush në Bruksel pa marrë parasysh se zyrtarisht, që të mos bëhen si vetë ata, përmbahen që këtë ta deklarojnë publikisht dhe thonë se ”kanë respekt si për pozitën, ashtu edhe për opozitën“. Mjerë ata që gëzojnë „respekt“ të tillë.
Krejt kjo nuk ka mbetur dhe nuk do të mbetet pa pasoja për Shqipërinë.
Vizat nuk janë liberalizuar ende dhe Shqipëria duhet seriozisht të arrijë standardet e kërkuara, sepse nuk ka garanci nga BE-ja. Nëse nuk ndryshohet diçka, edhe mendimi i Komisionit Evropian për kandidaturën e Shqipërisë mund të mos jetë pozitiv, kur të bëhet publike në fillim të muajt nëntor.
Do të ishte mirë sikur politikanët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë të mos ua merrnin të ligat njëri-tjetrit, por të mirat. (Koha D.)
Krijoni Kontakt